E premte, 29.03.2024, 12:44 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Për të nesërmen shqiptare

E diele, 10.06.2007, 05:18 PM


ABC po boton në Rubrikën e saj të zakonshme DIKUR, dy shkrime të personaliteteve të njohura të viteve të paraluftës, Butka dhe Zavalani. Si pak të tjerë syresh, ata kanë dashur një Shqipëri ndryshe në Familjen Evropiane.

Safet Butka

Nevojat tona janë të shumta. Këtu do të përmendim vetëm më të mëdhatë, që kanë edhe lidhje midis tyre: arsimi kombëtar, ekonomia dhe shëndetsia.

Cila është nevoja kombëtare më kryesore?
Rëndësia më e madhe po i jepet sot nëpër fletoret dhe pothuajse kudo, krizës ekonomike; pastaj vjen arsimi dhe më në fund shëndetsia. Por ky klasifikim për gjendjen e kombit tonë, është i paarësyeshëm. Prandaj, me qenë se ideja është bërë fakt (gjë që vërtetohet nga përpjestimi i kundërt i buxhetit shtetëror), po marrim lejën ta komentojmë:
Nuk mohojmë kurrë që gjendja ekonomike lot rolin më kryesor. Sepse, edhe pot ë donim, s’do të mundnim, kur çdo i urtë e di se një person a një shtet që s’ka financën në rregull, e ka në rrezik nderin, shpirtin dhe jetën. Më të shumtat e luftrave, qysh nga Monte Kukli e gjer në ditët tona, janë bërë veç me të holla, por edhe për të holla. Edhe lufta e përbotshme u fitua nga ata që patën më tepër dollarë.
Për ne, si një kombi vogël, por me një vend strategjik, lëvizja e ngritjes ekonomike ka një rëndësi të veçantë, se zhvillimet më të mëdha s’janë bërë, të thuash, kurrë me armë!
Gjithashtu, mund të themi që problemi ekonomik nuk zgjidhet dot vetëm me vetveten as drejtpërdrejt, me që nevojat kryesore janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe me të tjerët. Këtë e vërtetojmë edhe me interesin e posaçëm që është zgjuar ndër ne rreth krizës ekonomike të përbotshme dhe më përfundimet me shënja negative të përpjekjeve tona. Thirrjet analoge për kursime po ushtrojnë si zëri në shkretëtirë, ndërsa varfëria po shtohet, sikur t’i kishin hedhur zjarrit benzinë.
Shkakun kryesor të këtij mjerimi mund ta gjejmë duke e kërkuar burimin tek kriza ekonomike, që është sot një lëngatë e përgjithëshme dhe i detyrohet kryesisht luftës botërore. Por, nga ky regull lypset të përjashtohet Shqipëria, sepse ky vend u nda nga lufta me fitime lëndore mjaft të mëdha. Sidomos ari dhe argjendi që u grumbulluan me këtë rast, e bënë shqiptarin të përfitonte edhe pas luftës nga rënia e monedhave në shtete të ndryshëm. Edhe fshatari më i pagdhendur bëri qejf badjava në Beç ose në Vjenë!



Por, pastaj ç’ngjau?
Qysh nga viti 1920-21 e këtej, atëhere kur populli e shteti shqiptar zunë të hynin në udhën e një jete normale e plot shpresa, gjendja jonë financiare mori tatëpjetën vit pas viti, në vend që të përmirësohej si gjetkë. Pse? Sepse “agallëku është i rëndë e s’e mban dot kushdo”- thotë një fjalë e pleqve. Dhe aq më i rëndë për t’u kthyer përsëri, kur s’diti të mbahej. Gjendja jonë ndryshon në çdo pikëpamje nga ajo e të tjerëve, që i kanë rregulluar me kohë gjithë konditat e para për kapërcimin e krizës ekonomike. Dhe kjo vërtetohet nga veprat e ndryshme. Për shembull, kur Amerika e ndaloi krejt alkoolin, kufizoi numrin e punëtorëve të huaj dhe taksoi rëndë mallrat që vinin së jashtmi, neve që s’ngopemi dot as me bukë misri, s’na shkoi ndërmend të bënim kufizime të tilla. Kur bota e jashtme mundohet për një bashkim ekonomik të gjithë Evropës, bota shqiptare ndodhet në këtë pikëpamje e përçarë në elementë të ndryshëm, në atome të pafuqishme, që përpiqen të hanë njëri-tjetrin. Kur tërë kombet po i përshtaten nevojave të kohës, vetëm kombi ynë jo; shqiptari po rron e punon edhe sot si njëherë, kur armiqësitë dhe pasiguria e jetës i detyronin një rrojtje të veçantë. Një egoizmë e verbër, që është bërë natyrë e dytë, e shtyn të mos peshojë, por të marrë nëpër këmbë interesat e shoqërisë. Zakonet e vjetra plot harxhe i shtrëngon me këmbëngulje dhe të rejat po i merr me një majmunëri teleshmane, që s’ka parasysh deficite buxheti.
Me këto thënie të pakta, që na sjellin ndërmend edhe argumente të tjerë, vërtetohet plotësisht se shkaqet e varfërisë sonë janë krejt të veçantë, d.m.th. me tjetër natyrë. Janë rrjedhojë e një ndryshimi mendor e pothuaj shpirtëror, që kemi nga bota e qytetëruar. Prandaj dhe mund të shohim nganjëherë se shkaqe të njëjtë bëjnë në këta dy trupa efekte të ndryshme.
Po biem si shembull uljen e vleftës së argjendit. Shqipëria s’u dëmtua në këtë rast vetëm se pati në dorë mjaft korona, por edhe se korona e popullit u spekulua nga sarafët dhe nga banka kombëtare jo sipas kursit të përbotshëm, por siç u desh qejfi. Sikur të mos mjaftonte kjo fatkeqsi, na panë sytë edhe një tjetër. Me rënien e tmerrshme të koronës (nga 52 në 100) po humbet populli edhe afron 20% të frëngës ar, sepse dollari ka kohë që po prishet 20-22 korona në 20-22 lekë, të cilat nuk gjenden lehtë. Muaj me radhë po flitet, po shkruhet e po vendoset për kapërcimin e kësaj vije që po bëhet përrua e lumë dhe asnjë përfundim, pale përmirësim!.
Le të mos çuditemi. Ky shembull i gjallë mund dhe duhet të na i mbushë mendjen se kriza ekonomike na paraqet një përfundim rrjedhojash, që kanë për burim kryesor pazotësinë tonë. Dhe kjo s’mund të ndryshojë për sa kohë na mbulon padija, që është mëma e gjithë të këqijave. Pazotësia e shtetit është shkaku, p.sh që pyjet e malësisë po zhduken pa mëshirë, që rrëketë e përrenjtë po marrin me vete ajkën e tokës më pjellore, që valët e turbullta, duke mos gjetur përpara ndonjë pengim të vënë me parashikim nga duart e përbashkëta të një grupi njerëzish të civilizuar, po transformojnë fushat më të bekuara në fole malarike e tjera.
Padija e bujkut është që toka punohet sipas sistemit më të vjetër, që ara e cila bën më mirë pambuk a duhan, mbillet elb a tërshërë dhe ai shet patatet me tridhjetë para e mban misrin për vete, që shkon nga tre grosh.
Padija e tregtarit është se malli jashtëm dhe ai që shkon nga Shqipëria, bie në kaq duar e fitimin e marrin përgjithësisht tregtarët çifutë.
Edhe në rrafshin shëndetsor, rolin kryesor e luan padituria, e cila shërohet me dije dhe kulturë... . Katundarët, sikundër dihet, kanë etje të madhe për mësim. Po për fat të keq, kur vjen puna që proverbi “Shit kalin e mëso djalin” të vihet në veprim, fshatarit të gjorë i dalin përpara një mijë e një pengime, të cilat rrjedhin përsëri nga padija për të bashkuar fuqitë në një qëllim. Atëhere, fjalët e bukura i merr era dhe...kështu e gjetëm, kështu do ta lemë!
Këtë tip që punon kundra vetes, njeriu e gjen edhe tek ata që kanë kryer një shkollë dhe përsëri kujdesi i tyre në këtë pikëpamje kufizohet nga fanatizmi i trashëguar: “Të shkoj mirë sot, pa nesër ka Perëndia!”. Ose ca më keq: “Ç’më lipset mua të lodh kryet për një gjë që u përket të tjerëve, atyre që kanë bij e bija ose Ministrisë së Arsimit!”.
Po ç’Ministri e Regjimit, kur kjo mund të ketë fatkeqsinë të drejtohet edhe nga njerëz që përpiqen vetëm për të qëndruar në pozitë?!
Jo, jo! Shpresa e shpëtimit s’duhet varur vetëm atje, në mos aspak. Është detyra e çdo njeriu, që s’rron sa për të ngrënë, të përpiqet për një të nesërme të mbarë, e cila nuk mund të sigurohet aspak në qoftë se analfabetizma nuk zbret nga tetëdhjetë e ca të përqindat e sotme të turpshme.
Kjo është nevoja e beteja më kryesore. Prandaj, të gjithë, sidomos intelektualët, shtypi kombëtar dhe djalëria le ta shquajnë veten duke ngritur zërin e kushtrimit në fushën e nderit kundër padijes!
Përndryshe, përgjegjsia më e madhe do të rëndojë mbi ata.

Nga libri “Safet Butka”, Tiranë 2003


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora