E premte, 19.04.2024, 11:39 PM (GMT+1)

Mendime

Pirro Prifti: Nga Marëveshja e Ohrit tek Denimi

E hene, 14.07.2014, 07:33 PM


Nga Marëveshja e Ohrit  tek  Denimi i shqiptarëve

Nga Pirro Prifti

Aktualiteti

Dënimi i 6 shqiptarëve me 5 korrik 2014 nga gjykata e Shkupit me dënim të përjetshëm, si vrasës të 5 maqedonasve në prill të 2012, nxori në sheshet e Shkupit, e më pas të Tetoves, Dibres, Strugës,  shqiptarët për të kundërshtuar këtë vendim. Megjithatë dalja e  parë e tyre u shoqërua me disa paradokse: ata dolën nga xhamia e Shkupit me flamuj arabë dhe tek tuk ndonjë shqiptar. Sipas INA dhe gazetarit Enver Robelli u konstatua se: "Dalin shqiptarët për të kërkuar të drejta kombëtare dhe për të protestuar kundër arrestimeve në Maqedoni, por nuk kanë asnjë kërkesë të logjikshme politike. Në vend të tyre thirren 'allahu-akbar' dhe 'Shqipëri etnike'. Valëvitin flamuj arabë dhe aty-këtu, sa për sy e faqe, ndonjë flamur kombëtar. Protestojnë kundër shtypjes nga shteti maqedonas me flamuj të xhihadit. Nuk bartin plisa, por do kapuça piratësh dhe beduinësh. Në të ashtuquajturën protestë të Shkupit pjesëmarrësve u mungonin vetëm ibrikët dhe legenët për avdes! Në protestën e ardhshme me siguri vjen edhe Shefqet Krasniqi nga Prishtina, kanakari i qarqeve ekstremiste islamike. Atë edhe policia serbe e pat lejuar të shkojë në Preshevë për t’u folur shqiptarëve për fenë, por jo për atdhenë!".

Vrasja e pese te rinjve maqedonas ne Butel, Smilkovc,  Shkup më 12 prill 2012 ngriti dyshime të mëdha nëse këta të rinj ishin vrarë nga shqiptarët apo nga ndonjë vrasës serial.

Vrasja e katër personave të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe e një tjetri të moshës 44 vjçare ka ndodhur mbrëmë, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22 e 30 minuta nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial. I vrari i pestë ishtë  44 vjeçari, Borçe Cvetkovski, sepse u vra pasi ka qenë dëshimtar i vrasjes së katër personave të tjerë. Ai besohet të ketë qenë duke peshkuar në momentin kur autorët kanë kryer vrasjen e katër të rinjve të tjera.

(http://ëëë.balkanëeb.com/rajoni/2687/maqedoni-vrasja-e-5-te-rinjve-rriten-tensionet-etnike-86826.html),( http://time.ikub.al/Lajme/529e444a29/Maqedoni-vrasja-e-5-te-rinjve-rriten-tensionet-etnike.aspx).

Në atë kohë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski  deklaroi se katër trupat e pajetë të të rinjve janë gjetur njëri pranë tjetrit, kurse pak më larg tyre edhe trupi i personit të pestë. Ata janë dërguar për ekspertizë mjekësore për t’i zbardhur shkaqet e vdekjes së tyre”.

Ngjarja makabër edhe sot e kësaj dite mbetet mister.

Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës më 12 prill të vitit të kaluar prokuroria akuzon Fejzi Haziri, Haki Haziri, Agim Ismailoviq, Rami Sejdi që ndodhen në paraburgim në Prilep e Manastir si dhe Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët janë në arrati. I ashtuquajturi  rasti  ‘ Monstra’ ka dy vjet qe eshte në prokurorinë maqedonase ngriti akuzën me anë të  dëshmitarit ‘i mbrojtur’  Haki Aziri, i cili dha një dëshmi  që akuzonte shqiptarët e sipër përmëndur si vrasës, por më pas u akuzua edhe ai si vrasës në bashkëpunim, dhe si ‘ndihmës terrorist’. Të gjashtë shqiptaro-maqedonasit u dënuan me burgim të përjetshëm.

Kjo shkaktoi  rritjen e tensioneve etnike por dhe fetare në Shkup, duke treguar edhe një herë  disa probleme herë të dukshme dhe herë të fshehura:

-bashkëjetesa midis sllavëve dhe shqiptarëve është e kërcënuar ende nga historia e të kaluarës e cila nuk shihet ende si histori por si ngjarje të cilat do të sheshoheshin nëse shqiptarët nuk do të shihen si qytetarë të dorës së dytë,

- egzistenca e  ndikimit ekstremist fetar në rritjen e tensioneve etnike, nëpërmjet shfrytëzimit të arsimimit të pakët dhe jo cilësor në gjuhën shqipe të popullatës shqiptare e kryesisht fshatare e rurale,

-prania e elementëve të racizmit dhe të albanofobisë tek popullsia sllavo-maqedonase,

-mos implementimi i mirë i marëveshjes së Ohrit, me anë  të së  cilës shqiptarët do të përfaqësoheshin si qytetarë dhe si popull shtet-formues nëpërmjet partive politike shqiptare por edhe nëpërmjet koalicioneve pragmatiste,

- mungesa e hapësirave të punësimit dhe projekteve e programeve të përbashkëta për punësim të shqiptarëve, dhe krijimit të bizneseve të përbashkëta shqiptaro-maqedonase,

-mungesa e një identiteti  të shtetit maqedonas që edhe sot e kësaj dite njihet si F.Y.R.O.M., (ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) edhe për shkak të presionit të Greqisë për problemin e emrit dhe të përplasjeve për identitetin historik të terrotirit që quhet sot Maqedoni edhe në pjesën e shtetit grek me qytetin kryesor Selanikun.

Politika shqiptaro-maqedonase

Shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë të Republikës së Shqipërisë u  ndanë nga Tito në katër Republika bazë pas luftës së dytë botërore në: Serbi , Mal i Zi (Malci), Bosnjë Hercegovinë, dhe  Maqedoni e cila u krijua në 1948 si Republikë e vecantë me disa minoritete jo sllave: shqiptarë, turq, romë, vllehë,e pak cifutë të deportuar nga Bullgaria në kohën e luftës.

Dihet që sllavët që baNojnë në F.Y.R.O.M., janë me origjinë bullgare por nacionalizmi maqedon u kristalizua më tepërkur lindi koncepti i Maqedonisë së bashkuar nga organizata revolucionare e Maqedonisë së brëndëshme (IMRO) që më 1912-13, e më vonë gjatë Luftës së Parë Botërore ku Bullgaria pranoi të krijonte një shtet Maqedon me kryeqytet Selanikun, por serbet dhe grekët refuzuan katëgorikisht. Kështu maqedonasit luftuan nga vitet 1922-1928 edhe kundër serbëve për një Maqedoni të pavarur nëpërmjet çetave guerile.

Në vitin 1944 Asambleja anti’fashiste nacional clirimtare e Maqedonisë (ASNOM)  deklaroi këtë territor si Republika Popullore e Maqedonisë si pjesë e Republikës Popullore Federale Jugosllave dhe më 1963 u bë Republika Socialiste e Maqedonisë. U shkëput nga Jugosllavia më 8 shtator 1991 dhe u quajt Republika e Maqedonisë por për shkak të presionit të Greqisë e cila ka një pjesë territori me të njëjtin emër, OKB,  e lanë me emrin F.Y.R.O.M., deri në zgjidhjen e problemit.

Shqiptarët që përbejnë sot rreth 25-28% të popullatës së Republikës Maqedonase përbëjnë popullatën që ka patur emigracionin më të madh duke u larguar ngatrojet e veta me rreth 150.000 vetë pas 1991, tregon se jeta në atë republikë  ka qënë shumë e rëndë si shqiptarët të cilët shiheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe në të cilën, gruaja shqiptare quhej me përbuzje nga maqedonasit si makinë që prodhon fëmijë brënda shtëpive shqiptare. Argumentat se përse shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe si ‘armiq’ pak a shumë janë ato që spjegova më sipër, por konflikti shqiptaro-sllav është i vjetër kryesisht pas 1878  për çeshtje të tokave dhe çështje coptimit të trojeve (që i bëri Kongresi i Berlinit më 1878, dhe Konferenca e ambasadorëve më 1913) pas humbjes së luftës nga perandoria turke dhe lindën mbretëritë e krishtera të ndihmuara nga perandoria Ruse , Franca, Anglia Gjermania, Italia etj.

Deri më 1999 Shqiptarët e Maqedonisë më tepër emigruan sesa luftuan për vëndin e tyre, por një element i rëndësishëm i cili u rrit dhe u forcua ishte ndjenja e identitetit kombëtar por krahas kësaj u rrit dhe u forcua ndjenja fetare sidomos tek popullata rurale  e varfër dhe analfabete ose me pak shkollë.

Këto dy elementë rritën tendencën e përçarjes dhe armiqësisë midis dy etnive sllave dhe shqiptare. Pas vitit 1999. Me fitoren e N.A.T.O.-s dhe UCK qe përfundoi me pavarësinë e Kosovës, ndjenja kombëtare dhe dëshira për të fituar të drejtat  dhe liritë e njeriut të privuara prej kohësh në F.Y.R.O.M., u rritën dhe shqiptarët u organizuar ushtarakisht dhe politikisht kundër qeverisë së atëhershme Maqedonase. Kjo luftë dhe frika e qeverisë Maqedonase se mos kjo republikë shpërbëhej e detyroi atë të ulej në një tryezë më shqiptarët duke nënëshkruar Marëveshjen e Ohrit  (e paraqitur më  poshtë). Nga kjo lindën dhe partitë politike shqiptare të cilat edhe sot e kësaj ditë marrin pjesë në demokracinë maqedonase nëpërmjet rotacioneve politike dhe bashkëqeverisjes së Republikës së F.Y.R.O.M.,  Partitë Politike Maqedonase  si BDI e Ali Ahmetit (ishte Komandant Suprem dhe Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni) e cila është sot në bashkëqeverisje,  PDSH e Menduh Thaçit (i cili me partinë e tij ka qënë në koalicion me partitë maqedonase nga viti 2006-2008), PPD (te cileë e drejton sot Muhamed Halili) e cila është në opozitë, është një ogur i mirë për tu marrë shëmbëll se si të dy etnitë mund të bashkëqeverisin një vënd si  F.R.Y.O.M., me 28% të popullatës së përgjitshmë si shqiptarë të cilët përbëjnë minoritetin më të madh në atë vend.

Bashkqeverisja e sotme nuk është e përkryer dhe  prania e papunësisë, emigrimit, kërkesat për azil, mos respektimi i dy gjuhësisë në disa krahina të Maqedonisë, ka lënë shqiptarët të pakënaqur qoftë nga qeverisja maqedonase, qoftë nga vetë partitë shqiptare të cilët kërkojnë që të respektohet plotësisht marëveshja e Ohrit.

Demonstratat që shpërthyen nga data 5 korrik në Shkup dhe më vonë në të gjitha qytetet maqedonase por dhe në diasporë tregojnë se jo çdo gjë ecën mirë përsa i përket faktorit shqiptar por mesa duket edhe në vetë qeverisjen e maxhorancës maqedonase e cila përballet me një krizë të rëndë ekonomike si dhe me presionin grek përsa i përket emrit.

Megjithatë, dalja në plan të parë  në demonstratat  që shpërthyen kundër vendimit  me burgim  të përjetshëm të  6  shqiptarëve të implikuar në rastin `Monstra`, e elementëve radikalistë fetarë, përpara atyre politikë shqiptare, tregon se elementi radikalist fetar vazhdon të punojë herë fshehurazi dhe herë haptas.

Shfrytëzimi i pakënaqësive ekonomiko-sociale të etnisë shqiptare në Maqedoni nga ana e radikalizmit fetar tregon dy  elementë që mund të jenë të rrezikshëm në Maqedoni:

-shfrytëzimin e nacionalizmit shqiptar dhe nxitjen e urrejtjes etnike nga radikalizmi,

- partitë politikë shqiptare në Maqedoni ose e kanë nënvlerësuar këtë fenomen ose bëjnë sikur e nënvlerësojnë për të përfutuar dicka momentale.

Sipas Europa e lire: ..“Ky është një problem shumë i rëndë për Maqedoninë për arsye se në njërën anë kemi pozicionimin e kryeministrit Nikolla Gruevski se institucionet e vendit janë të pavarura, dhe në anën tjetër kemi pozicionimin e Ali Ahmetit, i cili para disa ditësh në mënyrë të pavetëdijshme u solidarizua me protestuesit"(http://www.evropaelire.org/content/article/25454763.html), vërteton faktin e dytë të mësipërm.

Notat zyrtare të qeverive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, preokupimi i BE për rastin e demonstrative të etnisë shqiptare në Maqedoni por me nuancë fetare, tregojnë se sa real është ky fenomen i radikalizmit  fetar, i cili ka treguar gjithë këto muaj që në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë ka individë të cilët shfrytëzojnë fenë për të dërguar njerëz në luftë fetare në Siri, dhe pjesmarrja jo e pakët e shqiptrëve të këtyre trevave në një luftë radikaliste është për tu marrëshumë seriozisht sepse janë rreth 2000 shqiptarë të angazuar në këtë luftë gjatë kohëve të fundit, dhe disa dhjetra janë vrarë e plagosur.

Pra shfrytëzimi i një vendim gjyqësor për qëllime të nxitjes së urrejtjes etniko-fetare është e rrezikshme. Në këtë rast partitë politike shqiptare duhet të marrin barrën e spjegimit dhe të udheheqjes së shqiptarëve dhe jot a lënë në dorë të tjetër kujt  zëmërimin e ligjshëm ose jot ë popullatës. Për këtë punë janë ngritur dhe funksionojne institucionet demokratikeqoftë në Maqedoni qoftë në Ballkan, sepse  Ballkani  e ka të ardhmen në BE dhe jo në ISIS.

Sot vendimi gjyqwsor ka kaluar në gjykatën e Apelit dhe problem  mund të zgjidhet ligjërisht dhe kjo tregon se edhe shteti maqedonas është i interesuar që të respektojë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve nw Maqedoni, por në rradhë të parw të zgjedhurit shqiptarë në Parlamentin Maqedonas –ata duhet të jenw promotorët e bashkëpunimit dhe rojtarët e një qeverisjeje të mirë, e jo radikalizmi.

iii

Marëveshja e Ohrit

Në vitin 2001, Maqedonia kaloi nëpër një konflikt të shkurtër të armatosur midis kryengritësve shqiptarë  dhe forcave të sigurisë. Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshje paqeje që ua  shtoi të drejtat shqiptarëve .

Marrëveshja e Ohrit u nënshkruar në Shkup - Maqedoni, më 13 gusht 2001 në gjuhën angleze.

Përmbajtja e marrëveshjes kornizë për zgjidhjen e situatës politike e të sigurisë në Maqedoni, që të hënën edhe zyrtarisht, në gjuhën angleze e nënshkruan kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së Imer Imeri dhe PDSH-së Arbën Xhaferi. Në dokument, nënshkrime si dëshmitarë zyrtar i vunë edhe lehtësuesit ndërkombëtar në dialog - Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju. Po e botojmë në tërësi edhe tre aneksët e marrëveshjes: aneksi A - amendamentet kushtetuese, ankeski B - ndryshimet në legjislacion, aneksi C - implementimi dhe masat e ndërtimit të besimit, për të cilët do të diskutohet dhe fjalën e fundit do ta thotë kuvendi i Maqedonisë. Pikat në tekstin e ardhshëm i japin kornizën e harmonizuar për sigurimin e ardhmërisë demokracisë në Maqedoni dhe mundësimin e zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bashkësisë Evroatlantike. Kjo marrëveshje kornizë do ta promovojë zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Parimet themelore

1.Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë.

2.Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike.

3.Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike.

4.Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t'i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht.

5.Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.

Ndërprerja e armiqësive

Palët e theksojnë rëndësinë e angazhimeve të 5 korrikut 2001. Do të ketë ndërprerje të tërësishme të armiqësive, çarmatimin e tërësishëm vullnetar të grupeve të armatosura etnike shqiptare, dhe shpërndarjen e tyre të tërësishme vullnetare. Ata e pranojnë faktin se për marrjen e Vendimit nga ana e NATO-s që të ndihmojë në këtë kontekst do të nevojitet vendosja e ndërprerjes së përgjithshme, pa kushte dhe të pakufizuar të zjarrit, pëlqimin për zgjidhjen politike të problemeve të këtij vendi, angazhimin e qartë të grupeve të armatosura që vullnetarisht të çarmatosen, dhe pranimin e të gjitha palëve kontraktuese për kushtet dhe kufizimet, në kuadër të të cilëve do të veprojnë forcat e NATO-s.

Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar

1.Do të miratohet Ligji i reviduar i pushtetit lokal, me të cilin do të forcohen autorizimet e përfaqësuesve të zgjedhur vendor dhe dukshëm do të rriten kompetencat e tyre në pajtim me Kushtetutën (sikurse janë ndryshimet në pajtim me Aneksin A) dhe Kartën evropiane të pushtetit lokal, me ç'rast do të shprehet parimi i organizimit vertikal, i cili momentalisht është në fuqi në Bashkimin Evropian. Kompetencat e shtuara, para së gjithash kanë të bëjnë me sferat e shërbimeve publike, urbanistike dhe planifikimin rural, me mbrojtjen e ambientit të jetesës, zhvillimin ekonomik lokal, kulturën, financat lokale, arsimimin, mbrojtjen sociale dhe shëndetësore. Do të miratohet Ligji për financimin e pushtetit vendor me qëllim që të sigurohet sistemi përkatës i financimit, për t'iu mundësuar autoriteteve vendore t'i plotësojnë të gjitha kompetencat e tyre.

2.Brenda një viti pas përfundimit të regjistrimit të ri, i cili nën mbikqyrjen ndërkombëtare do të zbatohet deri në mbarim të vitit 2001, do të revidohen kufijtë komunal. Revidimi i kufijve komunal do të zbatohet nga autoritetet lokale dhe nacionale, me pjesëmarrjen ndërkombëtare.

3.Me qëllim që të sigurohet se policia është e vetëdijshme dhe përgjegjëse për nevojat dhe interesat e popullatës lokale, kryeshefat lokal të policisë do t'i zgjedhin këshilltarët e komunave nga lista e kandidatëve, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të njëjtit rregullisht do të komunikojnë me këshillat. Ministria e Punëve të Brendshme do ta mbajë autorizimin për shkarkimin e kryeshefave lokal të policisë në pajtim me ligjin.

Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë

1.Tërësisht do të respektohet parimi i mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë personave para ligjit. Ky parim do të aplikohet sidomos në raport me punësimet në administratën publike dhe në ndërmarrje publike, si dhe te qasja deri te financimi publik për zhvillimin e aktiviteteve afariste.

2.Në ligjet me të cilët rregullohen punësimet në administratën publike do të përmbahen masat me të cilat do të sigurohet përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe, duke respektuar njëkohësisht rregullat e kompetencës dhe integritetit, me të cilët udhëhiqet administrata publike. Autoritetet do të ndërmarrin aktivitet për ta korrigjuar mosekuilibrin ekzistues në përbërjen e administratës publike, sidomos përmes punësimit të pjesëtarëve të bashkësive me përfaqësim të pamjaftueshëm. Një vëmendje e posaçme do t'i kushtohet faktit që të sigurohet sa është e mundshme më shpejtë që shërbimet policore në përgjithësi ta shprehin përbërjen dhe shpërndarjen e popullatës së Maqedonisë, sikurse është theksuar në Aneksin C.

3.Për Gjykatën Kushtetuese 1/3 e gjykatësve do të zgjidhet nga kuvendi me shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve që do të përmbajë shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve të cilët pohojnë se i takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni. Kjo procedurë do të aplikohet edhe gjatë zgjedhjes së Avokatit Popullor dhe tre anëtarëve të këshillit gjyqësor.

Procedurat e posaçme kuvendore

1.Në nivelin qendror, amendamentet kushtetuese dhe Ligji i Pushtetit Lokal, nuk do të mund të miratohen pa shumicën kualifikuese të 2/3 të votave, në kuadër të asaj që duhet të ketë shumicën e votave të deputetëve të cilët pohojnë se iu takojnë bashkësive të cilët nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni.

2.Për nxjerrjen e ligjeve që drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhës, arsimit, dokumenteve personale dhe përdorimit të simboleve, si dhe të ligjeve për financim lokal, zgjedhjet vendore, për qytetin e Shkupit dhe për kufijtë komunal do të duhet të ekzistojë shumica e votave në kuadër të saj që duhet të ketë shumicën e votave të deputetëve të cilët pohojnë se iu takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni.

Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve

1.Lidhur me shkollimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare të nxënësve, e njëkohësisht në mbarë Maqedoninë do të aplikohen standardet e unifikuara për programet akademike.

2.Financimi nga shteti do të sigurohet për arsimimin sipëror në gjuhët të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës në Maqedoni, e në bazë të marrëveshjeve të posaçme.

3.Gjatë regjistrimit në universitetet shtetërore të studentëve të rinjë të cilët iu takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni do të aplikohet parimi i diskriminimit pozitiv, gjithnjë derisa regjistrimi nuk e shpreh si duhet përbërjen e popullatës në Maqedoni.

4.Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.

5.Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, poashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren kryesore të pushtetit qendror, e cila do t'i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht.

6.Lidhur me pushtetin vendor në komunat ku bashkësia e caktuar përbën të paktën 20 për qind e popullatës së komunës, gjuha e asaj bashkësie do të përdoret si gjuhë zyrtare, në mënyrë plotësuese maqedonishtja. Në raport me gjuhët, të cilët flasin të paktën 20 për qind të popullës së komunës autoritetit lokale në mënyrë demokratike do të vendosin për përdorimin e saj në organet publike.

7.Në procedurat penale dhe qytetare gjyqësore të cilitdo nivel, personi i akuzuar ose cilado palë do të ketë të drejtë të përkthimit në shpenzim të shtetit të të gjitha procedurave, si dhe të dokumenteve në pajtim me dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës.

8.Cilat do dokumente personale të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga maqedonishtja poashtu do të lëshohen në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në gjuhën maqedonase në pajtim me ligjin.

Shprehja e identitetit

1.Lidhur me simbolet, pranë simbolit të Republikës së Maqedonisë, autoritetet vendore do ta kenë lirinë që në anën e parë të objekteve publike vendore të vendosin simbolet me të cilët shënohet identiteti i bashkësisë e cila është në shumicë në komunë, me respektimin e rregullave dhe zbatimeve ndërkombëtare.

Implementimi

1.Amendamentet kushtetuese të propozuara në Aneksin A, menjëherë do të prezentohen para kuvendit. Palët do t'i ndërmarrin të gjitha masat për ta siguruar miratimin e këtyre amendamenteve në periudhën prej 45 ditë pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshje Kornizë.

2.Miratimi i ndryshimeve në legjislacion, të përcaktuara në Aneksin B, do të jenë në pajtim me dinamikën e theksuar atje.

3.Palët i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që sa më shpejt ta thirrin konferencën e donatorëve në të cilën sidomos do të bisedohet për ndihmën makrofinanciare; përkrahjen e financimit të masave që do të ndërmerren për nevojat e implementimit të kësaj marrëveshje kornizë, duke përfshirë edhe masat e forcimit të pushtetit vendor; dhe revitalizimin dhe ndërtimin e rajoneve të goditura nga luftimet.

Anekset
Anekset vijuese janë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshje Kornizë.
A.Amendamentet kushtetuese
B.Ndryshimet në legjislacion
C.Implementimi dhe masat e ndërtimit të besimit

Dispozitat përfundimtare

    1. Kjo marrëveshje hyn në fuqi me nënshkrimin e saj.
    2. Verzioni në gjuhën angleze i kësaj marrëveshje është verzioni i vetëm autentik.
    3. Kjo marrëveshje u zhvillua nën patronatin e kryetarit Boris Trajkovski.

Pasojnë nënshkrimet e:

  • Boris Trajkovski - kryetar i Republikës së Maqedonisë
  • Lubço Georgievski - kryetar i qeverisë së RM dhe kryetar i VMRO-DPMNE
  • Arbën Xhaferi - kryetar i PDSH-së
  • Branko Cërvenkovski - kryetar i LSDM-së
  • Imer Imeri - kryetar i PPD-së

Dëshmitarë:

  • Fransoa Leotar - përfaqësues i posaçëm i BE
  • Xhejms Perdju - përfaqësues i posaçëm i SHBA

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora