E merkure, 24.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Shpendi Topollaj: Ramiz Reka i dashuruari i boksit

E merkure, 23.07.2014, 07:00 PM


RAMIZ REKA I DASHURUARI I PËRJETSHËM I BOKSIT

NGA SHPENDI TOPOLLAJ

Gjithmonë kam pyetur veten se si ngjet që midis sportistëve, pikërisht boksierët, janë ata që pasi i “përsheshin” mirë e bukur turinjtë njeri - tjetrit, ruajnë mes tyre një miqësi aq të fortë dhe aq të gjatë. Qysh nga adoleshenca ime, edhe sot e kësaj dite ruaj në kujtesë ndeshjet e tyre brenda litarëve të ringut, nën thirrjet gati histerike të tifozëve, shpesh edhe me fytyrat tërë gjak e rënie në KD dhe pastaj kur gjithçka përfundonte, puthje e përqafime aq miqësore për kundërshtarin. Dhe mbi të gjitha, një dashuri e respekt që ruhet për gjithë jetën, një afinitet deri familjar i cili duket fare qartë sa herë ka një takim komemorativ, një ditëlindje, një dekorim a dhënje titulli apo ndonjë veprimtari tjetër kushtuar boksit. Bisedon me ta dhe nuk sheh kurrë përbuzje, nënvleftësim a ligësi për ata me të cilët dikur janë përballur me muskuj dhe nerva aq të tendosura. Sjellja e tyre prej kalorësi mund të jetë në natyrën e këtij sporti burrëror, mund të jetë si kompensim i grushtave që i jep tjetrit pa të pasur asnjë borxh, mund të jetë në traditën e krijuar qysh nga drejtuesit e trajnierët e mençur e njerëzor, por mundet edhe të jetë në prirjen që vetë boksierët kanë, pra në edukatën e tyre. Ashtu sikurse mund të jetë pjesë e humanizmit që derivon nga bashkimi i të gjitha këtyre mundësive që përmenda. Ndjehem i lumtur sa herë më thërrasin në shoqatën e tyre apo kur i takoj, qoftë dhe rastësisht. Pi një kafe me ta dhe ashtu si pakuptuar biseda kalon tek ata që bënë historinë e këtij sporti, disa prej të cilëve nuk janë më.

Të gjithë pa përjashtim e çojnë fjalën, si për t`u bërë një homazh, te Rafael Dëshnica, Ali Kastrati, Rexhep Rama e plot të tjerë. Edhe tani që vitet u rëndojnë mbi supe dhe thinjat i kanë mbuluar, ata ndihen nxënës të “profesorëve”. Edhe pse shumë prej tyre, janë bërë vetë të tillë, pra profesorë të nderuar të këtj sporti. Dhe njeri nga këta është ish boksieri, veprimtari dhe teoricieni i këtij sporti, simpatiku i përhershëm Ramiz Reka. I lindur në një ditë të shënuar si 17 janari, në vitin 1938 në qytetin e Durrësit edhe ai është zbardhur krejt. Por për atë që e ka njohur aty nga vitet 60 - të, ai nuk ka ndryshuar fare. Me një fytyrë që rezaton fisnikëri, me lëvizje atleti, me sytë e qeshur, me ata flokët e krehur me aq kujdes, i veshur me shumë gusto dhe gjithmonë i rregullt dhe i hekurosur, dhe po aq i thjeshtë, të duket se Ramizi ka mbetur po ai djaloshi elegant që me edukatën, finesën dhe sjelljen e tij, zbukuronte palestrën e shkollës së oficerëve, ku stërvitej rregullisht ekipi i “Partizanit” dhe ai Kombëtar. Mjafton të kujtoj se si janë shprehur për të, të nderuarit Vehap Lamaj dhe Vehip Qerimi të cilët kanë thënë: “Ndryshojnë kufijtë shtetërorë, qeveritë, ligjet, rregullat. Ndryshojnë njerëzit. Por ka edhe njerëz të cilët mbeten të njëllojtë, … I tillë është miku ynë dhe juaji, miku i boksit, Ramiz Reka. Zor se gjen njeri tjetër që ta adhurojë boksin si ai.” Ndofta janë këto reminishenca që më bëjnë të mendoj sa herë takohem me të, atë thënjen e Anton Çehovit se “Tek njeriu duhet të jetë çdo gjë e bukur: edhe fytyra, edhe shpirti, edhe mendimi, edhe veshja.” Ai i ka të gjitha.

Këtu në Durrës fisi Reka gëzon një reputacion mjaft të mirë. Kanë dalë nga ky fis mjaft kuadro dhe intelektualë të ndershëm dhe të zot që kanë bërë emër. Mes tyre ka pasur edhe sportistë të dëgjuar dhe rezultativë si Mjeshtrat e Merituar të Sportit, Nusret dhe Agron Reka. Vetë Ramizin e ka tërhequr qysh pas viteve 1948 sporti i boksit i cili në këtë qytet kishte një përhapje të konsiderueshme. Durrësi ka nxjerrë ndër vite shumë boksierë të cilët me rezultatet që kanë arritur janë shpallur kampionë kombëtarë, kanë përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në veprimtari ndërkombëtare dhe kanë fituar titullin e lartë të mjeshtrit të sportit.

Nga viti 1953 Ramiz Reka është shapllur tri herë fitues i Kupës së Republikës për  “Juniorët” dhe këto rezultate ia dedikon punës plot pasion të shtatë herë kampionit kombëtar Hilmi Reka për të cilin ai shpreh edhe sot e kësaj dite konsideratën dhe mirënjohjen më të madhe. Më pas, duke parë aftësitë e spikatura të tij, atë e tërheq ekipi i “Partizanit”, ku ai pati fatin të ketë sportistë mjaft cilësorë që stërviten nga njeriu dhe trajnieri i rrallë, ish boksieri i famshëm, Mjeshtri i madh Ali Kastrati dhe ku qëndron deri në vitin 1963. Aso kohe organizoheshin dhe zhvilloheshin me seriozitet dhe rivalitet shumë të madh edhe Spartakiadat e Ushtrisë dhe Ramiz Reka duke u përfaqsuar me dinjitet është shpallur në to pesë herë kampion. Është kjo periudhë kur ky sportiest cilësor dhe tepër korrekt është përfshirë edhe në ekipin tonë kombëtar të boksit. Por aftësitë e tij kulturore dhe profesionale bënë që atij t`i besohet edhe detyra e trajnierit, kështu që Ramizi stërvit juniorët e “Partizanit” derisa boksi nuk u lejua më në Shqipëri. Në këto kushte, duke qenë se kishte kryer dhe studimet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, ai nga viti 1972 - 1981 caktohet specialist i gjimnastikës pranë këtij Instituti dhe më pas emërohet pedagog pranë Katedrës së Teorisë dhe Metodikës së Përgjithshme të Edukimit Fizik. Deri në vitin 1987 ka zhvilluar mësimin e lëndës së gjimnastikës në shkollën e mesme të Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” dhe për gjashtë vjet jep lëndën e boksit në Institutin e Lartë të Policisë.

Me ardhjen e demokracisë, Ramiz Reka me një grup shokësh, janë nismëtarët e rifillimit të sportit të boksit në vendin tonë dhe ai zgjidhet në 28 Maj 1991 sekretar i përgjithshëm i FSHB. Më pas, për afro dhjetë vjet ai ka qenë gjyqtar nacional pranë kësaj federate, detyrë që e kishte kryer qysh në vitin 1960, kur ndeshej në Berat Dhori Gërnjoti me Daniel Vidon.përzgjidhet si pedagog i profilit të boksit në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve. Po ashtu zgjidhet edhe Drejtor Teknik pranë FSHB dhe për katër vjet ruan mandatin si konsulent i Komisionit Teknik të Federatës Evropiane të Boksit Amator (EABA).

Siç shihet, ky sportiest i shpallur “Mjeshtër Sporti” në moshën 22 vjeçare, për asnjë çast nuk iu nda këtij sporti që vetë ai e quan “dashuria dhe dobësia ime e përherëshme”.

Por si për ta përforcuar këtë të vërtetë, ai bazuar në përvojën e tij të madhe dhe studimet e pandërprera, shkruan dhe boton tekstin teorik të titulluar “Boksi” në kopertinën e të cilit kemi foton e autorit tashmë të moshuar duke boksuar me nipin e tij nja gjashtë vjeç, çka flet për besimin e vazhdimësisë së këtij sporti kaq të përhapur në të gjithë botën, të ndjekur nga miliona shikues dhe aspak ashtu siç e ka përcaktuar atë me humor, legjenda e ringut Muhamet Ali i cili thosh se “Boksi është një grup të bardhësh që rrinë e shikojnë dy zezakë që shëmben në grushta.”

Si autor i këtij teksti pedagogjik, Ramiz Reka e shpërfaq boksin qysh nga lashtësia, për të mos thënë se fillimet e tij janë 6000 vjet më parë në Etiopi, prej nga u shtri deri në Egjiptin e Vjetër dhe më vonë në Kretën antike. Ai tregon se kampioni i parë, pak a shumë zyrtar, si rezultat i Olimpiadave që morën formë të rregullt garimi, duke përdorur rripa lëkure ndër duar, u shpall Onomastosi. E kështu vijon historia e ecurisë dhe ndryshimeve të këtij sporti, derisa mori formën që ka sot qysh pas vitit 1719 nga Xhejms Figgu e me radhë në vitin 1743 nga Broughton dhe 17 vjet pas tij nga markezi Queensberry. Ramizi është ndalur në këtë rrugëtim të boksit pak a shumë modern, në Evropë dhe Amerikë, ku ai mori zhvillimin, përhapjen dhe popullaritetin e njohur, por nuk harron të na japë një tabllo të plotë të tij edhe në Shqipëri, sidomos pas vitit 1928, pra pas ndeshjes midis Sotir Polenës dhe Rafael Dëshnicës. Ai, veç dokumenteve shkresore, shtypit etj. ka shfrytëzuar edhe dëshmitë e njohësve dhe dëshmitarëve okularë të këtij sporti, qysh në gjallje të tyre. Kështu, Ramizi ka meritën se ka vënë historikun e boksit në vendin tonë në një rend kronologjik të saktë. Ai na jep edhe ndeshjet e para me boksierë të huaj të njohur si greku Mile - Potamitaqis, rumuni Petresku, apo ato me boksierët italianë etj. Gjithashtu ai përmend veç atyre që thashë më lart, emrat e Mehmet Kryeziut, Vlash Currit, Myftar Markut, Luigj Shalës, Naum Gjançit etj. për të ardhur tek ata të etapës së dytë si Teodor Janku, Dhimitër Çakalli, Hysen Sharra, Fadil Efovia, Martin Çeta, Idai Rama, Bejkush Birçe, Ahmet Golemi, Hamdi Uka, Ymer Reçi, Skënder Sadushi, Niko Mile, Mustafa Allushi, Abaz Zalla, Selim Bardheti, Rami Sadushi, Kristaq Laçi, Et`hem Ibrahimi, Ismet Varfi, Hekuran Shkaba, Viktor Martin, Xhemal Çali, Alfred Ashiku, Halil Petrela etj. etj.

Më tej libri merr karakterin e mirëfilltë të një teksti kushtuar teknikave dhe taktikave të këtij sporti, rregullat nga udhëhiqet ai, katër mënyrave të luftimit (sulmues, mbrojtës aktiv, pritës dhe i kombinuar, të cilat presidenti i EABA z. Zheçev i ka quajtur dialog ndërmjet dy oponentëve), apo mënyrat e arbitrimit dhe vlerësimit të sportistëve. Gjithashtu bëhet difencimi i boksit amator dhe atij profesionist, dhe metodika e të mësuarit të elementëve bazë. Libri tregon edhe parimet didaktike të stërvitjes, shoqëruar me foto dhe skica sqaruese për pozicione të ndryshme. Autori, nuk harron të japë edhe tabelat përkatëse të normativave dhe cilësive sipas grupmoshave, deri tak përgatitja psikologjike e tyre apo baza e nevojshme materiale dhe si duhet shfrytëzuar ajo.

Ramiz Reka gjithashtu, sheh shumë perspektivë për këtë sport që duhet të jetë shumë i dashur për të rinjtë. Se shqiptarët kanë arritur nivele shumë të larta edhe në arenën ndërkombëtare. Sot, kohët kanë ndryshuar. Kushtet po ashtu. Veçse kërkohen njerëz pasionantë dhe të përkushtuar si simpatiku Ramiz Reka, të cilët mbeten në dashurinë e tyre për sportin e bukur të boksit, po ata. Madje edhe kur ua ndërprenë atë në vitin 1963, e rinisën gjithçka nga e para. Se jo më kot Joromoto Tashi thosh se: “Një pasion i ndërprerë mund t`i lerë vendin një pasioni akoma më të fortë.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora