E enjte, 25.04.2024, 08:47 PM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Për fillimin dhe shekujt e mbarë

E enjte, 26.06.2008, 11:20 PM


Engjëll Koliqi
Për fillimin dhe shekujt e mbarë

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Në mrekullinë e ëndërrbardhave, bazuar edhe në aspiratën shekullore të popullit tonë, sivjet – pikërisht më 17 shkurt 2008 lindi edhe një shtet: Republika e Kosovës. U lind ky shtet i shumëpritur në tokën e Dardanisë Antike, n'atë tokë të qullur me gjak dëshmorësh, nga shekulli në shekull. U lind dhe po rritet Republika e Kosovës mbi një truall të shumëvuajtur, por kurrë të dorëzuar e gjithmonë krenar – mbi truallin e Dardanisë së famshme, që kësaj bote dhe njerëzimit mbarë i ka dhënë shumë personalitete – ndër shtyllat kryesore dhe jetike të civilizimit dhe të historisë njerëzore. U lind shteti me emrin Kosovë, për të hapur një epokë të re në rajonin historikisht të trazuar dhe gjithnjë të përgjakur të Ballkanit, për të hapur epokën e dashurisë, mbas shekujve t'urrejtjes atje. U lind një shtet që do të jetë model botëror i paqes së qëndrueshme, i lirisë së vërtetë, i mirëkuptimit dhe i bashkëjetesës së mirëfilltë, nën norma speciale që rrjedhin nga kushtetuta faktike e dashurisë. U lind pra një shtet që do të jetë model shembullor i demokracisë së mirëfilltë në Ballkan, por edhe në botën mbarë.

Atje, ku për shumë shekuj kanë rrjedhë lumenj gjaku njerëzor, në kërkim të lirisë dhe të paqes, më sa duket – përfundimisht po ndodhin mrekulli. Ajo tokë që kësaj bote i ka dhënë shumë personalitete, shekull mbas shekulli – meriton të jetë një truall shembullor i paqes dhe i lirisë së mirëfilltë, ku plotësisht mund të zbatohet dhe të kultivohet, në të gjitha zemrat njerëzore, kushtetuta e dashurisë. Ajo tokë e qullur me gjak dëshmorësh të lirisë dhe të viktimave të pafajshme, nëpër shumë luftëra me pushtues të ndryshëm – për dhjetëra shekuj e për mijëra vite, meriton përfundimisht të shpallet truall i fronit të mrekullisë së dashurisë njerëzore dhe i drejtësisë së bazuar në dashuri. Ajo tokë, mbas shumë shekujsh, përfundimisht e zgjidhur nga prangat e robërisë, ka filluar të lulëzojë mbi vlera të mirëfillta të lirisë e të demokracisë. Përfundimisht atje ka filluar vallja e madhe e kremtes së demokracisë, vallja historike nën tinguj e melodi dashurie. Duhet të jemi të gjithë brenda kësaj valleje. Duhet të jemi të pashëm dhe funksionalë të gjithë – qoftë në vallen historike të kremtes së demokracisë, qoftë në çdo hap të jetës. Nuk guxojmë të mungojmë asnjë nga ne, sepse jemi të nevojshëm të gjithë, në proceset e fillimit të mbarë, që i garantojnë shekuj të mbarë e të frytshëm Tokës së Shenjtë të Dardanisë.

Për fillimin dhe për shekujt e mbarë të Republikës së Kosovës, një pjesë e një federate apo të një tërësie shqiptare, ne duhet krijuar dhe zbatuar disa rregulla të domosdoshme. Në Republikën  e Kosovës të tërësisë së Shqipërisë, ose në Republikën  e Dardanisë të tërësisë së Ilirisë, së pari duhet të merremi me historinë tonë të mirëfilltë dhe të vërtetë, pa marrë parasysh se dikuj nuk do t'i pëlqejë. Mbas konkretizimit të historisë sonë origjinale, duhet krijuar, zbatuar dhe respektuar,  gjithmonë,  mekanizmat e ruajtjes së vlerave historike, duke filluar nga monumentet e dëshmorëve të tokës sonë, deri në organizime shkencore e kompletime muzeore. Nuk guxojmë në asnjë çast t'i harrojmë familjet e dëshmorëve. Atyre duhet t'u ofrojmë kushte normale, për të ecur përpara në jetën e re, me rregulla paqeje, lirie e demokracie, në shtetin e ri për të cilin familjarët e tyre kanë flijuar jetën. Askush nga ne nuk guxon të shkel mbi gjakun e dëshmorëve, as të përfitojë në asnjë situatë, nga gjaku i tyre.  Askush nuk guxon t'i anashkalojë vlerat e historisë sonë dhe traditat tona të shenjta, për kurrëfarë ideologjie as për kurrëfarë interesi, që biejnë ndesh me interesat e përgjithshme kombëtare. Vetëm nëse i bëjmë menjëherë këto rregulla – siç u tha më lartë – i zbatojmë dhe i respektojmë që nga dita e parë e fuqizimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mund të themi se po kontribuojmë për fillimin dhe shekujt e mbarë të jetës demokratike e të lirë në vendin tonë. Me gatishmëri të plotë dhe me guxim, të fillojmë të gjithë – t'i bëjmë hapat e parë në këtë drejtim dhe t'i vëjmë gurtë e parë në murin e kështjellës së re dardane, që me vlerat e traditave nga Dardania Antike, do të sheshojë vlera të reja të demokracisë me rreze dashurie, edhe në historinë e re, edhe si garancë ardhmërie, deri në amshim. Le të kontribuojmë në mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës, me origjinalitetin tonë të patjetërsueshëm dhe me bindjen e fortë për fitoren historike të dashurisë. Kështu garantojmë ndërrimin e botës me dashuri, me fillim të mbarë mu në truallin dardan, aty ku u lind shteti më i ri në Ballkan. Le të ecim përpara  të bashkuar e të paepur! Gëzuar! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora