Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Histori me miliona dhe milionerë

| E premte, 22.08.2014, 08:09 PM |


Histori me miliona dhe milionerë

ose

Panairi shqiptar i kotësive

Nga Vangjush Saro

Edhe pse prodhohen skena dhe lajme të "gëzuara", si ai nga Samiti i Berlinit, që gjithsesi duhet ta përcjellim me shpresë, skena shqiptare e ekonomisë dhe protagonistëve të saj, ka kaq shumë hije dhe paqartësi. Ndjek shpesh një emision të quajtur "Dragons' Den" (në një nga TV kanadeze). Këta, "dragonjtë", janë disa biznesmenë shumë të njohur, ndër më të pasurit; ndërmjet tyre, është edhe një grua. Ata thirren në këtë emision televiziv mjaft të ndjekur, për të biseduar e shkëmbyer ide rreth biznesit; përballë tyre janë "peshq" të vegjël apo thjesht individë që kanë dëshirë të përfshihen në biznes. Bëhet fjalë sidomos për biznese të reja. Këta "mëtonjës" të rinj të botës ekonomike, vijnë me mjetet dhe propozimet e tyre, të cilat ndonjëherë gjejnë mbështetje nga njerëzit e elitës ekonomike këtu, madje flitet për sponsorizime, mbështetje financiare dhe përqindje (fitimi). Këta njerëz shumë të pasur janë të qetë, kanë shumë humor, përfshihen në lojërat e propozuesve, ndonjëherë bëhen njësh me ta. Ata janë njerëz publikë, i kanë shpallur bizneset dhe fitimet e tyre, nuk fshihen.

Ato që po ndodhin dita ditës në Shqipëri - është me të vërtetë i habitshëm dhe i pakuptueshëm fati i këtij vendi - janë dhe mbeten jo thjesht skandaloze e ndonjëherë të përbindshme, por më së pari të pashpjegueshme. Shkatërrohet një ekonomi e tërë - ashtu si ajo ishte para vitit '90 - dhe nuk ka as shpjegime, as përgjegjës, as "pasardhës". Vidhet floriri i vendit dhe nuk ndodh asgjë. Konfirmohet se ka disa piramida në "lulëzim", si shkolla e lartë apo mediet e sajuara, por askush nuk trazohet. I gjendet fundi Bankës së Shtetit dhe jeta politike dhe ekonomike vazhdon sikur të mos kishte ngjarë kurrsesi një kob i tillë. Në këto e sipër, njerëz të veshur me pushtet, politikanë dhe të tjerë të lidhur me politikën, sigurojnë fitime dhe përfitime, kohë e pa kohë, me dhe pa të drejtë. Por nuk shpallin asgjë, përkundrazi e fshehin pasurinë e tyre. Dhe kështu, heshtja dhe pyetjet retorike shoqërojnë të gjitha episodet groteske të përditshmërisë groteske të këtij vendi.

Nuk kam asgjë me milionerët dhe të pasurit; ata janë pjesa më e nderuar e një vendi normal; po ashtu, nuk kam asgjë me biznesmenët shqiptarë; disa prej tyre i kam njohur nga afër duke punuar për më shumë se dhjetë  vjet në Dhomat e Tregtisë, (por duke mos ia shtrirë dorën asnjërit prej tyre për ndonjë sponsorizim libri; unë mendoj që librat duhet të botohen nga entet botuese dhe jo duke u qaravitur lart e poshtë për para). Sigurisht që gjatë kësaj periudhe në një rend tjetër, në atë të ekonomisë së tregut, shumë njerëz kanë bërë biznes e tregti, kanë emrin dhe arritjet e tyre. Megjithatë, shumica e "parallinjve" të Shqipërisë janë disi të çuditshëm, shfaqen papritur, pastaj fshihen, dalin "parallinj" të tjerë, ca evidentohen me raste në ndonjë media ose kjo e fundit iu bie pas në "gjueti" e sipër për ndonjë gjë të veçantë apo ngase është paguar për të folur "mirë" për xhaxhi biznesmenin, etj. Një gjë është tejet e qartë: kush lidhet me pushtetin dhe me pushtetarët, kush di ta "vërtisë", mund të ngryset një dosido e të gdhihet një bos. Natyrisht, edhe pushtetarët dinë çfarë të zgjedhin, nuk e bëjnë "pazarin" me këdo. Të mos e fetishizojmë. Jo se kjo nuk ngjet gjetkë, por në Shqipëri, ashtu si edhe dukuri të tjera, bie në sy më tepër, sepse realizohet në mënyrë arogante dhe spekulative.

Për arsyet që u shpjeguan më lart, por edhe për shumë të tjera që s'është vendi të numërohen këtu, si pasiguria, konkurenca e pandershme, etj., biznesmenët nuk kanë dëshirë të shfaqen, madje ndonjëherë fshihen, nuk duken kurrsesi si "dragonj" a së paku si njerëz publikë. Sidomos pushtetarëve iu druhen shumë, sepse e dinë që ata kanë në dorë gjithçka: sheshet e ndërtimit, tenderat, punimet e rëndësishme, kreditë me leverdi, por më së pari dosjet e reja, ato të krijuara në tranzicion e në anarki. Dhe në ato dosje ka shumë pikëpyetje. Ndërkaq,  institucionet që do të duhej t'i mbronin dhe t'i mbështesnin, më së pari Dhomat e Tregtisë, mandej gjykatat e kështu me radhë, janë ose pa fuqi dhe pa autoritet, ose të varura në çengelin e pushtetit. Është krijuar kështu një sistem i mbyllur dhe i pasigurt (për të gjithë) që herët a vonë plas e qelb gjithë vendin, ndër zgjedhje politike më tepër, por ja edhe në raste skandalesh jashtë çdo freri, si vrasje biznesmenësh e politikanësh, shumimi i universiteteve fantazmë apo ajo ngjarja me Bankën e Shtetit, etj.

Disa këmbana bien dhe nuk dëgjohen. Bie fjala, "blerja" e ish-hotelit të madh e me histori ("Dajti") u vu në shënjestër nga disa medie, që shquan në këtë episod vjedhje dhe abuzime. Me naftën dhe kromin, me puset dhe minierat, një Zot e di ç'po ndodh. Pagat e larta dhe honoraret e papërfytyrueshme, gjithashtu janë trajtuar si "imitime" të botës së përparuar në kushte e rrethana të një vendi me halle të mëdha dhe me performancë (pothuaj) të mjerë. Dështimi me arsimin e lartë s'ka nevojë për komente. Indiferenca ndaj hulumtimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, është apeluar shumë e shumë herë. Hipokrizia e Inspektoriatit të Kontrollit të Pasurive të Zyrtarëve tashmë është proverbiale... Le të mos flasim për 20-katësha të demaskuar dhe të përqafuar sërish, si dhe për kënetën e drejtësisë apo shpalljen hapur të bakshisheve në çështje të mëdha e të vogla. Dhe të mendosh se ç'rroga e ç'privilegje gëzojnë njerëzit e (pa) drejtësisë, po ashtu inspektorët dhe kryeinspektorët e "Panairit të kotësive"...

Pushteti aktual po bërtet për reforma e ndryshime. Në këto aspekte që u cekën më lart, pamja është gjithë njësoj. Nuk po duken ende shenja se do të "lexohen" votat e qytetarëve shqiptarë. Ndër reshtat e këtyre votave - patjetër edhe atyre të zgjedhjeve vendore - mbetet kërkesa për transparencë, përfshi milionat, milionerët, hisen e politikanëve dhe familjarëve të tyre këtu, etj. Hë për hë, ka ende vetëm një përzierje të demagogjisë me skandale të pamëshirshme. Nga të gjitha krahët e nga të gjitha fushat. Dhe një tufë birbosh që luajnë me "tërheqje litari"...