E premte, 29.03.2024, 01:25 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Muharrem Kurti, poet i lirikës

E premte, 08.08.2014, 06:37 PM


MUHARREM KURTI, POET I LIRIKËS REFLEKSIVE

Për librin me poezi:”Dialog me dhimbjen”

NGA QAZIM SHEHU

Muharrem Kurti, poet nga Gjakova shënon në biografinë e vet letrare disa libra me poezi dhe prozë.Ai është poet dhe aktivist i poezisë duke kryer njëherit edhe detyrën e kryetarit të Klubit letrar:”Gjon Nikollë Kazazi”.Libri me poezi :”Dialog me dhimbjen” është një libëri veçantë, shkruar me një verb të thjeshtë, me një fjalë intensive që përcjell ndjenjë të fortë dhe njëkohësiht mesazhe bindëse.Si asnjë poet tjetër, Kurti përcjell plagët e paslirisë, plagë që vijnë nga sjellja e keqes ndaj vlerave të lirisë.

Pas lufte është dashur një mënyrë tjetër e sjelljes, gjithashtu është kërkuar një reflektim më i sinqertë dhe një vlerësim më i duhur ndaj heronjve dhe dëshmorëve, vlerësim që gjithnjë nuk e gjen masën e vlerësimit të merituar për shkak të strukturave pushtetare, Kjo është e njohur në histori si sjellje, për shkak se logjika e luftës dhe e paqes nuk përputhen gjithnjë në të njenjtën vijë ecje.

Koha përherë e përgatit një shtresë harrimi për çdokënd, edhe pse na duket se ajo nuk lëviz.Po për poetin e ndjeshëm, poetin që e shikon jetën tjetërsoj kjo nuk është e pranueshme, as e mirë .Andaj poeti, Kurti, tenton dhe futet në dialog, kur shikon se sa dhimbje e dëshpërim na sjell kjo e ndodhur.Duke e shtruar këtë ide autori ngre lart tiparet dhe fytyrën e dëshmorëve, përjetëson kujtimin e tyre, njëkohësisht thërret me zërin e ndërgjegjes poetike duke trokitur në dyert e amplifikimit dhe dhe nevojës për ta parë portretin e tyre kolektiv si kredo e qenësisë, e dashurisë për liri dhe e së drejtës për jetësimin e idealeve të larta.

Dëshmorët nuk luftuan vetëm për liri kombëtare, po edhe për liri sociale, politike, për lirinë dhe mbretërimin e drejtësisë.Gjaku i tyre djeg gjithë atë paçavure të leckosur të propagandës fallso, të demagogjisë hipokrite, gjaku i tyre ëshë kthjelltësia më e pasur e besimit dhe eardhmërisë.Ndaj vargu i Kurtit ka mjaft potencë shprehje forcë dhe nerv qytetar, ashtu siç potencohet përmes ideve dhe ndjeshmërisë së hollë, fine.Shikoni se me sa vargje preksë i drejtohet Agron Ramës, heroit të Kosovës:”Me zemër të dlirë e ftove lirinë, /ti ike duke i bërë dhuratë jetën, /që ajo të vinte përgjithnjë…”Po kështu autori përshkruan portretin e Elton Zherkës ku “Eltoni i bukur si Halil Garria, /luftën e luftoi me dritë lirie.” Ndërsa Bill KLintonin poeti e quan :”Zë i bardhë përtej Atlantikut…”Transmetimi i mesazheve të përcjella poetikisht thjesht me fjalën e gjetur nga buron sinqeriteti i kthjellët poetik është një veçori e stilit  të Muharrem Kurtit, ku ngarkesa e ndjenjës e bën vargun të dalë vetiu përmes forcës shprehëse sintetizuese.

Në ciklin e dytë:”Dhimbje e kaltër” autori i vazhdon idetë e nisura.Zëri i poetit ngrihet fuqishëm përmes trajektores së dhimbjes si një hark ylberi në qiellin e ngarkuar me re.A thua me luftën mbaruan vrasjet.Atëhere na vriste i huaji, po tani që u çliruam prej tij pse duhet të vrasim njëri tjetrin.Këto pyetje dilematike bëhen damarë në gjethnajën klorofiluese të frymëzimit të poetit.Nëse vrasjet në luftë kishin kuptime të mëdha dhe shprehnin ideale madhore, vrasjet në paqe s`mund të jenë vetëm shkak i paftësisë sonë për të larguar nga vetja të keqen, atë të keqe të trashëguar në shekuj nga injektimi i ideologjive të huaja .Vargjet e këtij cikli e luajnë karakterin refrektar të mobilizimit të tendencës së hapur për të kumtuar me forcën e shpirtit ide dhe forcë fjale në emër të paqes sociale dhe madhërimit të humanizmit dhe dashurisë për jetën.Me një patetikë shekspiriane përmes poezive të shkurtra autori e sjell fytyrën e krimit si një gangrenë e shëndetit moral dhe pasigurisë për jetën dhe të ardhmen.

Siç e cekëm në fillim Muharrem Kurti është poet i nervit të fortë që shpreh dhe manifeston burrëri dhe trimëri, por njëherit edhe mençuri intelektuale dhe intuitë poetike që thith përvojat e jetës.

Në ciklin e tretë:”Dialog me thinjat”, poeti konstaton se ato, vitet:”papritur vijnë si bora, /të bardhë bëhen vitet, /e bardhë mosha…”Ky është cikli i ngjyrave shpirtërore ku mbizotëron e bardha, e bardha si dëshmi e moshës që vjen, piqet dhe thellohet në ngarkesë motesh, në vendosje të kithtë të raporteve midis brezve apo te jetës që e mbart vetiu dhimbjen e ecjes drejt mbarimit të natyrshëm.

Poeti iu drejtohet natyrshëm dy apostujve letrarë të Gjakovës:Din Mehmeti dhe Teki Dervishi, sikur kërkon ndihmë për kuptimësitë e shumëfishta të jetës, apo siç i drejtohet nënës me vargun e bukur:”U bë nëna kujtim..”, ose me vargje të tjera sërish të bukura dhe mbresëlënëse:”O zot, /merri të mirat e mia, /nënës në parajsë ia dërgo, /vetëm një e mirë esaj, /më mjafton..”Në këtë cikël autori kërkon ta kapë jetën në pikat e forta të referimit aty ku jeta ka bukurinë forcën dhe kuptimin e saj. Tek nëna dhe njerëzit e ditur.

Në ciklin tjetër vijues :”Dhimbje e bukur”, poeti në mënyre të tejpashme jep dridhjet e dashurisë.Jeta pa dashuri është shkreti, vetëm me dashurinë ajo merr kuptim, tharm, ngjyrë, motivohet dhe bëhet e bukur.Ndaj poeti do të shprehet me vargje sintetikë:”më bëj, o zot, /hi të dashurisë, /sesa zjarr urrejtje…”.Edhe pse dashuria dhe urrejtja kanë një ndërvatësi të detyrueshme.Është një koncept i kahershëm i përvëlimit nga dashuria i një farë vetësakrifikimi të lumtur që poeti pranon për hir të saj, i një koncepti platonik që vjen si humbje e ëmbël nga dashuria.Poeti e shikon dashurinë përmes tejqyrave refleksive, sepse ai mundshëm ka dëshirë të mendojë, të përsiasë dhe të jetojë brenda idesë së saj, brenda shfaqjeve dhe imazhit të dashurisë.Vetëkuptohet dhe ndjehet sfondi i saj filozofik, mendimi nuk resht së arsyeturi mbi dashurinë, mbi thelbin e saj përjetues.Herëdokudo dashuria tjetërsohet dhe merr formë përmes dhimbjes, harrimit e kjo, patjetër e sjell dhimbjen dhe dialogun e munguar.Sepse:”dashuria u bë harrim, /harrimi u bë tjetër dashuri…/”.

Muharrem Kurti është natyrë poeti që i pëlqen të dialogojë me miqtë.Ai adreson mendime që përcjellin kujtime, gjëra që nuk shkojnë, kërkon ta ndajë arsyetimin e vet në mënyrë fine përmes perceptimit ndiesor dhe dritës së komunikimit të pareshtur shpirtëror.Në këtë intervencion ai gjithmonë shfaqet me profilin e njeriut të shqetësuar jo për problemet e veta, po për kohën.Madje ai këtu dallohet duke treguar shenjat e plota të poetit përzier me shqetësimin intelektual.I shkolluar në Shqipëri, Berat dhe Elbasan, duke kaluar një kalvar vuajtjesh edhe pse i ri, me burgje të serbosllavisë, atij i takoi fati që në moshë të re të provojë rreziqe dhe natyrisht të grumbullojë përvojë e të krijojë gjykime të pjekura që herët.Natyrisht kjo i krijoi edhe një pasuri të madhe burimesh lëndore, të gatshme për subjekte tregimesh e poezishë plot dramacitet.Ndaj edhe interesat e tij janë të gjëra dhe domethënëse duke e përjetuar kohën dhe kohrat me sinqeritetin e poetit po edhe me thellësinë e mendimtarit, patriotit, luftëtarit intelektualit, veprimtarit djhe dashamirësit të palodhur në sendërtimin e ëndrrave të reja, tani kur shoqëria në Kosovë ka nevojë që të shfrytëzojë mirë avantazhet e lirës dhe të mos ndihet e dobët për fajin e vet.

Poet i shqiptimit të fjalës me nerv, vrull dhe njëkohësisht i kujdeshëm mos bjerë në patetizëm as moralizime të kuptueshme, sepse këtu ekziston një rrezik, Muharrem Kurti shfaqet në dimensionin e fjalës së vet, çka e bën atë një poet origjinal, i kuptueshëm  me gjetje interesante dhe herë herë me mendime që marrin vlerën e maksimës poetike dhe mbahen mend gjatë.Siç jemi shprehur edhe diku tjetër, poezia e tij e ruan vlerën e përjetimit dhe shqetësimeve intelektuale, ajo harmonizohet dukshëm me komponentët e kohës, ndonëse detyra e poezisë nuk është të pasqyrojë kohën, po të japë shqetësimet e saj, për të kuptuar se poeti nuk është një soditës pasiv, po njëherit një edhe një luftëtar dhe individ i caktuar, se ai sa ç`është qenie intime e klasit të parë me superndjeshmërinë që i cakton natyra, aq mbetet edhe qenie sociale apo qenie e lirisë dhe e drejtësisë.

Poezia e Kurtit shquhet për vargun e thjeshtë po ku thjeshtësia nuk shkon kundër thellësisë së perceptimeve dhe krijon në tërësi imazhe të forta.Ai është poet që ka për të thënë nga vetja e vet, po kurrë veten nuk e sheh përjashtimisht nga koha, përkundrazi, alternimi i pyetjeve dilematikë që burojnë nga format e shfaqjeve shoqërore përbëjnë ato përrenj të rrëmbyer të frymëzimit kurtian që derdhen brenda një shtrati të gjërë mendimor…



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora