E enjte, 25.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Të gjithë në shërbim të atdheut

E shtune, 28.06.2008, 10:43 PM


Engjëll Koliqi
TË GJITHË NË SHËRBIM TË ATDHEUT:
 
T'u ndihmojmë institucioneve tona në forcimin e Republikës së Kosovës

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Në të bekuarën ditë të 17 Shkurtit 2008, drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe ligjvënësit tanë, përfundimisht vunë vulën historike në aspiratën tonë shekullore, për liri dhe mvetësi demokratike në trualin tonë. Pikërisht në atë ditë të ftohtë dimri, por të shndritur me rreze t'arta, sikur në verën më të shëndetshme, në Kuvendin e Republikës së Kosovës u rikonfirmua vullneti i popullit të kësaj toke dhe i dëshmorëve të rënë për liri, me rishpalljen e pavarësisë – tashmë edhe me koordinim e bekim nga bashkësia ndërkombëtare , për t'u njohur dhe forcuar mirë Republika e Kosovës.

Sikur një fëmijë hasreti, i pritur me shekuj, edhe Shteti i Kosovës duhet të rritet shëndetshëm e të forcohet gradualisht, në mënyrë që të gjithë qytetarët ta ndjejnë vetin të sigurtë e të lumtur në truallin e tyre, tashmë të lirë dhe të pavarur. Të gjithë ne – qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe të gjitha qeniet e farës arbërore, e kemi për borxh ta rrisim shëndetshëm dhe ta forcojmë këtë shtet tonin, që do të jetë burim sigurie, paqeje, demokracie e lumturie – për mbarë rajonin e Ballkanit dhe më gjërë. Janë të shumta mënyrat dhe mundësitë me të cilat mundemi dhe duhet t'i ndihmojmë institucionet tona shtetërore, për rritjen e shëndetshme dhe forcimin e Republikës së Kosovës.

Me veprime spontane t'ia japim drejtimin e duhur diplomacisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare

Duke pasur parasysh rreziqet e shumta, që për interese të ndryshme kanosin njerëzimin, diplomacia ndërkombëtare shpesh duhet të luajë poteza të çuditshëm, deri në absurdiutete. Nën muzikën e diktuar nga diplomacia ndërkombëtare, megjithëse dëmshëm e frikësueshëm, shpesh janë të detyruar të luajnë e të lëvizin çuditshëm edhe kompetentët e kombit tonë në diplomaci dhe në politikë. N'udhëkryqe interesesh, deri te programet bërthamore shpesh qendrat e vendosjes ndërkombëtare detyrohen t'u nënshtrohen diktateve absurde, që vijnë nga qarqe kriminele që udhëheqin shtete e kombe të caktuara, siç është sot rasti me udhëheqjet shtetërore në Moskë, në Beograd, në Teheran dhe në disa qendra e qarqe të tjera – të ndryshme.

Klika mafioze e Putinit, që n'udhëkryqin e intereseve ka arritur që me programe bërthamore deri në Iran e në Korenë Veriore, të bllokojë shumë procese në politikën dhe në diplomacinë ndërkombëtare, falë politikës së ballancimit në KS të OKB-së, ku pesë anëtarët e përhershëm (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca) kanë të drejtën e vetos. Atje, për disa vite – me instrukcione kriminele të Moskës zyrtare, po bllokohen proceset demokratike për Kosovën dhe përgjithësisht për kombin shqiptar.

Falë rreziqeve të shumta që sheshojnë rrugëve dhe udhëkryqeve t'intereseve, shpesh përfaqësuesit e institucioneve tona shtetërore e kombëtare biejnë në pozitë të vështirë dhe mbesin të paralizuar në shtratin diplomatik ndërkombëtar.  Duke parë dhe vlerësuar sinqerisht pamundësinë e lëvizjeve të nevojshme diplomatike të drejtuesve të institucioneve tona, shpeshherë është e nevojshme një lëvizje mbarëpopullore – spontane, që do të impononte zgjidhje konform intereseve tona kombëtare. Duke parë lëvizjet dhe rreziqet e kësaj periudhe historike, do të duhej të ngrihej në këmbë masa popullore shqiptare, që me një demonstrim spontan publik të imponojë largimin e menjëhershëm të të gjitha strukturave dhe përfaqësive ruse e serbiane nga trojet shqiptare, përfshirë edhe ambasadat, respektivisht konzullatat dhe zyrat përfaqësuese të Rusisë e të Serbisë nga vendi ynë (Tirana, Prishtina, Shkupi e qytetet tjera shqiptare). Sidomos në Kosovë nuk duhet lejuar kurrëfarë përfaqësie zyrtare ruse as serbiane, përderisa Moska dhe Beogradi nuk e njohin realitetin historik dhe ta ndërrojnë politikën e tyre grabitçare e armiqësore ndaj kombit tonë. Nuk është lehtë për drejtuesit e institucioneve tona shtetërore, prandaj duhet një lëvizje urgjente e spontane popullore - një demonstrim i ashpër, për të imponuar mbylljen e zyrës ruse në Prishtinë dhe të të gjitha strukturave serbiane, që nën lëkurën e decentralizimit, kanë instaluar ekspertë shkatërrimesh dhe kriminelë të njohur, që vazhdojnë të punojnë nën diktatet dhe regjinë e aparateve shtetërore të Beogradit dhe të Moskës. Do të duhej mbyllur edhe ambasadat e këtyre shteteve në Shqipëri, por edhe në Maqedoni, ku masat popullore shqiptare mund të bëjnë dhe duhet të bëjnë mrekulli.

Ç'mund dhe ç'duhet të bëjmë tjetër ne si popull, për ta orientuar diplomacinë kah intereset tona?!...

Janë të shumta mënyrat dhe format e veprimeve tona, me të cilat mund t'ua lehtësojmë punën diplomatike liderëva tanë shtetërorë dhe politikë, bashkë me miqt tanë në botë, në shërbim të rritjes dhe të forcimit gradual të Republikës së Kosovës.

Për ta detyruar Qeverinë e Serbisë dhe mbarë kombin serb, që ta njohin realitetin dhe ta ndërrojnë qëndrimin kundrejt fqinjve shqiptarë, duhe të ndërmarrim masa të nevojshme – deri në bllokada, në fushat ekonomike. Së pari, në këtë drejtim, duhet ngrirë çdo bashkëpunim ekonomik e tregtar. As të mos blejmë gjë nga ata, as të mos ju shesim gjë atyre. Asnjë shqiptar të mos bëj asnjë udhëtim nëpër territorin e Serbisë, që të mos shpenzojmë pare atje. Në këtë mënyrë ata vijnë para kollapsit ekonomik dhe ndryshojnë rrjedhat diplomatiko-politike, në drejtimet Beograd-Prishtinë e Beograd-Tiranë.

Të njëjtën gjë duhet nërmarrë edhe me dy shtetet tjera fqinje, ku po shkilen të drejtat e shqiptarëve dhe të cilat ende po hezitojnë ta njohin Republikën e Kosovës. Pra, të njëjtët hapa duhet t'i bëjmë edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Asnjë shtiblerje me asnjë subjekt ekonomik e tregtar të këtyre dy shteteve. Bile duhet ngrirë edhe lëvizjet, megjithë lidhjet e shumta farefisnore që kemi në këto dy shtete. Asnjë turist shqiptar – as nga Kosova, as nga Shqipëria të mos kalojnë pushimet, as në Mal të Zi e as në Maqedoni. Nuk mbesim pa rrezitje, as pa plazhe, sepse bregdeti shqiptar është i gjatë dhe ka plazhet ndër më të mirat në botë. Me këto lëvizje tonat, sigurisht që do të ndërrojnë me të shpejtë edhe lëvizjet politike e diplomatike në qeveritë shtetërore të Shkupit dhe të Podgoricës. Këto dy vende do e njohin menjëherë Republikën e Kosovës dhe raportet e qeverive të tyre me shqiptarët që jetojnë atje, sigurisht që do të ndërrojnë shpejt dhe pozitivisht, në dobi të demokracisë.

Në këta hapa, sigurisht që do të kemi pengesa nga biznesmenë shqiptarë, qoftë nga Kosova, apo nga Serbia, Maqedonia e nga Mali i Zi, të cilët duke shfrytëzuar ngjarjet historike dhe krizat e rënda kombëtare, janë pasuruar dhe po pasurohen me të madhe, duke bërë tregti si duan ata e pa kurrëfarë kontrolli, madje edhe duke iu ikur taksave shtetërore, pa të cilat asnjë vend në botë nuk mund të përjetojë zhvillim të mirëfilltë. Në këtë periudhë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme për kombin tonë, duhet injoruar dhe bllokuar edhe ata, kështuqë kur prodhimet e atyre shteteve i shesin shqiptarët, ne të mos i blejmë. Edhe kur pushime organizojnë shqiptarët, edhe kur ata janë pronarë strukturash hoteliere e turistike, ne të mos shkojmë si turistë në këto vende, sepse nga paratë tona, ato shtete vjelin taksa të majme, gjithnjë përmes shqiptarëve.

Hapa të tillë duhet të ndërmarrim edhe kundrejt vendeve të tjera dhe popujve të tjerë. Do të duhej bllokuar çdo veprimtari organizatash, shoqatash e asociacionesh të vendeve arabe-islamike që zhvillojnë veprimtari në Kosovë në emër të besimit e nga ana tjetër qeveritë e tyre u rrijnë besnikë Moskës e Beogradit dhe për hir të intreseve që kanë me ta, nuk e njohin Republikën e Kosovës.

Me vende të tjera, sidomos ato që tashmë kanë një stabilitet dhe rritje të fortë ekonomike – siç janë: Brazili, Kina, India, Meksiko e shumë të tjera, duhet zhvilluar një politikë joshëse për investime, duke u orfuar kushte dhe infrastrukturë të sigurtë ligjore, deri në garanci të plotë të investimeve. Në këtë mënyrë këto vende do ta njohin sa më parë Republikën e Kosovës, duke nxitur edhe aleatët dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe deri në shtator kështu numri i vendeve që njohin Republikën e Kosovës, do të kalonte shifrën 129, fakt ky që detyron Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ta pranojë vendin tonë si shtetin e 193-të të OKB-së, me pamundësinë faktike të vetos ruse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora