E marte, 23.04.2024, 11:36 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sadik Bejko: ''Desidentët e Rremë'' (Kreu IV)

E diele, 29.06.2008, 08:23 PM


Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''

Sadik Bejko

Kreu IV

Dokumente dhe letra

Shteti dhe Trebeshina në vitet ‘50-‘70

Biografët dhe heroi i tyre

Biografët-kushërinj të Trebeshinës ngulmojnë në atë që ai ka qenë hero në luftë. Madje hero dhe nën diktaturë. Ata sjellin dhe vargun e Volterit (!) “Rron ai rron atje në male”. Ky varg, edhe pse na duket sikur është i bullgarit Kristo Botev, jo i Volterit, po e pranojmë ashtu siç e thonë biografët, se kur flitet për një hero, ai patjetër duhet të jetë i gjallë e ndër të gjallët dhe në një lartësi me malet.
Se si ka qenë në të vërtetë ky hero, atë më mirë se kushdo tjetër e thonë letrat që ka shkruar me dorën e tij, kur është ndeshur me diktaturën. Dhe letrat do t’i paraqesim më poshtë. Këtu po sjellim ndonjë mendim pak më të ndryshëm nga ai i biografëve për heroin.
Ne nuk mendojmë se Kasëmi nuk ka qenë fare-fare hero në luftë. E pranojmë që ka luftuar... dhe shumë. Ne, siç e thotë vetë, e kemi mbajtur shënim edhe atë tjetrën, atë që ndonjërin nga shokët e rebeluar ai e ka vrarë me dorën e tij, dhe që ndoca të tjerë i ka vënë në grykën e pushkës, por i kanë shpëtuar ndërhyrjet e shefave më të lartë, se sa heroi i biografëve tanë.
Si rregull, heronjtë e tipit që na e përshkruajnë biografët tanë, janë xhahilë me ata poshtë vetes dhe servilë me ata sipër tyre. Nuk e dimë sa është tipike kjo për heroin në fjalë. Fakt është se heroi ynë në vitet ’60, u përulet dhe u bëhet baltë atyre që ka përsipër. Letrat ua nis njëra pas tjetrës shefave, komandantit, partisë. Janë një dyzinë me letra të tilla. Të gjitha i ka shkruar heroi ynë. Janë dhe të ruajtura në Arkiv. Arkivi, në se mund të themi kështu, nuk ka ndonjë faj që i ka ruajtur letra të tilla. (Shih dhe faksimilet, faqe ).
Një hero i poshtëruar (jo ai heroi-mal i biografëve tanë), kur e sheh veten pisk, ka tri rrugë përpara vetes: o të marrë armën dhe të qëllojë mbi ata që e poshtërojnë, o ta kthejë armën nga vetja, o shtrëngon dhëmbët dhe e duron burrërisht fatin e keq që i ra mbi kokë. Ka edhe një rrugë tjetër: të përulet e të kërkojë falje prej atyre që e mundojnë. Heroi i biografëve tanë ka zgjedhur këtë rrugën e fundit. Në vend të armës, ai ka marrë penën dhe ka kërkuar mëshirë. Këtë që ka bërë ai atëherë, ne sot mund të mos kemi të drejtë ta diskutojmë. E ka bërë dhe aq. Mund të mos e kishte bërë, por ja që jeta është gjë e madhe... jeta është jetë, heroizmat janë heroizma.
Dikush mund të bëjë pyetjet: Po ai ishte një hero(?). Po, kur përulen heronjtë, ç’mbetet për të tjerët? Mund t’iu themi: po, mbase ka qenë hero, por hero vetëm në luftë, dhe kjo... kjo s’është pak. Iu themi dhe atë tjetrën: heronjtë e luftës jo domosdo janë të tillë edhe në paqe. Madje në paqe disa katandisen si karikatura të këqija të asaj që ishin në luftë.
Shkurt, heroi ynë zgjodhi jetën, para heroizmave dhe për ne mirë ka bërë.
Biografët-kushërinj mandej i referohen Stendalit për atë që Trebeshina është egotist, jo egoist. Domethënë është një egoist i zbutur, i ëmbël. Po të donin mund të shkonin dhe më tej me Stendalin. Diku ai thotë se vulgariteti është krim. Krimineli me pushkë vret një njeri a një dyzinë njerëzish, vulgariteti vret mijëra e miliona. Per shembull, vulgariteti ideologjik i komunistëve vrau gati një kontinent të tërë për 40 e ca vjet.

Sa vjet burg ka bërë Trebeshina

Biografët – kushërinj shkruajnë për një jetë të tërë të Trebeshinës nëpër burgje. Një metaforë, një hiperbolë. Po e lëmë mënjanë këtë zbukurim stilistik: sa vjet burg ka bërë Trebeshina?
Kudo për Kasëm Trebeshinën thuhet se ka bërë 17 vjet burg. I ka bërë vërtet? Siç del fare qartë nga dokumentet më poshtë, deri më 1981 ai ka bërë 11 muaj burg dhe dy vjet e ca muaj internim.
Më 1945 ai ka dalë nga burgu pas 11 muajsh. I janë falur të gjitha dhe partia është treguar e butë me të. Në vitet 1955 – 1962, nuk bën asnjë punë. Kasëmi shpesh e braktiste punën. Megjithëse organizatat e Frontit e dinin që nuk punonte, nuk ndërmerrnin gjë kundër tij. Partia që i përndiqte “parazitët”, ata që nuk e donin punën, nuk përdori ndaj tij asnjë lloj trysnie për ta detyruar të punojë. Dhe ishte koha kur bejlerët, “borgjezët”, intelektualët e padëshiruar madje edhe fëmijët e vegjël të tyre, u detyruan të hapin kanale, të thajnë moçale nëpër gjithë Shqipërinë. Po K. Trebeshina ishte ndryshe.
Një sjellje e tillë kompromentuese, “kokë më vete”, e Trebeshinës, sidomos në opinion, çoi në marrjen e një mase administrative. Më 18 maj 1962 komisioni i internim - dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim.
Nga kjo kohë fillon një letërkëmbim intensiv i Trebeshinës me udhëheqjen e lartë të PPSH-së. Manush Myftiu dhe njerëz të kupolës së Sigurimit i japin të drejtë Trebeshinës në ankimet e tij. Çuditërisht, letrave të tij iu kushtohej vëmendje e posaçme në aparatin e KQ të PPSH-së, vëmendje deri dhe nga autoriteti më i lartë i vendit në atë kohë.
Internimin nuk e bëri të plotë. Ai asnjëherë nuk ka bërë dënime të plota. Nga Zvërneci e çojnë në një rreth që nuk përdorej aq shumë për internime, në Gramsh. Me këto lëshime, këtij Trebeshine që e quante veten vazhdues të “traditave perëndimore”, nën regjimin më të egër të Lindjes, i kushtohej një kujdes me të vërtetë i veçantë për kohën. Apo jo?

Luftëtarë, të dështuar në paqe

Letrat e Trebeshinës janë një logori e vërtetë. Pse qan dhe ankohet kaq shumë Trebeshina më 1962-63? Fundja, në Gramsh është. Mësues është. Sejfulla Malëshovën e kishin degdisur në një magazinë të pistë ku shiste patkonj, kapistra dhe samarë për kuaj e gomarë. Vetëm Trebeshinës po i ndodhte një fat i tillë? Sa heronj si Trebeshina ishin vrarë e internuar më 1948? Sa të tjerë e kishin pësuar pas Konferencës së Partisë së Tiranës më 1956? Edhe Bedri Spahiu kish zënë burgun. Biografët e Trebeshnës na e paraqesin gjëndjen sikur hero na paska qenë vetëm Trebeshina.
Trebeshina veç që ndihet i poshtëruar, është i trembur aq keq më 1962. Ai, luftëtari i çartur, i plagosuri tri herë, tashmë është një i trembur për vdekje. Ankohet dhe jargavitet në letra. Kuptohet, atë po e nëpërkëmbnin kot dhe po e nëpërkëmbnin pa mëshirë. Dhe ai kërkonte mëshirë. Po a ekzistonte mëshira, humaniteti në atë kohë, kohë që e kishte të shpallur me të madhe se ligjin e bënte pushka, gryka e pushkës? Humaniteti komunist ishte vrasës. Vrasës për hiç gjë. Po t’ua thoshte truri se je armik, komunistët të vrisnin. Vetë Kasëmi i kishte vrarë me dorën e tij “rebelët” në luftë. Kishte vrarë dhe më pas. Tashmë ky “hero” i luftës është një dështak dhe i zgërlaqur në paqe. I ndodhte kështu nga që i dhimbsej vetja apo se kishte dështuar projekti i tij për botën, se kishte dështuar ideali i tij?
Heronjtë si Trebeshina kujtonin se me ardhjen e tyre në pushtet, bota po fillonte nga e para. Botë e re, njeri i ri, regjim i ri... Në emër të këtyre ata grabitën shtëpitë e pasuritë e “ borgjezëve”. Pastaj disa nga ata i shfarosën, disa i rrasën në burgje. Deri gratë dhe kalamajtë e tyre të mitur i nxorën nga shtëpitë, i flakën rrugëve. U hodhën në erë edhe varret, u vunë minat në memorialet familjare.
Ishte koha e ndërrimit të gjakut, e kultit të gjakut të ri, e gjakut të partisë. Koha e vrasjes së gjakut të vjetër, e vrasjes së alternativës. Trebeshina kishte kontributin e tij të gjakut. Ndaj në letra ia kujton komandantit kohën kur ka qenë i tillë, kur ka derdhur gjak armiku.
Me politikën, derdhja e gjakut (lexo: lufta e klasave) e forcon partinë, “heronjtë” me yll në ballë që erdhën nga lufta, pasi shijuan në masakra derdhjen e gjakut të armiqve ideologjikë, u kthyen dhe vranë kë mundën, u zhyen dhe në banjën e gjakut të tyre. Partia u shpall më e rëndësishme se njeriu. Para saj hi e pluhur le të bëhej njeriu, njerëzimi, Shqipëria. Paqja që vret jo armikun, por që vret cilindo që për ideologji a për politikë shpallet armik, ishte tragjedia më e madhe e atij brezi luftëtarësh. Ata vranë veten në paqe.
Kasëm Trebeshina ishte një ndër viktimat e kësaj filozofie dhe praktike terroriste. Por, kur nga një terrorist komunist e pa veten në anën tjetër, në anën e armiqve, Trebeshina vuri maskën e njeriut që nuk e mohon sistemin, partinë, autoritetin. Pranonte se kishte bërë gabime, por nuk e pranonte se ishte armik.
Ishin vitet ’60. Partia ende nuk ishte kthyer nga derdhja rëndshëm e gjakut brenda vetes. Kjo maskë prej të përvuajturi, kjo katandisje për të ardhur keq e një heroi, frika derisa t’i lëpinte duart Enver Hoxhës, Trebeshinës i dolën për mbarë. Atë e mëshiruan. Kjo situatë mbase e shpëtoi atëherë atë.
Por edhe diçka tjetër... Mbase, nën tavolinë, në bisedat me gjeneralët e mëdhenj të sigurimit që shkonin dhe e takonin në vendet e internimit, ai ka pranuar që të bëjë edhe shërbime të tjera për partinë. Shërbime të fshehta. Mbase. Kush e di?
Për të ilustruar sa thamë deri tani, më poshtë po japim disa nga letrat e tij të viteve ‘60.

Letrat e Trebeshinës drejtuar udhëheqjes
Letra e 8 tetorit 1963
“Shokut Enver Hoxha
Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së.

Duke qenë se vuajtjet e mia kanë mbërritur gjatë 2 vjetëve të fundit pikën e tyre më të lartë, po u drejtohem sa më poshtë:
Pas tentativave për të më kuruar me forcë, pas 40 ditësh grevë urie dhe pas 3 muajsh burg, m’u hoq masa e internimit të izoluar duke m’u kthyer në një masë internimi si mësonjës në Gramsh. Më 30 shtator 1963, një funksionar i MPB më njoftoi se për këtë ishte marrë një vendim që nuk mund të kthehej prapë, prandaj unë duhej që patjetër të shkonja “gjashtë muaj dhe më pakë” atje ku më urdhëronin. Kjo shkuarje (gjithnjë sipas tij) ishte një “urë e domosdoshme” shkaktuar nga greva e urisë dhe për opinionin publik.
Kjo gjë është e padrejtë se kundër meje është marrë një masë, pasi kundërshtova një internim të mëparshëm. Me këtë rast dua të them dy fjalë për internimin tim në ishullin e Zvërnecit.
Gjatë gjithë kohës që kam qenë në parti, nuk kam shfaqur shenja intriganti, karrieristi ose fraksionisti. As edhe më vonë nuk jam fshehur para Partisë ose organeve shtetërore. Opozicioni im ka qenë i shkaktuar tërësisht nga aktiviteti letrar dhe nga pakënaqësitë që lindnin prej tij. Në lëmin e letërsisë kam punuar me vetëmohim, duke kujtuar se i bënja një shërbim të mirë shoqërisë. Shoqëria ka ngulur këmbë vazhdimisht se aktiviteti im letrar nuk duhej dhe unë me anën e kësaj letre, sjell në dijeninë tuaj, se këtej e tutje heq dorë nga ky aktivitet.
Tashti po kthehem te masa e internimit tim në Gramsh. Për të treguar edhe një herë bindjen time para autoriteteve shtetërore, po shkonj atje ku më kanë caktuar (ashtu siç shkova më 7 qershor 1963 në ishullin e Zvërnecit). Por nga ana tjetër pasi të vejë në vend vendimi i marrë kundër një njeriu që ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim të qartë si qytetar i bindur për të zbatuar politikën e Partisë dhe të Qeverrisë, kundër një njeriu që nuk ka kryer asnjë krim, lutem të më hiqet sa më parë ky persekutim i fundit politik dhe të kthehem në Tiranë për të bërë një punë në dobi të familjes sime dhe të atdheut.
Mbetem me shpresën e ndërhyrjes suaj, për të evituar ndonjë fatkeqësi personit tim dhe familjes time.
Tiranë 8 tetor 1963
Me respekt
Kasëm Trebeshina”

Bashkëshortja: Kasëmi “nuk është armik dhe as kundërshtar i pushtetit tonë”
Letra e gruas së Kasëm Trebeshinës drejtuar Enver Hoxhës më 22 tetor 1963 “E nënshkruara Zydije Trebeshina, parashtroj lutjen sa më poshtë:
Burri im, Kasëm Trebeshina, për afro një vit e gjysëm ka qenë internuar dhe tani është dërguar me privim lirie në Gramsh, ku jep disa orë mësimi në shkollën 11 vjeçare atje.
Kohët e fundit, gjendja e tij shëndetësore është keqësuar shumë dhe vetmia e jeta larg familjes po e shkatërron edhe më tepër.
Unë si bashkëshorte e tij kam besim, duke e mbështetur këtë edhe në bisedimet me të, se ai nuk është armik dhe as kundërshtar i pushtetit tonë. Partia e njeh biografinë e tij, luftën dhe përpjekjet për çlirimin e atdheut.
Sigurisht, im shoq mund të ketë pasur disa divergjenca lidhur me shkrimet e tij me njerëz të ndryshëm dhe kjo krijuar dyshime në organet përkatëse, por unë jam e bindur se ay siç e fakton edhe vetë, ka qenë dhe do të mbetet besnik ndaj pushtetit tonë.
Një pjesë e dënimit ay e vuajti. Ju lutem që të paktën tashti që është në gjendje të keqe shëndetësore, të kthehet në gjirin e familjes dhe të bëjë një punë çfarëdo në dobi të atdheut dhe të familjes.
Mbetem me shpresë se lutje ime do të merret në konsideratë”.

Sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, interesohet për Trebeshinën. Ai u shkruan kështu shokëve të partisë në Gramsh:
“Kasëm Trebeshina i internuar në rrethin tuaj, me anë të një letre që i drejton shokut Enver, kërkon t’i hiqet masa e internimit dhe të kthehej në Tiranë.
Të njoftohet i sipërmenduri nga shoku Emin Shuli që e di çështjen, se kërkesa e tij u studiua dhe rezulton se masa e internimit është e drejtë për arsye të fajeve dhe gabimeve të rënda që ka bërë, për të cilat është dënuar me burg nga organet e drejtësisë. Ai përpara ka shprehur pikëpamjet e tij reaksionare në vjershat e pjesët e tij letrare, duke përbuzur atdheun e vet ai pat kërkuar të lejohej të shkonte në Zvicër, gjoja si vend neutral, por që dihet se është vend kapitalist, ka dorëzuar dokumentin e partisë pasi nuk ka dashur të jetë anëtar partie, etj, dhe këto faje akoma nuk po i kupton si duhet, nuk i dënon duke i justifikuar se nuk ka çështje e pretendime politike.
Heqja e masës së internimit është e lidhur e varet direkt nga qëndrimi i tij, nga njohja e fajeve që ka bërë dhe nga përpjekjet që do të bëjë për të kryer sa më mirë punën që i është ngarkuar. Shoku Rita Marko porosit që t’i hiqet dhënia e mësimit të letërsisë dhe të caktohet për të dhënë lëndë të tjera që mund t’i bëjë. Kjo të mos i thuhet atij, por të merren menjëherë masa në këtë drejtim”.

Informacioni i 14 nëntorit 1963 drejtuar KQ të PPSH-së për çështjen e Trebeshinës nga Vangjelo Sotiriadhi. V. Sotiriadhi ishte përgjegjëse për letrat nga populli në KQ të PPSH.
“Sipas porosisë së shokut Rita Marko, shkova në Gramsh dhe së bashku me shokun Emin Shuli – sekretar i dytë i Komitetit të Partisë, takuam Kasëm Trebeshinën. Nga bisedimi me të rezultoi:
Kasëm Trebeshina nuk e konsideron të drejtë internimin e tij në Gramsh duke pretenduar se nuk ka gjë politike dhe u mundua ta justifikojë duke thënë se nuk ka qenë kundër vijës së partisë për këtë nuk është çfaqur asnjëherë dhe nuk ka pikëpamje apo plaftormë tjetër nga ajo e partisë. Si fakt tregoi se në vitin 1956 kur u zhvillua konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, ai ka mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i ka drejtuar një letër shokut Mehmet Shehu me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë solidarizohej me qëndrimin që mbante partia. Tha që kur ka dalë nga burgu nuk është shoqëruar me asnjë njeri por ka bërë jetë shumë të kufizuar duke ndenjur në shtëpi me përjashtim të ndeshjeve sportive që ka frekuentuar vazhdimisht. Theksoi disa herë se pakënaqësitë i ka pasur për çështjet letrare dhe për çështjet politike nuk ka pasur asnjë pretendim. Në fillim tha se ka qenë shkrimtar, poet realist, por me kalimin e kohës u bë idealist. Me qenë se si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk iu botuar asgjë, e kërkoi këtë çështje personale në mënyrë shumë të nxituar derisa arriti të dorëzojë teserën e partisë. Dorëzimin e dokumentit të partisë e konsideron një çështje personale, si veprim shumë të nxituar dhe të bërë nga ana e tij nga gjaknxehtësia e mendjemadhësia. Prodhimet letrare që ka pasur tha se i dogji të gjitha sa gjeti shtëpi dhe këtej e tutje nuk do të merret më.
Përsa i takon vendbanimit disa herë e përsëriti se nuk i jepte rëndësi, veç t’i hiqet masa e internimit, e cila tregon se mbahet si njeri që tregon rrezikshmëri gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Më në fund, tha se do t’i pëlqente të shkonte në Maminas të Shijakut atje ku ka shkuar edhe Mehmet Myftiu. Por nga bisedimi u kuptuar se po t’i hiqet masa e internimit mund të banojë në Tiranë se këtu ka familjen, gruan dhe fëmijët. Sipas porosisë së shokut Rita, unë i thashë për rrethet ku mund të dërgohet dhe veçanërisht në Tiranë i thashë se nuk ka mundësi.
Për qëndrimin e tij në Gramsh nga bisedimi që bëmë me zv/shefin e degës së Punëve të Brendshme dhe me nëndrejtorin e shkollës 11 vjeçare, rezultoi se nuk ka ndonjë gjë. Drejtori i shkollës ka shkuar dy herë për kontroll në orë të mësimit dhe ka konstatuar se mësimin e jep sipas librit. Banon në një dhomë së bashku me drejtorin e nëndrejtorin e shkollës dhe me një arsimtar tjetër. Jep letërsi në shkollën 11 vjeçare dhe për këtë çfaqi mendimin se nuk i pëlqen të japë letërsi, pasi nuk dëshiron të merret me këtë punë e se do të ishte më mirë të japë histori. Shoku Emin tha, kur u largua Kasëmi, se këtë çështje e kishin parë që kur vajti në Gramsh, por nuk kishin mundur ta zgjidhnin për arsye se arsimtari që jep histori jep edhe rusisht e po t’i hiqnin historinë, punë tjetër nuk bënte dot e i mbeteshin shumë pak orë”.

Letra e Kasëm Trebeshinës drejtuar udhëheqjes ku thotë: “E di Partia ç’kam bërë deri më 1947. Hetuesi i Sigurimit të Shtetit më 1963: Kasëm, ti je shoku ynë.

Më 14 dhjetor 1963 i ka drejtuar një letër Komitetit Qendror të PPSH-së, Kasëm Trebeshina, i kujton Partisë se ajo e di mirë se ç’ka bërë ai deri në vitin 1947. I kujton kohën kur ka shërbyer aktivisht në organet e Sigurimit të Shtetit. Kjo letër i është sugjeruar nga zyrtarët vendorë. Më 4 dhjetor 1963, e kishte thirrur në zyrën e tij, në Komitetin e Partisë për Rrethin e Gramshit, sekretari i parë i këtij rrethi, e, ndër të tjera e kishte këshilluar t’i drejtohej Komiteti Qendror për të kërkuar zgjidhjen e punës së tij. Duke e ndarë letrën e tij në 9 pjesë, në pikën e parë, Trebeshina shkruan:
“1-Aktiviteti im gjer më 1947 dihet nga ai komitet, prandaj nuk po e prek”.
Po japim fragmentet më poshtë:
“3- Pasi humba të ardhmen time si ushtarak, u mundova të gjenj një rrugë tjetër në jetë dhe zgjodha pasi u rropata pak (duke bërë edhe gabime të dëmshme, psh lënia e shkollës) letërsinë. Këtë e zgjodha sepse kur isha i vogël kisha bërë gjëra të ndryshme. Që nga 1948 – 1952 shkrova disa vepra me përmbajtje të shëndoshë socialiste si “Reforma” (1948), “Mbeturinat” (1949), “Të rinj të kohës sonë” (1949). Dy të parat pjesë teatrale dhe e treta roman. Në mënyrë të pakuptueshme për mua, u luftova dhe nuk pata asnjë përkrahje, përkundrazi më trajtuan me një mosbesim të theksuar dhe me ofeza të vazhdueshme (nga ana e shkrimtarëve të ndryshëm). Pasi kërkoi me këmbëngulje organizata e partisë e teatrit popullor, komiteti i partisë për Tiranën mori romanin tim “Të rinj të kohës sonë” dhe ia dha Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë për t’a parë. Në përfundim më 31 maj 1951 më thërritën në Komitetin e Partisë shoqja Fiqret Shehu më komunikoi opinionin e Lidhjes së Shkrimtarëve (opinion i shfaqur nëpërmjet ish-kryetarit të Lidhjes, shokut Shefqet Musaraj): “Vepra është shumë e bukur, e shkruar sipas metodës së realizmit socialist dhe në të duket një analizë psikologjike e hollë prej mjeshtri. Gjuha është shumë e bukur, si ajo e Naimit”. Megjithatë edhe kjo vepër nuk e pa dritën e botimit. E pabotuar mbetet edhe sot e kësaj dite.
4- I dëshpëruar nga sa më sipër, fillova të pi dhe të bëj një jetë të pahijshme, jetë që unë e dënoj pa rezerva dhe në është se nuk e zgjas më shumë, këtë e bëj se më vjen turp t’i kujtonj atë gjëra kur kam kaluar nga Don Kishoti tek sentimenti. Ishte në këtë kohë që ika nga Partia duke mos gjetur as kohën dhe as vendin për të zgjidhur punët e mia. Ai veprim si dhe veprimet e mëvonshme që më çuan gjer në burg, kanë qenë të pafalshme dhe të dënueshme. Megjithatë nuk duhen që të merren tepër seriozisht se vijnë era budallallëk dhe nga ana tjetër, unë nuk vë ndonjë vend tjetër mbi vendin tim, qoftë ky edhe Zvicra! Unë jam shqiptar me të gjitha të mirat e të ligat dhe këtu dua të vdes pranë njerëzve të mi. Pra veprimet e mia kanë qenë të nxituara, jo të arsyeshme dhe përbëjnë gabime të rënda. Si përfundim unë si anëtar partie, kam kryer veprime të dënueshme. Prandaj para Partisë, për këto veprime, nuk mund të dal i larë.
5. Botimi i “Krujës së Çliruar” pas dëbimit nga partia ka qenë i pamjaftueshëm për dy arsye:
a. Se vepra nuk ishte nga më të rëndësishmet.
b. Se duhej të ishte bërë më parë që unë të mos mbetesha me kokë mënjanë para anëtarëve të tjerë të Lidhjes (më 2 prill 1953 u konsiderova si njeri që nuk mu kishte pasur puna të dukë – nga Dh. S. Shuteriqi dhe para opinionit publik.
6. Pasi kam dalë nga burgu jam munduar se mos gjej ndonjë rrugë afrimi dhe pajtimi me shoqërinë. Në këtë drejtim nuk kam gjetur rrugën më të shkurtër dhe më të mirë, po shkrova disa poema sipas metodës së realizmit socialist, si “Në katër stinët”, “Majë preshit”. Duket edhe me këto nuk kam ditur, i ndryshuar shpirtërisht të shkoj më tutje. Këtu duhet të përmend edhe këtë fakt: në mbledhjen e fundit të organizatës bazë të Lidhjes, unë pyeta: “A u duhen veprat e mia të realizmit socialist, apo t’i djeg?”. Shoku Manush Myftiu m’u përgjigj: “Mund t’i djegësh kur të dojë qejfi”. Kështu unë kur dola nga burgu i mblodha të gjitha dhe i dogja. Por për të dëshmuar për periudhën e parë timen, kanë mbetur disa vepra që nuk munda t’i gjej në kohën e djegies. Më në fund pas një peripecie të gjatë erdhi edhe botimi i fundit, ai i “Artanit dhe Mines”. Nuk dua të them asnjë fjalë për veprën, por vargje më të dobëta se kërkesa minimale artistike, aty nuk ka; prandaj ofeza që më bënë duke më paguar me 8 lekë (si folklor) gjysmën e veprës ishte e pavend..
7. Më 1956, në mars, shoku Manush Myftiu më ka komunikuar se unë nuk kisha ndonjë faj, por gabime dhe sherre me shkrimtarët, gabime që rëndonin gjysëm për gjysëm mbi mua dhe mbi ata. Po atëherë më tha që të kërkoja vendin ku donja të punoja dhe kur unë e lashë në dorën e tij, më premtoi se do të më gjenin një vend të mirë, sipas mundësive dhe aftësive të mia. Ky premtim nuk u vu në jetë asnjëherë. Më vonë kur e pashë se nuk u bë gjë, kërkova disa herë me radhë që të kalonja si përkthyes, pasi puna në bibliotekë më dëmtonte rëndë shëndetin. Për këtë gjë m’u përgjigjen se nuk kishte vend, kur në të vërtetë pak më vonë u muar një njeri tjetër. Nuk mund të mos arrij në përfundimin se ai vend, nuk m’u dha vetëm e vetëm për të më mbajtur nën presion. Kjo gjë më ka habitur dhe dëshpëruar shumë, sa edhe tashti ndjehem shumë i prekur.
8. Më 18 maj 1962 u internova. Gjatë vjetëve të fundit, unë kam qenë një njeri i izoluar, me lidhje fare të pakta me jetën, prandaj u çudita shumë kur më internuan, sidomos kur gjeneralët Nevzat Haznedari dhe Petrit Hakani së bashku me kolonel Filat Muçon më prekën në çështjen e revizionizmit dhe të Hrushçovit. Nuk e kam parë, nuk e shoh dhe nuk do ta shoh me vend që si rrjedhim i izolimit tim, të merret kjo masë e rëndë internimi. Unë protestova kundër kësaj dhe më 6 qershor 1963, kur mbahesha jashtë ligjit, erdhën shokët Nevzat Haznedari dhe Raqi Zavalani dhe më komunikuan se do të më lironin dhe më pyetën se në cilin qytet do të dëshironja të rrinja përkohësisht, sa të bindeshin për të më kthyer në Tiranë. U përgjigja se për mua kjo ishte e barabartë me vdekjen. Të nesërmen biseduam prapë me shokun Nevzat dhe unë i përsërita kërkesën time për të më vendosur në Tiranë, si mësues ose si përkthyer i inglishtes. Ai më tha se këto gjë do ta referonte më lart. Kjo bisedë vazhdoi po me shokët e lartpërmendur dhe më 11 shtator 1963 dhe më 13 shtator 1963 në spitalin e burgut Tiranë. Aty më komunikuan se do të shkonja në Gramsh, i lirë si mësonjës, më garantuan se nuk më hiqej pasaportizimi nga Tirana dhe se kur të kthesha do të më vendosnin si përkthyes në ndërmarrjen e botimeve. Sikurse u kam shkruar edhe në letra të tjera (udhëheqjes), nuk e kam pranuar këtë hedhje në Gramsh. Në bisedën që kemi më 30 shtator 1963 me shokun Raqi Zavalani, po në spitalin e burgut, më tha: “Ti je shoku ynë, po në nuk mund të të sjellim menjëherë në Tiranë. Puno gjashtë muaj në Gramsh dhe pastaj hajde këtu të të vendosim në ndërmarrjen e botimeve. Kjo shkuarje atje është e domosdoshme për opinionin publik” (korsivi është yni, S.B.)
Po këtë gjë ia kishin komunikuar edhe familjes sime. Përfundimi i bisedës së 13 dhe 30 shtatorit 1963 qe ky: unë do të rrinja 10 ditë në Tiranë, pastaj do të nisesha në krye të detyrës, i lirë me pasaportizim në Tiranë dhe në fund të marsit do të vendosesha difinitivisht në NSHB Tiranë. Nga këto nuk u bë asgjë. Këtu më komunikuan se isha dënuar me 5 vjet internim.
9. Më 12 shtator 1963 shoqja Vangjelo Sotiriadhi më komunikoi përgjigjen e letrave të mia udhëheqjes dhe më tha të vendosesha (me ose pa familje), në Elbasan, Rrogozhinë, Kavajë dhe Shijak. Kjo formë tjetër internimi nuk m’u duk e drejtë dhe u përgjigja se kërkonja të më hiqej çdo masë internimi, pasi nuk kam kryer asnjë krim politik, dhe pasi internimi ishte një masë shumë e madhe karshi një njeriu që ka bërë për 9 vjet një jetë të izoluar prej oshënari.
Duke e përfunduar këtë letër, unë i lutem atij Komiteti Qendror që të më heqë çdo masë internimi, pasi gabimet e mia të rënda letrare që nuk arrijnë në një nivel teorik, nuk janë bërë me qëllime të caktuara. Nga ana tjetër unë heq dorë nga çdo aktivitet letrar dhe prej momentit të lirimit do të shikoj vetëm detyrat e mia familjare dhe detyrimet që kam karshi shtetit. Duke qenë shumë i sëmurë dhe në paaftësi pune, u lutem që për një periudhë prej të paktën gjysmë viti të mbetem pa asnjë angazhim në punë. Përveç kësaj unë jam gati që me t’u liruar të mbyllen për gjithnjë në shtëpinë time.
Duke e mbyllur këtë letër, po ju lutem edhe njëherë që të ndërhyni për lirimin tim, duke pasur parasysh se me vendimit tuaj do të më shpëtoni nga një fatkeqësi.
Mbetem me shpresën e përgjigjes suaj,
Me respekt
Kasëm Trebeshina
Gramsh, 5 dhjetor 1963

Letra e 19 dhjetorit 1963 e Kasëm Trebeshinës
Komitetit Qendror të PPSH-së

Për të treguar respekt dhe bindje ndaj jush, ndërpreva grevën e urisë dhe u drejtova një letër më 5 dhjetor 1963. Në pritje të përgjigjes suaj, shpenzova për t’u ushqyer, të hollat që kisha. Pas datës 19 dhjetor 1963 jam i detyruar t’a pres përgjigjen tuaj pa ngrënë, pasi nuk kam më me se të ushqehem. U lutem t’i përgjigjeni letrës sime sa më parë duke urdhëruar lirimin tim nga çdo formë internimi.
Me bindjen dhe me shpresën e përgjigje suaj,
Mbetem me respekt
Kasëm Trebeshina
Gramsh 19 dhjetor 1963

Trebeshina më 1954 apelon në Gjykatën e Lartë

Vendimi i marrë nga Gjykata e Faktit të Qarkut Tiranë, me numër 67, datë 25.06.1954, nuk më duket i drejtë për këto arsye:
Në veprën time nuk janë elememntet e agjitacionit dhe të propagandës, por ka vetëm shkelje të disiplinës së partisë… Kundër meje duhet zbatuar masa që shoku Stalin mori ndaj poetit Demjan (Bjedni)… Më tepër modesti! Ndiqni vijën marksiste-leniniste.
Nuk kam kryer asnjë krim. I zemëruar nga qëndrimi i padrejtë i Lidhjes së Shkrimtarëve mund të kem bërë ndonjë gabim… Ka gjëra që muns të kenë dëmtuar partinë, por jo krim dhe armiqësi.
Nuk jam udhëhequr nga dëshira për të bërë propagandë, nuk jam armik, por poet… Mund të dënohet ashpër artisti brenda meje, por jo unë si armik…
(N Dragoi, Dosja Trebeshina, fq. 187, …)

Kasëm Trebeshina grabiti bibliotekën e avokatit Abaz Omari

E nderuara gazeta “55”!
Marr shkas nga një shkrim të botuar në gazetën tuaj mbi zotin Kasëm Trebeshina, për të paraqitur një ngjarje të hidhur të vitit të mbrapshtë 1945.
Zotëria i përmendur në vitin kur mbi vendin tonë po shtrihej zezona komuniste ka qenë kryetar i degës së punëve të brendshme të qytetit të Fierit.
Dhe me pushtetin e pakufizuar që zotëronte plaçkiti shtëpinë e avokat Abaz Omarit, gjithë plaçkën dhe mbi te gjitha dhe bibliotekën e cila në atë kohë çmohej nga rrethet intelektuale si një nga më të kompletuarat dhe me cilësorja.
Abaz Omari kishte kryer dy fakultete në Francë, një për drejtësi në Montpelie dhe një tjetër në Paris në Universitetin e Sorbonës.
Në jetën politike të kohës ishte në krye të Partisë Social Demokrate bashkë me Skënder Muçon dhe me Musine Kokalarin, me të cilën dhe ishte farefisni.
Gjithashtu nëna e tij ishte vajza e xhaxhait të Enver Hoxhës pra diktatori e kishte nip dhe kjo qe fatkeqësia e tij, pasi me një urdhër të këtij në kohën kur ishte kryeministër dënohet me vdekje në Berat dhe pushkatohet menjëherë. Familja e tij zotëron telegramin e dërguar nga Enver Hoxha që kërkon informacion për datën e pushkatimit. Nuk dihen rrethanat e ekzekutimit por pas çlirimit, dua të them pas vitit 1991, pas shumë kërkimesh të gjata kur ju gjet vendi i varrimit, skeleti i tij qe pa kokë. Diktatori urrejtjen e tij kundrejt këtij njeriu me një kulture fine e ka shprehur dhe ne librat e tij.
Bibliotekën, Kasëm Trebeshina e kishte ndarë me vëllanë e tij Muzafer dhe nipin e tij Fatos ndërsa sot e zotëron të tërën.
Që të pastrojë shpirtin më përpara se të hiqet si gjoja disident dhe trim i madh duhet t’ju ktheje trashëgimtarëve të të ndjerit bibliotekën dhe t’ju kërkojë falje pasi vijnë nga një fis fisnik shume i degjuar.
Abas Omari ishte dhe kushëri me Bahri Omarin dhe veç asaj dhe mjaft i afërt me të.
Letërshkruesi të ndjerin e kishte dajë pasi motra e tij qe martuar me Nexhat Peshkëpinë, një nga krerët e Ballit Kombëtar dhe kryeredaktori i gazetës “Shqiptari i Lirë” në Nju York.
Kur emri i Kasëm Trebeshinës u përmend në gazetën “Shekulli” 6 muaj të shkuara, i dërgova kësaj të përditshme një letër të tillë dhe nuk mora përgjigje. Dhe është e kuptueshme për mentalitetin që ka stafi i kësaj.
Kjo ngjarje na hidhëron dhe sot pas 60-vjetësh pasi ata që e kanë njohur e çmonin për kulturën e tij të gjerë dhe mbi të gjitha për karakterin e tij të butë shumë njerëzor.
Dhe sa herë që përmenden emrat e Enver Hoxhës dhe Kasëm Trebeshinës vetëkuptohen ndjenjat tona.
Për sa shkrova me lart, jam gati të përballohem me këdo që do të guxojë të me vejë në dyshim të vërtetën e kësaj ndodhie te kobshme
Sinqerisht,
Edmond Peshkopia.

SIGURIMI DHE TREBESHINA

Trebeshina ka qenë oficer themelues i Sigurimit. Shërbimi i Sigurimit në një vend diktatorial luan një rol shumë të rëndësishëm në jetëgjatësinë e klasës në fuqi. Njerëzit që hynin në këtë shërbim, mbeteshin përgjithmonë nën robërinë e tij, të lidhur në betim të pazgjidhur me të. Kush hynte në këtë qark, nuk dilte kurrë prej tij. Shërbimi gjithashtu kujdesej për njerëzit e tij, edhe kur ata e kishin pësuar për një arsye apo për një tjetër. Kasëm Trebeshina gjithmonë e ka pasur në krahun e tij këtë shërbim. Dhe në vitin 1981 shërbimi i Sigurimit, pavarësisht se nuk ia arritit, u kujdes që ushtari i tyre i vjetër, Trebeshina, të mos hynte në burg.
Për ta shtjelluar më tej këtë ide, më poshtë po sjellim disa fakte dhe argumente. Së pari, po japim ekspertimin mjekësor, ekspertim që u bë me porosi të këtij shërbimi.
Ekspertizat mjeko-ligjore për Kasëm Trebeshinën më 1981
Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës ka dërguar për ekspertim psikiatriko – ligjor, Kasëm Hysen Trebeshinën. Në shënimin hyrës të ekspertizës thuhet se më 1953 Kasëmi ka braktisur punën dhe më 1954 është dënuar me 3 vjet heqje lirie nga të cilat ka bërë 11 muaj. Në 1962 është internuar me 5 vjet, por është falur dhe ka bërë 2.5 vjet.
Në vitet 1965 dhe 1966 i janë gjetur dy testamente ku shprehte mendime se do të vetëvritej. Ka qëndruar vite të tëra pa punë, megjithëse një gjë e tillë i është ofruar prej pushtetit. Në krijimtarinë e tij ai ka shkruar për personazhe ireale si për mumje, për hije me nishan, etj.
Ai është tip gjaknxehtë, është diktator e fanatik në familje dhe në shoqëri. Kjo vjen ngaqë kujton se të gjithë janë kundër tij.
Ekipi i mjekëve me në krye Dr. Prof. Ylvi Vehbiun e diagnostikuan pasi e mbajtën atë një muaj nën vëzhgim spitalor. Ata mendonin se Kasëmi ishte “psikopat paranojak i dekompesuar dhe veprën penale e ka kryer nën ndikimin e ideve delirante”, “ nuk është i përgjegjshëm karshi ligjit për veprën penale që ka kryer” dhe për këtë të “dërgohej për mjekim të detyruar në spitalin neuropsikiatrik të Elbasanit”.
Në dosjen hetimore të vitit 1981 gjendet dhe një ekspertizë e dytë, e nënshkruar nga një mjeke e vetme, nga A. Peti, e cila flet për psikopati të pacientit në fjalë, por e deklaron atë krejt të përgjegjshëm para ligjit.

Trebeshina në hetuesi

Ekspertimin mjekësor të vitit 1981 e përmend dhe kryehetuesi i kohës, D. Bengasi. Ai shton se, me gjithë këtë ekspertizë mjekësore, për Trebeshinën erdhi një urdhër nga lart që ai të burgosej. Sipas Bengasit, ka pasur dy urdhra. Njëri nga Feçor Shehu, titullar i Ministrisë së Brendshme, që Trebeshina të shpëtohej nga burgu me anën e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe tjetri nga KQ i Partisë që Trebeshina të burgosej.
Sigurimi u përpoq që ta shpëtonte Trebeshinën nga burgu, por nuk mundi. Përse? Më poshtë do të japim ndonjë ide për këtë. Tani po ndalemi në atë se si e trajtonin sigurimsat K. Trebeshinën në hetuesi.
Bengasi jo një herë në libra, në intervista dhe në mbledhjet publike flet me admirim për trimëritë e Kasëmit në hetuesi. Sipas tij, Trebeshina me një kokëkrisje të pashoqe shante dhe para hetuesve udhëheqjen e lartë. Se sa false janë këto deklarime, mjafton të kthehesh pas në kohë. Hetuesia e asaj kohe kishte përpunuar metoda që të paraburgosurit të pranonin patjetër ato krime që dëshironte ajo. I kishin përpunuar deri në shkallën më të lartë këto metoda kriminale. Të tillë punë ka bërë Bengasi. I gjithë sistemi gjyqësor i kohës ishte ndërtuar mbi parimin e ndëshkimit me çdo kusht të të pandehurit, jo mbi parimin që atij t’i jepej drejtësi.
Për vetë formimin e tyre, hetuesit e asaj kohe nuk mund ta toleronin një të burgosur që fyen udhëheqjen e lartë. Edhe sikur ndonjë hetues të ishte ndryshe ga të tjerët, nuk mund ta toleronte një rast të tillë, se rrezikonte kokën e vet. Hetuesit përgjonin të burgosurit, por përgjonin dhe njëri-tjetrin. Kështu që historitë me trimëri në birucat e hetuesisë janë trillime. Një gjë është e vërtetë. Hetuesit e asaj kohe me Trebeshinën janë sjellë ndryshe. Hetuesia e porositi ekspertizën mjekësore, që ta shpëtonte Kasëmin nga burgu. Pse të ketë ndodhur kështu me Trebeshinën?
Trebeshina, Vangjel Lezho, Astrit Delvina...
Ish-hetuesit na sjellin një situatë me kokë poshtë për gjoja trimëritë e Kasëmit në hetuesi edhe për një arsye tjetër: vetë Kasëmi nuk do të guxonte të ishte “trim”, se e dinte ç’e priste.
Vangjel Lezho dhe shokët e tij më 1977 vetëm se shkruan një letër nga burgu kundër Enverit, u ekzekutuan. Edhe sot nuk u është gjetur varri.
Mbase, duke mburrur Trebeshinën, Bengasi do të na dalë antikomunist për veten e tij. Të na thotë se i admironte armiqtë e Partisë, jo i ekzekutonte ata.
Atëherë pse i shpikin trimëritë, heroizmat e Kasëmit sot? Se ishte Sigurims? Se e dinte që ishte midis shokësh e nën mbrojtjen e tyre?
Po. Kjo lloj sjelljeje, këto rrahje gjoksi të Bengasit të sotëm, ngjajnë me ato përshëndetjet e nderimit të dy ushtarakëve, kur takojnë njëri-tjetrin. Dhe në këtë rast takohen dy breza sigurimsash. Nxënësi sigurims Bengasi jep komandën “për nder armë” ndaj ustait të vjetër sigurims Trebeshina.
E vërteta është se Trebeshina asnjëherë nuk ka qenë i pathyeshëm. Letrat e tij drejtuar partisë, komandantit, kërkesat për apelim në gjykata, deri dhe apelimi i vitit 1981, dëshmojnë se ai me shkrim gjithmonë deklarohej si qytetar që nuk i kundërvihej ligjit, autoritetit. Trebeshina ka pranuar të poshtërohet, të jetë i përunjur.
Nga halli është poshtëruar kësisoj, pra, le ta pranojë këtë edhe sot.
Ka qenë një tjetër i burgosur, Astrit Delvina (1920-1990), autor i disa romaneve të botuara pas ’90-tës, që në hetuesi e shpallte hapur se ishte kundër politikës së partisë në letërsi dhe në arte, se ishte kundër realizmit socialist. Romanet e Astrit Delvinës sot janë nxjerrë nga dosjet arkivore të hetuesisë, ku kanë qenë në ruajtje si provë e akuzave kundër tij.
Trebeshinës nuk i gjejmë ndonjë deklarim me shkrim të ngjashëm me ato të Astrit Delvinës.
Kur nuk ka qenë i tillë, pse sigurimsat sot thurin balada trimërie për Trebeshinën?
Trebeshina, S. Malëshova, Petro Markua...
Një komunist, dhe me kontribute ndërkombëtare si i tillë, Sejfulla Malëshova, nuk e ka poshtëruar veten, siç ka bërë në letrat dhe në lutjet me shkrim Trebeshina. Malëshova e humbi luftën për pushtet për pikëpamjet e tij liberale dhe nuk u zvarrit. Nuk kërkoi që t’i falet internimi, as të kthehet në Tiranë me domosdo.
Në poshtërimin e dikurshëm të vetes mbase do kërkuar agresiviteti i sotëm i Trebeshinës.
S. Malëshova ishte idealist komunist gjer në rrënjë, jo një ish-terrorist si Trebeshina.
Edhe një tjetër shkrimtar i majtë u burgos në ato vite, Petro Marko. Ai nuk ishte komunist. Një anarkisti Petro Markua do t’i ngjante më shumë. Pas burgut, Petro Markua, ish-luftëtari internacionalist i Spanjës, u rikthye në jetën letrare. Më pas atij iu ndaluan veprat. Iu hoq e drejta e botimit disa herë. Më e keqja: u prek në familje. Mbi djalin e tij ranë burgimi dhe torturimi me pasoja deri më sot. Kasëm Trebeshinës nuk iu prek familja. Fëmijtë e tij vazhdonin shkollën e lartë.
Po të mos u prekej familja të burgosurve - shqiptarët janë shumë të ndjeshëm në këtë pikë - sot do të kishim një ballafaqim tjetër me komunizmin.
Pse mbetej në lojë Trebeshina

Sejfulla Malëshova jetoi si magazinier në Fier dhe vdiq në një barakë. Vendimi për të ishte marrë. Çështja Malëshova ishte arshivuar. Që kur u internua, ai doli nga loja njëherë dhe përgjithmonë.
Me Trebeshinën ndryshon puna. Ka diçka që në mënyrë ciklike përsëritet dhe nuk mbyllet. Mbase ato pazaret e fshehta nën tavolinë vazhdonin ta mbanin atë në lojë. Shefat e mëdhenj të sigurimit shkonin dhe e takonin në burg dhe në internim. Porositnin ekspertiza mjekësore që ta shpëtonin nga burgu. Kjo pjesë e mbetur nën hije, pjesa e nëndheshme e jetës së tij, e cila sot për sot nuk lexohet dot, mbase e shpjegon më mirë Trebeshinën. Shpjegon atë që herë-herë ai bëhej trim e sfidonte. Dhe atë që më pas tërhiqej e përbaltej fare.
Organet e dhunës me të silleshin mirë. Librat e tij “të gabuar”, librat mbi të cilat u hartuan ekspertizat që e çuan në burg më 1981, hetuesia ia ktheu në shtëpi. Nuk u ktheheshin në shtëpi librat Astrit Delvinës dhe të burgosurve të tjerë. Si duket, ai ende duhet të mbetej në lojë. Në lojën e Sigurimit. (Dhe ka një vendim gjyqi që dorëshkrimet e Trebeshinës më 1981 të asgjësoheshin).
Po këtu mund të bëhet dhe pyetja tjetër. Kur e kishte kaq nën kujdes, kur e merr gati hapur në mbrojtje, pse Sigurimi nuk e shpëtoi dot nga burgu Trebeshinën më 1981? Pse edhe me ekspertimin mjekësor nuk ia arriti?
Vitet 1981-1982 kanë qenë katastrofike për miqtë e mëdhenj të Trebeshinës. Disa nga kokat e mëdha të këtij shërbimi, disa nga veteranët e gardës së vjetër të cilës i përkiste dhe Trebeshina, ishin duke e kafshuar gjuhën. Hysni Kapua nuk ishte më. Mehmet Shehu do ta ndiqte pas atë në fund të vitit 1981. Mihallaq Ziçishti dhe Feçor Shehu një vit pas Trebeshinës ishin në qeli. Dera e kësaj qelie po i hapej dhe Kadri Hazbiut. Kështu ushtari i vjetër Kasëm me keqardhje po braktisej nga arma e tij e dashur, të cilën gjithmonë e kishte pasur në krah.
Por prapë ai duhet të mbetej në lojë. Ishte një kartë rezervë. Atij përherë i ishin zgjatur fije që e mbanin në lojë. Ku e kanë fillin dhe fundin këto fije? Janë këputur ndonjëherë? Është ende në lidhje të tilla ai?

Faksimile VII
AQSH, Fondi 14, AP. Kasëm Trebeshina, Letër Enver Hoxhës nga Gramshi
Arkivi i KQ të Partisë. Kjo është një nga Letrat e Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën. Letra e datës 8. 10. 1963 thekson lidhjet e Trebeshinës me funksionarët e Sigurimit dhe e garanton Udhëheqësin se është një qytetar i bindur.

Faksimile VIII
AQSH, Fondi 14, AP. Letra të Trebeshinës për KQ të Partisë më 1963
Arkivi i KQ të Partisë. Janë dy letra me shkrim dore të Trebeshinës për KQ të Partisë, njëra nga Vlora dhe tjetra nga Gramshi, me anën e të cilave kërkon t’i hiqet internimi.

Faksimile IX
AQSH, Fondi 14, AP. Informacion i Vangjelo Sotiriadhit mbi Trebeshinën më 1963
Arkivi i KQ të Partisë. Drejtorja e Letrave dhe Ankesve nga populli pranë KQ të Partisë jep informacion te udhëheqja e lartë e Partisë mbi vizitën e saj në Gramsh. Ajo informon në favor të Trebeshinës duke theksuar se ai në një letër Mehmet Shehut ka qenë i një mendimi me partinë për dënimin e armiqve të Konferencës së Partisë së Tiranës dhe për dënimin e kundërrevolucinit në Hungari.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora