E enjte, 28.03.2024, 08:35 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Organizimi i kaosit

E diele, 10.06.2007, 05:13 PM


“Çdo njeri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë Kaosin, që gjendet brenda në “Unin” e tij”. (Niçe)

Branko Merxhani - 1930

Dy pjesë të mendimtarëve të viteve ’30 mjaftojnë që të iluminojnë sot në ditët tona shqiptarët e pasditeve 2000. “Përralla pellazgjike është një hipotezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofizmë duhet ta neveritim. Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që të ëndërrojë përrallat turanike. Asnjë grek, me mendje të shëndoshë, sot nuk mburret se është stërnipi i Periklidit. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej shumë kohe origjinën e tyre: jeta e popujve nuk është veçse Mrekullia e Zhvillimit, që rregullon valët e mëdha të shekujve”, shprehet Branko Merxhani...

Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historiko-shoqërore të pakapshme. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën tonë, nuk janë veçse vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha shfaqjet e tjera të dinamizmit tonë qytetëronjës. Në idetë dhe tendencat tona shoqërore, ca më shumë në kuptimet tona mbi formën dhe esencën e instituteve tona shoqërore. Është një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë pothuaj jetën tonë. Ideale s’kemi. Racionalizmi ynë është pothuaj si i djemve. Dispozita për një gjurmim të ngulur shkencor dhe sistematik na mungon krejt. Ku e ka rrënjën e saj kjo e keqe? A ka vallë arsye historike? Nga pikëpamja e kuptimit sociologjik cili është shkaku i kësaj gjendjeje?
Ja disa pyetje që Neo-Shqiptarizma përpara Djalërisë sonë intelektuale dhe idealiste. I vë dhe shton: pa dhënë përgjigje në këto pyetje, s’mund të bëhet asnjë hap përpara!

Ka shumë kohë që shkoi ajo epokë në të cilën Nacionalizma ishte shoqe e Romantizmës. Nacionalizma e sotme e çmon kryesisht realitetin. Është shprehja e gjallë e Sociologjisë si shkencë, njëfarë toke zbatimi të Higjienës Shoqërore, një Laborator i sëmundjeve psikologjike-shoqërore. Si vlerë pozitive ka vetëm gjurmimin. Zbulimin e rrënjës së të keqes.
Kërkimi themelor i Neo-Shqiptarizmës nga Djalëria – nga ajo Djalëri e cila, e ndritur me fenerin e mendjes, ndjen pa dyshim përkundrejt fatit historik të Atdheut një respekt të thellë dhe është vënë me mish e me shpirt në rrugën e fatit dhe të së ardhmes është ky: Të ndjekë një formë shkencore në gjurmimet dhe në përkufizimet, si dhe një kuptim filozofik të plotë dhe të tanishëm në idealizmin kombëtare.

Një intelektual shikon rrezikun më të madh dhe më të tmerrshëm: të bjerë në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe kaotike të fantazisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botë të rreme, vlera të vdekura, që bien vetëm gjumë dhe “utopistë gjenialë”.
Drita është Shkenca, bota e realiteteve. Jetën politike nuk duhet ta përcaktojmë përmes romanticizmit dhe fantazisë. Problemi i jetës, misteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Jetën nuk duhet ta shohim përmes prizmës së fantazisë sonë. Vështrimin tonë duhet ta kthejmë përkundrejt jetës, d.m.th ta shohim jetën ashtu siç është dhe jo siç e duam ne të jetë. Jeta do një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar.
Ja pika nga e cila nisemi. Të ndriçojmë shkaqet e thella të anarkisë sonë shoqërore, që na la trashëgim e shkuara, me fenerin e shkencës sociologjike.
Dhe ja pika e drejtimit tonë: Përmbi germa dhat e Shqipërisë së djeshme, të prishur dhe të robëruar, të krijojmë një Shqipëri të nesërme, të mbaruar, të ndritur, të qytetëruar – një Shqipëri jo historike, po qytetëronjëse.

Qëllimi i luftës: Idealizmi i jetës.
Shqipëria e ndjenjës, Shqipëria e mendimit, po pret krijonjësit e saj. Dritë përmbi fantazinë e së shkuarës. Nuk jemi as stërnipër bonjakë të Pellazgëve mitologjikë, as gërmadhat e Ilirianëve: jemi shqiptarë – Një kombësi e re.
Përralla pellazgjike është një hipotezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofizmë duhet ta neveritim. Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që të ëndërrojë përrallat turanike. Asnjë grek, me mendje të shëndoshë, sot nuk mburret se është stërnipi i Periklidit. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej shumë kohe origjinën e tyre: jeta e popujve nuk është veçse Mrekullia e Zhvillimit, që rregullon valët e mëdha të shekujve.
Po! Jemi Shqiptarë dhe përbëjmë një kombësi të re. Mëma e Nacionalizmës, mallëngjimi kombëtar i shekullit XX, nxorri në dritë një pjellë të re. Kjo pjellë jemi ne. Si Neo-grekët e sotëm, si turqit e sotëm të Azisë së Vogël, kështu edhe neve na ka pjellë një natë magjike vere, dinamizmi krijonjës i freskët dhe përjetësisht i ri i natyrës, në gjirin që nuk duket dhe misterioz të Perëndisë së krijesave. Jemi akoma djem. Ndërgjegjja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritshme të Krijonjësit. Sytë tanë nuk janë mësuar akoma të shohin me simpati Diellin e Intelektit. Ku janë krijimet tona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën tonë, farën tonë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i zhvilluar? Ku është gjuha jonë? Ku është kultura jonë?
Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e saj...

Lindëm në errësirë, po kërkojmë dritë. Dhe misioni i brezit të sotëm është që të na shpjerë nga errësira në dritë.
Rreziqe na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Me gjithë këtë, nuk ka asnjë rrezik. Mjafton ta kuptojmë. Ai që rron, rron se pse e pa dhe e mundi rrezikun. Edhe Grekët e Vjetër, në hapat e para të zhvillimit të tyre, luftonin kundër po këtij rreziku. Bile luftuan një shekull të tërë. Po u përpoqën si gjigantë. Me gjithë këtë, me zor të madh shpëtuan nga rreziku që të mbyten në rrymën e tmerrshme që kish shkaktuar hyrja e influencave të huaja, që u kish lënë trashëgim e shkuara.
“Mania e Historizmës” mend e prishi atë statujë madhështore të mendjes njerëzore, bile edhe para se të ngrehet. Dhe jo sepse nuk kish zbuluar akoma rrugën e jetës, që çelet brenda në pastërtinë dhe flakën e ndërgjegjies kombëtare. Për një kohë të gjatë qytetërimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veçse një trazim konceptesh të pakuptuara semitike, babiloniane, indiane dhe egjiptiane. Feja e tyre ishte një shesh anarkik dhe i nxehtë lufte midis njëri-tjetrit, shesh mbi të cilin mbretëronin të gjitha Perënditë e Azisë. Me gjithë këtë Kaos, qytetërimi grek lindi, rroi dhe mbretëroi mbi fronet e të gjitha epokave të paskëtajme. Greqia e Platonit mundi pak e nga pak t’i zhdukë influencat e huaja, të dëbojë nga Falëtorja e Mendimit Perënditë e Barbarëve, d.m.th të organizojë Kaosin, që gjendej brenda në Unin e saj. Mysteri i qytetërimit grek ka qenë Perëndia e Delfit, e cila tha:
“Gnëdi santon”!...
“Neo – Shqiptarizma”, 1, 1930


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora