E enjte, 28.03.2024, 12:24 PM (GMT)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: “Gjethet e hirta të zemërimit”

E premte, 08.08.2014, 06:44 PM


GJETHET E HIRTA TË ZEMËRIMIT, MADEM I RADHËS

SË VEPRAVE POETIKE TË KRIJUESIT SEJDI BERISHA

Nga: Ryzhdi Baloku

Krijuesi i mirënjohur në shkallë kombëtare, Sejdi Berisha, para ca kohësh solli në dritë mademin e radhës, vëllimin poetik me titull: “Gjethet e hirta të zemërimit”, botuar nga “Club Kultura”, i cili në Mitingun e Pesëdhjetë Jubilar të Poezisë në Gjakovë (Maj 2014), qe nderuar me çmimin “Din Mehmeti” si libri më i mirë me poezi i botuar ndërmjet dy mitingjeve, andaj edhe në këtë shkrim në pika të shkurtra në trajtë vështrimi kjo vepër do jetë objekt trajtimi.

Ky libër prej 202 faqesh, pasqyron një gamë të gjerë të botës shpirtërore krijuese të këtij poeti, të ngërthyera në njëqindetre poezi të përzgjedhura, të cilat autori i ka përmbledhë në tetë kapituj për t’ia afruar lexuesit mendimet, ëndërrimet dhe përjetimet e tija përmes kësaj gjinie letrare.

Ndonëse, Sejdi Berisha, ka shumë vepra të shkruara në prozë, poezinë e ka pasion, e ndjen si më të përzemërt, gjë që në biseda me miq shpeshherë thotë: “poezia është kremi i fjalës së shkruar”.

Poezi që reflektojnë botën krijuese të autorit

Si prolog, librin e tij me titull “Gjethet e hirta të zemërimit”, autori e fillon me poezinë “Ndoshta... !”, për të na dhënë një mesazh sa të fuqishëm po aq edhe atdhedashës kur shkruan: Në derën tonë / Kur të mos trokasim / Sepse shtëpia na bëhet e huaja...

Këto vargje sugjestive me përmbajtje të thellë, na asociojnë në atdheun tonë të shtrenjtë - shtëpinë tonë të dashur, të cilën duhet ta mirëmbajmë, rregullojmë e zbukurojmë duke dhënë çdo gjë nga vetja.

Poeti, shpeshherë i kthehet të kaluarës, si në poezinë ”Në vigun e lumit të fshatit”, ku me nostalgji kujton fëmijërinë dhe  thotë:  “Tash, një ditë / Se kur, nuk e di as vetë / Ktheva tek vigu i lumit / Të cilin dikur / Si rrugë dhish e kisha bërë / Aty s’kishte ngelur gjë / Vetëm një trup gështenje i kalbur kohësh ...

Në meditim, autori i kësaj vepre evokon edhe të kaluarën historike të etnisë sonë. U këndon kullave si sinonim i qëndresës kombëtare, por edhe qëndresës së nënave shqiptare si në poezinë “Do kthehem në kujtimin e nënës”. Po ashtu, për ta përkujtuar të kaluarën tonë historike, autori u këndon edhe varreve si në poezinë e titulluar: “Bisedë burrash ndër lisa”, ndërsa dëshmorëve në poezitë: ”Shi i vaktë mbi fytyrën e bronztë”, ”Psherëtimë dhe përqafim” dhe “Në cilën dhomë mësimi ...”, në kujtim të Jusuf Gërvallës, pastaj flamurit kombëtar në: “Paradoksi i këndimit poetik (Ose si e hoqa shqiponjën nga flamuri..)”, e kështu me radhë.

Vargjet poetike të Sejdi Berishës, i ngjajnë valëzimit në det, ku vargu vargun e nxit në ndërtimin e poezisë, sikurse vala valës që i jep fuqi për të krijuar dallgë madhështore që na mahnitin me pamjen e tyre, e që në poezitë e këtij autori reflektojnë botën e tij të pasur krijuese.

Poezi me përjetime që peshojnë, ku dhembja dhe krenaria bëhen gërshet

Përpos temave historike, autori i kësaj vepre shtjellon edhe vargje me motive sociale si në poezinë me titull: “Babai, në grusht mbante lotët e mi  ...! “. Edhe këtu si në poezitë tjera, ai flet përmes figurave letrare kur thotë: “E putha edhe një herë / Barin mbi varr / Derisa / Loti im e dogji barin / Gjer ke eshtrat e babait depërtoi / Atje thellë në varr / Për këtë mëkat të lotit tim / Barin e djegur e ledhatova / Dhe, m’u bë se shpirti m’u lehtësua / Me përkuljen pranë varrit / Tempull përjetësie në jetën time; pastaj, edhe në poezinë tjetër: “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, vargu përmban metaforikë të pasur, i frymëzuar nga një gamë ndjenjash dhe reagimesh emocionale, ku dhembja dhe krenaria, me një mjeshtri të veçantë ndërthurën gërshet. Ai thotë: Tash / Dua të kthehem / Në shtëpinë e babait / Ka mbi gjysmë shekulli / Nuk e gjej dot ... / Oborr as dyer nuk ka / Shtëpia që nuk ekziston.

Si gjithnjë edhe në këto poezi, vargu është i strukturuar artistikisht në formësimin e vjershërimit, kështu që çdo mendim i shprehur e ka simbolikën e një fuqie që e madhështon fjalën e shkruar.

Poezitë e këtij krijuesi, pos që reflektojnë emocione, dhembje e protestë, ato nxisin mallëngjim e nostalgji si qëllim i përpjekjeve për ndërgjegjësim të shoqërisë si tërësi.

Vargje që shërbejnë si model në poezinë bashkëkohore

Siç shihet, edhe në këtë vepër, e veçanta e diskursit të poezisë së Sejdi Berishës, është figuracioni poetik  dhe filozofia e shprehjes në ndërtimin e vargut.

Në këtë kontekst, mund të thuhet, se metafora është një ndër figurat poetike më të forta në komunikim me lexuesin.

Përmes një gjuhe të zgjedhur e të pasur letrare-artistike, Sejdi Berisha ndërton vargun poetik me shtresa të shumta kuptimore.

Në poezitë e këtij krijuesi me shpirt rebelues, shpeshherë hasim shqiptim hidhërimi e zemërimi nëpërmjet metaforës, që kulmon në trajtë proteste si në poezinë: “Unë di të them gjithçka ...! (ose paradoksi i shekullit XXI-të)”, kushtuar familjeve, të cilat sipas tij, edhe ato janë Kosovë. Ai shkruan : “Unë di të them / Se edhe unë jam Kosovë / Unë di të them edhe shumëçka / Por dot nuk ma thotë mendja / As nuk ma qet goja / Se Tokën time e lëndoj / Kombin tim e poshtëroj ...

Në vargjet e këtyre poezive ka dhembje që përvëlojnë, ka protestë që kumbon deri në kupën e qiellit, por ka edhe krenari që e lartëson fjalën e thënë.

Heshtja, simbolikë e protestës

Poezitë e Sejdi Berishës janë në trajtë pikture, të cilat me koloritin e tyre dhe vlerën artistike ia tërheqin vëmendjen vizitorit – lexuesit, që në shikim të parë. Vlera artistike e tyre shihet nga brendësia e vargut, që del si madem nga thellësia e shpirtit poetik të këtij krijuesi.

Nëse sipas Dante Aligierit, poezia duhet t’i shërbejë popullit ... në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar, atëherë në këtë kontekst mund të thuhet se edhe vargjet të cilat dalin nga vjershërimi i këtij poeti, janë të pasura me shtresa kuptimore me tone qortuese e këshilluese për një të ardhme më të mirë.

Heshtja si simbolikë e protestës në vargun poetik të Sejdi Berishës, përkon me  revoltën intelektuale të poetit, që përçon një mesazh të fuqishëm për stigmatizimin e dukurive negative të kësaj kohe, kur thotë: “Heshtja / Edhe gurin e detyron të flasë / Edhe të pëlcasë ...

Në poezitë e kësaj vepre, mund të hasim në shprehje mallëngjimi, në dhimbje e vuajtje, në gëzim e krenari, në të bukurën e të shëmtuarën, në të drejtën e të  padrejtën, në humanizëm dhe dukuri tjera që ndërthurën me jetën.

Leximi i kësaj vepre, lexuesit të vëmendshëm i lë shteg për thellim në meditime për temat e trajtuara në të, sepse poezia e Sejdi Berishës ka një stil autentik me peshë artistike dhe medituese, por gjithnjë në koherencë me poezinë bashkëkohore, meqë bosht tematik apo hapësirë qenësore e frymëzimit të tij është njeriu dhe dashuria për atdheun, apo siç ka dëshirë edhe vetë autori ta vërë theksin në shkrime, kur thotë: “... njeriu i kësaj toke...”.



(Vota: 34 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora