E enjte, 25.04.2024, 12:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Neki Lulaj: Motrës sime çame

E enjte, 24.07.2014, 07:23 PM


Neki Lulaj

 

Motrës sime çame

 

Larg, o larg, të kam o motër

Të prek zgjuar e në gjumë

Preka shtigje mbarë botës

Por si ti nuk gjeta kurrë.

 

Muza kurrë s’më le të qetë

Kur e shoh se si po vuan

Larg prej trojesh larg-o mbete

Larg prej vatrës së bekuar

 

Si ta prek malin dhe zjarri

Që më bëhet pus pa ujë

Fyti thahet si gur zalli

Përt ty motër, zemërprush

 

Ti më je zemër plagosur

Palcë guri e patharë

Mbi një shekull e brengosur

Për ty qielli derdhi lotët varg.

 

Do të puth në buzë e faqe

Të prek duart shqiptarisht

Do të mbjell ca manushaqe

Përmbi shpirtin tënd fisnik

 

E do mbyll dyert lakmie

në folenë që të ngre hasmi

nga një shkëmb me fluturime

Vjen për ty kjo fjalë stërralli

 

Do të lidhim besë të fortë

Fjalë pas fjale si vullkan

Çamërisë atje në Jon

Do t’i ndezim prapë zjarr.

 

Nëpër trojet  me gërmadha

Në themele kaq të fortë

Shpresa jonë do marrë flatra

E flamuri do valojë.

 

 

Masakra e Paramithisë

 

Në Kllogjer ndjej sërish zgjim  kllapie

Era kreh flokët e dëshmorëve të Paramithisë

Pipa të rinj po nxjerrin burrat nga lisat

Drejtë Çamërisë rrugëtojnë burrat me plis

 

Atë mot përkundeshin mes fletëve degët e ullinjve

E shpirtërat përpëliteshin me dhimbje pas hijeve

thërrisnin për ndihmë për bukë, për ujin në kroje

Europa lavire flinte në gjumin e pajtimeve mortore.

 

Zbraznin breshër plumbash mes gjokseve foshnjore

Vritnin ëndrrat e thurura në gjergjef nusërie

Me mokër shpirtërash  dënesnin  kodra, male, hone

Një lot hëne binte mbi troje Çamërie

 

Valë e lot shkërmoq plisin  dhe shkëmbin e rreptë

Gjaku rrëshqet si trimat mbi tokën e tharë

As toka as gjaku, eshtrat tona nuk do i tresë

Nga dhimbja kodet ulin qerpikët se s’ka dëshmitarë.

 

Në udhë shkronjash ecin krushqit e kombit mes dallgëve

Nisen nga trevat shqiptare drejt Jonit shtegtojnë

Ecin në gjurmë të stuhive tragjike çame

Në agim në fshatin Kllogjer do të ndalojnë

 

Atje do takojnë 2700 rreze pavdekësie

Që do të shuajnë etjen dhe urinë që kanë përsëri

Atje do të shfletojnë palë  të dhimbshme historie.

Te Rrasa e Kujtimt do të rizgjojnë tragjedi.

 

 

Malli

 

Kalinjtë me farë misri varen në hambarë\

Trastat e tagjisë varen në gozhdën e  vjetër

Koshat e mbushur flasin për vjeshtë të mbarë.

Grazhdi me rrjetë merimange është mbledhur.

 

Kjo heshtje e harlisur prek botën e zjarrtë

Në ahur të kuajve kam mall dhe për një bajgë

Kam mall për një fletore të mbetur në sirtar

kam mall për plisin që  mbillet në maj.

 

Mes zgalave të murit rri trasta e grisur

Ngarkuar me ëndrrat që sillen vërdallë

Dua të lëpij plagën e të puth tokën e zhuritur.

Të shpejtoj ikjen me kthim në tokën e etur për zjarr.

 

Ky lëmsh jete i mbushur si thes me përjetime.

Të fshehura në kurmet e zemrës mbyllur me kapak.

Shpendmira këndon në çardak këngën për kthime.

Blatojnë lulet e manit nga gëzimi në shpat.

 

Mbi pllakën e kujtimit xixëllojnë shekujt e pavdekësisë.

Shkëlqejnë rriska drite që qetësinë gllabërojnë.

Me mall dashurie thërret mërgimtarët në kthim në agime.

Me gardhin mistik të jetës memorien thurojnë.

 

 

Kush bën mur

 

Shoh zemrën e urës të tokës binjake të palcosur

Kolliten shekujt e sëmurë në ikjen pa kthim

Struken nën ombrellën e trupit të njollosur

Mbuluar nga blozë e zezë e padrejtësisë.

 

Ibri përplaset mistershëm e me valët pëshpërit

E hapen portat e kohës si bedena me zë briri

Më dalin përpara si pleq që koha kurrë nuk i thinj

Si dy mokra gruri me blojë të mbarë mulliri.

 

Stinica gjarpëron si gjaku në damarë

Një çarçaf mjegulle që nga Bajgorja po vjen

Shtrihen krahët e freskisë në fushë dhe në mal .

Për të huajt “mollë të ndalueme’ lakmie e kthen.

 

Plisat e bardhë varen në Ibër e në Trepçë

E ndalen mbi gjamat e kullave të Boletinit në prag.

As myshku, as eshka mbi parmak nuk lënë shenjë.

Gurët e mullirit në oborrin e lesës bënin konak.

 

Ata ishin e janë kulla bacaloke qëndrese

Zgjojnë burrat që nga Dukagjnin e deri  në Prekaz.

Te Urat e Ndasisë digjen mbeturinat me urrejtje

Me Ilirisë Çamëri, Preshevë e  deri në Tivar.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora