E shtune, 20.04.2024, 02:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Lajthitja e një tundimi

E shtune, 26.07.2014, 04:06 PM


Lajthitja e një tundimi

Nga Mehmetali Rexhepi

Ende shtrihej te e përnatshmja.

Si duket kurora nuk ishte vetëm një letër me dy datëlindje, me dy pohime të ndërsjella në një cak, me një zotim të dyzuar për njëzimin e përjetshëm, hapur me puthje solemne. Ajo ishte edhe një litar i padukshëm në qafë, që e tërhiqte njëri çift për ta ngufatur tjetrin.

Një piketim drithërues, përhumbje në çaste...

Rrjetën e piketimit, fijet e të cilit tashmë po i dendësoheshin, ia këputi Fisnikja:

-           Hirësi, do të duhej të marrësh hov, vajti ora.

-           Lëri ato letra, si nuk u mërzite, të hëngri kotësia e kësaj farë poezie!

Fijet e lidhura në një piketë, dyzetvjeçarit ia sillnin hutimin e tërheqjes dhe nyjën e zgjidhjes. Kush i tërhiqte aq fort ato fije të djegies së brendshme të dinamikës  tij?

Fytyra e lyer me yndyrë e krem Fruttini e Dulgon, i solli katedrës kundërmim maji, aromë dredhëzash e frutash tjera. Flokë lëmuar, krejtësisht i lëmuar... Ndanë katedrës dhjetëra sylarushe të përqendruara në lëmimin e tij të skajshëm. Por vezullojnë të shkruar ata të Hijes dhe, nisen ethet.

Si të vijonte ligjërata e drejtpeshuar nga turri i kafshës së zgjuar?

* * *

Cingërrrrrr, cingërrrrrrrr...

Cingërima hapi grykat e trastave të zërave, moria e tyre zbriti në pëshpërima.

Dinamikën e Hirësisë e mbajti të ndezur Hija. Ndezja ngjitej e zbriste nga maja e gishtërinjve në kokë, nga koka në këmbë ngjitej, ngjitej shkallëve të qasjes Hijes. Ajo në prillin e tetëmbëdhjetë shpërtheu petalet e epshit.

Pushim i trazuar.

-           Hije pse nuk dole me të tjerat?

Kjo qe krejtësisht e tejdukshme në fjalorin e Hirësisë, se ngërthente joshjen, jo refuzimin.

-           Dua të jem me ty!

Drithëruese...

Mëtimi i saj ia solli shtjellën në katedër. Kjo shtjellë mbarsej me sumbulla djersësh të afshit, shi të pluhurosur, zëra të çjerrë, të pa artikuluar, letra të hedhura, faqe gazetash... Gjethe, strajca plastmase... Kronikë e zezë... Nuk dihej ku do ta plandoste kjo farë furie...

Ai, jo vetëm Hijen, udhëzonte brezat të ruanin drejtpeshimin furive të marrëzisë.

Mbi katedër u harkua ngjitja e dy buzëve, mbyllja e katër syve dhe, gëloi ushejzë e impulseve... Ylberi zbriti kraharorit, nën këmishën erë bliri me thimthat bojë kafe dhe shpërthyes, bardhësia e plotësia e kofshëve... Lugu i kroit të etjes djersinte thartirën e naives.

 

* * *

-           Do t`i bie not kësaj vale të lakmisë!

-           Ore, disa çaste më shmange, gati më dehe: as nuk do t`i zhvishesh, as nuk do ta zhveshësh atë epshore naive!

-           Ja ku më ke ndjekësin e hiles tënde!

-           Vjele mëlmesën e asaj zane dhe lyeje, shtrije e lëpije me aq shije zonave intime të fisnikes tënde!

-           Dhe?

-           Dhe, do të  urojë. Edhe do ta urosh.

 

* * *

-           Hije nuk jam Krishti, e ndjejë afshin tënd, në të gjitha anët rrjedh dhe imi...

-           Podel tymi, por...

-           Por, çka? - Reflektoi ajo ëndërrimtare e shpërfytyruar në mozaikun e ndjenjave.

Cingërrrrrrrrrrrr.

-           Ah... - I dyfishuar.

Tërheqje e kërmillit në gëzhojën e vet.

Kori i çrregulluar i zërave mbushte sallën. Rendi zyrtar riktheu zërat në trasta trastat në fëshfërima rrotullimesh të fletëve, ndonjë celular zevzek, i pa heshtur i mëshonte bezdisë.

Hirësia dhe Hija ishin ngjyrosur me shije të prerë, të pa rëndomtë, me ngjyrën e tundimit të gjakut të pikëzuar mbi roga të verdha faqeve. Pikasej e fshehta e pa fshehur. Kollarja e anuar.

-           Vallë, a mos e pikasi ndokush?...

Shikimet e rëndomta sikur shpalosnin gjestet, grimasat e pa rëndomta, ose diçka mes të pistës dhe së praruarës në këtë mjedis etik. Sytë e kthyer drejt tij, si t`ua fshihnin veshëve e veshët syve të shfaqurën e Hijes e të Hirësisë. Intimja përdhoste zyrtaren sikur bark qitja tualetin.

* * *

Sapo i hapej shtegu i dendësisë urbane, pa dytësorin, Hirësia i vardisej Hijes dhe ajo atij. Atë e bezdiste dendësia e hapësirës, ndaj nxori një pohim të pështyrë: në këtë mendësi të mallkuar nuk ke ku të pshurrësh. Miklimet sipërfaqësore me sy, syve të hapur të turmës, ishin lëpirje për goditjet e adrenalinës.

-           Ky afsh i pa mëshirshëm do të më zhburrërojë - Në çast tërhoqi pohimin për të mos i dhënë shkas dytësorit. Dhe do të vargonte rreshta të fërguar nga lëpirja tejet e ndjeshme, se fatin a taksiratin e shijes ia gatuante Fisnikes Hija përmes Hirësisë.

Fisnikja jashtë kësaj orbite magnetike ndihej e pa cenuar nga ylli i vet, i cili nuk e humbte shkëlqimin për ndonjë largim të pa vërejtur nga graviteti i saj.

Cingërrrrrrrrrrrrrrrr.

U hapën pesëmbëdhjetë minuta të ecejakeve. Hija me shkasin e pakapshëm të ndjenjave, ndoshta për flladitjen e saj, u fut në hijen e Hirësisë, disi për ta prekur ose për tu prekur e, i shpërndau blinin e flokëve dhe i zuri fytyrën, duke iu qasur, madje, zonës së intimes.

Rrushja përballë lëshoi dy - tri shigjeta të shikimit, lyer njëkohësisht me smirën e qortimit dyshues e ndjellazi. Shkaset e Hijes për vërdalle athua ishin të porositura? Ose nuk kishin ndonjë prapavijë, pos spërkatje çapkëne cekëtinës së naivitetit... Qosheve të korridorit, nën shkallët e kolegjit ngjishej ndonjë fërkim me drithërima të ëmbla.

Vapa e Hirësisë e lypte flladin e Hijes.

Nga dita në ditë zvetënohej sikurse një lypsar, e, atë që lypte ishte ndotëse për sedrën e tij të Hirësisë. Por shpalimi tundues i nektarit të thimthave të gjinjve...

-           Nuk është denjësi për mua, por fundja le të jem emër, qoftë i pistë, i lakuar vetëm për Hijen nëpër rasat e përgojuesve.

-           A nuk i ka rrënuar perandorët dehja e praruar?

Dyshimi i këtij pohimi i pruri vrushkullin e një copëze të ngazëllimit, se mos edhe dytësori do t`ia tumirte tash?

Në copëza me bari e pa të, baltinave, gjetheve të blerta e të verdha, shelgjeve të vajit, lisave, kopshteve moderne me relikte të vjetra, arave shterpa, livadheve, aleve, kodrinave, lumenjve që rrjedhin të fryrë e pa ujë, puhizave të korrikut e shtrëngatave, gurrave,  lehjeve të qenve natës, guguçeve të pëllumbave, enigmave të qiellit, trotuareve, pikëllimeve, majave të mllefit, në teatër: Hija.

Mes Hijes, tinëzisë,premtimit e hiles veta e gjithë përfshirjes:

-           Hirësi, Hija të është veshur si këmisha e diellit dhe e hënës!

-           Mos u mat me përmasat iluzore të hijeve të mëngjesit e të buzëmbrëmjes!

Korridorit, ndanë hyrjes, jashtë rendit të ligjërimit, shtrohej kokëzimi: Hija Hirësia.

Hija e konceptonte jetën prore si shfrim i ngazëllimeve...

-           Puthe Hijen sikurse e puthë Urtinë tënde!

Thika shkëlqyese në një dorë i vinte drejt syve... E kujt ishte ajo dorë?

Kotej i dehur në këmbë...

-           Uhaaa...

* * *

Kokëzimeve me Hijen Hirësia mëtonte t`iu jepte kahe tjetër. Nëse ajo ngulmonte t`i lëshohej litari i tërheqjes, pse mos t`ia lëshonte, madje, tërë litarin. Etika e Hirësisë në sytë e saj ishte cullakuar. Largësitë e shkurta do të ishin të padurueshme. Ajo lypte ligjërime shtesë. Ai do t`ia ri shtjellonte ndonjë kapitull përmbajtjeje të rrumbullakuar, t`ia thjeshtësonte formulat dhe formulimet e ndërlikuara të kuptimit, t`ia gjente trajtat e shkurta thelbësores, qëllimin dhe zbatimin, të veçantën te e përgjithshmja, përgjithësimin e së veçantës, lidhshmëritë ndër diturore, pleksjet simotrave të dijes, copëzimin analitik, bashkimet sintetike, përkufizimet...

Edhe largësive të thata e të ftohta, ajo do ta derdhte njomështinë e stinëve të saja çapkëne.

Gjithë ata sy të rastit dhe jokalimtarësh nuk qenë indiferentë. Disa: pamjet i varnin në degët e blirit përbri trotuarit, ca i ngjitnin si fletë kumte, edhe si fletërrufe në dyert e qelqit. Për disa ishte i pështirë rrotullimi i yllit të vjetër me pluhur në harkun e orbitës së Hijes.

Shushunjat e thashethemnajës gëlojnë në mjedisin e kënetës njerëzore. Nuk ka si të shpëtonte pa u prekur as Fisnikja, dhe trazimi i mërisë së fjetur do të brofte... Ndaj kurdo që ngrehte kokën gruaja e kurorës, për t`ia parë këmishët që ia hekuroste, dhe kollaret kur ia lidhte në qafën e gjatë, kombinuar me shije, atij i reflektonte cipa tejet e hollë dhe e brishtë e turpit, të cilën nuk ia mbulonin as këmisha, as kollarja, as palltoja.

Në vështrimet e Fisnikes ai e priste kryengritjen.

A do të ndodhte dhe kur do të ndodhte kryengritja?

Hirësisë pashmangshëm i shfaqej Hija në fytyrën e Fisnikes dhe anasjelltas. Ndërsa Fisnikja te ai, qoftë edhe duke ia shikuar katin, shihte horrin, lojën e paskrupull të horrit; shihte diçka përbuzëse... Megjithatë, ende nuk shkrehej në vajë as në namatisjet e bezdisshme.

Ajo Hirësisë ia hekuroste karakterin e jashtëm, por kodin e brendshëm të tij ende s`ia kishte zbërthyer. Ose e mbante prushin e zbërthimit të mbuluar me hirin e dyshimit.

Mes tyre epohej lajthitja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora