E premte, 19.04.2024, 04:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Nacionalizma si aspekt shoqëror

E enjte, 14.08.2014, 07:44 PM


Nacionalizma si aspekt shoqëror në një roman historik

(ese)

„Gjithmonë është gjendur një laps që të shkruaj për të ardhmen, por kurrë nuk është gjendur një gomë që të fshijë të kaluarën“ Al Paçino

Nga Vladimir Muça - Shkrimtar, studjues

Të shkruash historinë e popullit tënd do të thotë të kontribuosh në mbajtjen gjallë të kujtesave historike; në tërësinë komplementare të japësh ndihmesën në ringjalljen e vlerave të vërtetësive historike aq shumë lakuar në të dy shtetet ku jeton etnia çame, si në truallin e Thesprotëve të lashtë dhe këtu në truallin amë në Shqipëri.

Romani „Çamëria... klithmë e mbytur“ ( një trilogji historike) që lexuesi e ka në duar, vjen si një kontribut mbi modestinë letrare të autorit.

Pa komplekse historike, që në leximin kinematik, lexuesi e kupton se në thelbin e rrëfimtarisë gjënden forca, vullnete, pasione, të cilat ushqehen nga cilësi nga më të mirat shoqërore, ku kryefjala e tyre duhet të jetë: dashuria  për dheun amë, si dhe lufta pa kompromis për çështjen e nacionalizmës si aspekt shoqëror.

Në këtë trilogji autori edhe rikrijon me besueshmëri, duke i letrarizuar ndodhi, ngjarje dhe fenomene. Në këtë kontekst e ka burimoren dhe shprehja e personalitetit të njeriut në veçanti e krijuesit Kadri Aliu, veshur me metaforën e mallit: „...se malli djeg gurin e jo më burrin“ - si thuhet në një ekstrakt popullor nga më të urtët e malcisë.

Shkrimtarja amerikane Jean Sason në romanin e saj „Princesha“ perifrazon bindshëm: „ Durimi është çelësi për zgjidhjen e çdo problemi“. Siç duket që në kapitujt e parë rrëfimorë Kadriu, këtë sentencë e ka bërë normë apriori, por, duke i bashkëngjitur amalgamën argumentuese të Erih Remarkut se:  „Njeriu është më i fuqishëm se fati, vetëm deri sa nuk dorëzohet“, e kalit atë në farkën e durimtarisë, duke e ushqyer etninë çame me karakterin luftarak, mos mashtrimin, besimin e qëndrueshmërisë në fjalën e dhënë të fjalëve. Kësisoj ai na jep të gdhendur si në shkëmbijtë e Sulit, të mureve – muranë të Paramithisë, modelin e njeriut që ka mbijetuar në shekuj që nga kohësia thesprote, duke realizuar objeksionet jetësore.

Çdo gjë që lexuesi do të lexojë në këtë trilogji historike, do ta ndjejë të frymojë jetësore, e përjetësuar nga vetë krijuesi e lexuesi. Autori vetëm sa i ka letrarizuar ngjarjet e personazhet e vërtetë, duke i veshur me atë cilësi e virtute të larta morale – shoqërore, atdhetare, të trashëguara nga breznitë, si veçori të vitalitetit të një etnie.

Eshtë meritë që autori rrëfen me besueshmëri gjer në detaje, vendet ku i ka rënë  këmba e ku prehen eshtrat e të parëve, duke i personalizuar me një emërtimitet, onominitet, toponomastikë Iliro – Thesprote ( shqiptare ) marrë direkt nga visaret etnike, trashëguar ndër breza.

Në këtë opsion, paraqitja me besnikëri e zakoneve, dokeve, në imtësi e detaje, si një „bajron“ apo si një „Edit Durham“, e ka bërë rrëfimtarinë të këndëshme, mikluese për lexuesin, sidomos kur ato shoqërohen me sentenca, aforizma nga gurra e mençurisë krahinore çame. Kjo, jo vetëm i ka dhënë lezet rrëfimtarisë, por ka rritur ndjeshëm valencat e besueshmërisë në atë çfarë do të përcjellë autori tek lexuesi.

„Guri i rëndë në vendin e vet“ bubullon në faqet e romanit (trilogjisë) kjo urtake popullore, jo vetëm për komunitetin çam anë e kënd shtetit amë, por dhe për ato murrana në Çamëri, të cilat me lotet e viteve si ujët e lumejve zhurmëtarë qajnë e qajnë për zotat që s’i kanë.

Kjo sintagmë popullore është sa e vërtetë bindëse, dëshiruese e të vërtetave historike për popullin theror çam, i cili edhe pse u rrokullis nga trojet e tyre, si ajo dallëndyshja mbas një shtegtimi të gjatë, kërkon truallin e folesë së vjetër, kërkon me shpirt e me zemër dheun ku i ka rënë koka të parëve të fisit.

Pavarësisht se në shikimin stilistik letrar kemi të bëjmë me një produkt romanesk, ( një trilogji artistike) ku pjesa më e madhe e personazheve janë me emra realë, historikisht, në tërësinë e tij ky produkt përbën një vlerë dëshmitare të gjallë, shumë e ndjeshme, sepse rrëfimtaria mbështetet në themelet e kapriatat e fakteve historike.

Trilogjia rrjedh natyrshëm në atë natyralitet historik, duke ringjallur e mbarsur me emocione. Me një tragjizëm të veçantë përshkruhen skena të dhimbëshme dhe rrënqethëse, ku në çdo cop truall të Çamërisë martire, në çdo përrua, në çdo kullë, në çdo hon, në çdo lumë. Pasazh pas pasazhi, të shfaqen sekuenca filmike ku dhe sot, në sytë e nipërve e stërnipëve të dëshmorëve theror, ndjehet gjithmonë e më shumë tragjedia e një etnie autoktone, mijra vjeçare e therorizuar.

Shtjellimi që i bën Kadri Aliu dinamikës kriminale të andartëve të antishqiptarit Napoleon Zerva dhe të monarko – fashistëve të EDHE – sit ndaj pleqve, nënave e fëmijëve çam myslimanë; e prekin lexuesin thellë në shpirt.

Kjo trilogji, e para në lloin e saj në letrat shqipe, përmban në të vërtetë jo vetëm skanerin e një masakre të madhe, por, dhe të një dhimbjeje të madhe, të pashëruar në spektrin social – ekonomik. Kjo dhimbje, si një vajtim i pambaruar, gjëmon nga varret – murranë të të parëve, mbetur dhe pa varre, honeve të Çamërisë.

Ky vajtim rrjedh si lumë lotësh duke lënë vraga në gurët e mureve çati – humbura të Paramithisë, Sulit, Filatit, Prevezës, Gumenicës, ku tabllo të tilla makabre mund të përngjasohen  me „Të pushkatuarit“ e Gojës. Merita e veçantë e kësaj trilogjie qëndron në atë se Kadri Aliu duke pasqyruar me realizëm masakrat e kryera jep mesazhin e qartë se jo vetëm çamërit, por gjithë bashkombasit duhet t’i thërrasin arsyes e ndërgjegjes, që ngjarje të tilla, jo vetëm të mos përsëriten në histori, por domosdo të akuzuarit të vihen në bankën e të akuzuarve e të japin llogari para drejtësisë njerëzore.

Duke mos e shqitur mendjen nga ato skena goliate, të një persekutimi biblik gjer në pamundësi jetese, duke marrë shpirt nga shpirti  i qindra viktimave, nënash e fëmijsh në gjokset e barkun e tyre, të cilët u masakruan në ato ditë qershori 1944:   Në këtë këndvështrim vlerat e Kadri Aliut si shkrimtar rriten në raport me këtë piskamë. Në këtë aspekt autori në këtë libër, është bërë biri shpirtëror i nacionalizmës shoqërore.

Sidomos, duke mos i politizuar ngjarjet, siç bëhej dikur në soc – realizëm, Kadriu ka përfaqësuar shkrimtarin e pamundur, pa reminishenca nga e kaluara totalitare, e mlleftë, distancuar nga ata shkrimtarë që akoma bëjnë berihajnë e grupimeve politike. Ndaj, sekreti, e veçanta e kësaj trilogjie , qëndron se autori ka ditur të evidentojë e t’ia sjellë lexuesit si të pamohueshme, ndryshe nga ç’kemi dëgjuar dokrra gjer tani nga monarko – fashistët vorio – epiriotë, por dhe nga qëndrimi heshtak e deri pajtues i EAM – it dhe indiferencës të UNÇL – së shqiptare që vinë si faktor për masakrën ndaj kësaj popullsie.

Autori në perceptimet e veta ngulmon dhe e ka realizuar të mos i fusë rrëfimit ngjyrime politike. Duket se që në  krijimin e sinopseve themelore të kësaj trilogjie, ai ka bërë një pakt me veten dhe me lexuesin human, nacionalizmës shoqërore, si koncept gjithëpërfshirës, urrejtjes ndaj tradhëtarëve monarko – fashistë gjakpirës; në këtë rrëfimtari ai na bën të ndjejmë më shumë dashurinë, me të gjitha opsionet e saj.

Koncepti gjithëpërfshirës bën që në aspektin e mendimit e të mesazheve që përcjell, në tërësinë rrëfimtare në të gjethojnë disa veçori.

Ajo që më bën më shumë përshtypje te kjo sagë e një historie romaneske është se: në dallim nga shumë romane të tjerë, edhe bashkëkohorë, intriga e religjionit ndërbesimtar, në  të, të atrofizohet në atë mënyrë, sa bashkësia komunitare  mirëbesimi e lufta për një mirëqenie të përbashkët, vjen si një domosdoshmëri e apriori e tërë komunitetit çam.

Gjithçka vjen si një e vërtetë historikisht e provuar dhe trashëguar brez pas brezi, sa që besimi është vetëm  një çështje e individit, dhe në momente historike ajo shpërfaqet në nocione konjukture për mbijetesë, cilësi kjo e mbarë kombit shqiptar.

Shpirti human, bashkëjetesa vëllazërore është mbi gjithçka në trojet çame, mes komunitetit. Pikërisht këtu e ka dhënë dhe goditjen parësore egërsia e megalidhesë. Miqësia dhe vëllazëria përtej besimit fetar ka qenë ura lidhëse që e ka mbajtur vitale,këtë etni, si burimi i unitetit në bashkëjetesë.

Çamët ortodoksë duhet t’i rilidhin këto ura komunikimi. Kjo është një nga detyrat themelore në zgjimin e shqiptarizmës në krahinën e Çamërisë, ku etnogjeneza të rilindë e të çelnikoset nëpërmjet këtyre lidhjeve. Ndaj autori e prevalon në faqet e këtij romani si alternativë e vetme determinante, por e mbytur në mjegullnajat e viteve.

Onomonistika myslimane në mbiemra bazë ortodoksë si myftiu i Paramithisë Jahsim Gjinika dhe At Foto Gjinika, fisi i Tokajve, Ajdhonatëve tregon se feja për çamët, si në gjithë Shqipërinë ka qenë në plan të dytë si e parëndësishme në marëdhëniet shoqërore, feja e vërtetë ka qenë gjithë shqiptarizma.

Në këtë aspekt shumë domethënës vjen e vërteta e sjelljes humane të nënë Talos me Astin, djalin e Pilo Qafirit, tregon jo vetëm shpirtin human çam, në kundërshtim me atë çka kanë propaganduar qarqet shoviniste greke, por është një ndjenjë e lartë njerëzore pa kufij të ndarjes fetare e shoqërore, ku mirëbesimi ndërmjet çamëve myslimanë e ortodoksë shpërthen në një flladitje mirënjohjeje të bashkëqytetarëve.

Ajdhonatët dhe familja e Sotir Nikës vjen e jashtëzakonshme. Në kulmin e masakrave Ago dërgohet për studime në Amerikë me mbështetjen e Sotirit dhe Mitros: „Gjithë vlerën e mallit përdore për çfarë i duhet Agos. Eshtë djalë i veçantë, që po të arsimohet, bëhet shpresë për atdheun!“ – i thotë Sotiri Mitros, arvanitasit nga Korinthi.

Në aspektin e kulturimit për të mposhtur invazionin e megalidhesë jo më kot më gojën e Ago Ajdhonatit, autori sinkretizon idenë fondamentale për etninë çame: „ Udhët mund të na hanë një pjesë të jetës, por jetën, në kuptimin e vlerës e kemi në Paramithi.“

Ky konceptualitet në mendjen e një të riu çam,- evidenton në nëntekst autori, vjen nga që etnokultura vjen në ndasi nga etnokultura greke. Gjithçka që rrëfehet në këtë trilogji: veshjet, këngët, ndërtimet tip kullë ( tipike arkitekturë shqiptare) vinë si vlera të jashtëzakonshme që përcjellin me vlerat e tyre, me simbolikën kombëtare tek lexuesi.

Evidentimi nga autori i kulturës arsimore, e dijetarisë të komunitetit çam në diasporë, si një thesar i vyer dhe si apriori e domosdoshmërisë kohore. Të parët që u goditën nga shovinizmi grek e patriakana greke, ishin dijetarët e të shkolluarit. Për të vdekur një etni, mjafton që t’i vdesësh trurin, ekselencën e saj arsimore e kulturore, ndaj në këtë drejtim kërkohet më shumë mbijetesë – thirrmon autori.

Me saktësinë e përshkrimeve topografike dhe gjeografike, fryma e kaleidoskopi i trajtimit filozofik që autori ka përdorur në rrëfimtari, duke përcjellë mesazhin e një shkollimi, kulturimi, bashkimi sa s’është vonë, marrja e fatit në mendjen e dorën e tyre në një bashkërendim mbarëkombëtar e krijimin e një mbështetje ndërkombëtare, tregon qartë se Kadri Aliu është veshur shik me kostumin e shkrimtarit erudit.

Shkrimtari i vërtetë paraqet në letërsi moralin, edukatën, karakterin, nacionalizmën sociale e parimet e saj për të cilën ka aq shumë nevojë shoqëria e sotme shqiptare.

Thënia e aktorit të madh hollivudian Al - Paçino se : „ Gjithmonë është gjendur një laps që të shkruaj për të ardhmen, por kurrë nuk është gjendur një gomë që të fshijë të kaluarën“ - e përshkon si një tufë parabolash me subkoshiencën e autorit e të gjithë substancën e komunikimit çam, gjithë romanin historik, si një materie e tjetërsuar librare, si pavdekshmëri e një golgote që s’duhej harruar kurrë, si një e drejtë etnike në trojet amtare, në ato bajamet e Paramithisë, nën hijen e të cilave prehen kockat e shpirtrat e të parëve.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora