Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Berisha: Kontribut për vlerat kulturore dhe historike

| E enjte, 31.07.2014, 07:20 PM |


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

VEPRIMTARIA E INTELEKTUALËVE NË MËRGATË, KONTRIBUT PËR VLERAT KULTURORE DHE HISTORIKE KOMBËTARE

(Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani, Suedi: “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi 3” – 2014)

Përherë dhe gjithmonë, kurbeti ka qenë, është dhe mbetët një nga plagët më të rënda të kombit, e cila ka një histori të gjatë e të begatë, por është edhe një rrugëtim me peshën e mallit shpirtëror për vendlindjen dhe për atdheun. E gjithë kjo, është madhështore dhe e ndritshme edhe për kontributin në afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike të kombit gjithandej vendeve të botës. Kjo ecje historike, asnjëherë nuk ka përfunduar, kurse, në disa periudha kohore, ka qenë fondamentale për shumë çështje, të cilat janë bërë madhore dhe janë afirmuar e bërë të pavdekshme pikërisht me angazhimin e njerëzve tanë që jetojnë e veprojnë anekënd botës.

Dua të them, se intelektualët të cilët kanë jetuar e jetojnë në diasporë, nuk kanë pushuar edhe as nuk pushojnë që me krijimtarinë, me shkrimet dhe veprat e tyre të të gjitha llojeve e deri tek ato historike dhe shkencore, kanë arritur të ndrisin shumë periudha, shumë ngjarje, të zbardhin shumë dilema e paqartësi, të cilat, ndoshta edhe sot e kësaj dite ende na zvetënojnë historinë dhe peshën e rrjedhave të përgjithshme.

_______________

Në diasporë, janë shkruar e po shkruhen shumë vepra për të ndriçuar çdo gjë që është e lidhur me kombëtaren dhe historinë e atdheut

Dhe, për këtë gjë, tash, kur mërgimtarët, në këto ditë vere, me mall, me lumturi e krenari ia kanë mësyrë vendlindjeve të tyre dhe atdheut të dashur, ja, edhe i bashkuan dhe u bashkuam në Pejë, por vetëm në Pejë, për të promovuar këtë vepër voluminoze, për të bërë të ditur e për të shënuar edhe një të arritur nga shumë të mbërrime të tyre nëpër vite, decenie e shekuj. Pra, për të promovuar një vepër me peshën e zemrës dhe të shpirtit, mendjes dhe të diturisë, e ky është libri i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” me seli në Suedi, që mbanë titullin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, vëllimi apo libri i tretë.

Promovimet e tilla i forcojnë lidhjet dhe bashkëpunimin me krijuesit në diasporë, siç ka filluar të lidhen dhe forcohen hallkat e bashkëpunimit, pothuaj se nga të gjitha trojet shqiptare, dhe kështu, ky bashkëpunim, ka shkrirë edhe kufirin artificial të letërsisë dhe të atdheut. Tani, ky veprim, shëmbëllen si aktivitet i suksesshëm i bashkëpunimit edhe me shumë qytete të tjera në Kosovë dhe Shqipëri. Por, njëherësh, ka nxitur edhe peshën e unitetit dhe të bashkëpunimit konkret, duke organizuar orë letrare, promovime veprash dhe po ashtu, duke marrë pjesë në manifestime të ndërsjella letrare dhe kulturore.

Dhe, duke lexuar dhe analizuar materialin e sublimuar në këtë vepër, mund të del një konstatim se janë shkruar e po shkruhen shumë vepra për të ndriçuar, çdo gjë që është e lidhur me kombëtaren dhe për historinë kombëtare, për t’u hedhur dritë veprave dhe rolit jo vetëm në rrafshin kombëtar të personaliteteve të shumta, shumë prej të cilëve ende nuk janë të shënuar as të ndritur.

Libri, “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, që është i ndarë në tetë kapituj në 758 faqe, pasqyron, mbase edhe shtron dhe përjetëson shumë shkrime e të dhëna, të cilat reflektojnë kontributin e mërgatës për sensibilizimin e gjendjes politike, ekonomike dhe kulturore jo vetëm të Kosovës. Pastaj, prezantohen shumë dëshmi edhe me foto e dokumente për ndihma të vazhdueshme familjeve të shumta me halle sociale në Kosovë. Këto çështje, pothuaj se prezantohen në kapitullin e parë, ku peshojnë vlera afro dhjetë shkrime-kumtesa të krijuesve të ndryshëm, duke përfshirë këtu edhe autorë të huaj.

Ndërsa, në kapitullin e dytë, shumë autorë shkrimesh, kanë shtruar pikëpamjet tyre edhe për çështje historike, ato kulturore dhe arsimore në të gjitha trojet shqiptare, gjë kjo e cila dëshmon se krijuesit në diasporë, respektivisht, në këtë rast në Suedi, jo vetëm thjeshtë, por në mënyrë studiuese i janë qasur shumë çështjeve dhe rrjedhave të ndryshme historike, që sidokudo janë kontribut i pamohueshëm në fushën e historiografisë.

Duke mos i theksuar emrat e autorëve, që me shkrimet e tyre kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në begatimin e rrjedhave të përgjithshme, sepse, atëherë do të na merrte shumë kohë fjala ime, edhe në kapitullin e tretë, janë përfshirë edhe materiale që janë të lidhura në raport me mërgatën shqiptare dhe me popullin e Suedisë. Veçmas është me peshë shumëdimensionale shkrimi që ka të bëjë me vrasjen e Ministres së Punëve të Jashtme të Suedisë, me ç’rast shumë rëndë u godit kultivimi i urtësisë, njerëzisë, i dinjitetit dhe i sinqeritet të shqiptarëve ndaj popujve të tjerë, gjë e cila është traditë e ndritshme e popullit shqiptar. Edhe kjo pjesë e shkrimit, dëshmon se krijuesit shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, pa asnjë hezitim, vendosmërisht i dënojnë aktet e krimit dhe të dhunës edhe të bashkëvendësve të tyre. Në këtë kapitull, begatohet libri edhe me shkrime të tjera që i takojnë fushës së krijimtarisë letrare, poezisë dhe prozës etj.

Mori shkrimesh përjetësisht i japin rrugëtim jete vetë shoqatës, për ta shtrirë ajo edhe më fortë dhe profesionalisht veprimtarinë e saj

Për këtë dëshmojnë kjo dhe shumë e shumë vepra të tjera. Kurse, në kapitullin e katërt të kësaj vepre, gjithçka fillon me shkrimin shumë me peshë: “Disa fjalë për Statistikën e Fjalorit Shqip-Suedisht”, të autorit Sadullah Zendeli Daja. Pastaj, është provokues edhe shkrimi i Prof. Murat Gecajt “Gjithë frymëzimin tim e kam, për vendlindjen, tokën shqiptare”, i cili, edhe pse jeton e vepron në Shqipëri, ai, asnjëherë nuk heziton për të shkruar por edhe për të qenë prezent kudo në diasporë, e me vete për të zjellë material për shumë shkrime me peshë.

Ka edhe shkrime të realizuara nga grup autorësh, që bashkërisht më shumë e begatojnë peshën faktografike dhe historiografike, siç është shkrimi “Trualli i nipave të Bajraktarit të Llaushës, është dhe mbeti shtëpi e shqiptarisë...”.

Kapitulli i pestë, fillon me recensione librash, që po ashtu dëshmon se në këtë vepër voluminoze janë përfshirë larushi shkrimesh e temash, që janë begati e veprimtarisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi.

Janë shënuar edhe aktivitete poetike, të cilat, në kapitullin e gjashtë, trajtohen si “Sofra poetike”, forma këto kulturore, të cilat kudo madhështojnë dhe afirmojnë vlerat poetike të krijuesve te të gjitha gjeneratave. Bile, sofrat e tilla preferohen edhe në të gjitha qytetet në trojet shqiptare. Sepse, aty edhe këmbehen përvoja por edhe biseda të ndryshme. Në mesin shumë krijuesve, aty theksohet edhe poeti i palodhshëm, Brahim (Ibish) Avdyli, Sokol Demaku, Lebibe Zogiani, Hamit Gërguri etj.

Edhe në kapitullin e shtatë, materiali i prezantuar sikur merr gjithnjë e më shumë peshën domethënëse të veprës përgjithësisht, sepse, mori shkrimesh përjetësisht i japin oksigjen mbase edhe rrugëtim jete vetë shoqatës, për ta shtrirë ajo edhe më fortë dhe profesionalisht veprimtarinë e saj.

Ndërsa, kapitulli i tetë, përfshinë shkrime, të cilat synojnë peshën e sesioneve aktuale shkencore, në të cilat merret guximi të trajtohen tema që begatojnë historiografinë me të dhëna të ndryshme. Në këtë aspekt, bie fjala, temat e ekspozuara të Hasan Qyqallës, Fetah Bahtirit, Hysen Ibrahimit, Imri Trenës dhe të shumë të tjerëve, e që i referohen thesarit të mërgatës, rëndësisë dhe të punës së saj, që kanë peshë shumëdimensionale, dhe si të tilla, gjithnjë mund të shërbejnë për studime edhe më të thella shkencore jo vetëm në Kosovë e Shqipëri.

Ndërsa, e mira kësaj vepre është edhe ajo, se shumë shkrime janë të prezantuara edhe në gjuhën suedeze, që mundësojnë të shfrytëzohen edhe nga historianë, letrarë dhe shkencëtarë nga Suedia.

Dhe, cila është pesha e mesazhi i kësaj vepre. Është shumë e thjeshtë por madhështore. Këtu janë përfshirë mori shkrimesh të fushave të ndryshme, shumë prej të cilave nuk mund t’i gjesh në këtë formë, dhe si të tilla, begatojnë historiografinë dhe vlerat kulturore kombëtare. Po ashtu, libri “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi 3”, është një dëshmi ambicioze dhe serioze, se krijuesit në diasporë përherë janë faktorë me rëndësi për kultivimin dhe ruajtjen e vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike të kombit dhe atdheut. E në këtë aspekt, asnjëherë, duke mos harruar edhe ndihmën dhe mbështetjen e miqve nga vende të ndryshme, e në këtë rast nga shteti dhe populli i Suedisë.

Libri shoqërohet edhe me shumë foto dhe faksimile të dokumenteve e mirënjohjeve të ndryshme, të cilat i shtojnë vlerën kësaj vepre voluminoze.

Ky libër, me shkrimet që ka brenda vetes, e ka shkrirë kufirin artificial, sepse, këtu ka autorë pothuaj nga të gjitha trojet, kurse vepra e bën rrugëtimin e vetë lirshëm në tokën e shqipeve.

Prandaj, është mirë që kjo vepër ka përqafuar opinionin dhe ka trimëruar shpirtin dhe frymën e secilit lexues kudo dhe gjithandej atdheut. Mirëpo, në të ardhmen, ende ka nevojë edhe më të madhe që t’i zbardhim të gjitha skajet dhe vrimat e rrugëtimit e të historisë. Kjo, ngase shumëçka, mbase edhe gjithçka, ende nuk është ndritur, ende është bukur shumë nën hijen e territ historik, të cilin na e shkaktuan por edhe po na shkaktojnë shumë faktorë që nuk na lanë të qetë nëpër kohëra e shekuj. Shumë gjëra po ia shkaktojmë edhe ne vetvetes. Andaj, është mirë që kemi shkrime edhe më të hershme për ecjet historike, por edhe për figurat e ndritshme kombëtare, të cilat kanë jetuar anë e kënd botës, e të cilat i kanë sjellë përparim, zhvillim, dituri, afirmim e lumturi shumë popujve e shumë vendeve të tjera të  botës. U kanë sjellë zhvillim në arsim, në armatë, në politik, në fushën e vlerave fetare për të qenë të gjithë të lumtur, të ndershëm e me madhështinë shpirtërore.

Në këtë aspekt, edhe sot e kemi rastin por edhe nevojitet që të punojmë më shumë, e në radhë të parë ta bëjmë unitetin, mendimin dhe veprimin unik përbrenda nesh, gjë e cila, dorën në zemër, ende na mungon dhe shumë na nevojitet.

E për të bërë vepra të mira e të mëdha, në radhë të parë kjo na duhet përherë e pandërprerë. Kurse, për të shkruar është gjë e lehtë: “gjithë ç’të duhet, është të ulesh para makinës së shkrimit e të pikosh gjak”, ka thënë, Ernest Hemingway!