E premte, 19.04.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Oriental apo Okcidental

E diele, 10.06.2007, 06:17 PM


Kristo Mërtiri

Sa për okcidentalizmën shqiptare âsht fort zor me bâ fjalë nër ne; sepse shqiptarët e sotshëm – (përjashtimet e vërtetojnë rregullën!) – gjinden aq larg nga okcidentalizma e vërtetë sa do të na duheshin gjuhënat e meleq-ve apo edhe burizanat e Jeriho-s që të na kuptonte pak a shumë bota arbnore. Vet djelmnia e shkollueme e ka gabim kur kujton se okcidentalizma përmbahet vetëm nër veshje e mbathje evropiane, apo në të ndenjurit plot kotësi nër sallona, ner danse e “me kafe shantanta e balerina” (si thotë Pater Fishta), apo edhe me kryemjen e ndonjë detyre pro forma sa me rrëmbye një rrogë të majme, etj, etj... (Na këtu, helbetè, po flasim me popullin xhahil dhe jo me engjikllopedistat e patentuam – dalun zoras nga ndonjë deriçkë universiteti “bon pour l’Orient!”)...
E prandej po i sjellkemi edhe popullit dhe po i themi se okcidentalizma e vërtetë diftohet piksëpari me kryemjen e një detyre të ndershme – fund e majë për hatër t’asaj detyre dhe pa me qenë i shtyem nga zori, nga ndonjë dishir i prujtun apo nga shkëlqimii ndonjë fitimi material. Bilè okcidentali i vërtetë karakterizohet nëpër mënyrën se si aj i ngarkon vetes – fare vetdashas – detyrë të randa, jashta detyrave ordinare e të domosdoshme. Heroizëm s’kërkohet prej askujt, porse lartësia morale e një okcidentali matet me gradën e vetëmohimit dhe vetëflijimit rreth një ideje së naltë...rreth një ideje që s’ka punë me kolltukë, me llokma e me meashe...
Si thotë gjermani Emanuel Kant? – “Vepro gjithmonë në një mënyrë t’atillë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë!”. Kështu flet imperativi kategorik, neni i parë i detyrës së përditshme të një okcidentali...
Anglezi e lartëson veten me një sjellje gentleman like kundrejt t’tjerëve dhe me parimin: alëays fair play!, d.m.th pranon, nderon dhe çmon çdo njeri a priori si të një grade me vetveten...pa qëllime e prapamendime orientale...
Francezi shtyhet edhe mâ tej dhe kërkon për çdo njeri: liberté, égalité, fraternité!...
Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri – i madh a i vogël, pasanik apo i vorfën, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo nëpër friksime të ndonjë gogoli teologjik, por vetëm e përvetëm n’emën të një njerzimi të nalt (höheres Menschentum), i cili pushtetet mbi njato të drejta hyjnore (ius divinum sive natyrale) që kanë mbijë në zemrën e çdo njeriu – pak a shumë normal...
Dhe karakteristika mâ e flakshme e ndjenjave të një okcidentali âsht mu njajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo kreatore nevojare – qoft kjo: njeri, shtazë, zog apo edhe një përdheskë e shkretë – por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjer, kundrejt çdo populli varfanjak... e mâ së forti kundrejt kombit të vet në rrezik. Shpirti fisnik (der Adel) i një okcidentali (=njeriu) të vërtet rrëfehet kryekëput në mënyrën se si merr aj pjesë nër dhimbje e brenga të botës përanë!...
Si thotë një Goethe për njeriun e vërtet? – “Edet sei der Mensch, hilfreich und gut; denn das allein unterscheidet in von allen Ëesen, die ëir kennen!...”.
Por nuk qe vetëm një Goethe e nuk qenë shokët e tij, idealista e poetë, e nuk qenë as religjionet evropiane vetëm që predikuen për njat shpirt fisnik e të përdhimbshëm. Jo, qysh para Goethe-s ka qenë anglezi David Hume, i cili larg çdo sentimenti fetar, kërkonte përhapjen e ndjenjave shoqnore-njerzore, i cili kërkonte një “felloë-feeling” ndërmjet të madhi e të vogli e ndërmjet zengjini e fukaraje. Mbas tij erdhi prap një Adam Smith, një Saint Simon, një Charles Fourrier, një Robert Oëen, etj, etj., që tuj u pshtetë mbi të drejtat hyjnore njerëzore (les droits des hommes) kërkuen me e përhapë njat felloë-feeling edhe në sheshin mâ materialistin e jetës sonë; në politikën ekonomike...
Mjerisht historia e ka dashtë ndryshe... dhe çereku i saj mur aty kah fillimi i shekullit të kaluem një rrokullisje të prapshme. Me zmadhimin e industrisë dhe me hovin e tregtisë së pakufishme u njallën në njerzinë evropiane sa e sa dëshire e epshe orientale, u përmbysën Zotat e nderit e të pafajnisë dhe bota okcidentale u përmbyt nga valët e kapitalizmit të “naltë” (Hochkapitalismus) , të pashpirt e plot grykësi... Dhe pasojat e asaj prapavajtje i ndjen sot çdokush dhe bilé fëmija në barkun e s’amës...
Dhe s’âsht çudi që në kohën e fundit kanë fillue me u përhap anekënd ideologji kolektiviste apo edhe etatiste-diktatoriale, të cilat duhet ta bâjn shtetasin me pahir okcidental, çka don me thanë: të vlefshëm për vete e për të gjithë!
Sepse kjo asht e saktë: okcidentalizma e vërtetë përmblidhet në kryemjen e përplotë të një detyre të përshtatshme shejtnisht me vetëflijimi për nji ide të naltë shoqnore...
Nga kjo pikëpamje asht ma okcidental xhandari shqiptar i detyrës, ushtari biles i rojës kufitare dhe bujku i shkretë dhjetarak...sesa nënpunësi e zyrtari kafehaneve me një çarçaf diplome “bon pour l’Orient”.
Prandaj e kanë gabim – bile gabim të trashë – kur thonë disa se shkolla evropiane të ban okcidental medoemos.
Jo, kurrsesi! Duhet ditë de edhe n’Evropë nuk janë të gjithë okcidenta e të kulturuam. Mana n’Evropë ka njerëz (evropian të lindun!), të cilët me gjithë shkolla të kryme, me dëftesa, e doktorata, me diploma e dekorata shkencëtare...janë (njerz) të poshtër e edepsëza, janë vagabonda e mashtrimtarë, e janë kriminela të dorës së parë. Bile-bile statistika kriminalistike na difton se krimet ma të rafinueme e ma të poshtra janë krye deri më sot nga njerz me shkollë dhe jo aq nga populli i pakënduem e xhahil...
Të gjithë këto kuptohen nga fakti se shkolla – a ma mirë: mësimi i shkencave – e zhvillon shumë ma fort intelektin se karakterin. Dhe meqenëse edhe n’Evropë lindin njerz me karaktere të dobët, dhe meqenëse intelekti tërhiqet gjithmonë nga karakteri...ka edhe evropianë që janë mjaft të zot me shkenca e shkrime publike... por edhe mjaft të zot për çdo krim e poshtërsi orientale...
Dhe ngjanë edhe n’Evropë që shumë herë diploma universitare paraqet vetëm një qyrk deleje okcidentale mbi trup të një ujku oriental!...

Nga libri “Oriental apo Okcidental”, Tiranë, 2003

Branko Merxhani
14.04.2006



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora