Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Me krijuesit letrarë në Kukës

| E merkure, 16.07.2014, 06:58 PM |


Një ditë takimi me krijuesit letrarë në Kukës (E shtunë, 05 korrik 2014)

LETËRSIA DO DHE KA NEVOJË PËR BASHKËPUNIM MË TË THELLË DHE CILËSOR...!

NGA SEJDI BERISHA

Përherë, që në rini, i kam qëndruar në distancë lëndimit të shpirtit dhe dinjitetit të të tjerëve. Kjo, edhe tani e tutje vazhdon të jetë si themel i një parimi që nuk më hiqet dot nga rrugëtimi im jetësor, dhe kujtoj se kjo gjithnjë, bile edhe në situatat më të rënda e të vështira më bën të lumtur dhe krenar. E shpeshherë mendoj se një gjë e tillë duhej dhe duhet t’i bëjë krenarë edhe të tjerët. Ndoshta, gjërat e tilla, mund t’i ngjajnë edhe ndonjë formule të shpëtimit dhe lirimit shpirtëror mbase edhe fizik, faktor i cili përbën pemëjetën e njeriut...!

Mirëpo, tash, përveç kësaj, po më duket se më grishë dhe thellë më godet mungesa e dashurisë dhe shkrirja në njëri-tjetrin për gjërat fundmentale, të cilat i ruajnë dhe në të njëjtën kohë i begatojnë vlerat shpirtërore dhe kulturore të njeriut dhe të kolektivitetit. Shkapërderdhja në këtë aspekt, është evidente bile edhe trishtuese dhe gati gati për disa gjëra edhe e pashpjegueshme. Konkretisht. Përmes vargut, përmes poezisë, përmes mendimit dhe shkrimit letrar, jo vetëm se mbrohet dhe shëndetshëm ecën letërsia dhe vlerat e saja, por mbrohet dhe afirmohet historia, lumturia, vuajtja, dhembja, tragjedia dhe krenaria e njeriut. Prandaj, sikur të ishin në trendin e shëndosh këta faktorë, njeriu, kombi ynë, por edhe popujt, do të ishin të lumtur, dhe kështu nuk do të kishin tepër histori dhe aq më tepër histori të ngatërruar...!

Andaj, në të gjitha fushat, pra edhe në letërsi dhe kulturë, ka nevojë për bashkëpunim cilësor, joformal, por nëse doni, për bashkëpunim me përgjegjësi por edhe për të ngritur vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin, nëse duam afirmim të njëmendtë dhe të shpejtë e respektativ. Besa, këta katalizatorë të veçantë të filozofisë së jetës, u nevojitën, por edhe krijuesit duhet të janë përgjegjës për kyçjen dhe trimërimin e afirmimin e gjeneratave krijuese që tani janë dhe që do vijnë!

___________________

Nuk ishte lehtë për ta “thyer” një tabu për të forcuar çdo gjë që historia e asaj kohe e kishte ndrydhur

Ndoshta të gjitha këto, por edhe dëshira e madhe për thellimin e bashkëpunimit krijues tanimë të shkrirë e të forcuar letrar në të gjitha trojet shqiptare e veçmas Kosovë – Shqipëri, ishte një ide që të vizitojmë sot edhe krijuesit në Kukës, dhe të zhvillojmë biseda e të shkëmbejmë mendime e ide për bashkëpunim, dhe për ta njohur sa më shumë të jetë e mundur krijimtarinë e njëri-tjetri. Sepse, këtë gjë vetëm e kishim arritur disa vite më parë me shumë sukses me Tropojën dhe krijuesit e atjeshëm, që pothuaj se ishim të parët që kishim bërë “shkrirjen” dhe rrënimin e kufirit artificial jo vetëm të kulturës kombëtare. Në këtë “lojë” ishin krijuesit nga Tropopja, Lulzim Logu, Gjon Neçaj dhe Asllan Osmani, pastaj, krijuesit nga Gjakova, Tahir Bezhani, Muharrem Kurti edhe unë nga Peja, autori i këtij shkrimi. Por, kësaj nisjative iu kishin bashkangjitur edhe shumë të tjerë. Mua, më kishin “marrë” më shumë se ua donte zemra dhe shpirti prezencën time...! Nuk ishte lehtë për ta “thyer” një tabu e cila kishte lëshuar përnjëherë, edhe rrënjët e “ftohjes”, por edhe rrënjët e etjes të kësaj pjese të kombit dhe atdheut për ta çmuar, njohur dhe vlerësuar më mirë dhe më detajisht çdo gjë shpirtërore dhe historike, që ishte “fjetur” e ndrydhur nga historia e asaj kohe.

Për të mos e zgjatur këtë rrëfim, tani Mitingu i Poezisë në Gjakovë dhe Ora Tradicionale Letrare në Bajram Curri, i ngjanë rrjedhës së një lumi me ujë të kulluar, që përshkon, ujitë e freskon çdo gjë që i takon historisë së vlerave shpirtërore të popullatës së kësaj ane, e që zëri i tyre krijues tanimë reciprokisht depërton, dëgjohet e afirmohet gjithandej këtyre trojeve, por edhe pothuaj se në çdo cep të trojeve shqiptare.

Pallati i Kulturës – Kukës

Dhe, vendosëm që Lulzim Logu nga Bajram Curri, Tahir Bezhani nga Gjakova dhe unë, Sejdi Berisha nga Peja, të takohemi në Gjakovë për të vazhduar rrugën për në Kukës. Ishte ditë vikendi, dhe kishim frikë se në Qafë Morinë, ku ende formalitet kufitare e bëjnë të veten, mos vonohemi. Por, kjo nuk ndodhi. Shumë shpejtë arritëm në qytetin e Kukësit, gjithnjë duke biseduar për kulturën, për vlerat, por edhe për jo vlerat, për teket e për shumë probleme që ende na shkaktojnë pengesë por edhe pezmatim të pashpjegueshëm.

Arritëm te Hotel “Amerika” dhe u ulëm për t’u freskuar me nga një kafe deri sa të vijnë edhe kolegët-shkrimtarë nga ky qytet. Të mos harroj, ne kishim marrë nga disa ekzemplar të veprave më të reja që i kemi botuar sivjet, për t’ua dhuruar shkrimtarëve kuksianë. Nuk ka vonuar, dhe në tarracën e freskët të këtij hoteli, i pari erdhi krijuesi, Lulzim Hajdari, por nuk vonoi dhe na u bashkëngjiten edhe kryetarja e letrarëve, znj. Vera Istrefaj dhe krijuesja-kritikja, znj. Lirije Mema.

Znj. Vera Istrefaj, Tahir Bezhani, Sejdi Berisha, znj. Lirije Mema dhe Besnik Istrefaj

Pasi “morëm” frymë pakëz, me shumë dashamirësi por edhe me devotshmëri filluam bisedat tona për qëllimin krijues, për vlerat letrare, për problemet, por para se gjithash, edhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe të këmbimit të përvojave, duke mos e harruar këtu edhe domosdonë e afirmimit të vlerave krijuese jo vetëm në nivel lokal, sepse, të gjithë u pajtuam se një gjë e tillë, tek ne pothuaj se tërësisht na mungon.

Në fillim të bisedës, i shkëmbyem veprat, dhe pastaj, krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani, i cili nga etja për të arritur sa më shumë suksese, i fillon bisedat me “temperaturë” serioziteti, iu drejtua znj. Vera Istrefaj për qëllimin e bisedës sonë. Tash, dashtë e pa dashtë, biseda e mori natyrshmërinë e vetë dhe të gjithë u kyçëm në bisedime që ishin, kujtoj, shumë konstruktive, të sinqerta dhe me peshë. Më vonë, bisedës sonë iu bashkëngjit edhe z. Besnik Istrefaj, bashkëshorti i znj. Vera, i cili, pas “urdhrit” të bashkëshortes së vetë, i solli disa nga veprat e Verës për të na i dhuruar, ne mysafirëve.

Uniteti krijues dhe bashkëpunimi i mirëfilltë - nevojë shpirtërore dhe intelektuale

Biseduam për thellimin e bashkëpunimit reciprok të Kukësit me Gjakovën, Pejën dhe me Bajram Currin, por edhe me qytete të tjera, gjithnjë me qëllim për ta begatuar letërsinë sonë, por edhe për ta njohur më mirë krijimtarinë e njëri-tjetrit, dhe po ashtu, për t’i afirmuar vlerat tona. Të gjitha këto, me kënaqësi shpirtërore konstatuam, se mund të arrihen me pjesëmarrjen reciproke në manifestime letrare, në promovime veprash, por edhe me hartimin dhe realizimin e programeve të përbashkëta të karakterit letrar. Shkas i këtyre bisedimeve, në mes tjerash ishte e “sëmundja” e unitetit, zilia që reflekton në naivitet intelektual por edhe për shumë gjëra të tjera, të cilat, në një apo në mënyrë tjetër e pengojnë dhe e ngufasin rrjedhën e suksesshme dhe të mirëfilltë krijuese.

Këmbimi i përvojave ka rëndësi në zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës (Lulzim Hajdari, znj. Lirije Mema, Lulzim Logu, Tahir Bezhani, znj. Vera Istrefaj dhe Besnik Istrefaj)

Në këtë kontekst, përmendem dhe theksuam shumë fakte, dukuri e besa edhe nëse mund të quhen kështu, “marri”, që janë ilet i keq por edhe qesharak tek një numër intelektualësh dhe krijuesish. Për ta afirmuar komplet, me të gjitha virtytet historike dhe kulturore njeriun tonë, kërkohet përgjegjësi jo vetëm morale por edhe shpirtërore.

Mirëpo, për të qenë sa më profesionale dhe frytdhënëse kjo bisedë, theksuam shumë të arritura, theksuam shumë krijues me nam kombëtar, theksuam dhe komentuam edhe krijimtarinë dhe emrat e Kadaresë, Qosjes, Agollit, Shkrelit, Din Mehmetit e shumë e shumë të tjerëve. Dhe, në fund i dhamë një “vulë” këtyre detyrave që nuk janë të lehta. Kryesorja, në Kukës e shtuam dhe e begatuam rrjedhën e bashkëpunimit, i cili ka marrë drejtim kah Shqipëria e mesme dhe kah jugu, kah Vlora, Elbasani, Saranda, Gjirokastra, edhe kah Korça...! Kjo na nevojitet, në mënyrë që letërsia kombëtare dhe afirmimi i saj të jetë e mishëruar dhe e pandarë, të jetë e afirmuar drejtë e pa teke...

Të mos harroj. Kur u nisa nga Peja, nga veprat e mia, për Bibliotekën e qytetit të Kukësit kisha ndarë si dhuratë tetëdhjetë(80) libra. Mirëpo, meqë ishte ditë e shtunë, biblioteka nuk punonte, por për të shkuar në vendin e destinuar këta libra të mi, pa fije përtese më ndihmoi, bashkëshorti i krijueses, znj. Vera Istrefaj, Besniku, i cili më premtoj që të mos merakosem për këtë, sepse, vetë të hënën, do t’i dorëzojë në bibliotekën e qytetit. Nga zemra iu falënderova...

 

Takim i ngrohtë krijuesish (Lulzim Logu, Sejdi Berisha, Petrit Palushi dhe Tahir Bezhani)

Ky është ai katalizatori i filozofisë së veçantë të jetës së vlerave letrare, të vlerave kulturore dhe shpirtërore... Vetëm kështu mund të qëndrohet... thanë të gjithë në këtë tryezë bisedimesh, e cila tryezë, figurativisht, ndoshta edhe ajo do t’i mbajë mend dhe do t’i rrëfej të gjitha këto që i zhvilluam...! Në këtë mënyrë, pothuaj se edhe përfundoi takimi me shkrimtarët e Kukësit, të cilët edhe na ofruan, mbase edhe shumë na lutën për drekë, por, dreka dhe ushqimi më i mirë për ne ishte kjo bisedë e begatë, e sinqertë dhe e shumë përzemërt!

Pasi u përshëndetem për t’u takuar sërish, ne, tani u takuam edhe me prozatorin, me romancierin e spikatur shqiptar nga Kukësi, z. Petrit Palushin, me krijuesin, i cili gjithnjë e ka në merak dhe synim bërjen e letërsisë së tanishme më ndryshe. Më ndryshe, sepse, edhe kohërat kanë ecur përpara, kurse lexuesi ynë është ngritur, por ka nevojë që edhe më shumë të ecën përpara me një letërsi që shprehë atë skofiaritetin por edhe “trishtimin” shpirtëror dhe opusin e gjerë të mendjes dhe të filozofisë së njeriut, që tani, ndoshta duhet të shkruhet e shprehet në atë mënyrë që lexuesi në vepër e me vepër të “shkarravitet” e palafitet ashtu siç do vetë, pa i dhënë përgjegjësi askujt, bile edhe as autorit-shkrimtarit...!

Nga një manifestim letrar në Kukës (14 dhjetor 2013)

Letërsia, liria e “trishtimit” shpirtëror dhe madhështia e shkrimit...!

Ishim të kujdesshëm që gjithnjë të qëndronim nën hijen e pishave, sepse, Petriti ka dëshirë që ndonjëherë të përqendrojë bisedën edhe në ato gjëra që ia rëndojnë jetën njeriut mbase edhe ia sjellin në pikëpyetje edhe ikjen nga kjo botë, e që ai asnjëherë dhe asnjë çast nuk ia ka frikën. Pikërisht edhe për këtë, është i lezetshëm në biseda, të cilat, gjithnjë i begaton me nevojën për krijimtari të angazhuar, të mirëfilltë, bashkëkohore dhe përherë me sensin e deskriptivitetit të krijimtarisë letrare, e cila, vetëm ajo ia krijon dhe cakton peshën e shprushjes shpirtërore një vepre letrare.

Në këtë kontekst, edhe pse bënte vapë, dhe pothuaj se nuk na ndihmonte shumë fresku i pishave, biseduam për gjithçka që është e nuk është letërsi, biseduam për emra të njohur, për pena me peshë që sikur janë harruar apo sikur nuk “kanë vend” në rrjedhat dhe rrugëtimin as të kombit dhe as të atdheut. Dhe, kjo është e dhembshme, jo për ata dhe familjet e tyre, sa është e dhembshme dhe trishtuese për letërsinë, për kulturën dhe historinë tonë...! E po, kur i dëgjoj të gjitha këto, mua më vritet mendja për gjithçka, nëse doni për kohën e tashme, por edhe për të gjitha periudha kohore dhe historike?!! Si, qysh dhe pse, mos më pyesni...

Edhe Petritit i dhuruam disa nga veprat tona, të cilat sikur aty për aty e xigluan për të vazhduar bisedat që gjithnjë ishin në trajtë komenti për gjërat që ndodhin përbrenda “kopshtit” tonë të madh të letërsisë e të kulturës, e që shpesh janë të mbështjella e të “flakëruara” me hile e me gjëra, që nëse mirret për bazë pastërtia shpirtërore, atyre u vjen duhma...!

Duke biseduar me krijuesit kukësianë, ora dhe dita kishin ikur tinëzisht, mu ashtu sikurse koha dhe jeta... U përshëndetem dhe u përqafuam për t’u takuar edhe më shpesh me njëri-tjetrin. Sepse, takimet me krijuesit në Lezhë, në Bajram Curri, në Gjakovë, në Pejë, në Klinë, në Gjirokastër, në Malishevë, në Prizren, në Mitrovicë, në Rozhajë e kudo tjetër, kanë lënë gjurmë por i kanë vënë e forcuar themelet e bashkëpunimit për afirmimin dhe begatimin e vlerave krijuese kombëtare, të cilat në të ardhmen duhet të zgjerohen edhe më shumë, sepse, kjo është forca, e cila më shumë se çdo gjë tjetër, kombin e bën unik, e uniteti, njerëzve të kësaj toke, edhe sot e kësaj dite i nevojitet, ndoshta më shumë se asnjëherë më parë!

Por, mos ta harroj edhe këtë, se botimi i Antologjisë së poetëve të Malësisë së Gjakovës, ishte njëra prej dëshmive më domethënëse për bashkimin dhe forcimin e vlerave krijuese, vepra këto të cilat duhet të vazhdojnë së ndriçuari të vlerave tona, të cilat, ja pra, mbesin histori kurrë e pashlyer...!

Unë, Tahir Bezhani dhe Lulzim Logu u  kthyem prej nga kishim ardhur: në Pejë, Gjakovë dhe në Bajram Curri. Të Ju them të drejtën, isha lodhur bukur shumë, por tërë ajo lodhje ishte mbështjellë me gëzimin dhe krenarinë që kam për kombin e atdheun, për letërsinë, për miqtë e mi krijues, por edhe për lumturinë e njerëzimit...!

Ky ishte takimi me krijuesit e qytetit të Kukësit,... Kjo është letërsia, krijimtaria që bashkon...! Këtë shkrim mund ta komentoni edhe Ju, dhe atë, ashtu si të doni,... krejt lirshëm por arsyeshëm!