E premte, 19.04.2024, 04:48 AM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Disa sjellje shqiptarësh në timon...

E diele, 20.07.2014, 09:51 PM


Disa sjellje shqiptarësh në timon...

Nga Entela Binjaku

I nxehti i verës ka nisur me kohë. Në bregdetin  shqiptar  kanë filluar të duken pushues nga brenda vendit dhe nga diaspora.   Po ashtu edhe  të huaj që vizitojnë Shqipërinë këtë kohë nuk mungojnë. Me ardhjen e verës në vend shtohen  dukshëm edhe makinat.

Para disa ditësh në qendër të Tiranës një grup i madh turistësh rreth 20 apo 30 vetë, burra e gra, të moshuar strukeshin pranë njeri-tjetrit në urën mbi Lanë. Makinat  bri tyre ecnin si të çmendura dhe ata dukeshin  të trembur.  Këta njerëz    do të numërohen në “milionat” e turistëve që kanë vizituar vendin tonë  rrinin ashtu të ngjeshur  në pritje që makinat t’u lejonin kalimin në vizat e bardha.

Për  qytetarët që jetojnë në kryeqytet, pështjellimet që krijon trafiku  dhe lëvizja me makinë brenda qytetit si  dhe  (ç)rregullat e ecjes me automjet  janë  të zakonshme. Po aq i zakonshëm është edhe ankthi që  krijojnë makinat  për drejtuesit e të cilave këmbësori nuk ka ndonjëherë përparësi, pavarësisht se si e “kanë mësuar”  kur janë pajisur me leje drejtimi.

Makina është  një nga risitë e këtyre viteve ndryshime në jetën e qytetarit shqiptar. Nëse deri para viteve ‘90 “ecja me makinë” ishte një shprehje që mungonte në fjalor,   ose ishte ekskluzivitet  i një pakice,  pas këtij kufiri historik vitesh, makina hyri me shpejtësi si koncept i cilësisë së jetës , komoditetit  dhe mundësisë së zhvendosjes. Në vitet e para pas ‘90 më shumë prej paragjykimit sesa prej admirimit,  numri më i madh i makinave që hynë në jetën e shqiptarëve ishte “Mercedes Benz” ose “Benxi” siç thoshin zakonisht.   Thoshin se”ishin makina të forta” dhe  “se këto bënin për rrugët tona”  e nisur nga gjendja skandaloze e rrugëve të asaj kohe, ky pohim dukej i drejtë. As sot rrugët  e Shqipërisë  nuk janë të standardeve në  Evropë, pavarësisht propagandës,  por kjo nuk ka penguar që larmia e makinave të gjallërohet dukshëm dhe “benxi” të hyjë në historikun e makinave të para në Shqipërinë e “kohës së re”.

Nga një dukuri që nuk dëgjohej e që nuk dihej  në ndodhte para ‘90, aksidentet automobilistike sot janë një problem serioz për shqiptarët ku makina është shndërruar në  mjetin  vdekjeprurës ose mjetin që ka gjymtuar shumë jetë. Thuajse çdo ditë  ka qytetarë    janë viktima  të aksidenteve rrugore si kur humbin jetën ashtu edhe kur  janë   “jashtë rrezikut për jetën”.

Herë për shkak të rrugëve “që  nuk quhen as rrrugë”,  herë për shkak të mungesës së sinjalistikës, herë për shkak të drejtimit tej shpejtësisë së lejuar  në makinë dhe prej saj,  janë lënduar shumë jetë shqiptarësh. Po ashtu herë për shkak ekspresivitetit të shprehur në timon, apo të drejtimit nën përdorimin e alkoolit, të papjekurisë që dikton mosha,  dëshirës për të treguar protagonizëm, herë si shfaqje e papërgjegjshmërisë,  shqiptarët që kanë humbur jetën apo kanë lënduar familjet me aksidentet e tyre, nuk janë të paktë. Këtyre situatave të zakonshme tashmë, verës  i shtohen edhe emigrantët të cilët herë të pamësuar me rrugët e Shqipërisë, herë të paambjentuar me shqiptarët e tjerë në timon, herë të ndjerë të “lirë” nga mungesa e rregullit dhe e ndëshkimit në këtë vend, i shtojnë radhët e të dëmtuarve nga makinat dhe prej tyre.

Natyrisht numri më i lartë i makinave gjendet    kryeqytet.  Nuk ka një njeri që jeton  apo viziton Tiranën  që nuk i bie në sy mënyra sesi drejtojnë makinën shqiptarët, ku  i shkathti është ai që jua hedh të tjerëve,  i zoti është ai që nuk respekton asnjë radhë apo rregull, apo ku ai që ndjek rregullat rrezikon të mbetet “në fund të rreshtit”, ndërkohë që ai që pret  në radhë “është  i  humbur fare”.  Edhe pse e dinë se këmbësorët kanë përparësi, ky është një rregull që e gjen aq rrallë sa,   këmbësorët  bëjnë mirë të mendojnë vetë për kokën e tyre, nëse nuk duan të mbeten spitaleve.

Të ecësh me makinë në Tiranë  shndërrohet më së shumti në një ankth ku më shpejt duhet të mendosh sa kohë do të humbësh në trafik, a do të arrish në kohë në destinacion, dhe në rast se ke pasur fatin të gjesh një vendparkim, do të qëndrosh me ankthin se mos ja ke zënë vendin dikujt që do të shfaqet  nga çasti në çast. Për të mos folur për disa që ecin me shpejtësi të atillë saqë  pasi “të  prishin gjakun”  pas disa minutash “i takon” në semaforin e radhës.

Të ecësh me makinë në Tiranë  është bërë pjesë edhe e  psikozës së shqiptarëve të cilët  “marrin makinën edhe për të ecur 5 hapa”, një simptomë e varësisë për të cilën edhe një gazetë ndërkombëtare shkroi disa ditë më parë.  Po aq pjesë e psikozës është vendosja e rripit të sigurimit, një veprim që shqiptarët e paragjykojnë më së shumti si shprehje e “dobësisë” nga njëra anë  ose si shprehje e mendjemadhësisë nga ana tjetër, ose thjesht si një gjë e  parëndësishme. Po aq pjesë e psikozës së shqiptarit është dhe mbajtja e fëmijëve në vendin e pasagjerit ose në prehër të drejtuesit ku “prindi krenohet duke i mësuar fëmijës makinën”.

Shqiptarët që dalin në rrugë me makinë janë aktorë në rrugë  me gjithë mendësinë që kanë në kokë ku “tjetri”  vështirë të respektohet. Mjaft të shohësh sesi ecin natën dhe me çfarë dritash lëvizin zakonisht!

Vitin e kaluar një mik që  vizitoi Tiranën ndërsa nuk “harronte” të  vendoste rripin e sigurimit sapo hipte në makinë,  më tha se mënyra sesi i japin makinës tek ne  i  ngjante  me  një “videogame” ndërsa  trafiku ... “a concrete jungle”.

Sjelljet e shqiptarëve në timon nuk disiplinohen dot  vetëm nga policia edhe kur ajo “rri me bllok në dorë” apo kur përgatit një spot televiziv që paraqet dhunshëm  gjak.

Sjellja e shqiptarëve në timon duhet të kultivohet sëbashku me kulturën ligjore për respektimin e rregullave të qarkullimit, me respektin për jetën e tjetrit, me rritjen e ndjeshmërisë ndaj këmbësorëve, me durimin për të qëndruar në radhë, me respektin për detyrimet ndaj shtetit, me presionin qytetar për  të pasur rrugë “që të jenë rrugë” etj.

Vetëm me këtë kultivim të sjelljes qytetare  edhe në timon mund të pretendojmë që kryeqyteti të mos i  ngjajë një xhungle dhe drejtuesit e makinave në rrugët e tij  të mos duken si pjestarë të një loje aventurë,  videoje.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora