E merkure, 24.04.2024, 05:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Pse na duhet arti?!

E marte, 22.07.2014, 08:00 PM


Pse na duhet arti?!

Nga Dr. Ilir Muharremi

“Arti është krijuar që të përjetohet e jo të kuptohet” thotë Drajzeri. Ja kjo është fjala më e duhur për ndonjë nocion të gjerë artistik. Të përjetohet, krijon kontaktin e drejtë me shpirtin para se të kuptohet. Kuptimi ngritë budallallëqe të pakufishme. Këtu mund të diskutojmë për muzikën për artin më universal, herë i quajtur absolut duke liruar kufijtë e imagjinatës me rëndësi të veçantë ndaj vullnetit individual me një përfytyrim dhe interpretim. Tek ne nuk  vjen si objekt, por si valë zanore që na s’poston nga realiteti i përditshëm, duke na dërguar në simfonitë e idealizmit. Shopenhauer deklaronte se “aspirata e të gjitha arteve është të bëhen si muzika”, mendim ky i mbështetur më vonë nga Nietzsche në “Lindja e tragjedisë nga shpirti i muzikës”. Ndërsa, Pater thotë se “të gjitha artet në mënyrë konstante përpiqen të arrijnë gjendjen e muzikës”. Të gjitha gjendjet kërkojnë atë thellësinë e ngjashme me harmoninë e shpirtit. Nuk është e rëndësishme të thuash atë që ndjen, mjafton të harmonizohesh pa ditur kuptimin. Harmonizimi ndodh me ndërgjegjësimin e shpirtit duke e pleks ashtu si është. Por, arti si një impuls në të njëjtën kohë mbledh nga shpirti, por edhe mohon. “Të flasësh dhe të shkruash të vërtetën është arti më i rëndë nga të gjitha artet” thotë Gorki. Por, asnjë artist nuk e duron thellësisht realen dhe nuk përpiqet tërësisht ta anashkaloj pa e vërejtur. Pa e vërejtur, ngaqë e vërteta objektive ngulmon mbi atë subjektive, kështu artisti krijon në emër të asaj që i mungon, por ajo që i mungon është  shërbesë e asaj që është dhe kështu vazhdohet të rrokulliset brenda refuzimeve, mohimeve, kënaqësisë dhe unitetit mbi vullnetin e veçantisë. Pra, arti hap perspektivën e përmbajtjes së veçantë, jo të mohuarit për t’u ngritur, por pafajësisë së ndodhur e cila jeton në shpirt dhe pa u korrigjuar del në sipërfaqe. Sipërfaqja pranon këtë lëvizje pa e ndryshuar, pa e përshtatur për t’u harmonizuar, por si element të huaj. “Arti sëpari lind veten e pastaj të pranishmit” bërtet Olivie. Arti është vend i përbashkët i cili ka përshkruar që nga ekzistimi e deri më sot njeriun. Arti mëson nga vetja, kurse të pranishmit nga arti. Mësimi ndodh ngaqë thelbi është absolut i çdo individi ndaj kësaj force. Arti shërbehet nga aksidentalja për tu konkretizuar. Jackson Pollock nga rastësia e shfaqur krijon artin e derdhjes së ngjyrës mbi pëlhurë. Një ditë teksa brusha po rridhte rastësisht mbi telajo, krijoj forma aq të natyrshme, të pafajshme, aksidentale, saqë ky artist e përvetësoj dhe tërë jetën ndërtoji mbi këtë art. Por, çfarë lidhet me aksidentin? Mesiguri fjala fat. Mbetet një botë e njeriut si zot të fatit të vetë. Por, fati është i përcaktuar. Ky iluzion i një bote tjetër ka qëllim rishfaqjen në mënyrë të figurshme. Fati pa figurën nuk do kishte kuptim dhe nuk është fabula hyjnore ajo që argëton dhe verbon, por pamja, gjesti dhe drama tokësore ku përmblidhet çdo urtësi, protestë, uri, ngopje, vrasje, vullnet për pushtet çdo gjë e mundshme brenda këtyre kufijve.

Rruga e artit është një rrugë drejt lirisë. Liria arrin në shpirt duke u harmonizuar. Shumë besojnë se arti ka të bëjë vetëm me idetë. Të tjerë preferojnë ta shijojnë atë. Impresionistët debatonin për artin me pasion. Disa prej tyre mendonin se e rëndësishme ishte të pikturoje pamje jetësore të kohës së tyre, e disa kulmonin mbi efektin e dritës. Shpesh artistët kur kuadrojnë pikturën, vendosin shenja të fshehta, apo simbole të caktuara me qëllim ta kuptojmë atë. Këto shenja ndonjëherë përfaqësojnë ide të përgjithshme. Kemi “Vizionin e një kalorësi” të Raffaello Sanzio. Kalorësi po fle dhe sheh një ëndërr që të duhet të bëjë mes detyrës. Ka shumë mundësi që piktori ta ketë pikturuar heroin romak, Scipio, i cili patë përshkruar një ëndërr të tillë. Këtu kemi përcaktimin e artit në mes kohërave. Kjo pikturë nuk i takon të gjitha kohërave, përkundrazi përcaktohet nga vetë koha e saj. Këtu kemi bukurinë si pjesë të artit dhe historinë si përpjekje kundërshtuese racionale. Bukuria është absolute dhe radhitet mbi motivin e kësaj pikture. Piktura ka strukturë tri-këndore, ndarë në mes nga pema. Vështrimet e grave bashkohen, sipas dy linjave, mbi kokën e kalorësit.

Kemi artin e shekullit 19, natyra e qetë iu largua ngjashmërisë me realitetin, pasi artistët filluan të eksperimentojnë me të, për të shprehur ndjenjat e tyre. “Një piktor, vetëm me fruta apo lule, mund të shprehë gjithçka” thotë Eduard Manet. Por, ato fruta dhe lule mund të jenë vetëm simbole auto-portreti të tij, nëse i reket ndjenjave dhe imagjinatës, e cila përpiqet ta lakoj të vërtetën duke marr nga ajo. E vërteta subjektive shprehet përmes çdo objekti duke ju kthyer prapë vetes. Kështu kemi vetëm një përsëritje të jashtme të vetës të shndërruar në objekt, dhe dritë. Këto objekte kanë domethënie të veçantë për jetën e tyre. Shpesh artistët fshehin kuptime brenda telajos. Librat nënkuptojnë dijen, instrumentet muzikore simbolizojnë kënaqësinë, kafkat, apo frutat e kalbura, na kujtojnë vdekjen. Këtu kemi kuptime alegorike. Aq u bënë të famshme saqë disa piktorë pikturonin të tilla. “A është arti një rrjedhojë e pakënaqësisë nga realiteti” pyet Nietzsche. Arti është pasqyrim i realitetit, qoftë objektiv apo subjektiv. Arti shpesh shpreh mirënjohje për një lumturi. Piktorët e renesancës hyjnizuan pamjen e interpretimeve të krishterë të botës. Ata u bënë mirënjohës të ekzistencës së tyre vetëm aty ku u liruan nga fetë. Por, bota me këtë interpretim moral bëhet e padurueshme. Arti është një kahe tjetër. Krishterimi ishte si një përpjekje për të sunduar nëpërmjet artit, por jo veç krishterimi, por çdo fe përdorë artin për përfitim dhe sundim. Këtu nuk më intereson të flas për fetë në raport me artin, por artin si nevojë të ekzistencës dhe botës. Në radhë të parë ekzistencës nëpërmjet së cilës kuptohet bota. Arti i përket individit, por të dobëtit e përdorin për fuqizim dhe mbledhje të kolektivit. Artin e përdorën edhe në praktikë si atentat të çmendur, atentat i një tejngritje të njeriut në raport me botën që qoji drejtë errësimit, zvogëlimit dhe varfërimit njerëzor. Arti skllavërohet nëse me të përfitohet. Njerëzit më shumë do ta pëlqejnë një copë djathë sesa Kadarenë. Ky proklamim i rrënimit të vlerave estetike në dobi të atyre pragmatike materializon artin duke krijuar ushqim të ri për të. “Më shumë do të dëshiroja të isha një këpucëtar rus sesa një Raphaël rus”, përdorë Camus citatin e Pisarev-it te “Njeriu i revoltuar”. “Më të vlefshme janë një palë çizme sesa Shakespeare”, krahason Camus. Mjerimi duhet të largohet nga këto imazhe të dhimbshme të cilat materializojnë shpirtin duke krijuar nevojë për ushqim. Bukuria nuk duhet të jetë kalimtare, edhe pse në esencë është ashtu. Bukuria artistike gjithnjë është e bukur për ne. Pyetja mbi bukurinë është e pa definuar. Përse grekët ende janë tërheqës dhe veprat e tyre rilexohen. Eskili, Sofokliu, Eripidi ende janë të bukur për ne. Sipas Marxit, kjo bukuri greke shpreh fëmijërinë naive të një botë të shkuar, midis luftërave të të riturve ne kemi këtë nostalgji. Arti nxjerrët nga kjo fëmijëri naive, dhe çdo gjest, veprim, ndjenjë, është fëmijërore-artistike. Gjithnjë do të kemi nostalgji. Por, pse kryeveprat e rilindjes, impresionizmit, pse Klod Mone, Van Goghu, pse romanet evropiane dhe ato amerikane, pse kinematografia amerikane ende mund të jenë të bukura për ne? Pak ka rëndësi. Artistët e kohës sonë u ngjajnë bujarëve të revoltuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora