E enjte, 28.03.2024, 04:41 PM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: Kakofonia ekonomike

E hene, 14.07.2014, 07:11 PM


Kakofonia ekonomike

Nën/titull: Ekonomia shqiptare, një ekonomi pa identitet, krahas politikash gjithaq

Nga Vangjush Saro

Në një tragë paralele me shumë probleme të politikës së sotme shqiptare dhe asaj të trevave ku jetojnë shqiptarë, edhe rrokëpuja e kakofonia ekonomike është një realitet në vendin tonë. Asnjëherë nuk e ditëm çfarë na mungon, çfarë do të na duhej më shumë, përse fundja gjendemi pareshtur ndër vendet e fundit në studime dhe kërkime të institucioneve më prestigjioze... Në të vërtetë, statistikat që iu ofrohen qytetarëve dhe institucioneve nga instancat e pushtetit, në çdo kohë e nga kushdo që ka marrë revanshin, herë pas here fryhen dhe çfryhen; por atë që mund të shikosh me sy dhe ballë për ballë, nuk e thotë asnjë statistikë. Pak turizëm, pak ndërtim, ca banka e pastaj domate (?) shto çfarë të vjen në mendje, dhe me kaq, pamja është e vizatuar.

Çështja është që edhe pse vendit nuk i mungojnë ekonomistët e aftë dhe intelektualët me ide, interesat e klaneve të caktuara, rëndom pronë e politikës, e thyejnë dhe e ribëjnë pamjen si të fryjë era dhe nga të ndjehet (më kafshërisht) era e parave. Vendi vazhdon të jetojë në varfëri dhe papunësi. Nuk e di nëse INSTAT ka ndërruar kahje dhe tash mëton të thotë disi të vërtetën. Por sipas këtij institucioni - që në pushtetin e shkuar gjendej mjaft i manipuluar - në tremujorin e fundit të vitit 2013 ishte 1.1 % rritja e papunësisë. Po sipas një studimi të tij e të Bankës Botërore, popullsia ekstremisht e varfër, "e përkufizuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore", është rritur nga 1.2 % në vitin 2008, në 2.2 % në vitin 2012. Kjo  pamje, do të bëhej edhe më kritike nëse do të merrnim në sy faktin që popullsia e cila jeton në fshat cilësohet si e "vetëpunësuar", meqë kanë ca ara e ca pemë...

Sidoqoftë, le t'i kthehemi argumentit tonë. Zhgënjimi më i madh i procesit ekonomik, mbetet, si u tha edhe më lart, kakofonia që e karakterizon atë. Pra, lidershipi që ka udhëhequr dhe udhëheq vendin, nuk mundet të tregojë në mënyrë efektive se çfarë mund të bëhet më mirë dhe në cilët sektorë, në mënyrë që treguesit të kenë një frymëmarrje tjetër. Kjo kakofoni ekonomike është edhe një nga arsyet pse papunësia në Shqipëri ende është mjaft e lartë, që të mos themi e frikshme, kërcënuese. Kjo kakofoni ekonomike, është një nga arsyet pse rrugët e qyteteve kryesore, sidomos të kryeqytetit - një simbol anarshie pothuaj -  janë plot me njerëz, e sidomos me çertexhinj, shit e bli çdo gjë, nga valuta te celularët, nga mobiljet e vjetra te... orët dhe varëset e vjedhura, nga vendet e punës te mishi i bardhë, që tani së fundi është bërë edhe më i pranishëm buzë rrugësh, prag motelesh, ndër plazhe...

Edhe në kohët më të errëta të saj, Shqipëria kishte ca fletë të shkruara në lidhje me përparësitë ekonomike dhe për atë se çfarë (ekonomie) është me interes për jetën e qytetarëve të këtij vendi. Sigurisht, në një rend të deformuar nga etja për pushtet të pakufizuar dhe lavdi platonike, nuk mund të mbetej pa u shfytyruar edhe ekonomia. Por për fat të keq, ky shfytyrim nuk duket se po zbardhet ende, për të gjetur, pra, se çfarë e ka penguar përparimin real të këtij vendi, me shumë fat për nga dhuratat e natyrës dhe (thuajse) pa asnjë shans sa iu takon burimeve njerëzore dhe sidomos, e në radhë të parë, lidershipit. Mungesa e ideve dhe konfliktualiteti në çdo temë, vazhdojnë të mbeten në rendin e ditës. Ja ajo që prodhojmë më mirë...

Pak digresion. Për një kohë, në ekonominë shqiptare sundoi tregtia. Nuk u la magazinë e botës pa u zhveshur me gjithsej. Nuk u la shtet pa u kontrolluar mirë e mirë se çfarë kishte... për më lehtë për Shqipërinë. Në një kohë pak më të vonë, lulëzoi gjer në grotesk ndërtimi. U shpërfytyrua vendi nga lloj-lloj ndërtimesh, me dhe pa lejë, në toka buke dhe mbi kolektorë e mbi oborre të shkollave; si të mos mjaftonte kjo, relievi i këtyre ndërtimeve është një kakofoni e vërtetë, ku nuk mund të dallosh dot as prirje, as stil, as traditë... vetëm beton dhe ngjyra të shpifura e të shumëllojshme, ashtu si idetë dhe kuturisja e biznesmeneve shqiptarë, që kapen ku të munden dhe si të munden.

Më vjen ndër mend sot një zhurmë e madhe rreth statusit të minatorëve, refren i vjetër, që këndohet sa herë ndërrohen pushtetet. Dhe vetëm kaq. Ndryshime reale në këtë sektor të rënduar të "industrisë së rëndë e minerare", siç quhej në një kohë të largët, por jo edhe shumë, mbeten një reformë e pabërë. Në të njëjtën gjatësi vale, ka ndodhur një shitje pa kriter e pasurive naftë e gazmbajtëse, ndërkohë që pa kurrfarë investimesh, në kurriz të jetës së banorëve të atyre zonave, shfrytëzimi i puseve të naftës dhe të gazit vazhdon. Dhe tani, edhe njëherë tjetër, zhurma e madhe për turizmin, si një refren që për fat të keq nuk prek askënd. Hotele e plazhe të pafrekuentuara kënaqshëm. Ndonjëherë shërbimet lënë për të dëshiruar; gjer edhe dritat, se uji është një kërkesë "luksi".

Por le të ndalemi edhe në disa detaje që gjithashtu flasin shumë. Vizitova (disa javë më parë, para se të lija vendin) Amfiteatrin e Durrësit. Nuk mund të them se nuk është bërë kujdes. Por, në të njëjtën kohë, aspak për të mbiluajtur kritikën, nuk mund të them se e kemi në gjak të vizitojmë muzetë. (Edhe nxënësit e shkollave, kur i shpien në ekskursione, i lëshojnë nëpër disko. Le të shpërthejnë, pse jo; por a nuk del pak kohë edhe për të njohur historinë e vendit tënd?) Me të vërtetë që vuajtja jonë dhe mungesat tona janë të gjithfarshme. Në fillim të vizitës, pasi kishim paguar 300 lekë të reja për shoq, i thashë asaj punonjëses që rrinte te "kasollja" përpara hyrjes dhe mblidhte lekët: "Me lejë, zonjë, a kini ndonjë hartë të amfiteatrit apo ndonjë fletë-palosje për vizitorët?" Ajo u përtyp, u vërtit një copë herë sa andej këtej, sikur kushedi ç'po i kërkoja; pastaj nxori nga çanta e vet një gjë si fletëpalosje dhe ma zgjati, sikur të ishte fjala për ndonjë kundërbiletë...

Jo më kot e lashë këtë episod për në fund. Turizmi është kulturë; njëfarësoj ka të bëjë edhe me ndijesinë qytetare, edukatën, trashëgiminë, atë çka ndonjëherë ne nuk e vlerësojmë fare. Biznesi vetë është kulturë. Të merresh me një veprimtari ekonomike, të shtosh të ardhurat e vendit, është një gjë shumë e rëndësishme. Paratë shtohen në tre mënyra: Së pari, duke zhvilluar bizneset, pra edhe duke gjetur ato biznese dhe ato ekonomi që funksionojnë më mirë; së dyti, duke rritur punësimin; së treti, duke marrë borxhe, (që ne i kemi me shumicë). Vë re ndërkaq se edhe Dhomat e Tregtisë, institucionet që mund të drejtonin njëfarësoj biznesin e të orientonin sektorët dhe përparësitë, pothuaj nuk egzistojnë më. Megjithatë, ka shumë institucione të tjera, brenda dhe jashtë qeverisjes, që paguhen të bëjnë strategji, të studiojnë dhe të kërkojnë pikërisht këto elemente; ndoshta edhe përpiqen njëfarësoj, nuk dua të ndjek shtegun e mohimit të gjithçkaje. Por deri më sot, kështu janë punët: ne jemi përpara shumë pyetjeve, të nemitur e të paditur, të lodhur e të paqartë për të ardhmen. Është koha që institucionet dhe qeverisja të përgjigjen dhe të përpiqen. Kanë marrë një mandat edhe për këtë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora