Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elona Doda: Flet gazetarja dhe poetja Oralda Lahe

| E marte, 19.08.2014, 07:46 PM |


Flet gazetarja dhe poetja Oralda Lahe:  Poezia dhe proza janë të dashura për mua ndaj i solla së bashku.

Ekskluzive nga Elona Doda

Oralda Lahe është gazetare në Radio Tirana pranë Departamentit Social-Kulturor. Është e pranishme në shtypin e shkruar dhe median online  me anë të shkrimeve sociale dhe kulturore. Ndërsa nuk mungojnë dhe krijimet në fushën e letërsisë të përfshira në shtypin e shkruar dhe revista letrare. Kësaj here ajo vjen për lexuesin me librin “Puhiza  e Puthjes” poezi dhe provë proze, provokues në pamje të parë. Në këtë intervistë ju do të zbuloni botën e saj krijuese dhe atë gazetareske.

“Librat që tek lënë gjurmë tek unë janë “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli, “Tregtar  flamujsh”  të Ernest Koliqit. Ndërsa nga autorët e huaj janë padyshim Fjodor Dostojevski, Shekspiri, Josif Brodski. Ka shumë nuk mund të veçoj dikë në mënyrë specifike. Përpiqem që nëpërmjet leximit të plotësoj botëkuptimin tim.”

Kur ke fillluar të shkruash dhe pse menduat që ky ishte çasti i duhur për të botuar shkrimet tuaja?

Në lidhje me kohën që kam nisur të shkruaj është shumë herët. Unë atëhere isha vetëm një nxënëse shkolle kur u botua një nga poezitë e mia. Më kujtohet se ishte një revistë ku mund të botohej poezi, prozë. Të them të drejtën si të gjitha sprovat e para kanë dhe kritikat  e tyre. Në këtë rast kur e mendoj ajo poezi ishte naive pasi dhe formimi im nuk kishte një drejtim. Me kalimin e kohës  studimet e mia në fushën e Gjuhë- Letërsisë më dhanë një tjetër këndvështrim. Falë kësaj dege kam arritur së pari të plotësohem shpirtërisht. Madje gjatë kësaj kohe kam shkruar poezi të cilat nuk është se janë botuar. Thjesht ishin sprova që unë bëja herë pas here duke sfiduar veten. Ndërsa për të arritur në botimin e librit e ndjeva se ishte në kohën e duhur dhe nuk hezitova. Shpresoj që të pëlqehet nga lexuesi. Megjithatë pres dhe kritika pasi asgjë nuk është absolute.

Kush janë poetët apo shkrimtarët që te pëlqejnë apo nga të cilët je frymëzuar dhe kush apo çfarë te inkurajon të shkruash?

Po është e vërtetë që çdo poet, poete, shkrimtar, shkrimtare ka idhujt e vetë. Kjo është e përligjur pasi kanë idhujt e tyre gjë që ndodh tek të gjithë krijuesit. Personalisht kam lexuar mjaftueshëm libra dhe vazhdoj por jo me intesitetin e dikurshëm. Kjo e fundit lidhet dhe me profesionin tim si gazetare pasi kërkon angazhim dhe përkushtim. Lexoj autorë të huaj dhe shqiptarë. Në formimin tim kanë ndikuar poetë, shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj. Madje këshilloj ata që duan më së shumti letërsi, të lexojnë nga klasikët,  modernët  etj. Librat që kanë lënë gjurmë tek unë janë “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli, “Tregtar flamujsh” të Ernest Koliqit. Ndërsa nga autorët e huaj janë padyshim Fjodor Dostojevski, Shekspiri, Josif Brodski. Ka shumë nuk mund të veçoj dikë në mënyrë specifike. Përpiqem që nëpërmjet leximit të plotësoj botëkuptimin tim. Frymëzimi është burimi dhe sekreti i vetëm i krijuesit.

Si ka ndikuar fakti i të qënit gazetare në ndjeshmërinë artistike.  A mund të na flisni për dimensionin social të shkrimeve tuaja?

Në lidhje me gazetarinë për aq sa e njoh di të them që është pasion, punë, dëshirë. Gazetaria ka rregullat e saj por jo çdo gjë është e prerë me thikë. Më ka ndihmuar shumë dhe jam e lumtur për këtë gjë. Kjo ëndërr e hershme u realizua. Dikur kur isha ende në bankat e shkollës e projektova këtë gjë. Dëgjoja shumë radion dashurinë time të parë, shihja po kaq dhe televizion. Në koshiencën time i idealizoja shumë spikerët apo gazetarët. Shumë herë i imitoja shpesh më duket vetja në një botë magjike. Për të qënë gazetare kam kaluar sprova por ëndrra u realizua. Shkruaj dhe shkrime sociale për femrat, e bëj me kënaqësi. Madje intervista, profile pasi femrat shpesh janë më të paragjykuara. Në krijimet e mia për t’u hedhur tek letërsia shpreh dhe shqetësime. Në opionet e mia kam reaguar ndaj dhunës së femrës që është shqetësuese. Së pari është një detyrim pasi fjala ka pushtet. Shpresoj të kem depërtuar  tek lexuesi në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Puhiza e Puthjes”  është një përmbledhje në poezi dhe prozë duke qenë, se janë gjini të ndryshme a mund të na pershkruani si vjen frymëzimi për secilën prej tyre. A i vëren këto forma shprehje në “vende” të ndryshme brenda teje apo është diçka që transformohet rrugës, duke marrë një trajtë të caktuar në momentin që e hedh në letër?

Poezia dhe proza janë të dashura për mua ndaj i solla së bashku. Më mirë të them provë në prozë pasi të thuash prozë duhet guxim. Jam përpjekur të jem e lirë, pa komplekse në krijimtarinë që sjell. Ashtu si edhe vetë titulli “Puhiza e Puthjes”  kam përcjellë brishtësinë, sinqeritetin tim. Nuk kam dashur t’i vendos kufij vetes në letërsi dua të vij siç e mendoj vargun apo frazën gjatë frymëzimit. Në vijim vjen redaktimi i asaj që unë krijoj pra një sfidë dhe proçes siç është të shkruarit.

Të shkruarit është një proçes qe të bën koshient. Duke qenë se më së shumti femra është trajtuar si “objekt” i veprimtarisë artistike'' sa të rëndësishëm e shihni leximin tek femrat si një mjet për të kaluar nga “gjendja” se si duken në atë se si ndjehen?

Leximi duhet të jetë për të të dyja gjinitë këtu nuk ka dallime. Vrulli i leximit ndryshon në varësi të moshës. Kur je fëmijë duhet të lexosh letërsinë për fëmijë. Me kalimin e viteve lexohet tjetër letërsi kjo lidhet dhe me botëkuptimin, formimin. Në këtë rast i referohem letërsisë por kjo nuk do të thotë se nuk duhet lexuar psikologjia, sociologjia etj. Madje këtu dua të shtoj se një roman që e lexon në adoleshencën emocionet janë më të forta. Nëse të njëjtin roman e lexon në një moshë më të pjekur përjetimet janë tjetër gjë. Në këtë rast nuk mund të bëj dallime femra apo meshkuj. Ndoshta femrat siç dihet dhe nga historia janë përballur me shumë kauza. Leximi të plotëson të bën të ndjehesh mirë jo vetëm letërsi. Madje dhe një gazetë, revistë janë pjesë e informacionit të përditshëm. Dua të shtoj se shqiptarët e duan librin këtë gjë e kanë treguar dhe në kohën e diktaturës. Leximi është i vlefshëm dhe i rëndësishëm në çdo moshë.

Nëse do ju kërkonin që të përmblidhni librin tuaj me një fjalë. Cila do të ishte ajo?

Këtë pyetje do ta konsideroj si pyetjen 1 milionë dollarëshe për rëndësinë që përcjell. Është e vështirë të jap një përcaktim, fjalë të vetme. Vetë titulli “Puhiza e Puthjes”  tregon shumë, më pas brendia duhet të vlerësohet apo kritikohet. Do guxoj ta cilësoj si një bekim për mua pasi e dua shkrimin dhe sa të mundem do të vazhdoj të shkruaj. Së fundi por jo me pak rëndësi një falenderim për të gjithë personat që më kanë mbështetur. Gjithashtu për  Zemrën Shqiptare,  fondacionin tuaj Harriet Maurtineaut dhe kontributin tuaj për temat sociale në Radio Tirana. Janë shumë persona që dua të falenderoj një listë e madhe  nuk di nga t’ia filloj. Mirënjohja dhe falenderimi është gjëja më e vogël që mund të bëj. Falenderim për vëmendjen e kushtuar femrës shqiptare në këtë profil gruaje.