Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Gjermania, një botëror dhe një mirënjohje

| E merkure, 16.07.2014, 06:38 PM |


Gjermania, fitoi një botëror dhe një mirënjohje

Nga Albert Vataj

Ashtu si çdo Kupë e Botës, FIFA dhe vendi organizator përballen me sfida dhe përgjegjësi të mëdha. Vendi pritës i 32 përfaqësueseve të finaleve të këtij kompeticioni, që ishte padyshim më i rëndësishmi futbollistik, merr mbi vete përmbushjen ose së paku përafrimin e standarteve. Por rruga për të ardhur tek përballja "Brazil 2014" ishte e gjatë dhe e mundimshme. Vendi i Dilma Rousseff do të ndeshej me protesta civile, greva dhe trazira publike, duke futur në një spirale mosbindjeje dhe kaosi shtetin, i cili e militarizoi gjithë brazilin futbollistik. Pesë nga dymbëdhjetë stadiumet e përfshira në kalendarin e zhvillimit të ndeshjeve ishin ende të papërfunduar në prag të ngjarjes së madhe. Gjithsesi pritshmëritë për vendin e varfër amerikanolatin, ishin ato, të cilat kishte mundur ti lexonte më qartë se askush Federata Gjermane e Futbollit. Ajo zgjidhi qesen, mblodhi milionat, piketoi vendin e duhur dhe mësyni Brazilin që në mars, për të hedhur atje themelet e një qendre pritëse për kampionët e ardhshëm të botës, por edhe për të mbjellur farën e mirënjohjes, në Bahian e largët.

VENI, VIDI, VICI, është kjo shprehja latine që tha Jul Çezar në Senat kur mposhti Pompein në vitin 49 para Krishtit. Ai erdhi, pa dhe fitoi, por gjermanët e Joakim Low, "erdhën, panë, luajtën, fituan, por edhe ndërtuan" dhe lanë në Bahia, në këtë cep të botës, një Gjermani krejt ndryshe ngase para 70 viteve, Adolf Hitler mbolli me zjarr e me vdekje.

Një mirënjohje është gjithçka që banorët e Sant Andreas mund të japin me gjithë zemër për përfaqësuesen gjermane të futbollit, kësaj zanafille të një bujarie që do të mundësohej për ata banorë, të harruar nga fati dhe shteti. Kjo mirënjohje i ka rrënjët në bujarinë e shpirtit gjerman, në vullnetin e një kombi që beson te humanizmi.

Fitorja e Gjermanisë 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e 13 korrikut "Brazil 2014", çoi në delir miliona tifozë të ekipit të Joakim Low. Festuan të gjithë me Kancelaren Angela Merkel, bënë fotografi që përmbytën botën e internetit. Ishte legjitim gjithë ky gëzim. Po kaq e justifikuar ishte dhe festa që ekipi gjerman bëri me banorët e atij fshati të përgjumur peshkatarësh në Bahia, ku ata ishin vendosur para dhe gjatë zhvillimit të botërorit të futbollit. Ishin ata që mikpritën skuadrën gjermane, ishte Sant Andre, një fshat në zonën jugore të shtetit të Bahias, në veri-lindje të Brazilit, e cila ndodhet rreth tetë kilometra në veri të Santa Cruz Cabrália, dhe 30 kilometra në veri të Porto Seguros, në bregdetin Atlantik të Brazilit. Ky ishull është plot 1.094 kilometra nga ku Kupa e Botës do ta ishte trofe triumfi për skuadrën gjermane. Atje në Maraca-nën legjendare, Rio de Janeiro. Atje ku tri herë kampionët e botës do të arrinin një ëndërr për të shkrehur në dëshpërim Argjentinën e madhe të Leo Messit.

Gjermania erdhi në Brazil, për të mos u larguar prej andej pa lënë një pjesë të vullnetit të saj qytetërues, një sprovë bashkëjetese dhe një gurthemel qytetërimi. Ata erdhën në Brazil, ndoshta jo të bindur për të fituar botërorin, por të sigurt në pretendimet e tyre. Federata Gjermane la gjurmë të thella në vendin amerikano-latin, në Bahia, la atë që himnizon futbolli, ky sport kaq popullor, kjo ëndje kaq e përflakur.

Gjermanët erdhën në Brazil dhe ndërtuan, jo vetëm një kompleks që përmbushte standartin e kërkesave të tyre, të cilat nuk përmushnin standartet me të gjithë komponentët, nga organizatorët. Erdhën edhe për të kurorëzuar shpirtin gjerman në këtë kënd të botës, në këtë vend të harruar, në këtë parajsë të natyrës.

Plot 25 milionë euro ishte projekti i i një sipërmarrjeje nga Mynihu, i cili u mundësua financiarisht nga Federata Gjermane e Futbollit dhe Mercedes, e para e këtij lloji, njofton “Bild”. Ky projekt, i cili ka filluar nga puna që në mars, parashikonte të përfshinte brenda vetes një sipërfaqe prej 15.000 metra katrorësh. Në të do të ndërtoheshin 14 shtëpi dy-katëshe, 65 njësi banimi, një palestër, një restorant, një zonë me pishina dhe qasje të tjera pushimi. Një akademi të rinjve të futbollit dhe një jetimore, do të ishte pjesë e këtij projekti. Gjithashtu, ajo që e pasuron këtë kamp është gjithashtu një qendër shëndetësore, rrugë që do të mundësojnë lidhjen me qytetin, për të mos lënë pa përmendur rindërtimin e një shkolle, ndërtimin e një biblioteke, një sallë me kompjutera dhe blerjen e disa autoambulancave për nevojat e banorëve. Kjo qendër e sistemimit të përfaqësueses gjermane dhe ky investim do të kishte të mirat e tij dhe në punësimin e vendasve, por edhe përfshirjen e tyre në jetën e përditshme.

Gjermanët ikën nga Bahia me një kupë bote, për të lënë aty mikpritjen e pazakontë të banorëve, dhe sigurisht për të lënë aty një kompleks, i cili do t'u përkasë të përditshmes së vështirë të atyre njerëzve që ndanë me gjermanët doket dhe zakonet, kremtet dhe ceremonitë festive, kërcyen dhe kënduan dhe jetuan me ta. Gjermanët, erdhën, panë, luajtën, fituan dhe ndërtuan".