E premte, 19.04.2024, 05:03 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Homazh ndaj të shkuarës

E marte, 22.07.2014, 08:15 PM


TË PASQYROSH TË VËRTETAT, HOMAZH NDAJ SË SHKUARËS

Ngjarje të operacionit armik, verë 1944, në krahinën e Sulovës

NGA PËLLUMB GORICA

Historia, si një pemë e brishtë e mbjellur në memorjen e kohës, përballë erozionit të saj, ndodh që shkatërrohet, fshihet e harrohet pa mëshirë. Histori e ngulur thellë që ushqen rrenjët tona të kërcënuara nëpër shekujt e mbijetesës nga pushtime, shkatërrime, djegje, vrasje. Ajo, me të kaluarën e saj, fryn prej andej me ngjarje dhe thërret me forcën e kushtrimit të të parëve, me ndjenjën e krenarisë për mbrojtjen e trojeve tona. Të shumtë kanë qenë pushtuesit që kanë shkelur këtu. Prandaj, për sakrificat vetmohuese, gjakun e derdhur duhet shkruar.

*   *   *

Lëvizja Antifashiste Nacional Çlirimtare e popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore është një nga epopetë e lavdishme. Për atë, është thënë e shkruar më shumë se për ç’do pjesë tjetër të historisë. Diku janë pasqyruar realisht ngjarjet dhe diku janë shtrembëruar. Një kundërshtim personal është paraqitur si protestë kolektive, ndërsa një pushkë që është shkrepur në një pusi, është paraqitur si një përpjekje me përmasa të mëdha. Diku, edhe një luftim i rastit, është paraqitur si një betejë e lavdishme. Diku tjetër, është fshehur e vërteta. Në këtë kohë, individë e forca të caktuara politike përpiqen në mohimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit Shqiptar. Por, llogaritë janë bërë gabim; nuk mund të errësohet kurrë ajo luftë, pavarësisht nga gabimet që bëhen gati, në çdo luftë në botë, që ngriti në këmbë popullin Shqiptar dhe që e bashkoi me Frontin Botëror Antifashist. Mbrojtja e së vërtetës është detyrë e çdo qytetari e bashkëkohësi. Hedhja dritë mbi vërtetësinë e disa ngjarjeve të së kaluarës, nuk mund të anashkalohet. Ajo është një homazh ndaj lavdisë së munguar. Është një fakt i pamohueshëm historik kontributi dhe mbështetja, që krahina e Sulovës i dha Luftës Nacional Çlirimtare në Shqipëri kundër nazifashistëve edhe me ngjarje të veçanta të zhvillimit të saj.

Ishte viti 1944. Ngjarjet ndjekin njëra - tjetrën në Shqipëri, por që janë aq shumë, sa do të duhen mbase me dhjetra e dhjetra faqe të tëra librash për t’u shkruar. Por janë disa ngjarje, që për nga rëndësia dhe momenti kur kanë ndodhur nuk harrohen lehtë. Operacioni i madh i Verës, që organizuan okupatorët nazistë gjermanë në vitin 1944 përfshiu edhe krahinën e Sulovës, e cila ishte kthyer në një bazë të fuqishme të formacioneve partizane. Operacioni i Verës, i dyti pas atij të Dimrit në Shqipëri, është quajtur i pashembullt si nga përmasat e luftimeve ashtu edhe nga pasojat. Kujtesa e historisë e ka skalitur mjaft mirë këtë operacion nazist, që u ndërmor në verë të vitit 1944 me qëllim e asgjësimit plotësisht të forcave partizane. Në këtë operacionin armiku përdori në  krahinën e Sulovës një terrorr të egër mbi popullsinë e pambrojtur. Siç ishte bërë traditë, kur paraqitej nevoja për përballimin e armikut, mobilizoheshin edhe çetat territoriale, të cilat i bënë atij një ndalesë në fshatin Shtëpanjë të Shpatit. Në afërsi të fshatrave Floq – Banjë të krahinës së Sulovës, nazistët gjermanë dhe forcat e tjera balliste kishin lumin, por ai nuk përbënte një pengesë të madhe, sepse në atë stinë, ai kalohej me lehtësi në çdo pjesë të tij. Në 30-31 maj këto forca armike u penguan në marshimin e tyre për të shkatërruar njësitet partizane, që luftonin në këtë krahinë nga çeta territoriale e ndihmuar  dhe nga një kompani e batalionit partizan Vërçë - Sulovë. Përparimi i kolonës armike u ndërpre. Nazistët gjermanë pas plagosjes dhe vrasjes së disa ushtarëve të tyre, alarmuar nga kjo humbje dhe pas kësaj qëndrese, u tërhoqën të çoroditur në  fashatin Gostimë. Pas disa ditësh, në shenjë hakmarrje dhe për të vënë në vend dinjitetin e cënuar rëndë, ia behën me forca më të shumta ndëshkuese. Hakmarrja e nazistëve ishte e pamëshirshme. Sulmi i tyre fillimisht nisi në drejtim të fshatrave Lumas dhe Selvias. Me sa është qartësuar më vonë forcat naziste me anë ballistëve të ardhura nga krahinat e Shpatit dhe Dumresë patën dijeni për partizanët e lënë pozicionet në një mision tjetër luftimi. Me tërheqjen nga pozicionet e partizanëve, sipas urdhrit të komandës së Batalionit partizan të Vërçë – Sulovës, forcat gjermanet u përgjigjën ashpër. Rrahën me artileri kodrat dhe së bashku me forcat balliste, dogjën në fshatrat: Mollas, Qafë, Dragot, Topojan e Banjë më shumë se 20 shtëpi të veprimtarëve të luftës, si mbështetje të forcave partizane. Shtëpitë e Xhemal Agos, Qerim Frakullit, Nasib Frakullit në fshatin Mollas, Sherif Senes, Elmas Senes, Jemin Senes, Ali Senes në fshatin Dragot, Dervish Hoxhës në fshatin Topojan. Nazistët gjermanë torturuan, vranë dhe internuan njerëz të pafajshëm. Ditë më pas, 1000 forca të tjera naziste e balliste të ardhura nga Berati e Kuçova kaluan luginës së Devollit në krahinën e Sulovës. Me të marrë vesh që po vinin këto forca, popullsia u fsheh pyjeve e shpellave. Në Banjë u drejtuan me synimin për shkatërrimin e bazave të Luftës Nacional Çlirimtare, shtëpitë e vëllezërve: Aqif, Sali, Qamil e Neim Hoxhës. Iu vunë zjarrin atyre, që t’i digjnin të gjallë brenda në shtëpi, gratë dhe fëmijët. Në 3 Qershor të vitit 1944 në fshatin Shushicë kapet nga forcat naziste dhe pushkatohet korrieri i batalioneve të Dumresë, Shpatit dhe Vërçë-Sulovës, Qamil Hoxha. Tre ditë më vonë edhe Sali Hoxha do të vritej te ura e Shkumbinit në Elbasan nga bambardimet e aeroplanëve.

Më 6 qershor 1944 në lartësitë shkëmbore, në  fshatrat Qafë-Dragot - Topojan u zhvilluan luftime midis çetës së komandës së vendit Mollas dhe një kompanie të batalionit Vërçë-Sulovë me forcat  naziste, të ndihmuar nga ballistët. Forcat e pakta partizane dhe të çetës territoriale luftuan disa orë dhe u tërhoqën. Gjatë këtyre luftimeve vritet partizani Afuz Berbiu nga fshati Shelcan i Shpatit. Me të arritur në fshatra, forcat naziste gjermane nisën furishëm kontrollet, bastisjet dhe djegien e disa shtëpive. Nazistët gjermanë kryen edhe një masakër tjetër;  vrasjen e tre djemve nga fshati Topojan, dy vëllezërit: Selim e Sulejman Hoxha dhe  kushuririn e tyre, Minçe Hoxha, mbështetës dhe pjesëtarë të njësitit vullnetar të fshatit. I pushkatuan në malin e Kukucovës, në shenjë hakmarrje dhe ndëshkimi për rezistencën dhe mbështetjen e tyre ndaj Luftës Nacional Çlirimtare. Disa burra i morën me vete dhe vazhduan luftimet. Cene Shabanin e internuan në kampet naziste shfarosëse naziste në Luftën e Dytë Botërore në Gjermani e Austri, i cili së bashku me mjaft të tjerë shqiptarë të pafajshëm provoi kalvarin e gjatë të tmerreve e torturave ç`njerëzore. Në sketerrën e këtyre kampeve, Cene Shabani, kaloi mbi një vit të jetës së tij, ku mijra e qindra mijra u torturuan, vdiqën, u shfarosën. Me shpirt nëpër dhëmb Cene Shabani u përpoq të përballonte jetën e vështirë. Puna si skllav, trajtimi çnjerzor e kthyen në një njeri të shpërfytyruar. Kushedi sa herë do ta shikonte vdekjen me sy, kur pushkatoheshin para tij. I deklaruar i zhdukur, duke qënë se ishte kohë lufte i mbijetoi shfarosjes. Më 9 maj 1945 bashkë me kapitullimin e gjermanisë naziste do të fitonte lirinë e shumëpritur dhe ditë më vonë do te kthehej në Atdhe, ndryshe nga fati i mijra të tjerëve dhe qindra shqiptarëve, që u shfarosën në kampet famëkeqe.

Batalioni III i Brigadës I Sulmuese i bëri një qëndresë të fortë  forcave gjermano-balliste në kalanë e Irmajt (Rëmonjës) në Sulovë të Sipërme dhe pas një luftimi të gjatë disa ditor i thyen. Pas këtij dështimi, forcat naziste, pasi lanë edhe shumë të vrarë e të plagosur ia mbathën këmbëve drejt garnizonit të tyre në fshatin Gostimë të Elbasanit.

Ngjarje tjetër e rëndësishme e luftës në krhinën e  Sulovës është edhe ajo në 28 korrik 1944. U zhvilluan luftime të ndryshme në lartësinë e kodrave të fshatrave: Floq, Banjë dhe Qafë, midis forcave balliste të komanduara nga Xhaferr Bali, Riza Kishta, Hajdar Xhika me një kompani partizane të batalionit Vërçë-Sulovë. Në këtë përleshje plagoset komandanti i kompanisë së II, Shefqet Guzi nga Brashtani i Gramshit. Kur kishte marrë fund beteja, ndodhi një episod që duhet të tregohet. Ja çfarë tregonte komandanti i batalionit partizan të Vërçë- Sulovës, Kadri Musai: “Ballistët e kapin të gjallë partizanin e plagosur dhe e torturojnë në mënyrë ç`njerëzore. Pas këtyre torturave me urdhër të kriminelit Zyber Xhika, partizani vritet nga bedeli Shamet Kumria. Ky vend edhe sot quhet Varri i Partizanit. Partizanët nuk e falën këtë akt barbar e poshtërues. E kapën spiunin dhe vrasësin e Shefqet Guzit të fshehur tek një mik. Nga shtabi i batalionit Vërçë- Sulovë i behet gjyqi partizan dhe pushkatohet brenda ditës”.

Kjo ngjarje shënoi edhe fundin e luftimeve ndërmjet forcave armike dhe çlirimtare në krahinën e Sulovës. Jeta filloi e lirë pavarsisht se donte muaj të çlirohej Shqipëria.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora