Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Deri kur me tallava-koalicione?

| E hene, 14.07.2014, 07:55 PM |


Deri kur me tallava-koalicione?

Nga Florim Zeqa

Ishte pranverë e hershme e vitit '91, me një grup bashkëfshatarësh shkuam për ngushllime në një fshat të Lugut të Baranit. Menjëherë pas kryerjes së formaliteteve ngushlluese sipas traditave popullore në rrafshin e Dukagjinit, pala pritëse për ngushllime sipas rendit ju drejtua disa herë kryeplakut tonë për të marrë fjalën, mirëpo ai duke respektuar imamin (hoxhën) që ishte prezent aty nuk pranojë të merrë fjalën para tij.

Duke e parë këmbëngultësinë e kryeplakut tonë, hoxha e muar fjalën duke ju drejtuar atij më fjalët; "mixhok a e dinë kur do të bëhet mirë, kur do të çlirohemi nga Serbia,...atëherë kur të zgjohesh në mëngjes, dhe nuk të mjafton përshendetja, por e merrë edhe në  përqafim fqiun tënd duke i uruar mirëmëngjesin,...atëherë Kosova ka me qënë e lirë dhe e pavarur".

Pa e përfunduar mirë hoxha fjalën, reagoi kryeplaku ynë; "ah mozomokeq për neve, nuk paskim me u çlirue asnjëherërë, se kurrë e për këtë dynja nuk e përqafojë fqiun tim, po sa t'zezat i kam pas unë prej tij..."

Ishte kjo një përgjigje e përcjellur me humor të hollë, por që në vete pëmbante një domëthënje të thellë.

Përderisa të funksionojnë ligjet e universit, nuk bëhen bashkë; dita dhe nata, e bardha dhe e zeza, e mira dhe e keqja, e bukura dhe shëmtuara. Mirëpo në të gjitha rastet ekziston një fije e hollë që ndanë dhe bashkon ato, sikurse që "muzgu" që lë mbrapa dritën, ashtu edhe "agu" lë mbrapa terrin për t'i lëshuar radhën dritës së diellit.

Mirëpo në politikën kosovare, në artin e së mundshmës dhe zanatin më profitabil të pasluftës, jo rrallë po ndodhë shkelja e rregullave dhe ligjeve të universit.

Dhe çdo herë që ndodhin ato, liderët partiak arsyetohen me të "mirën" e përgjithshme, interesin e vendit dhe të mirën e qytetarëve,...pët të përfunduar si zakonisht në të mirën e një grupi të caktuar njerëzish që pasurohen mbi interesin dhe në kurriz të shumicës qytetare në vend.

Pikërisht pse është kështu, po ndodhin koalicionet (kurorat) e panatyrshme dhe po ashpërsohet gara mes rivalëve për pushtet në shtetin më të varfër në kontinent.

Përderisa në vendet me shkallë më të lartë të  zhvillimit ekonomik, i tërë procesi zgjedhor kalon në suaza normale, pa tensione të larta mes rivalëve dhe pa konseguenca përçarëvse në elektorat.

Tallava-koalicionet apo koalicionet e panatyrshme të subjekteve politike në vendin tonë jo vetëm që janë bërë dukuri, ato po shkaktojnë refleksione negative në elektorat shkaku i gjendjes së vështirë socio-ekonomike, ku sëcili mundohet të përfitojë diq nga rasti...ku të pasurit (politikajt) blejnë dhe shesin (kontrabandojnë) votën e të varfërve, përderisa këtyre të fundit ju mbetët të jetojnë me shpresa të thyera (iluzione) për një të nesërme më të mirë.

Përfitimit në mënyrë të pandershme të politikajve milionera, kundrejt një popullate të varfër dhe dominimit të tyre ndaj një klase të ndershme dhe pakorruptuar politike duhet t'i vije fundi sa më parë, në mënyrë që vendi të kthehet kah e mbara, kah vlerat tradicionale si; besa, morali njerëzor, sinqeriteti, humanizmi, solidariteti,...e shumë tipare tjera pozitive që e kanë përcjellë dhe mbajtë gjallë kombin tonë edhe ne përiudhat më të vështira historike.

Fjala e dhënë, ka qënë e shenjtë që nga kohë të lashta në traditën shqiptare, e njohur edhe nga të tjerët si besa shqiptare, së cilës as për së afërmi nuk po i përmbahen dot liderët tanë!

Këtë shkrim dëshiroj ta përmbylli me një varg shumë domëthënës të cilin e hasim nëpër disa këngë të rapsodëve popullor; "shqiptari e ka pas zakon, jo fjalës së dhënë kurrë si bjenë pishman", thënje kjo që ju dedikohet liderëve partiak që nuk mbajtën premtimet elektorale.