E merkure, 24.04.2024, 03:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Flutura Açka - ‘’Kukullat nuk kanë Atdhe’’

E enjte, 14.08.2014, 07:44 PM


EKSPLORIM FEMINIST I NGJESHUR NËPËR REMINISHENCA TË NDËRLIDHURA

Flutura Açka ‘’Kukullat nuk kanë Atdhe’’ botoi Real-Stamp, Tiranë 2013

Nga Remzi Salihu

Autorja Flutura Açka me romanin e saj më të ri ‘’Kukullat nuk kanë Atdhe’’grish përpara lexuesve kureshtar një lojë dramatike të ngjeshur me ironi e alegori të stërholluar. Këtë shpalim artistik, provokativ, e bën për vendin, kohën dhe njerëzit e vet. Ajo jep në vazhdimësi kohezion ngjarjesh të shumta, të sajdisura letrarisht me mesazhe të reja e të qarta rrëfyese, ku fiktivja e realja koordinohen mirë në kriter të veçantë simbolik. Kryesisht këtë imagjinatë të derdhur kreative autorja e bën për të adaptuar në kuptim të rrjedhshëm ngjarjet e përjetuara, gjatë këtyre viteve e kthesave politike shoqërore, në një konvencion reproduktiv e stilistik të sinkronizuar mirë. Me mjeshtëri të kalitur sistemore, prozaike, ndërton jetën e vrullshme të personazheve, duke përdorur e kalitur në strukturën e romanit zhdërvjelltësinë e shprehjes gjuhësore kreative, postmoderne. Kështu, shkrimtarja në idenë e rrëfimit të saj të kreativitetit artistik përfshin një ngacmim eksplorues, të stërholluar dhe të ngarkuar me shumë ngjarje të akumuluara, të jetës së ‘’kukullave’’, të ardhura në skenë veprimi dhe me kriter të veçantë letrar ndërlidh një rrëfim jetësor, të adaptuar rrjedhshëm në konflikt dramatik. Romani si tërësi strukturore mbërthen në vete koncepte e varietete gjuhësore ironike, provokuese, thumbuese, të një etape kohore tipike, të përmbushur me shumë ndodhi reale që mbeten përgjithnjë në kujtesë. Ato ngjarje renditen të sistemuara figurativisht nëpër fragmente të adaptuara rrjedhshëm, të cilat si të tilla që janë me alternativë kuptimi, nga kaptina në kaptinë, shpalojnë një dramë artistikisht të koduar e të goditur mirë në shtjellim. Struktura narrative është e lidhur ngushtë me realitetin dhe me ndodhitë e shumta të kohës, që ngjajnë bindshëm me skenën politike gjatë këtyre viteve të fundit të tranzicionit. Faktikisht aty përshkruhet në mënyrë detajuar çdo gjë që ndodh rreth individit dhe shoqërisë. E keqja dhe e mira shpalojnë kundërshtitë e shumta në arenë jete. Prania e qytetarit të thjeshtë, intelektualit, politikanit, artistit, kriminelit në rrëfim, na jep mundësinë e bindshme të kuptojmë tërësinë e frymëmarrjes së një populli në jetën bashkëkohore pluraliste. Shkrimtarja me suverenitetin epik të dashurisë dhe tradhtisë, si tema të përhershme të trajtuara në fushën e letërsi,  pasqyron, sistematikisht, të gjitha poret e jetës së individit, me të mirat dhe të këqijat e saj që sjell koha dhe hapësira e një mentalitetet të caktuar. Ky roman artistik, triler, tematizon mirë anën e errët të vendit të vet. Aty nuk fshihet në asnjë rast edhe intertekstualiteti i përshtatur i performancës së përkryer gjuhësore dhe brenda kësaj përkryerje gjuhësore të shtjelluar me kujdes artistik, veçohet edhe një ndërlidhje tjetër emocionale e brendshme, e frymës së lehtë poetike, e cila në vete përmban normë letrare frymëzuese, të koduar me shtrirje më të thellë teorike, letrare. Kështu në tekst përmbushet qëllimi i shkrimtares për kriter artistik të përzgjedhur, të arsyetuar, sipas standardit të imponuar nga koha. Në roman shtjellohet fshehtësia ironike, e mbështetur kryesisht në simbolikë të përhershme gjuhësore. Kështu, mund të themi bindshëm se kjo gjuhë alegorike e përdorur, spontane, adaptohet rrjedhshëm në ngjarje, ku edhe merr me kujdes formën e një pulsi dinamik, nxitës koketimi fjalësh e shprehjesh të goditura mjaft rrallë, me tension të ngritur dhe me përmasë gjuhësore rrëfyese, tërheqëse, gjegjësisht, të kapshme gjatë tërë tipizimit permanent të situatës. Këtu shtegton nëpër imagjinatën tonë një rrëfim i përzgjatur enigmatik e erotik, intim, me shumë ngjarje e detaje jetësore të përjetuara të autores nga vitet e para të tranzicionit e këtej, që madje përmes një konsumi stilistik efikas, metaforik, shpalon informacion të verifikuar me ndodhi të sistemuara artistikisht. Romani plotësohet dukshëm edhe me shpëlarje ndjenjash të fiksuara intime, të cilat vijnë të imponuara me kundërshti nga realiteti jetësor. Dashuritë e shumta konfliktuoze të personazheve dhe arti gjuhësor i përdorur në tekst imponohet gradualisht nëpër veprime të detajuara dramatike. Bëhet, pa kompleks, trandja morale dhe imorale e personazheve, për vlerat dhe jo vlerat njerëzore në rrugëtim e sipër. Hyrja në jetën e tyre të vrazhdë bëhet e detyrueshme për lexuesin, që kërkon shkak dhe pasojë në ngjarje, si segment kyç teorik i njohjes së thellë të konfliktit, të asaj imagjinate të imponuar letrare nga përvoja kreative, për ta kuptuar bukurinë tërësore, artistike të veprës. Idetë e rafinuara që ngërthen romani në brendi, për t’i nxjerrë në shesh të gjitha ndyrësirat e kohës së kaosit të tranzicionit të vrazhdë, e plasojnë këtë shkrimtare në vetëbesim të guximshëm dhe në opozitë të angazhuar veprimi për ngjarjet e ndodhura. Ky qëndrim i shkrimtares bëhet duke vendosur në vetëdije motive të akorduara me mjete gjuhësore të sofistikuara kritike, thumbuese, për të fshikulluar realitetin e hidhur të kohës. Romani paraqet një rrëfim të fuqishëm etikë njerëzor për marrëdhëniet e dashurisë dhe ashpërsisë së jetës, fatin dhe fatkeqësinë e saj, e cila ekziston e kryqëzuar me kundërshti në ndjenjë. Kjo prani e së mirës dhe së keqes së përjetuar qëndron në kujtesë e pa harruar, derisa është e fokusuar si mall. Kjo duket qartë kur shfaqen të theksuara nuancat subtile të marrëdhënieve ndër njerëzore intime. Flutura Açka e zbulon këtë fshehtësi erotike, seksuale, të shumanshme të kukullave femra, duke i futur ato në jetë praktike, ku madje, të integruara veçohen spontanisht në tipizim, me nivelin kulturor të tyre që kanë, për t’i dhënë më pas një gjykim të mprehtë shoqërisë, realitetit të kohës dhe kërkesave të shumta jetësore bashkëkohore. Kryesisht autorja e bën këtë për t’i fshikulluar artistikisht të gjitha veprimet, gjestet, anomalitë, karakteret e njerëzve, që janë të kyçur mbrapshtë në sistem ‘’demokratik’’, të pa kontrolluar nga ligjet e drejtësia e vërtetë, apo nga ndërgjegjja e mirëfilltë njerëzore, madje shkrimtarja në ngjarje vë theksin e prehtë të revoltës, duke mos kursyer kurrgjë vetëpërmbajta njerëzore, nga jeta dhe gjuha e vrazhdë e përditshmërisë sonë. Do t’i rikujtoj, e irrituar, në skenë dramatike edhe ca fjalë sharëse të dëgjuara nga një fqinje, e ashtuquajtura në roman, Matrona, e cila adapton kukullat e saja të imagjinuara në jetë reale, në fillim të romanit, për ’’Atdheun e shkërdhyer keq nga politika’’. Bile, ajo, me atë zhargon vulgar, thumbues, nuk kursen as ministra e kryeministra, e njerëz publik të kohës sonë, që janë element bartës së një politike e vesi të degraduar, tipike, mediokre, pa perspektivë zhvillimore edhe nëpër shumë vende tjera të botës. Açka madje ngjiz me përmasë figurative zërin e revoltës thumbuese, kundër pseudo kulturës, pseudo politikës, pseudo biznesit, pseudo shkollimit, pseudo dashurisë, si fenomene të imponuar keq në shoqëri. Ajo me anë të kukullave të adaptuara në jetë, e që janë femra të lënduara rëndë, me frymë e shpirt njeriu kureshtar, avitet guximshëm në kohë të duhur, në skenë veprimi adekuat dhe me mprehtësi therëse vardiset drejtë kundër një kohe shantazhuese, Atdheu, apo sistemi të korruptuar me përmasa çintegruese, i cili tanimë sipas gjykimit të saj kritik, në këtë treg të lirë të jetës pluraliste reale është zhytur në thellësinë e amoralitetit të degraduar shoqëror. Ku demokracia dhe liria e brishtë keqpërdoren tmerrshëm nga anarkia sistemore e njëmendësuar e individit, rrethit, të kyçur në mentalitetin e rrejshëm të zhvillimit të shoqërisë mediokre. Këtë vrazhdësi njerëzore të shoqërisë do ta bart romani që nga fillimi deri në fund. Açka edhe pse gishtin tregues e ka drejtuar nga Atdheu i saj, Tirana, por vrulli i mesazhit therës përgjithësohet edhe më tepër dhe merr përmasën kritike bindëse edhe për shumë vende tjera të Gadishullit Ballkanik, që gjenden sot në tranzicion e sipër. Më së miri këtë gjendje alarmuese, tipizuese, të përlyer me parfum të keq politik të qeverisjes, do ta pasqyrojë njëri prej personazheve kryesore të saj Vokër Delia, i cili nuk zgjedh mjete veprimi për t’i realizuar kënaqësitë dhe epshet e veta të sëmura. Ai është në gjendje edhe të vras, për të mbërritur në majën e karrierës së tij rrejshme. Të tjerët, para pangopësisë së tij të ç’thurur, janë të pa vlerë, janë kukulla që mund t’i manipulojë e renditë në oazën e kënaqësisë së tij kur t’i teket, e kurë të dojë vetë. Ai di dhe kërkon të përfitojë gjithçka që është e mundshme në shërbim të interesit të tij. Ai është një BoBo (Boss), siç i ka quajtur autorja në realitet disa njerëz të korruptuar të kryeqendrës së Atdheut të saj. Thumbon atë lloj njeriu që ka ideal vetëm paranë. Këto tipa janë të shumtë anë e mbanë botës shqiptare, që i ngjajnë këtij njeriu karrierist, të pa ngopur dhe që keqpërdorin me intriga, njëanshëm praninë e tyre në shoqërinë e vet. Pesëmbëdhjetë vitet e martesë së tij me kukullën 13, të ashtuquajturën Ajrinë, e cila nga pakënaqësia shpirtërore disa vjeçare me të, kërkon mirëkuptimin njerëzor të divorcit, nga i shoqi i përdalë, kryesisht, për një ndarje të butë, të kuptueshme, pa skandale, siç e bën bota e civilizuar. Donte të dal nga ajo djersë intime e padurueshme e bashkëshortësisë së rrejshme, pasi tanimë, sipas ndjenjave të saj të lënduara, nuk funksionon kurrgjë në jetën e tyre të përbashkët, aspak tolerante të bashkëshortësisë. Mes tyre nuk ka kurrgjë të bukur, madje as drekat e shtruara, as koha e lirë, as paratë, as koktejet, as puthjet, as seksi, nga ajo dashuria shumëvjeçare e idealizuar rrejshëm, deri në përhumbje e zhgënjim. Ftohtësia e saj kalon nëpër damarë intim të monotonisë, gradualisht s’madhohet e keqja, deri sa më në fund arrijnë një ditë në kulmin e urrejtjes së skajshme, ngase ishte një dashuri zhgënjyese, e ndërtuar keq. Ajo ka shtegun e gjatë të veprimit dhe ndikimit të shëmtuar nga mentaliteti mbisundues i bindjes patriarkale, të një mashkulli fanatik, të kompleksuar, që i kap për fyti femrat e pa mbrojtura, duke i fajësuar dhe shpifur ato si të pa afta dhe për gjëra kretësisht të pa ndodhura. Ai i vardisur keq nëpër këtë civilizim të tij të brishtë, e që ka trashigim gjakun e papastër të një morali të rrejshëm provincial, shoqëror, fanatik të kanunit, ku burri mund të bëjë gjithçka në jetë, bile edhe të vrasë, e gruaja si e nënshtruar, të gjitha lëshimet dhe tekat e tij të ç’thurura, që i bën fshehtas ky njeri i pa përmbajtur, duhet t’i pranojë në vete si veprime etike normale, jetësore e bashkëshortore. Kësaj koketerie morale të njëanshme, gruaja duhej të jetë ajo e durueshmja, ‘’hatërmbetura’’, që të gjitha veset e pa hijshme të burrit t'i merrte si gjëra normale, gjoja se burrit ia toleruaka këtë veprim shfryrës mashkullor, kodi moral i traditës, si gjë normale, nëpër këtë komoditet etikë, jetësorë ‘’të këndshëm’’ të mentalitetit të bartur arkaik të Kanunit. Pikërisht këtu qëndron mesazhi dhe fuqia e mprehtë e kuptimit të mosnjohjes shpirtërore feministe e disa meshkujve kur lëndojnë e abuzojnë të tjerët, gratë, me veprimet e tyre të njëanshme, e të sëmura. Vokër Delia dhe Ajrina arrijnë kulmin e konfliktit njerëzor për ndarje, kur ndeshen të vetmuar pas një udhëtimi të papritur në Itali, gjoja për të kujtuar e festuar ditën e martesës. Ata atje i shfaqin të gjitha kundërshtitë midis tyre për divorc. Heshtja e gjatë dhe refuzimi për dialog të shëndoshë trazon negativisht edhe më shumë komunikimin e tyre, gjatë asaj dreke të shtruar enkas në jugun e Italisë, e që kurorëzohet bindshëm me ftohtësinë e tyre të përhershme të mos përshtatjes. Kukulla 13, Ajrina, është e paaftë të luftojë si e vetmuar me këtë kohë të egër, të pa barabartë nga drejtësia, por arma e saj e vetme për t’u mbrojtur nga kjo anomali jetësore, e imponuar, është ndjenja e saj e çiltër shpirtërore, emocionale e thyer, që e detyron me krenarinë e egos së saj njerëzore të bëhej e fortë dhe të marr guximin për kapërcimin e kësaj situate të hidhur. Të kërkojë shtegun e jetës së vet diku tjetër.

Edhe kjo nga mosbesimi bie në gjendje të ronitur dyshimi, si Ana Karenina, por nuk merr qëndrimin e saj tragjik për vetëvrasje, siç u ka ndodhur shumë shoqeve të saja të kohës. Ajrina ka djalin, si Ana, që në këtë rast analogjie midis personazhesh të përngjashëm, vepron kalimthi në rrëfim, por ajo që e ngushëllon situatën e saj të hidhur në roman, është sentimenti i shfaqur personal i partnerit tjetër, të afruar artistikisht, për rrugëdalje nga e keqja, është kryesisht individi i imponuar, poeti Mond Shpali, i cili me urtësinë e një artisti të përvuajtur e të durueshëm, si i burgosur politik, gjatë një kokteji të përbashkët, me elitën kulturore, ku ishte prezent edhe Ajrina, ia kishte vjedhur e mikluar zemrën, për një periodë të gjatë, kësaj femre që kërkonte ngrohtësi shpirtërore. Vargjet e tij poetike, të cilat ajo i pëlqente shumë, i ruante nën jastëk, duke ia mbajtur gjallë kujtesë dhe në dashurinë platonike të ëndërruar. Meqë Ajrina me profesion ishte pianiste, e mbushur me art, gjithsesi se ato finesat e artit të saj shpirtëror e mendor donte t’i koordinojë dhe akordojë në ndjenjë, gjegjësisht në harmoni të drejtë me fjalët e bukura poetike të Mond Shpalit, i cili me maturinë e shfaqur, gjithnjë kishte kujdes që të mos ia trazoj ndjenjat Ajrinës, edhe ashtu të plaguara dhe të keqtrajtuara nga burri i saj. Ai gjithnjë me modestinë e njeriut të durueshëm dhe të matur në shoqëri merrte dhe jepte guxim me alternativë jete nga distanca, në mbrojtje të një shpirt të lënduar e lëkundur keq. Edhe pse afria e Mond Shpalit me Ajrinën ishte më e thellë se këto fjalë latuese të respektit të ndërsjellë, ajo në kodin e ndjenjës së saj psikologjike të komplikuar, adaptonte në brendi një atmosferë me hakmarrje dashurie të fshehtë, ndaj të shoqit, për t’u revanshuar më në fund, gjegjësisht për të prishur kurorëzimin e saj. Kukulla 13 edhe pas marrëdhënies intime me një burrë tjetër, Mond Shpalin megjithatë nuk donte të luaj trio dhe aborton me vetëdije fëmijën e dytë të posa nisur, pasi një marrëdhënie seksuale me Shpalin do t’i kushtonte dhe do ta keqësonte situatën edhe më shumë. Në vete Ajrina fshehte moral të përgjithësuar njerëzor. Aborton me keqardhje. Ajo nuk donte ta mbajë këtë fëmijë peng të konfrontimit të rrezikshëm jetësor midis dy burrave, derisa ende s’është ndarë tërësisht nga burri i saj i parë, pasi nga ana morale nuk i leverdiste mënyra e veprimit në shoqëri, ndihej shumë keq dhe nuk donte t’i sillte poetit ndonjë të keqe, që do të kishte pasoja të pa parashikueshme në të ardhmen e tyre. Açka sipas këtyre bindjeve dyshuese, për personazhet e veta kërkon një shteg të mundshëm racional, duke ua përligjur në vetëdije personazheve atë anën alternative të rrugëdaljes, në mënyrë brilante ua jep guximin, besimin, vendimin dhe veprimin e tyre për hamendësimin e egos së imponuar, pasi ato në brendi të situatës e konfliktit janë të ngarkuar me probleme të shumta ekzistenciale. Si duket autorja për t’i arsyetuar kundërshtitë e personazheve përdor mundësitë bindjeve ezoterike. Personazhet përballen guximshëm me kundërshtitë e jetës dhe luftojnë me këmbëngulësi irracionalen e strehuar në vete. Për vetëbesim të bindshëm jetësor, atyre ua ngjesh në vetëdijen e tyre teoritë Oshoiste të vetëbesimit për tejkalimin e situatës intime, të ngarkuar me shqetësime e probleme të shumta psikologjike.

Një karakteristikë tjetër në roman sjell kukulla 24, e cila luan rolin e një gruaje tipike shqiptare. Ajo është ish shoqja e Ajrinës, e punësuar në Ministrinë e Drejtësisë. Edhe gjendja e saj shpirtërore është e lënduar keq nga shoqëria. Ajo nuk vuan për dashuri të sinqertë, ngase ajo ka marrëdhënie të mira me bashkëshortin dhe familjen, por shqetësimi i saj është izolimi nga shoqet e saja të punës. Koleget e zyrës e shihnin si një grua të rëndomtë, tradicionale, jo e kohës, e prapambetur, sepse ato përveç burrave të vet, për t’u bërë gjoja trend i kohës moderne, plotësonin dëshirat e veta me cullakimin e lirshëm të jetës së tyre me emocione intime paralele, gjithandej kënaqësisë së tyre, duke flirtuar e dashur edhe burra të tjerë njëkohësisht, si kërkesë e mundshme e trendit, apo modës së kohës. Këtë ç’thurje morale nuk e pranonte kukulla 24, pasi ajo kishte dëshirë të kultivojë e ndërtojë nënvetëdije një familje të shëndoshë. Ky personazh përmbush jetën sentimentale të kohës së njeriut të devotshëm që gjendet përballë një shoqërie të degraduar, këtu pa hamendje shpalohet një lloj konfrontimi moral midis normales dhe jo normales jetësore, që derdhet në mënyrë stihie nëpër ujërat e turbullta të kaosit transitor, modern shoqëror.

2

Shtjellimi i personazheve të imagjinuara më tej demitizohet në rrëfimin e brendshëm të kësaj vepre reale, kryesisht aty bëhet fjalë për ndodhi të dala nga realiteti jetësor shqiptar. Në fillim zbulohet qëndrimi bazë i gjinisë, i mashkullit dhe femrës, si qenie të ardhura në jetë për koordinim, pastaj dalin veçantitë e tyre të jashtme shoqërore. Nga imagjinata e strehuar intime kalon në atë konkrete, objektive, për t’i zbuluar fenomenet e kohës të një vendi. Të gjitha figurat luftojnë për të qenë dominues në veprimet e tyre brenda rrethit të vet. Autorja na fut në psikanalizë letrare. Secila prej kukullave afron në skenë dramatike përvojën e vet jetësore në një kohë të caktuar. Figurat bartin në vete karakterin e vet të tipizuar mirë në ngjarje. Edhe kukulla 6, shoqja tjetër e ngushtë e kullës 13 pëson keq me guximin e saj gjurmues nga jeta dhe shoqëria, pasi ajo si gazetare i përcjell dhe i denoncon të gjitha anomalitë e kohës dhe sistemit. Ajo madje me vendosmërinë e saj shpalon konceptin e keq të ‘’ burgut të lirisë shqiptare’’, që mbahet peng dhe abuzohet, nga dita në ditë, prej maskave të politikanëve të rrejshëm. Kukulla 6 është e lidhur ngushtë për kryeqytetin, Atdheu e sajtë çmuar, Tiranën, por edhe ajo bën një dashuri platonike me të dashurin e saj që gjendet në mërgim. Nuk i bindet kërkesës dhe vardisjes së tij për t’u larguar nga ky vend i shenjtë, ngase atdheu i kishte mbetur tatuazh i përhershëm i dëshirave të saj të preferuara, për t’i ndihmuar Atdheut me mundësitë veta që kishte si gazetare. Kukulla 6 nuk mbetet vetëm me kaq me kërkimin e saj kureshtare, por shkon edhe më tej me shkrimet e guximshme, duke u marrë edhe me një fenomen tjetër tronditës të shoqërisë shqiptare, gjegjësisht, me fenomenin e homoseksualitetit, si standard i imponuar nga jashtë për të drejtat e njeriut. Madje më tej ajo pëson edhe për shkak të bindjes së saj kërkuese, kundërshtuese, të realitetit të hidhur që mbizotëron, për t’i ndihmuar shoqes së vet dhe sidomos të shpalimit të aksioneve të errëta të Metalurgjikut, gjë që për këtë ndërmarrje të ndritur, të dikurshme ku kishin punuar edhe  prindërit e saj, ka dorë të përlyer në privatizim e saj, jo të drejtë, edhe Vokër Delia. Qëllimi për të është kush i shfrytëzon këto mjete e tenderë dhe kush abuzohet me këto fonde të lëshuara për mirëqenien e shoqërisë. Këto janë pyetje retorike që i dedikohen lexuesit për ta kuptuar të vërtetën e hidhur të politikës së vendit. Kukulla 6 me pësimin dhe presionin kulturor të kohës së saj, zbulon shkakun dhe pasojat e situatës politike në shoqëri. Tirana sipas saj është simptoma e vrazhdë e demokracisë së korruptuar, ku shoqëria dhe individi vuan dhe nuk ka siguri jetësore të duhur nga virozët e politikës së njëanshme, dekadente, shkatërruese, vrastare e koruptive, e cila me mutacionet e saja historike të diktaturës së njëmendësisë sistemore, nga e kaluara e ikur, copëtohet keq në demokracinë e brishtë të kohës sonë, e cila sot, si një mundësi e tillë manifestimi, mbulon shoqërinë vrazhdë, ashtu ‘’ si ndonjë çadër e vjetër’’, që rrjedh keq nga politika e pa përgjegjshme e individëve. Ajo tanimë në vete bart një kohë të bruztë, plot me ngjarje të errëta, vrasjesh për nder, gjakmarrjesh të shumta, vjedhje dhe aksidente të shumta në rrugë, ku vlera e individit është e humbur tërësisht nga pakujdesia e madhe njerëzore.

Romani kërkon vëmendje të posaçme leximi, për t’i deshifruar tipat kundërshtues të personazheve, që veprojnë në jetën politike e publike të kohës sonë, meqë në tekst ngjishet perioda kohore dhe hapësira e një vendi postkomunist, bashkë me të gjitha pasojat e shkaqet ekzistuese të zhvillimit të keq të privatizimit, prapëseprapë, titulli i romanit të shkrimtares Flutura Açkas ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’, është i goditur dhe universalizohet si temë e përgjithësuar me anë të rrëfimit të përzgjedhur gjuhësor dhe kuptimit domethënës, alternativ, shumë dimenzional. Personazhet vepruese sjellin një frymëmarrje sinkronike bindëse të shoqërisë, ku dukuritë njerëzore inkarnohen të sistemuara në një ide të caktuar veprimi, për ta shpaluar të vërtetën e kohës. Gruan e vë përballë sfidave të shumta të një sistemi të vrazhdë transitor emancipues. Bota femërore aty aktualizohet bindshëm, si një fenomen i përgjithësuar i ndjesive të përmasave të mëdha feministe, pasi ndjenja e brendshme sfiduese e gruas del e fuqishme në shesh kuptimi, si veprim i ndërlikuar i kësaj kategorie njerëzish, që veprojnë në jetë, edhe si humbëse edhe si fituese e stratosferës politike e erotike që ngërthen në vete femra, si qenie e pranishme në shoqëri, gjë që pikërisht kjo parabolë kuptimi e bërë të veçantë dhe aktuale këtë vepër të guximshme të Açkës. Zhgënjimet dhe shqetësimet e personazheve lidhen ngushtë me vendin, rrethin jetësor të përmbushur me shumë ngjarje reale e joreale, por të lidhura strukturalist mirë midis vetes, ku në veçanti kihet parasysh një tranzicion sistemor i imponuar keq në shoqëri, me shumë pasoja politike dhe zhgënjim jetësor për njeriun. Kukullat divorcohen dhe kurorëzohen me ngjarje nëpër shumë segmente të jetës. Ato pësojnë dhe veprojnë duke shpaluar në mënyrë tipike identitetin e vet luftarak në shoqëri. Ato nuk janë kufoma të gjalla që kurdisen lehtë në ndjesinë e tjetrit, sa hap e çel sytë, pa e shijuar e përjetuar edhe situatën e rrethit jetësor, me emocionet e veta tërheqëse. Edhe ato kanë aromën dhe ‘’ofkëllimën’’ e veçantë të tyre, natyrore e njerëzore, të ndërlidhur me ndjeshmërinë e vetë,  Ato veprojnë në jetë realisht dhe përvojat e tyre universale i pleksin guximshëm në ngjarje, nga ndodhitë e shumta të përjetuara të jetës urbane. Shkaqet dhe pasojat e tyre, ku lidhet fati dhe fatkeqësia, nuk mund të kapërcehen lehtë, pa praninë e mbështetjes së tjetrit, burrit, nën vetëdije. Kështu vihet në baraspeshë konflikti, karakteri i mashkullit dhe ai femrës së sprovuar, gjë që në realitet kohor ushqejnë në vete pa kuptimësi marramendëse të paragjykimeve të shumta, midis kategorisë gjinore, të ndërtuara prej zakoneve të trashëguara nga tradita dhe nga pikëtakimi formës së jetës së re, emancipuese, të të jetuarit, të barabartë midis të barabartëve, e cila tanimë sot si e tillë që është, në kushtet e sotme ndikuese shoqërore, duhet të përballet dhe përplaset në reformë të kushtëzuar sistemore të sofistikuar. Kjo arritje e shëndoshë, nga dita në ditë, plotësohet edhe me kthesa shoqërore të imponuara postmoderne. Përmes kukullave shpalohet vetëdijesimi kolektiv i femrës, e cila si e tillë që është në emancipim të drejtë shoqëror, të kulturuar, nënkupton barazinë gjinore të njeriut, për t’i shijuar të mirat dhe të këqijat e kësaj bote në mënyrë të barabartë. Këto femra nuk janë vetëm kukulla stofi, apo gome eksitimi të shpejtë dhe të adaptuara teknikisht rrejshëm në shoqëri të mbyllur, për shumë burra të brishtë që kërkojë shpëlarje ndjenjash intime meshkujsh të shashtrisur shesheve të shtrembëruara të errësirës mendore, por janë qenie të gjalla e të ndritura që mund t’i shërbejnë shoqërisë me vlerat e tyre nëpër të gjitha poret e jetës, kudo që të gjenden duke vepruar e jetuar si njerëz të barabartë e të civilizuar.

Vepra ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’ është një shqetësim kolektiv, i sendërtuar mirë nga autorja dhe i lidhur ngushtë me çastet më tronditëse të jetës në një shoqëri pluraliste, që është e bartur keq nga individ, banda, më tej rrethanave të imponuara në kohë, e sistem të integruar demokratik, gjithsesi e salduar shtrembët në shoqëri bashkëkohore, me komplekset e komunizmit të trashëguar, me shqetësimet e shumta të emancipimit të vështirë që ua imponon përditshmëria e hidhur e tranzicionit të shpejtë, nga varfëria e skajshme, pasi shoqëria shqiptare del e lodhur dhe e ndrydhur nga një sistem i lënduar standardi të sofistikuar totalitar, i kufizimit jetësor, si dhe nga rregulli i përmbytur i diktaturës së ashpër, në një shoqëri të hapur, kompleksive e pluraliste. Personazhet përballen ashpër në jetën e tyre, me shpërthimin shumëdimensional të jetës urbane, ku alkooli, droga, prostitucioni, pasurimi i shpejtë, bëhen imazhe dhe kërkesa të përditshme të njeriut. Rrëfimi nuk shtjellohet bardhë zi, por në mënyrë pluraliste imponohen ngjarjet e kodifikuara të personazheve në syzhe kuptimi, ku konfliktet barten rrjedhshëm në ngjarje, me spontanitet dhe me ndjeshmëri ndikuese kapërcejnë karaktere nëpër skutat e veprimeve emocionale të tyre të dalldisura keq. Autorja eksperimenton guximshëm probleme sociale në rrëfim real, me një shtjellim të motivuar nga koha, gjithëpërfshirëse, postmoderne të shoqërisë shqiptare.  Në roman ka edhe intertekstualitet të frymëzuar e absorbuar mirë  nga shkrimtari i Amerikës Latine, Mario Vargas Lloza. Autorja përdor gjuhën dhe stilin e tij të përafërt të shprehjes dinamike nëpër tekst. Kur jemi në këtë mendim krahasimtar, të kujtojmë, sa për ilustrim, pasojat e të miturës Urani në romanin ‘’Festa e cjapit’’, ku kristalizohet mjaft mirë e keqja e trashëguar e një sistemi të korruptuar dhe të udhëhequr keq, në Republikën Dominikane, mu në atë vend të përmbytur nga anarkia e mosbesimi, ku diktatori Truhijo do ta përdhunojë vajzën e përkrahësit të tij, Sekretarit të shtetit, Senatorit, Kryetarit të Partisë Demokratike, i cili me të gjitha ato poste që kishte bartur në shtet, më në fund i sëmurë dhe i vetmuar do të përfundoj shumë keq, dhe si për shpërblim nga shefi i tij i adhuruar merr dhuratë ‘’të çmuar’’, çnderimin familjar më të tmerrshëm, duke ia keqpërdorur vajzën, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, e cila pas atij momenti të hidhur e pervez seksual, në shtratin e presidentit të pangopshëm, ‘’besnik i babait’’, ajo nuk do të martohet kurrë më, nga pasojat dhe traumat e seksit të keq që përjetoi ajo në jetë.

Personazhet e romanit ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’ janë figura aktive që mund të veprojnë edhe në strukturat më të larta të shtetit. Autorja në mënyrë simbolike përmes këtyre kukullave provokon ndjenja dhe atakon politikanin, gazetarin, biznesmenin e korruptuar e të degjeneruar të kohës, ku do që ndodhen në hapësirën shqiptare. Personazhet sjellin në jetën tyre kontradikta të shumta që ka shoqëria, në Tiranën e saj të dashur post komuniste. Aty del në skenë mashtrimi dhe errësira shoqërore, e cila vepron keq, duke ngulfatur Atdheun me viktima të shumta morale e ekzistenciale.

3.

Flutura Açka, duke njohur mirë realitetin e kohës, me një intuitë të zhdërvjelltë letrare e trajton më tej rrëfimin e saj për kukullat dhe BoBot (Bosat) e vendit. Ajo ka njohuri emocionale të duhur për këto figura vepruese, kështu që i koordinon mirë këto personazhe nëpër situata të shumta konfrontimi. Autorja me një informacion e bagazh letrar të kujdesshëm i përmbush të gjitha nevojat teorike letrare të strukturës së romanit. Ngjarjes i jep shtimung dhe tension poetik tërheqës. Këtë veprim e bën duke u përqendruar kryesisht në motivet tipike e virtuoze të personazheve. Ajo thur aty detaje reminishencash të ndërlidhura alegorike që e shpie lexuesin në kërkim të vazhdueshëm deri në fund të romanit. Përshkrimi i ngjarjeve bëhet nëpër forma të ndryshme të jetës, dhe kjo mënyrë trajtimi i rrjedhshëm na fiksohet lehtë në mendje, përmes kukullave lëvizëse, si protagoniste kryesore të përjetimeve të shumta reale. Ligji, për ta, nuk sistemohet mirë në shoqëri, andaj çdoherë bien viktimë e kurthit të ngjarjeve të hidhura dhe të degraduara. Kështu në skenë veprimi dalin marrëdhënie kompleksive jetësore që ka njeriu, si qenie vepruese në shoqëri, në ndryshim e evoluim e sipër. Açka personazhet si Vokër Delia, i nxjerr në veprim të koordinuar mirë në ngjarje, bashkë me kukullat tjera të veçanta, që luftojnë për ekzistencën e tyre në hierarkinë sotme shoqërore. Sidomos këtu janë interesante reagimet e kukullës tipike 13, e ashtuquajtura Ajrinë, e cila defilon bindshëm me kërkesat e saja të drejta në jetë, bashkë me karakterin e saj të fortë e të paluhatshëm, lufton për të bërë divorcin nga ky njeri i kthyer në konstrukt ‘’monstrumi’’, pasi nuk posedonte ndjenja të mirëfillta njerëzore. Ai bëhet burri më i pa përmbajtur në kërkesat e tij jetësore, që e kishte tradhtuar të shoqen shumë herë. Prandaj as pasuria, as kushtet e mira jetësore, nuk vijnë më në shprehje para ndjenjave të saja të lënduara keq, ajo tanimë merr një guxim të prerë dhe një vendim të pakthyeshëm për divorc, pa i parashikuar edhe pasojat që mund t’i vinin më vonë. As këshillat e mamasë, me paragjykimet e saja tradicionale, se buri duhet duruar, nuk mundën ta frenojnë vendimin e saj të prerë, të shkurorëzimit. Ajrina, siç thashë më lartë, për nga karakteri në disa sentenca i ngjanë Ana Kareninës. Ajo jeton e ngarkuar me mendime të shumta tronditëse, për një marrëdhënie të sinqertë, pasi i mungon në brendi dashuria dhe harmonia bashkëshortore, gjegjësisht fjalët e urta, të vërteta, nga i shoqi, i cili me veprimet e tij të pahijshme, me vite të tëra, lëndon keq gruan dhe të tjerët. Ajo ndjenë një ftohtësi nga ky mashkull. Ndaj kjo, me përvuajtje, nga dita në ditë, kërkon rrugëdalje prej situatës, tanimë pretendon të lëçitë nga vetja këtë gërhitje të keqe bashkëshortore,  pasi i shoqi në vetëdijen e tij tunduese kishte trashëguar arrogancën burrërore tradicionale dhe të fanatizmit patriarkal të pa durueshëm, ku gruaja duhej të mbetej skllave e përhershme e burrit, që ai me të gjitha vetitë negative që ka të jetë përherë personi i pranuar shoqërisë, që vendos për gjithçka, deri te ajo vetëdija e plotë e nënshtrimi të tjetrit. Ai donte të luaj rolin e një zhigoloje të kohës dhe këtë lojë e bënte në mënyrë të fshehtë, siç bën një personazh tjetër së bashku me kukullën 30, një pesëdhjetëvjeçare e sprovuar nga jeta, që kishte përvojën e dy sistemeve kohore, por që ishte kalitur në rrugëtimin e saj, megjithatë, për të mbijetuar në jetë, gjegjësisht me punën që bënte në atelie, duke shfrytëzuar tenderë nga të njohurit e saj, dhe duke rekrutuar vajza të reja të kohës për kënaqësitë seksuale me të pasurit, do të vendos në shërbim të mendimit të saj një shprehje që kishte trashëguar dikur në fëmijërinë e saj të hershme, nga i ati se ‘’Toka i takon atij që e punon’’, Ajo madje thotë se dashurinë e shpikën komunistët për të mos paguar seksin. Kukulla 30 afër vetes mban djaloshin me pseudonim Tan Rubin, i cili me emrin e vërtetë Rustem vinte nga zona e Mallakastrës. Këtë person ajo e ndanë dhe përdor seksualisht me mikeshat e saja, që kishin nevojë për marrëdhënie të fshehtë intime. Për prashitjen e përditshme të ‘’tokës së nën barkut’’, siç thotë ajo në një rast. Por edhe këtij personazhi kjo jetë e ç’thurur do t’i vijë te hunda dhe më në fund do ta braktis atë jetë urbane të pakuptimtë, dhe më në fund do të kthehet në jetën normale të fshatit...

Për dallim nga Ana Karenina e Tolstoit, siç tham, Ajrina kërkon rrugëdalje, nuk zgjedh rrugën e tmerrshme, të pa shteg, të vetëvrasjes, siç kishin vepruar shumë gra dhe vajza tjera të kryeqytetit, por kjo me fuqinë e karakterit të saj të vendosur, bindshëm kërkon t’i arsyetojë ndjenjat e çiltrat të shumë femrave tjera për të jetuar ndryshe, me dashuri të sinqertë, si qytetare e denjë dhe e lirë. Me lidhjen spontane e të pëlqyer që bën me poetin Mond Shpalin, të burgosurin politik, i cili kishte përjetuar të zitë e ullirit në burg. Njëzet vite izolimi në sistemin totalitar të së kaluarës. Fjalët e tij të matura poetike, si dhe kujdesi e durimi tij kulturor, ishin veprime racionale të mjaftueshme për të përfituar zemrën e Ajrinës, kukullës 13. Tërë kjo maturi njerëzore në thellësi gjykimi kish ngjallur e nxitur kërshërinë e shpirtit të saj, të ndejshëm, prej artisteje, e cila ishte formësuar e refrenizuar artistikisht gjatë jetës me tone të ndjeshme shpirtërore romantike, Meqë është pianiste rrahjet e zemrës së saj kërkonin koordinim ritmik të dyanshëm të marrëdhënies intime, prandaj kërkonte drejtësi të mirëfilltë midis ndjenjës dhe besimit të dhënë. Nga sjellja e këtij poeti të kujdesshëm kishte marrë kuptimin e drejtë për jetën, për formën e stimulimit të shijes dhe ndjenjës, për ta bërë atë sa më shumë për vete si njeri. Pasuria materiale për të nuk ishte mjet i lakmuar devotshmërie që do ta qetësojë shpirtin e ngrysur e të lënduar nga e keqja e pa dëshiruar e fatit të hidhur. Ajo nuk do ta pranojë kurrë këtë të mirë të fituar pa merita nga dikush tjetër, siç lakmonin e pretendonin kukullat tjera për t’u pasuruar e punësuar, shpejtë e shpejtë, nëpër bordet e bordelet e kryeqytetit. Secili personazh me veprimet ndikuese në roman mbetet për vete, dhe secili shfaq karakterin e vet të veçantë. Kukullat si tërësi karakteri personazhesh formojnë paradigmën psikologjike të treshit të romaneve të njohura si Ana Karenina e Tolstoit, Ema Bovari e Floiberit dhe Effi Bristit i Teodor Fontanes. Nëse pranohet se Ema është një lojtare radikale, Ana një e dashuruar e përvuajtur, Effi e reja naive që arratiset me shkas, atëherë gjithsesi mund të themi se ‘’Kukullat që nuk kanë athe’’ janë ato tërësi personazhezh tipike të veshura mirë me këto lloj vetish e vesesh të shumta femërore, të imponuara drejtë për së drejti me veprimet e tyre feministë në shoqëri. Ato veprojnë në jetë të tronditura nga amoraliteti i rrethanave ekzistuese dhe nga dobësitë e imponuar të së kaluarës dhe të së ardhmes në shoqëri. Por për të vënë paralele të mira krahasuese me romanin ‘’Kukulla nuk kanë atdhe’’ dhe sidomos me personazhet e njohura të këtyre klasikëve të mëdhenj, lexuesi është mirë ta lexoj edhe studimin krahasimtar të kritikut eseistit, gjegjësisht veprën brilante të Wolfgang Matz-it, ‘’Arti i prishjes së kurorëzimit, Ema, Ana, Effi dhe burrat e tyre’’,  (Die Kunst des Ehebruchs, Emma, Ana, Effi und ihre Männer). Rrjedhimisht do të shohim se personazhet bartin pa siguri, zhgënjim dhe frikë në rrugëtimin e tyre të veprimit jetësor. Dalin karakteret e shumta në skenë. Të gjitha këto gra bëjnë të ndaluarën, gjegjësisht duke rrezikuar ekzistencën e tyre. Kështu duke pasur për bazë këto personazheve të njoftuara të klasikëve të mëdhenj botëror, shumë më lehtë mund të kuptojmë, tanimë, karakteret e këtyre kukullave të Flutura Açkës. Por gjithsesi se veprimet e Vokër Delisë shpalojnë peshën e rëndë të një shoqërie dekadente e të korruptuar, aspak tolerante, pa një hierarki vlere njerëzore të mirëfilltë, që do ta çonte shoqërinë përpara. Vokër Delia është një figurë kompleksive, tipike e realitetit të sotëm shoqëror, i cili shpalon identitetin e vet karrierist për të mbërritur, me çdo kusht, pa merita në majën e politikës së kohës. Ai me të gjitha mënyrat kërkon mundësi për të ardhur në krye të politikës, pa kursyer edhe shkatërrimin e familjes që është e shenjtë në traditën shqiptare, prandaj me ambicien e tij të sëmurë të trendit ambicioz për t’u dukur, për të bërë aventura, e për t'u pasuruar në mënyrë jo të drejtë, nuk zgjedh mjete vepruese. Kukullat nuk janë gra të reja të vetme që dalin në skenë, në këtë sistem të korruptuar të pluralizmit të trashëguar nga diktatura më e sofistikuar e vendit, por tërë një arsenal e zhvillim sistemor, burrash e grash që pëlqejnë një formë jetese e zhvillimi të këtillë të funksionimit shtetëror.

Açka nuk na shtron para nesh një roman politik, por brenda veprimeve të personazheve del në skenë një fushë e gjerë amoraliteti të një politike të mbrapshtë, të degraduar dhe të udhëhequr keq. Me individ jo adekuat për të qeverisur vendin dhe sistemin pluralist të kohës. Tirana bëhet bota e vogël e ngjarjeve të mëdha, e cila në vete përfshinë vlerat dhe jo vlerat njerëzve që bëjnë politikën dhe kulturën e kohës. Këtu duken qartë borgjezët e vegjël, lukset i tepruara, femrat skllavëruara, homoseksualiteti, vrasjet me porosi etj. Nëpër këtë rreth vicioz sistemor të skllavëruar nga tradita e vrazhdë dhe paragjykimet e shumta që shfaqen në jetë, ndërtohet njeriu i kohës, i cili është në rrugëtim e sipër, për ta gjetur veten dhe mbijetesën e tij në kohë. Lexuesi njihet me njëanshmërinë e brutalitetit të kësaj jete tranzitore, që vjen jo vetëm nga njeriu i varfëruar, por edhe nga defekti i abuzimit serik i individëve në një  shoqërie urbane, të korruptuar e zhvilluar nga amoralitete të shumta. Kështu edhe prostitucioni do të bëhet veprim i mundshëm i mirëqenies  së qytetarit,  për të gjetur rrugëdalje nga kjo situatë, pasi morali njerëzor, sipas saj, tanimë është degraduar tërësisht në shoqëri, nga klane e individë të pa përngjeshëm. Në këtë formë veprimi janë të qëndisura edhe shumë kukulla, vajza të reja, që e paraqesin brendinë e tyre psikologjike e përgjithshme të emancipimit të vrazhdë. Në roman asnjë personazh nuk imponohet pa plagë të marra në arenë veprimi, por secili prej tyre vë fatin e vet në sprovë shoqërore me pasoja. Të gjithë në formën e vet luftojnë për ekzistencë e për t’u dukur në jetën e përditshme urbane, me fuqinë e tyre vepruese. Kukullat zhvishen nga perandoria e ndjenjave inferiore, të fshehta, femërore. Sidomos ato zhveshin kuptimin e ndrydhur intim të jetës së tyre nga maska e ndërgjegjes së rrejshme në shoqëri. Ky grumbull kukullash të vardisur në veprime është një armatë e madhe të pakënaqurash që dalin të lënduar nga realiteti shoqëror e jetësor me veçantitë dhe vlerat e tyre të posaçme, në Atdheun e përmbytur nga llumi e kaosi i keq i tranzicionit, skllavërimit njerëzor, e që për çdo ditë po shëmtohet e keqpërdoret nga politika dhe papërgjegjësia e faktorit njeri.

Në këtë vepër përplasen personazhe të shumta, të cilët janë në kërkim të vetes dhe të vlerave jetësore. Ato tërë këtë sakrificë, të drejtë apo të padrejtë, e bëjnë për t’i realizuar ëndrrat dhe epshet e tyre të paplotësuara. Nga ironia dhe satira që derdhen rrjedhshëm brenda rrëfimit të ngjarjes së romanit, dëshmohet bindshëm  përkujdesa feministë, e matur e autores, për të treguar pozitën tipike të gruas, femrës shqiptare në shoqërinë e tanishme, e cila sipas saj në këto rrethana, e trendë të dukshme imponimi është kukull e kërcënuar keq nga urbanizmi i shpejtë dhe keqtrajtimi i pa kujdesshëm i shoqërisë. Kryesisht në pjesëmarrjen e njëanshme të saj në jetën publike e politike të kohës. Këto femra, tanimë bëhen kukulla dhe viktima të lëvizshme të lojës së rrejshme të politikës ditore të degraduar, kryesisht të meshkujve e politikanëve të pa përmbajtur, në kohën e tranzicionit më të vrazhdë të kësaj ane. Këtu bëhet një kritikë e sofistikuar kundër daljes së njeriut nga vetja dhe pakujdesia individuale ndaj të tjerëve, të pa mbrojtur nga rrethanat sistemore të drejtësisë së kohës, përballë errësirës së një shoqërie të korruptuar e të pakontrolluar nga ligjet e mirëfillta ekzistuese. Degradimi i njeriut dhe rendit në shoqërinë e kohës sonë, mban vulën dhe baraspeshën e kuptimit tronditës gjatë tërësisë së rrëfimit të romanit. Vitaliteti i kukullave, që defilon me guxim  ane e mbanë hapësirës shqiptare, jep përshtatje të imponuar tragjike, provokative, të ndjenjave të shpaluara intime të individit, gjegjësisht të femrës së fokusuar në ndërgjegje dhe në domethënien e vlerës së saj ekzistenciale,si qenie ekzistuese, e që në shoqëri renditet me plagë, kështu, si kukull e sunduar, që duhej gjithnjë t’i përshtatej çdo individi, edhe përkundrejt shijes e nevojës së saj të preferuar për të jetuar lirshëm, me alternativë veprimi, si dhe për ta kuptuar botën ndryshe. Autorja me spikamë ka hyrë thellë në ndjenjat e gruas, në natyrën shpirtërore e njerëzore të brendshme, të femrës, e cila në jetën publike përballet me veçantitë e saja karakteristike në mënyra të ndryshme. Aty aktivizohen femra të të gjitha moshave, gra plaka, vajza të ndershme dhe prostituta. Flutura Açka, duke gjurmuar thellë në shpirtin e këtyre personazheve, di mirë t’i realizojë ato nëpër situata e skuta të ndryshme ndjenjash dhe kjo mjeshtëri e renditjes së figurave me sens, shihet qartë që nga fillimi deri në fund të ngjarjes. Mjeshtëria gjuhësore dhe stili i përdorur në roman e mban intensitetin e pashkëputshëm të zbulimit të ndodhisë tek lexuesi.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora