Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Nga gjuha helmuese, te prerja e kokave

| E diele, 03.08.2014, 07:26 PM |


Nga gjuha helmuese, te prerja e kokave

Nga Ndue Ukaj

Në shoqëri të lira dhe demokratike, faji dhe përgjegjësia për vepra të këqija të individit, bie mbi individin. Mirëpo, kjo s’e amniston shoqërinë, e cila, është vatra ku individi ushqehet shpirtërisht dhe fizikisht. Për më tepër, është shoqëria me komponentët e saj (arsimin, mediat, institucionet akademike, librin, partitë politike, etj), ajo që ndikon drejtpërdrejt në formimin dhe edukimin e tij, duke e bërë atë identitet të caktuar, me botëkuptime specifike për çështje të caktuara. Në këtë sens, duhet thënë, se, shoqëria është ajo që ja jep atij përmasën e fuqishme  identitare, duke ndikuar te ai që të formojë botëkuptim për jetën, botën, shtetin e religjionin dhe të tjerët për rreth tij.

Individi si i tillë, s’mund të shkëputet nga shoqëria ku jeton dhe rrethi me të cilin mishërohet. Ka  një dilemë të makthshme etike e antropologjike, që  shtrohet në formë të pyetjes: nëse njeriu lind apo bëhet kriminel? Nëse e marrim për bazë romanin “Krimi dhe dënimi” të F. Dostojevskit dhe personazhin i këtij romani epokal,  Raskolnikovi, që është një student i mirë dhe entuziast, por, të cilin gjendja ekonomike e çon drejt vrasjes, atëherë shpjegimi i parë është: shoqëria ndikon te individi që ai të bëhet i mirë apo i keq. Pa dashur të shpjegojmë kontekstin e mëtutjeshëm të romanit në fjalë, dua ta kontekstualizojmë këtë pyetje e dilemë brenda kombit tonë, në formë të pyetjes: ku mbarset njeriu ynë me ide të tilla barbare të vrasjes dhe atë në emër të Zotit?

Nëse i përmbahemi maksimës filozofike se njeriu lind Tabula Rasa (Xhek Loku-t),  pra i pafajshëm, në kuptimin etik të fjalës, atëherë fajet për deformimet e tij, duhet t’i kërkojmë te shoqëria, e cila, e ushqen me ide, vizione e botëkuptime dhe kështu ndihmon që ai të bëhet i mirë apo i keq.

Shoqërisë sonë, ka kohë që i kanë dalë në sipërfaqe shumë të këqija, të cilat s’përfaqësohen në mënyrë strukturore, por që bëhen nga individë të ndryshëm. E në diskursin tonë medial, sa herë ka ndodhur t'na godasë ndonjë e keqe, siç është rasti shfaqjes së monstrumit me kokë të prerë këto ditë, gjithmonë jemi përpjekur ta amnistojmë shoqërinë nga ky faj.  Dhe me të drejt, shpeshherë, kemi pohuar vendosmërisht: individi s’e përfaqëson shoqërinë tonë. Por, asnjëherë s’e kemi thelluar debatin dhe s’kemi zhvilluar debat të shëndoshë brenda kornizave intelektuale. S’jemi marrë me dilemën, ku formohen këta individë që për bindje të tyre fetare dhe në emër të Zotit, vrasin, madje edhe aleatët tanë që na çliruan?

Viteve të fundit, kanë ndodhur sa e sa akte barbare të shqiptarëve nëpër botë dhe asnjëherë s’e kemi kthyer gishtin kah vetja e jonë.

Gjithmonë kemi kërkuar alibi dhe fajin e  kemi hedhur diku tjetër. Pe përvoja e gjertanishme po tregon se kjo s’na ka ndihmuar që t’i shërojmë këto plagë dhe as ta pengojmë rriten e kësaj të keqe. Përkundrazi. Pikërisht nga mosreagimi apo reagimet e vakta, u janë krijuar hapësira dhe kushte grupeve ekstremiste që të përhapin helmin e gjuhës, me tërë fuqinë shkatërruese.

Madje, kemi harruar se maksima e njohur, nga fjalët, te veprat, është një e vërtet empirike, të cilën sidomos ne si komb e kemi paguar shtrenjtë. Dihet, çdo vepre i paraprijnë fjalët, sepse janë fjalët dhe gjuha helmuese, që njerëzimit i kanë shkaktuar shkatërrime e tragjedi, ashtu sikurse edhe të mira e prosperitet.

Në fund të shekullit të kaluar, kombi ynë qe preh e fjalës dhe gjuhës helmuese. Atë e prodhonte propaganda e egër politike e Beogradit, që helmoi shoqërinë serbe dhe solli pasiguri, dhunë dhe në fund, një luftë tragjike.

Ka kohë qyshkur një gjuhë e pështirë, urryese, helmuese, përjashtuese, e ka përfshi furishëm vendin tonë.  Ka filluar me përpjekjen qyqare për amnistimin e Perandorisë Osmane, përkrahur nga disa pseudo historianë e politikanë pa identitet. Po kjo gjuhë si e tillë, është përhapur furishëm nga një propagandë e pështirë politike, që proklamonte një vëllazëri të paqenë me Turqinë, përgjatë pesë shekujve të robërisë sonë nën thundrën osmane. Po kjo gjuhë, me tërë përmasën helmuese, ka prodhuar akte qyqare, të pshurrje së Shtatores së Skënderbeut dhe talljes me të; mohimin dhe etiketimin e Nënë Terezës si kurvë dhe përbuzjen e pjesës ma të ndritshme të historisë sonë. Kjo gjuhë helmuese,  s’e ka kursyer askënd dhe është drejtuar kundër çdo kujt që i ka qëndruar besnik idealeve të paraardhësve tanë.

Përballë kësaj gjendje, shoqëria jonë, inteligjencia, politika dhe pjesa më e madhe e mediave, kanë qëndruar indiferent. Madje s’është e tepër të thuhet: me këtë gjuhë një pjesë e shoqërisë ka bashkëjetuar në mënyrë tinëzare.

Tani kur po i “korrim” frytet e kësaj gjuhe helmuese, po kokatemi dhe po vajtojmë, në vend që të bëjmë një kthesë të madhe.

Nëse duhet të jemi të drejtpërdrejt, duhet pohuar troç: frytet e kësaj gjuhe, janë toleruar nga politika, nga parti të pozitës e opozitës, madje edhe nga parti që gojën e kanë plot shqiptari e patriotizëm.

E këta të rinj, që yshten  të bëjnë sulme vetëvrasëse, që shkojnë e luftojnë për popuj e vende të largëta, që presin koka, janë produkt i kësaj gjuhe helmuese dhe i heshtjes sonë përballë kësaj.

Është bërë klishe të thuhet se është koha e fundit të vetëdijesohemi. Nëse ka ndonjë kohë më, sepse kambanat po bien pa ndërpre.

S’duhet lejuar që ndërgjegjja e këtij vendi të bie në dorë të harbutëve dhe një kaste kusarësh, që udhëhiqen pa parime. Ata kanë promovuar një ligjërim përjashtues, duke instaluar doktrinën e njëmendësisë. Kjo pastaj prodhoi refuzim negativ ndaj çdo kujt që s’i përket sojit.  E si rezultat i këtij ligjërimi helmues, brenda kombit shqiptar, kemi përjetuar skena morbide. Kemi pa sesi çirremi e përplasemi për probleme të huaja. Hahemi me njëri-tjetrin, si është më zi. Edoganin e kemi “mbrojt” me protesta pro tij, kur ai vriste njerëzit e kombit të tij, që kërkonin asgjë më shumë se liri. Jemi me Palestinën dhe protestojmë pro tyre, ndërkohë që heshtim për sa e sa krime tjera që ndodhin në botën arabe. Jemi kundër Izraelit, sepse nisemi nga parime të ngushta fetare dhe bëhemi pjesë e agjendave me shumë të panjohura.

Shoqëria jonë duhet të krijojë antitrupa që mbrojnë nga ky helm i gjuhës urryese dhe shkatërruese.

Ndryshe, pyetja shekullore, e ankthshme dhe torturuese: Kush janë armiqtë e Shqipërisë?- do të na godas sërish.

A kemi imunitet përballë një furtune të tillë?!