E enjte, 25.04.2024, 11:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Pasku: Mbledhja e yjeve

E merkure, 23.07.2014, 07:33 PM


Vjollca Tiku Pasku

MBLEDHJA E YJEVE

Këtë mbrëmje nata është veshur me fustan argjendi dhe në kapelen e saj vezullojnë dritat e yjeve të kuq. Së bashku me motrën u ulëm në verandën e shtëpisë sime, të shijonim këtë peizazh nate vere. Papritur ajo më tha ;

-Qielli është i mbushur me yje e shkëlqejnë sikur të jenë lyer me një të kuq magjik. Thonë që njerëzit kur vdesin shndërrohen në yje! A duhet të jetë e vërtetë..?

-Ti e di që meditimi është çelësi që hap çdo lloj porte, dhe u ngjita njëherë tek ata….. por nuk dua të shkoj asnjëherë…. - i thashë unë.

- Pse, të lutem më trego- vazhdoi motra ime. Atëherë nisa të tregoja:

-Nën vegimin e mbyllur të syve, distanca e dritës yjore me mua është gjatësia e një ndjenje që më pushtoi. Doja të isha një pelegrine e qiellit,ushqyer me dëshirën të darkoj bashkë më yjet. Enigma e misterit yjor më mbështjelli në shtjellë ajrore dhe më tërhoqi lartë. Ndjeva frikë dhe kuriozitet për të depërtuar në botën e yjeve. Ndihesha si një fjollë e zjarrtë dhe fillova të ndjej fjalët dhe ndjenjat e tyre, si zhurma e zjarrit kur ndizet dhe flet me gjuhën e tij përvëluese. Heshtjen e theu një yll i vogël. “-Sot në një vend të vogël të quajtur Shqipëri, rrethuar me skela vargmalesh,me liqene dhe dete, pashë një lypës me nofulla të deformuara me blana të errëta. M’u duk si një muzg i uritur i mbështjellë nga rrjeta e reve të zeza. Ai ra në tokë i munduar nga jeta dhe bota indiferente, Njerëzit e përgjumur kalonin sikur nuk e shihnin, -foli ylli me gjuhën e zjarrit.

-Të gjithë sytë yjorë u derdhën në kërkim të njeriut në tokë, dhe rënkuan kur e panë pa jetë.

  -Eh -psherëtiu një tjetër, dashuria brenda shpirtit të njeriut ka mërguar,duke u zëvendësuar me qënësinë bosh të indiferencës. Një yll tjetër murmuriti; “-Në këtë vend të vogël të magjepsur, të verbërve u thuhet, ç’sy të bukur që ke, injorantit je i zgjuar, të korruptuarit, je i shkathët, dhe njeriut me shpirt te vdekur, të rrosh sa malet. Të gjithë lëshonin tym të zi nga fryma e zjarrtë njësoj si të visheshin me rrobat e zeza mortore. Ylli që merrej me listën e vrasjeve, kishte mbledhur cepat e dhimbjes, dhe lëshonte ngashërima yjore. Në qepallat e zjarrta, midis të tjerave ishte fragmentuar një skenë terrori. Disa plumba, kishin thyer pasqyrën e diellit dhe kishin copëtuar kraharorin e një njeriu me urdhrin e ” të madhit”. Skena të tjera , ekzekutimesh me snajper, pistoletë, automatikë, me bomba të telekomanduara, ruheshin të shkruara në librat qiellorë me gërma të ndezura gjaku, që nuk thaheshin kurrë e më pas fillonin emrat e të gjitha jetëve që kishin kryer vetëvrasje. Mbretëria legjitime e vuajtjes pushtonte yjet sa herë këputej filli i një jete. Nuk e dija që yjet e stërmëdhenj të vuanin brenda flakës së zjarrit, dhe ngjyra e tyre zbehej pak nga pak. Shpesh herë nga trishtimi u rridhnin lotë të errët flake. Papritur turma embrionesh yjore, që listoheshin si “të përndjekur” u mblodhën si farëza yjore duke folur me sinjalet e lëvizjes, njësoj si në barkun e nënës. Ato fije të vogla flakëzash ngjyrë zjarri të trishtuar, u ngjitën me tyl drite, sepse ishin prerë në mitër, dhe u varën... Rrjedha e zjarrit në dellin e embrioneve shuhej e ndizej për të honepsur mendimin yjor, se tani do të kishin jetë yjore, pa provuar jetën tokësore. Ylli i aborteve, me listën në miliarda vjet, duke ndier dhimbjen e thellë të embrioneve fiku dritën e kuqe dhe ra. Ai u shndërrua në një yll të bardhë. Zemra ime u copëtua. Peshën e dhimbjes dhe të barbarisë njerëzore, nuk e mbajti më, as ylli i zjarrtë. Ndoshta prandaj qielli është një hapësirë pa kufi, sepse dhimbja ka peshë të rëndë….Ylli i bardhë u afrua pranë tokës dhe u quajt ylli i shpresës. Ai do të ishte më pranë zemrave njerëzore, që të mund të kufizonte dhimbjen e jetës.

Teksa vazhdoja tregimin e ngjarjes, sytë e motrës sime ishin bërë të lagësht e rridhnin si një ujëvarë e kripur.

- Të kuptoj motër, dhimbjet që shkaktojë njerëzit janë pa peshë dhe pa masë, -tha ajo, duke vështruar trishtueshëm qiellin.

- Ah sikur të mundja, - i thashë unë,- të shkruaja me gërma të zjarrta në qiell: “Jeta është e bukur për të gjithë, mjafton të vështrojmë zgjimin e rruazave të bardha të dritës në agim"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora