E enjte, 25.04.2024, 01:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Qerim Zogaj: Erërat e natës së largët

E premte, 18.07.2014, 06:40 PM


Qerim Zogaj

Erërat e natës së largët

Poezi

Biblioteka

“Rrapi”

Redaktor

Skënder Zogaj

Recensues

Nexhat Halimi

Salajdin Krasniqi

Realizimi kompjuterik

Berat Batiu

Fidani

Prizren, 2014

Parathënie nga Skënder Zogaj

Poezia është pasion shpirtëror spontan (i lindur) apo i kushtëzuar (i nxitur) nga kushtet dhe rrethanat e veçanta të cilat pikasin në jetën e njeriut dhe që e shtyjnë qenien emocionale për të reaguar e për të shfaqur ndjenjat e saja, dhe, kjo shfaqje është krijimtari artistike, sepse artikulohet si “prodhim” shpirtëror dhe quhet art. Kjo është karakteristika themelore e të krijuarit, që pastaj i shquan krijuesit sipas punës krijuese që bëjnë, llojit dhe veprat që krijojnë dhe sidomos sipas cilësisë artistike të veprave të tyre. Mirëpo, pavarësisht nga vlerat që janë krijuar dhe e përbëjnë universin artistik të përbotshëm, magjikja e artit është se, gjithmonë e gjithkund dhe nga kushdo e kushdo qoftë, përpjekja krijuese është e përvetëshme, e papërsëritshme dhe plotësisht e mëvetësishme, pavarësisht nga vokabulari i veprës së realizuar dhe i efektit të saj si vlerë në jetën e njerëzve. Dhe, meqë është kështu, atëherë, çdo përpjekje krijuese është veprim i shenjtë, siç edhe më të drejtë konsiderohet krijimtaria artistike.

2.

Qerim Zogajn tash e 4 dekada, është emër i pranishëm nëpër të gjitha revistat dhe gazetat shqipe me vargjet e tij poetike. Vjershat e tij janë mirëpritur nga rrethi i lexuesve më të pasionuar të poezisë shqipe në Kosovë, dhe është fakt që, ky emër pas vitit 1970 me vjershat e publikuara ka sinjalizuar daljen në skenë të një talenti që është llogaritur premtues. Ky konsideratë ka vazhduar me vite mirëpo, pos vjershave të herë pas hershme nëpër gazeta e revista nëpërmjet të cilave autori ka treguar se nuk ka hequr dorë nga poezia, ka munguar kurorëzimi i ndonjë vepre më të plotë, që ky autor të mund të hynte në letërsi si poet i mirëfilltë. Si Qerim Zogaj ka shumë në krijimtarinë poetike të Kosovës që me dekada shkruajnë dhe boton vargje poetike, por që nuk kanë dal me libra, prandaj, e dëshirueshmja është që, nga të këtillët te kemi në duar fondin e krijimeve të tyre, sepse, këta krijues paraqesin shtresën jashtëzakonisht të rëndësishme të krijimtarisë poetike, janë – shtresa e horasanit ndërmjet gurëve, pjesa ndërlidhëse e shtresave të muranës së kështjellës poetike shqipe, që ka funksion ndërlidhës, forcues, pasurues por edhe zbukurues të muranës.

Dëshmi konkrete është vëllimi poetik “Erërat e natës së largët”, i pari i autorit Qerim Zogaj, i cili me rreth 80 vjersha të seleksionuara me kujdes dhe të sistemuara në shtatë cikle, reflekton botën e tij poetike, emocionet dhe ndjenjat e qasjes së përkushtuar krijuese, ndaj fenomeneve dhe ngjarjeve jetësore të realitetit shqiptar të Kosovës, brenda harkut kohor prej 4 dekadash. Si e këtillë kjo vepër është njëfarë “ditari poetik” i autorit i cili artistikisht skicon autoportretin brenda botës që e rrethon, duke rrëfyer ngjarje e fenomene, zhvillime e përjetime dhe sidomos duke qenë këmbëngulës i zbërthimit të enigmës jetësore të ecjes në drejtimin e duhur: “Cila është rruga// Që duhet të kalohet// Deri te ti?” (fq.9). Kështu autori e hap ciklin e parë të librit “Udha e panjohur”, ku gjejmë analizën filozofike-politike për zbërthimin e së panjohurës: “Erërat e natës së largët // Sjellin aromë shkretëtire,// Buzëqeshja thërret agimin// Në shiun me diell... pres ardhjen tënde” (fq.11.) për të konstatuar të vërtetën jetësore që në vëmendjen e autorit është e fiksuar shkëlqyeshëm

 

“S’është e vërtet, nuk jemi kthyer,

Të pabesët e kanë zvogëluar njeriun.

Mëshirona , o Zot!

Jashtë këtij besimi është fundi i kohës.” (Fq.15)

 

Në ciklin e dytë “Ajo që vdes nuk është dashuri” kemi trajtimin e temave shoqërore në aspektin socio-filozofik, ku në mënyrë të veçantë theksohet parimi, si bazë themelore e poetit, që situatat dhe fenomenet i përkufizon dhe i vlerëson vetëm në relacion me dashurinë, sepse sepse është i bindur se kultit për gjithçka mund t’i afrohesh më drejtë, më saktë dhe më realisht vetëm përmes dashurisë:

 

“Shkallëve zbrita -

Deri në fund të shpirtit,

N’ shpalim ëndrrash të thyera

Për një shpirt tjetër

Në thellësinë e paprekur.” fq.  22

 

Kjo është udha e poetit që shtegton nëpër “Gjëmë e fjalë” dhe në heshtje lutet: “Për emrin tënd, o dritë hyjnore// Falma bekimin!”

Pason cikli “Stina e frymës së trëndafiltë” në të cilën shtrohet dimensioni i hapësirës dhe manifesti i ekzistencës njerëzore, që poeti thotë: “Se kisha menduar ndonjëherë// Se një ditë do të hapej një portë// Ashtu si mes yjesh në përrallë...” dhe pikërisht këtu e vendos dramën njerëzore të hyrjes në lojën e “lidhjes së trupit me diell” për mbetur besnik për “Kohën që sërish thërret// Njeriun e ëndrrës së vet.” duke u përpjekur që t’i kundërvihet lojës së errësirës së natës korb: (“...kurrë mos u harroftë//  Loja e asaj zezë dite...!)” fq. 43.

Në ciklin “Asgjë më i vërtetë se dyshimi” shfaqet drama e jetës së përditshme, mozaikun i përjetimeve të zakonshme por gjithënjerëzore, gjërat që duken të parëndësishme, por në fakt e dirigjojnë jetën. Autori e nis përsiatjen poetike me konstatimin se, dyshimi është më i vërteti, prandaj ndodh ngatërresa e kuptimeve, që janë e s’janë, varësisht nga dëshirat egoiste, absolute dhe heterogjene. Në këtë cikël veçohen vjershat: “Dyshimi”, “S’është ndryshe”, “Modelimi”, Darka e hijeve”, “Vjen e paftuar”, Një ditë me shi”, “Miqësia” etj.

Fëmijëria është një linjë tjetër tematike e librit që trajtohet të cikli “Shtëpia e fëmijërisë” ku dominon malli për të kaluarën jo shumë të largët por shumë të prekshme sepse, i përket kohës së lotit me “kallje për së gjalli” siç shprehet poeti, duke kujtuar kohën e egër të “hartës së zezë-ditës që përhapej nëpër katund” kur  familjet kaplohen nga ngricat e tmerrit të regjimit okupues që kërkon armët e fshehura askund. Është fjala për aksionin e grumbullimit të armëve nga renegati serb Rankoviç, në vitin 1956, kur poeti si fëmijë, e sheh, e ndjen me shpirt, mendje e me zemër “kmesën që kohës i rrinte mbi qafë!

Librin e përmbyllin dy cikle tjera: i pari që ka të bëjë me Kosovën e çliruar që feston pas shekujsh robërie dhe, i cikli tjetër me katër vjershat përkujtimore për 4 figura të dashura të poetit, që i përkujton me dashuri, por krahas dhembjes personale, poeti shpreh dhembjen artistike për fenomenin e vdekjes, si kategori filozofike, duke pikasur simbolikën e dhembjes atdhetare për dëshmorin e kombit, për artistin e kombit dhe për personin e familjes. Ky është vëllimi “Erërat e natës së largët”, që jemi të bindur se autorin do ta bëjë të mirëpritur në letërsinë shqipe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora