Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: U ktheve nga shtegtimi i gjatë

| E enjte, 31.07.2014, 06:55 PM |


U KTHEVE NGA SHTEGTIMI I GJATË

POEZI NGA PËLLUMB GORICA

 

 

KALLDRËMET E GJIROKASTRËS

 

Rrugicat me kalldrëm të lashtë,

në dhjetëra kthesa dredhojnë,

hapat flakët nxjerrin jashtë,

anetë llafet s’i mbarojnë.

 

Legjendat nga gurët dalin,

Ringrenë, bëjnë historinë,

erërat vrullshëm gdhendin malin,

këngët zgjojnë pavdeksinë.

 

 

ERA SJELL NJË MËRMËRIMË

 

Flas si Hamlet me vete i heshtur në këtë natë:

Kaq thellë të ketë hyrë era në shpirtin tim?

Yll i fshehur pas reve ti mos je vallë?

që vjen tek unë pa trokitje si ngushëllim?

 

Çdo çast si Romeo monologoj për ty,

sytë t’i shoh qoftë dhe i verbër me adhurim,

një varg rebel si zog i lagur më rri në sy

e era më sjell një fllad si një mërmërimë.

 

O zog i brishtë më sill një sqep kaltërsie,

po pse më trazon, kaq klitshëm pa mëshirë,

përgjigje shpirti pret me forcë dhe dridhje,

por gongu ah, s’bie kurrë  në mugëtirë.

 

 

U KTHEVE NGA SHTEGTIMI I GJATË

 

U ktheve, vëlla, nga shtegtimi i gjatë,

mjaft t’u rrudh shpirti në kurbet,

Orfeu të dërgoi në këtë stinë të thatë

të mbjellësh këtu ca tinguj jete.

 

U ktheve, vëlla, i dhe dritë shtëpisë,

që përmallshëm qeshi më në fund;

Edhe skaji i oborrit blerimin harlis

edhe qeni te kolibja bishtin tund.

 

Vështrimi i nënës është më i gjallë,

dhe padashur nis të derdhë lot.

U ktheve… Eh, ç’na kish tretur një mall!

Pra, vëlla, hajt t’i ngremë gotat plot.

 

 

PAK MIQ GJEJ NË QYTET

 

Gabimet janë si eshtra që s’treten,

vijnë e ikin prapë në kohë pa semaforë,

jeta që prek si në përrallë të vjen

dhe asnjëherë s’e ke në dorë.

 

Kështu ngaherë dhe mua më ka ndodhur,

në këtë Botë gabojmë me njerëz të pashpirt,

me fjalën “Më fal!” sa shumë jam lodhur,

por askush s’më ka hedhur sytë.

 

E di se të falësh si gjithnjë është hyjnore,

por sot pak miq gjej në qytet,

gabimet ndodhin, janë njerëzore,

ndryshe nuk mund të ndërtohej kjo jetë.