E premte, 19.04.2024, 04:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Trimëria dhe atdhedashuria

E premte, 18.07.2014, 08:01 PM


3. TRIMËRIA  DHE ATDHEDASHURIA

Esse nga Prof. dr. Resmi Osmani

Ninullat, përherë kanë qenë një çast i mëvetësishëm, ku nëna për përgjumjen e foshnjës, shpreh poetikisht edhe dëshirat sesi e do ajo fëmijën e saj në jetë kur ai të burrërohet apo vashërohet. Ndër ninullat, gjejmë si një shfaqje dëshire, që djali të bëhet trim, dhe për këtë sillen edhe shembujt me heronjtë se kujt djali duhet ti shëmbëllejë: Mu bëfç trim si Pirro-Burri/ dhe si Markua ka suli. Në një rast tjetër gjejmë këta vargje: De o hej, u bëfsh si dre/ posi trimi Skënderbe/Të keqen nana ta marça/U bëfsh trim si Ali pasha! Është për tu vënë në dukje se në binomin e  trimave, njeri është i përmasave kombëtare(Skënderbeu,Pirrua) ndërsa tjetri  i çamërisë(Marko Boçari, Ali Pasha i Janinës). Edhe për vajzën, dëshirohet që ajo të bëhet e mirë që: Do të rrit të të martoj./ Të të martoj me një trim,/gjithë të thonë “aferim”! Sërish del në relief trimëria.

Trimëria, si cilësi karakteri, si veti morale, krahas me forcën e vullnetit dhe mbajtjen e fjalës së dhënë dhe besës, si motiv shpirtëror shtytës për kryerjen e akteve heroike në përmbushjn e qëllimeve të larta, sidomos ato me karakter atdhetar, është ajo që në popull vlerësohet veçan të tjerave: Osman Taka o lule/ trimërinë zanat ke. Burrëria dhe trimëria , në Çamëri, janë thuajse sinonime të njera tjetrës dhe kriter vlerësimi për sjelljen dhe aktivitetin jetësor vetiak, por sidomos atë atdhetar. Kapedan Zejnel Husës I thuhet: Zejnel Husa, burrë i burrit.      Në periudhën e trazuar historike, në fillimet e shekullit të XIX deri në shpalljen e pavarësisë së cunguar, Çamëria, për mbrojtjen e trojeve amtare, ka nxjerë në luftë deri dhjetë mijë luftëtarë. Këta luftëtarë, edhe pse fjala “ushtar” ishte e njohur, quheshin thjesht Trima.Por trima nuk ishin vetëm djemtë e burrat çamë, ata janë nga e gjithë shqipëria.  Ja si thuhet në njerën nga këngët: Se ka trima shqipëtarë/ se ka labër e ka çamë/ mirditorë e kosovarë.

Në luftë, midis tyre dalloheshin për cilësi të veçanta dhe akte heroike kapedanë dhe persona të veçantë. Janë pikërisht këta që u këndohen këngë e përjetësohen me vargje në kujtesën historike. Keto këngë , që janë me qindra, për nga gjinia janë kryesisht të karakterit epik dhe baladesk. Në përfytyrimin popullor dhe të rapsodëve, trimat vishen me cilsi të veçanta, të pazakonta, shpesh edhe sureale e fantastike. Ja si karakterizohet kapedan Lul Çapari: Lul agai ja hipi atit,/çajti malet e Morfatit,/ Lul Agai ja hipi divit,/ çajti malet e Margëlliçit. Ose përfytyrimi për kapedan Muharrem Rushitin: Që shkon flakë e vetëtimë/mbi kalin me hingëllimë. Trimat dhe trimëria shprehen në mënyrë të figurshme. Trimat janë me yll në ballë:Marko Boçari me pallë/ shqipëtari me ill në ballë.  Ata quhen lule: Mashalla ç’trima i thanë, / gjithë me lule në ballë, / janë trima për vatanë, / e marrin plumbin në ballë! Janë zemër asllanë: Nëntë djelm zemër asllanë, ose: se ka djelm si asllani, / lufton labi e lufton çami. Trupi i tyre , në rastin e Fejzo Peltekut, është sa një kullë! Për shkathtësinë trimi quhet dre, skifter I malit.

Për trimat ka vlerësim të veçantë: Maksut Veliut i thuhet: hajde hajde, o Maksut, / trim si ti s’gjëndet gjakund. Trimi është i tillë, që s’lindet kurrë më një i tillë: Spatari një fshat me gurë,/Abedin s’lehet kurrë.  Trimat nuk e njohin frikën: Burra djelm, të hidhemi/ mos trembi se s’vritemi/ me pallë do pritemi/ me sfungji do grihemi. Ose: në Janinë lidhur e shpunë, Lulenë(Çaparin) që s’trembej kurrë. Por trime luftëtare dhe të patrembura janë edhe gratë:Ju moj çupa frarjote, / me martina si suliote, dhe: Ne vdesim pa frikë fare/jemi trime shqipëtare.

Veti tjetër e trimave është qëndresa, përballimi i vuajtjeve të luftës, i mungesave. Në luftën për Janinën që zgjati gjashtë muaj, ja çfarë thuhet në njerën nga këngët: Gjashtë muaj në istikam , / i pa kartë i paduhan , / bukë e faji s’të dhanë, / po luftën në këmbë e mban.

Trimat e rënë nderohen,ata asnjë herë nuk braktisen, por u çohen familjeve të tyre. Në njërën nga këngët, i vrari krahasohet me nusen: E sollën të vrarë, / kaluar si nuse. Për të vrarin, ashtu si edhe për nusen, zgjidhet një kalë i bardhë, i tillë ishte dhe kali që tërhiqte arabanë që shpie  të vdekur në shtëpi Riza Janinën, që ra në betejën e Llurit për mbrojtjen e Janinës më 1913.

Në pamjen tipologjike, këngët dhe baladat për të rënët, ndahen në tre degëzime. Në të treja, ka nuanca dallimore, mjeshtërore, ndarëse mezi të dukshme,  për vlerësimin e akteve trimërore, që lidhen me qëllimin apo kauzën për të cilën janë kryer.

Të parat u këndojnë personave , që kanë treguar trimëri në rastet e veçanta e të shumllojta të mosmarveshjeve të jetës: hasmëri, ngatërresa, sherre, zënka, për pronat, kullotat, çështje nderi etj. Në to, si rregull rrëfehet ngjarja dhe trimëria e të rënit, keqardhja për shuarjen e jetës dhe hidhërimi që u shkaktohet familjarëve. Si të thuash ato janë ditari i ndodhive me karakter shoqëror që çojnë në vdekje, në derdhje gjaku, por pa dobi shoqërore apo krahinore.

Nuk mbeten pa marrë njollën e turpit edhe ata që veprojnë tinëzisht e tradhëtisht, prapa pusive, apo bëhen vegël e të huajit. Turpi që ata bëjnë, nuk është vetëm I tyre,por edhe i familjes  dhe i fshatit, bile nganjëherë edhe i kazasë. Ja si thuhet në këngën e Çelo Mezanit: Di afije,di rrufjanë, / Hizra me Sako Budanë, / tërpëruan Vrahonanë, / Vrahonanë edhe kazanë , / Ç amërinë anë e mbanë.

Degëzimi i dytë, nis mesa duket, pas reformës së Tanzimatit. Janë balada të dhimbshme e të ndjera, me shumë art për djemtë çamë që u shuhet jeta në shkretëtirat e Arabisë duke lënë në zi nënat,gratë e motrat. Fryma elegjiake dhe keqardhëse, është një revoltë e brendshme për jetën e djemve që shkymet për interesat e pushtuesit të huaj. Këtë e ndjejnë dhe e shprehin edhe vetë ata që nisen nizamë: Dhe ne nizamtë e shkretë, / në Jemen shkojmë si qetë! Ata e dinë se për ta nuk ka kthim, prandaj : Babë taksirat e pate , / një djalë që keshe vate, / klani nana e klani motra, / dilni i përcillni ne porta. Ata janë të humbur, nuk kthehen më, pasi : tre sahat kaha xhehnemi, / aq afër ishtë Jemeni. Andaj jepet porosia: O baballarë të mjerë , / vështroni bëni të tjerë, / se ne jemi për dovlenë, / që kur mbërthiem dufeqnë.

Ndaj këtyre reformave, pati lëvizje kundërvënëse dhe kryengritje të armatosura të cilat pasqyrohen më së miri në folklor. Ka në to mllef, zëmëratë , por edhe mallkim ndaj personave të urryer vendës, ekzekutorë e zbatues që i shërbenin Portës së Lartë. Ja si kundërshton  dhe çfarë qëndrimi mban në një rast motra për të vëllanë: Seç i vate motra pranë, / -O xhaferr a sha vëllanë, / mos u dorëzo i gjallë, / po del malit me firarë, / se do të marrin nizamë, / në Jemen në Arapistanë. Një mallkim i fortë bie mbi Jemenin: O jemen a paç belanë , / e hëngre gjithë dunjanë, / na hëngre burrat tanë. Me urrejtje trajtohet edhe figura e Xhaferr Pashë Demit që zbatoi mobilizimin e nizamëve në Çamëri: Xhaferr dem tu mbilltë dera, / hoj me driza hoj me ferra, / Xhaferr Dem tu mbilltë porta , / klajnë nana e klajnë motra, / Xhaferr Dem të humbtë vula/ klajnë nusetë për burra.     Djemtë dhe burrat iknin me detyrim e dhunë.

Nizami nga largësitë lindore u drejtohet zogjve që ti shpien një letër: T’ia shpini të zezës nënë, / të më klajë natën me hënë ,/ t’ia shpini të  zezës grua, / të klajë krua më krua, / t’ia shpini të zezës motër, / të klajë kodër më kodër. Këto vargje me peshën e dhimbjes që mbartin, s’kanë nevojë për komente.

Degëzimi i tretë i kushtohet trimave që luftuan dhe ranë për atdhenë.

Pa dashur tu hy në pjesë historianëve, mendoj se ndjenja kombëtare , të qënët shqipëtar, si fillim i rilindjes kombëtare, në çamët është relativisht më e hershme se te pjesa tjetër e krahinave shqiptare të përfshira në vilajetet turke. Ndoshta ka ndikuar revolucioni i fqinjit jugor për pavarësi kombëtare, por më me ndikim duhet të ketë qenë Pashallëku i Janinës. Në fund të shekullit të XVIII dhe fillim të shekullit XIX, në ushtrinë e Vezirit, kishte ushtarë e oficerë nga të gjitha krahinat, Gegëria e Toskeria. Një ushtri ku flitej shqip. Aty çami i thjeshtë mësoi se populli shqipfolës, që I thotë nënës nënë dhe babës babë, bukës bukë dhe ujit ujë, që ishin të një gjaku e fare me të, shtrihej në një hapësirë shumë më të gjerë sesa komshinjtë krahinorë, nga Molla e Kuqe e Nishi deri në Prevezë. Kësisoj u ndërgjegjësua se Çamëria ishte pjesë e asaj që quhej Shqipëri, që përveçse vatan filloi të quhej edhe mëmëdhe dhe atdhe. U kuptua se fati i Çamërisë ishte I lidhur pazgjidhshmërisht me gjithë Shqipërinë.

Kjo ndjenjë, ky besim u formësua sidomos me  Lidhjen e Prizrenit dhe në luftërat që u bënë për ruajtjen e trojeve shqiptare nga lakmitë e fuqive të mëdha. Njësia kombëtare, ku Çamëria del si pjesë e së tërës dhe vdekja e trimave si një akt sublim, dhe se derdhja e gjakut bëhej për dashurinë ndaj atdheut,  gjendet në shumë këngë, të cilat hymnizojnë trimërinë dhe trimat e rënë. Është shprehje e një dhimbjeje mbarëkombëtare, por edhe krenarie për zotdalësit e vendit, gjaku i të cilëve derdhej për çimentimin e themeleve të kombit.

Shpesh, Çamëria është sinonim I shqipërisë: Shqipëri o ballëlarë/ kërkon Jorgua të të marrë. Por trimat e Çamërisë nuk jepen: Mblidhu mblidhu Çamëri, / me shtatë krale vritemi, / ne Junani s’jipemi.  Dhe më tej: Vatanit i duall zot, / e kishin bara me kokë. Sa për Shqipërinë, trimat shprehen: Shqipëri t’u paça falë/ të kam nanë e më ke djalë.

Ndjenja e njësisë dhe unitetit kombëtar është e theksuar dhe e shprehur qart, që në zanafillën e saj: Jemi ka gjaku  pellasg, / se lëshojmë këtë prak, / të vdesim na duket pak, / gjithë çamërit u ngrenë, / thonë”se duam Greqinë, / s’dahemi me Shqipërinë. Luftërat ishin të imponuara, çamët dhe shqiptarët ishin në të drejtën e tyre: Neve jemi shqipëtarë, /komb I vjetër, / komb I parë….Ne jemi në tokën tonë, / gjë të huaj s’lakëmojmë. Ndërkohë u jepet mesazhi fuqive të mëdha të kohës: le ta dijë gjithë Evropa, / nuku  bënemi copa-copa, / për serbër, grekër, bullgarë, / se ne jemi shqipëtarë, / komb i vjetër, komb i parë, / barutin me dhëmbë e hamë! Çamëria është krenare për burrat e saj, të së shkuarës dhe të së tashmes:….Po ne vatanin s’ia japmë(Greqisë), / se ne jemi shqipëtarë, / jemi biltë e Smail Beut, / të Pirros e Skënderbeut.

Në këngën”Seç e tunde Ergjërinë” në tridhjet vargje të ngjeshura e plumb të rënda, çuditërisht jepet me shumë qartësi platforma e Lidhjes së Prizrenit, të cilën Çamëria e përqafoi dhe i ngriti trimat në luftë, me moton “Ne bashkimi ishtë fuqia,/ ishtë e jona Shqipëria” për të arritur që: Autonomi për gjithë Shqipërinë, / Gegërinë e Toskërinë, / nga Tivari në Janinë, / Prevezë, Shkup e Prishtinë.

Me gjithë qëndresën, luftërat e pandërprera dhe gjakun që u derdh lumë për mbrojtjen e tokave jugshqiptare, diplomacia e fuqive të mëdha bëri atë padrejtësi historike që dihet,ja dha Çamërinë Greqisë. Çamëria mbeti e vetme në përpjekjet e saj, pa mbrojtje dhe pa përkrahje, prandaj në këngët e asaj kohe thuhet: Çamëria klan me lot, / me dufeq s’ia dalim dot. Fundi I dhimbshëm dihet, genocidi fashisto-zervist,  që nisi më 27 qershor 1944 në Paramithi, I cili është pasqyruar në këngën “Klani o shokë të klajmë”….Ju zervistë, ju barbarë, / ju nuk patët zemër fare, / burra të pafajshëm kurrë, / i vratë I shtiptë me gurë, / u vra djali u vra plaku/ sa u mbru balta ka gjaku ,/ u ther nana u ther foshnja….Vra me plumb e ther me kamë, / rrodhi gjaku anembanë, / lagu ledhet e mejdanë.

Këto vargje që kullojnë gjak, janë pjesë e kujtesës sonë historike dhe një thirrje e përhershme: mos e harroni Çamërinë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora