E shtune, 20.04.2024, 02:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Dramaciteti lirik

E hene, 21.07.2014, 07:07 PM


Dramaciteti lirik dhe natyraliteti ekzistencial – dukuri e romanit të ri shqiptar

( Refleksione rreth romanit “Të dashurosh me ferrin e ëndërrave” të autorit Ylli Toska)

“Gjëja më e vështirë në botë është të shkruash një prozë të sinqertë e të ndershme për qëniet njerëzore.” Ernest Heminguej

Nga Vladimir Muça

1. Një roman me qëllime të ndershme për qëniet njerëzore.

Kur mora librin romanesk “ Të dashurosh me ferrin e ëndërrave “, të romancierit të ri Ylli Toska , në rekurs me përmbajtësinë metaforike të ballinës, m’u përqas brenda mureve të këtij libri një ndeshje gladiadorike shpirtërore. Por sapo shpalosa fletët e këtij produkti liriko – erotik,  vura re se ndërtimi i tekstit kishte një rrjedhëshmëri rrëfimtare, kish një joshje, fiksion, kish më shumë adrenalinë në lirizmin romanesk.

Zhvillimi në maksima e intrigës dhe krijimi i një cikloni ndjenjash e një harmonizim me papajtueshmërinë është thagma e gjithë dramacitetit lirik të romanit.

Nga kapitulli në kapitull, bindesh se nëpër renditjen e fjalive ka diçka e cila me magji, si me mister,e cila gjer më tani nuk është thënë kaq instituticionalisht, nuk është thënë kaq bindshëm, kaq preras,  si me “sëpatën e dardharit “. Aq më shumë që në shoqërinë tonë një temë e tillë është tabu për romanin e mirfilltë erotiko – psiko – analitik, ku thurja e tekstit, mbrujtur me element biografikë, me të vërteta jetësore,ka nëntekstin e vet të një racionaliteti të pritshëm shoqëror.

Rrëfimi në vetën e tretë, duke “ vjedhur” e mbartur tek personazhet këto elementë të reales ekzistenciale e natyraliste i mbart ato tek e magjishmja, fantazistja e vetë autorit. Romani dallohet për një subjekt qëndërzues, në krijimin e bërthamës së shoqërisë; që është krijimi i familjes të re me protonizëm dhe emotive të barazpeshuar. Gjithçka stiset në ndërtimin kompozicional të mirëstrukturuar.

Autori përmes projektimit kinematik e fut lexuesin në përjetimin e ngjarjeve të një lirizmi erotiko – dramatik   shekspirian duke e ngritur rrëfimin në nivelet  e pasazheve poetike,duke zbuluar që në kapitullin e parë skajshmërinë e fabulës rrëfimtare.

Ngjarjet zhvillohen : “ Në një qytet ku qënie kishte me tepri dhe njerëz kishte fare pak, ndaj çiltërsinë në komunikim dhe të qenit njeri e quante një lloj sfide për të mbijetuar.”

Që në këtë pasazh mirëpërcaktohet , që në hyrje, çfarë do të na serviret me artin e të shkruarit nga Ylli Toska.

Autori jo pa qëllim nxjerr në plan të parë faktorët kryesorë në krijimin e lidhjeve bashkëjetuese pa mentalitete, pa tabutë e bëra rit në krijimin e mardhënieve ndërmjet familjarëve të rinj.

Nga kjo luftë e të kundërtave ndjenjësore del në pah dhe arti narrativ në mënyrën më të kulluar, të një lirizmi shpirtëror tragjik.

Edhe unë në statusin e studjuesit jo më kot e vura fjalinë urtake të Heminguejit në krye të këtyre refleksioneve , sepse i tillë m’u përqas romani i Ylli Toskës, një prozë e sinqertë, por edhe abrazive, por me qëllime të ndershme për qeniet njerëzore.

Ajo lexohet thjeshtësisht si e tillë, si një rrëfimtari natyraliste, me të gjithë përmasat e një bote sa të dukshme e të padukshme të shpirtit njerëzor.

Në këtë prozë romaneske, i katërti produkt letrar i formatuar në materie librare nga Ylli Toska, vjen në përgjithësi si reflektim i jetës së tij, duke ngopur narracionin me ato elementë biografikë të cilët janë bërë pjesë e pandarë e jetësimit.

Po ta studjosh me vëmëndje romanin, personazhet mund të identifikohen me njerëzit që ka takuar në jetë e ka pirë një buranë të tërë me kapuçino; ndaj dhe proza vjen e këndëshme, realisto – ekzistencialiste, shpesh herë me natyrë të thekur natyraliste.

Ky natyralitet  vjen këndshëm nëpërmjet alkimisë së fjalëve aq mirë të përpunuara nga autori e të korektuara me profesionalizëm nga Beti Njuma. Por njëherazi,  kjo alkimi,  vjen edhe si alkimi shpirtërore e cila e shndron gjithçka në bukuri hyjnore, por dhe në manifestimet më të ulta të poshtërsisë, të një mjerimi njerëzor, sa shpirtëror aq dhe fizik.

Gjithçka vjen si një rezonancë në konceptin dialektik të vetëdijes, substanciales shoqërore dhe kundrështive të ndërgjegjes.

Në planin strukturor si dhe nga shumia e mesazheve që përcjell romani, ai më ngjan me lloin e romanit modern me nocione të prozatorizmit lirik-realist – ekzistencial, lëvruar me shumë sukses pas viteve …90. Lirëshmëria që përfton ky lloj romani nga një trajtim i tillë si dhe kapaciteti stilistik bën siç thotë Luis Borges në një sentenceë të tij: “Tashmë nuk i ngjet letërsia jetës, por jeta i ngjet letërsisë.”

 

2.Konturimi i karaktereve të personazheve me integrime të mirëpërcaktuara.

 

Romani duke përftuar kapacitetet e jetës së sotme ka përftuar strukturën e një moderniteti me më shumë se dy linja zhvëllimore, ku intriga zhvillohet në mënyrë permanente në volume fabulore,ku mesaxhet dhe idetë janë në përmasa jetësore.

Në linjën dashurore ( liriko – erotike ) , si karrexhiatë e romanit,filmëzohen përjetime nga më të ndryshmet, në kohë e moment përjetësuese ndaj njera tjetrës, herë- herë dhe    papajtueshmëri.

Në këtë ecuri narracioni thjeshtazi ndërlidh lirshëm duke kaluar nga një situatë jetësore në një tjetër, nën trysninë e agravimit të ndjenjave. Sado që ndjenjat hera – herës , bashkëjetojnë edhe në papajtueshmëri, si në statusin vetjak por edhe në atë shoqëror e familjar,si në planin  moral dhe filozofik, çdo gjë funksionon  në mënyrë të njehsuar nën po të njejtën trysni.

Me labirintet rrëfimore,  autori gjen shtigje dhe hapësira për të na futur në kopshte të brishta shpirtërore, realizon rritjen e gradientit të papajtueshmërisë e cila është sureale dhe i përket gjithësive,po aq shpërfytërohet në aspektin social nga mentaliteti arkaik e brutaliteti i absurdit.

Në transparencën e dashurisë liriko – dramatike autori nëpërmjet  Edisonit i përgjigjet  “ Diku kishte lexuar se jeta është lumturi që duhet shijuar, një pasuri që duhet ruajtur, një kënaqësi që duhej merituar; një sfidë me të cilën duhej ballafaquar.”

Një amalgamë që përmbledh në vet -  vete  gjithçka për të cilën autori është sakrifikuar (shpirtërisht) dhe e ka hedhur me përkushtim në materie librare jetën e tij dhe atë ç’ka vëzhguar e perceptuar nga jeta e të tjerëve.

Ky diversitet moralo – shpirtëror, kjo lakushmëri tek lexuesi krijon ndjesi të thella, hone mendimore, duke e përballur me një botë zhgënjyese, ku racionalja dhe iracionalja e dëshirueshme, qëndërzohen në kaskadat shpirtërore e mendimore për një bing – beng, në përballje me ngërçin shoqëror,  në krijimin e një statusi të ri shoqëror,në familjen shqiptare.

Zgjidhjen e këtij ngërçi, autori e jetëson në përballje me realitetin e luftës pa kompromis me mentalitetin arkaik.

Autori, me thellësi mendimi, këtë përballje e koncepton me sentencat shoqëruese se: “ Për të e rëndësishme në mardhëniet me femrat kishte qenë reciprociteti, korrektesa, mosabuzimi në besimin e njeri tjetrit dhe  mirëkuptimi”, gjë të cilën në konceptin letrar përbëjnë “preambulën” e një jete shoqërore brenda kornizave të domosdoshme të një kodi të pashkruar.

Teksa lexon këto përqasje edhe didaktike, të natyralizuara në një narracion lirik, të tekstualizuara  me një psiko- terapeutikë të Edisonit – Vilmës – Olmës dhe mama Valit, në titrat e mendjes ravijëzohet koncepti tipik i Dostojevskit; “ Nuk ka asgjë më fantastike se sa realiteti.”, një përafërsi kjo, siameze me mendimin estetik të Heminguejit dhe të Luis Borgesit.

Në këtë proces sa delikat aq dhe parësor në shoqërinë e sotme, ku me përmbjatësinë e tij, në-përmjet konturimit të karaktereve të personazheve, autori me maksima të mirëstudjuara , promovon intrigime të mirëpërcaktuara si  një magjistrale nga ku lëvrijnë mendimet ku:”…sa e madhe ishte streha e mirëkuptimit dhe e ngrohtësisë që kishin për njeri tjetrin, po aq e madhe është mëria e zonjës Valentinë ( Nënë Valit V.M.),”  ku autori evidenton gjatë gjithë linjës rrëfimore si një nga aspektet më negative të ndërfutjes të prindërve  në mardhëniet e të rinjve në ngitjen e çerdhes së re familjare si prerogativë me efekt shumë shkatërrimtar.

Duke e marrë primare këtë linjë të zhvillimit të intrigës autori përballet që në kapitullin e parë , si një sprovë “nxemjeje” për gjithçka të “ egër” që do të zhvillohet më pas, si një rrugnajë e domosdoshme për krijimin e një bashkimi familjar me parime e norma shoqërore në një hap e sens me rendin kohor.

Siç sintetizon autori në dialogun e Tanit me Edisonin ku : “ Shoh shumë femra sot që mendojnë vetëm të gjejnë një burrë, të martohen dhe jo shokun e jetës, njeriun që dashurojnë me të vërtetë.”

Në të kundërt Edisoni dhe Ola,qëmton autori, “do jenë si brigjet e një lumi që s’do të takohen kurrë.” - siç definon Skënder Temali në novelën  ( romanin V.M.) “Stina e divorceve”.

Në konceptin dashuror  të Edisonit kjo s’duhet të ndodhë sepse autori e armatos me karakter personazhin e tij me thënien  urtake të Alfred De Myset, i cili na mëson : “Të dashurosh do të thotë të japësh jetë e shpirt.”

 

3.Forca e ringjalljes dhe vrasjes së dashurisë.

 

Ylli Toska si  një “i përndjekur i dashurisë” me artin  e të rrëfyerit na jep forcën e fuqishme të dashurisë në ndezjen e ndjenjave njerëzore; por  njëkohësisht me argumentimin psiko – analitik na tregon qartazi se ajo edhe mund të vritet.

Në këtë kontekst, si kontravers i një mbarshtrimi dashuror me argument psiko – sociale autori evidenton shkaqet thelbësore që çojnë në vrasjen e dashurisë ndërmjet Edisonit – Vilmës dhe Edisonit – Olsës më pas.

Në këto artikulime  Vilma në një moment kthjelltësie me një psiko - analizë që i bën mardhënieve proklamon shpirtërisht: “ Isha unë ( Vilma V. M. ) ajo që shkula zemrën e nënës dhe e flaka tej atë  ( kreu aktin e abortit ). Jam unë ajo që vazhdimin e jetës pas këtij makrabiteti e quaj gjënë më të pavend e më të pavlerë.”

Në këtë aspekt të gjërë me parabola të mirëpërcaktuara, Ylli evidenton:se janë tradhëtia apo pabesia, prishja e unitettit ndjenjësor, bashkëpunimi me njeri tjertin, mosrespektimi i caqeve të lirisë të njeri – tjetrit, rrëmbimi emocional, përshpejtimi i ndjenjës me maninë për të jetuar e shijuar momentin. Shto si paranojë gjykimore kapjen pas mentalitetit arkaik dhe absurditetit  në gjykimin social nga komuniteti.

Të gjitha këto, çojnë domosdo në animin e gjykimtarisë në aspektin publik, i cili është gjithnjë më volumtarist se ai i shpirtëror në kohën krono se sa koha substanciale.

Kjo ndodh, evidenton autori, kur dashuria ka në themel vetëm pasionet e çastit, duke larguar tek të rinjtë emocionet e shenjtëruara. Në këtë aspekt dashuria e sinqertë shpirtërore vritet lehtaz dhe nga huqet, ndasitë në prioritetin e vlerave jetësore jo të njëllojta.

Ajo që mban flamurin në gjithë këtë përballje të dashurisë , për triumfin   e saj në zhvillimin e shoqërisë dy janë që i bien si gijotinë mbi krye dashurisë:

Mentaliteti arkaik dhe absurdi në gjykimin social – komunitar.

Ndaj dhe në libër në këtë aspekt, dalin dhe vlertat më kryesore në krijimin e personazhit kryesor, Edisonit, Vilmës, Olës, me tiparet nga më karakteristikë jo vetëm në përfaqësimin prototip por dhe si përgjithësues .

Këto tipare të përqasjes artistike lidhen dhe me faktin se personazhi kryesor mishëron në vetvete disa cilësi që janë karakteristika të zhvillimit kohor të shoqërisë; janë koha substanciale e cila luan një rol të rendësishëm në portretiziimin individual e përgjithësues.

Ndaj në prizmin artistik romani “ Të dashurosh me ferrin e ëndrrave “ përshkohet nga parabola e sinekdodave si mjet i përfaqësimit të përgjithshmes përmes të veçantës, sepse ajo: “ Ishte ndjenja që nuk duhet të përjashtonte asnjë nga gjallesat, pasi është prova e vetme që vertëton se njerëzimi jeton, zhvillohet e merr vlerat vetëm në saj të dashurisë.”

Qytetaria dhe personaliteti i njeriut  janë dy dominancat ideore dhe kuptimore për të cilën i është servirur ky roman lexuesit.

Trajtimin e dashurisë dhe të personalitetit të njeriut , autori i realizon në bashkësi me proçesin frojdist të psiko – analizës, në konceptin Jung e Lakan në letrarizimin e këtyre koncepteve nëpërmjet kaleidoskopit balaidik i cili vjen vetiu si shoqërues , si produkt i zhvillimit shoqëror.

Debati prind – fëmijë vjen si funksion i një protonizmi katalitik i cili i ndryshon dukshëm gjëndjet shpirtërore. Funksionaliteti gjithëpërfshirës i dashurisë në sensin moral e shoqëror, në gjithë linjën romaneske, ndjehet i pranishëm me cilësinë e një gjeneratori që rrit cilësinë e jetës shpirtërore dhe fizike, është një dukuri thelbësore në roman sepse: “…nëse kish një gjë tek e cila nuk dyshonte qe dashuria reciproke që i lidhte bashkë” nga që “ Komunikimi në distancë bëhej me sy, ku ish e pamundur të mos lexohej gjurmë lumturie.”

Duke shmangur trajtimin e njëanshëm narrativ, autori me argument bindës i jep aspektet e së bukurës, duke mos i ndarë nga njera tjetra. Ai na jep një lirizëm prozadorik – erotik ngritur në kapriatat e nocioneve balaidike me rroben e re të modernitetit.

Adoleshenca ndjenjësore e mendimeve dhe kur vjen si produkt i momentit, ajo piqet në gjykimtari nëpërmjet këtyre nocioneve duke ardhur si një psiko – analize dhe e një psiko – terapie në trajtimin shoqëror.

Këto nocione balaidike , me mjeshtri , autori i realizon bukur me botën e përtejme të ferrit të ëndrrave” si një supermetaforë e një personaliteti të dytësuar ose siç thotë Ylli, i një “upermeni” i një bote surreale. Gjithçka noton në dallgët e një bote magjistrale, i një bote të subkoshienës më të lumturuar njerëzore e cila shqisohet nga një shqisë e gjashtë e Druzila Tanzit si tek “Sepiet” e Eugenio Montales.

Në këtë kontekst unë gjej një paralele në këtë trekëndësh, me referenca në hapësirë e kohë nga Zhan Pol Sartrë dhe Stefan Cvajg në letrarizimin filozofik. Kjo ndodh për vetë faktin sepse njerëzimi ecën e bubrron në jetë me dy forma kohore:

Me kohën krono dhe kohën e zhvillimit substancial. Koha krono që përfaqësohet me linearitetin e saj gjer në të tashmen me shekullin e njëzet e një që ecën si në një perpetum – mobile, në një pambarimësi, ndërsa koha substanciale që ka të bëjë me shkallën e zhvillimit substancial të njeriut, me atë ç’ka don të trajtojë në themel ky roman.

Janë këto mentalitete të rëndomta dhe absurd që frenojnë kohën substanciale duke e mbajtur përtej kronos të shekullit të njëzetë, duke impostuar jo vetëm mardhëniet shoqërore e raportet ndërfamiljare, por edhe dashurinë me hyjnitetin e saj. Në këtë zhvëllimore kohore krijohet dhe dypersonaliteti i cili tundohet sa në një anë në tjetrën.

Në dyluftimin e dy personaliteteve hija e dyshimit rri në mendje si  një”gur pendimi” duke trysnuar haluçinacionet me tagrin argumentues mbi dritëhijet e së vërtetave dashurore. Hera – herës, nënvizon autori , të dashurosh një grua me fuqinë e shpirtit, sidomos kur je dhe me një angazhim familjar është si të jetosh në një botë apokaliptike shpirtërore( përtej një ferri ëndërrash) ku gjithçka mund ta shndrojë në pak kohë thellësisht dhe statusin shoqëror.

 

4.Magjistrimi dhe imazheria si dukuri artistike të mirëfillta

 

Magjistrimi është një dukuri themelore e romanit në përafërsi me realitetin e përjetuar, trashëguar si dukuri e romanit modern nga brezi i prozatoërve të realizmit magjik. Një rol të rendësishëm në këtë aspekt luan  loja me nocionet spirituale të miteve dhe legjendave të sjella nëpërmjet urtësisë popullore, në kondicion me fantazinë, me magjistrimin prozaik në kapitullin e dytë ku: “ … bashkë me mjegullën që dilte nga një gjysëm dritare e hapur, ishte davaritur dhe tymnaja që kishte lënë pas ajo femër që nuk kishte në plan t’i jepte kujtdo shkas për t’a bërë objekt gjuetie.”

Kjo vjen si një veçori e romanit në kontekstin e traditës. Edhe imazheria , si dukuri artistike e mirëfilltë në këtë roman, plotëson ato nocione spirituale në sensin erotik përbëjnë një aliazh të përveçëm  të racionales dhe iracionales.

Në konceptin froidist këto vinë si e njejta gjë,por si një materie e tjetërsuar. Vjen e shpirtëzuar  duke mbushur boshësitë e “Kështjellës “ së Kafkës dhe kështjellës së dashurisë të njeriut për njeriun, në kontekstin lirik si mbinjeri, si hyjnitet.

Si rezultat i një magjistrimi të tillë me parabola të mirëgjetura, materializimi i ndjenjave , konceptimeve në një institucion shkrimor siç është libri, vjen si kontributi më i çmuar që një krijues jep në kuadrin shoqëror për njerëzimin.

Këtë Ylli Toska e ka bërë me shumë kthjelltësi me romanin “ Të dashurosh me ferrin e ëndrrave”. Çdo gjë vjen si një epistolate jo vetëm për brezat e tashmë  por dhe ata që do të vinë.

Megjithëse normat e parimet e reja promovohen nga kapitulli i parë gjer në të pestin me inovacionin e një mashkulli ( Edisonit, Tonit, Orminit ) në qenien time, çdo gjë erdhi natyrshëm , si një analizë e lëvizjes feminile dhe i një lufte pa kompromis për të vendosur lidhje të qëndrueshme, në një familje të re.

Romani vjen si një mesazhier për të gjithë ato vajza dhe gra tëë cilat duhen të paisen me guximin për të ecur në rrugnajën që hap ky libër, për të gjithë ata që dinë e kanë guximin të pranojnë realitetin e një bote , substancën e sotme, lëvizjen e sotme feminile, trajtuar aq besnikërisht në real – ekzistencializëm.

Luftë e luftë e papajtueshme për një prosperitet të ri sepse siç thotë dhe Bertold Breht:

“Morali ynë krijohet nga nevojat e luftës sonë.”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora