Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Rreth letrës së Donika Gërvallës

| E diele, 13.07.2014, 10:29 AM |


RRETH LETRËS SË HAPUR TË DONIKA GËRVALLËS

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Kjo letër e Donika Gërvallës do të duhej të ishte shkruar të paktën disa vite më parë, kur zëvendësimi i Ibrahim Rugovës në krye të presidencës u bë në mënyrë jo demokratike.

Atëherë Donika Gërvalla do të duhej ta kishte shkruar Letrën e Hapur. Por atëherë nuk e shkroi asnjë rresht të saj.

Do të duhej ta shkruante edhe kur Fatmir Sejdiu pasi mori partinë, me anë të një puçi përmes klanit të Llapit, largoi Kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe sidomos kur në Kongresin famëkeq e shpartalloi LDK-në.

Donika Gërvalla do të duhej ta shkruante këtë Letër të Hapur kur në zgjedhjet parlamentare të 2007, LDK humbi çerek milion votues nga elektorati i LDK-së dhe Fatmir Sejdiu u bë President i Kosovës pasi hyri në Aleancë me Hashim Thaçin, ku tekstualisht si thotë Donika Gërvalla „e shndërroi LDK-në në një degë të PDK-së“ në bashkëqeverisje me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Xhavit Halitin, sepse Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj ndodheshin për gjykim në Hagë.

Elektorati i LDK-së ia dha votat Isa Musfës për ta shpëtuar partinë nga kthetrat e Klanit të Llapit, që njihen në Kosovë botërisht si probatimë të Hashim Thaçit dhe Xhavit Halitit, për të cilët Donika Gërvalla nuk e thotë asnjë fjalë në Letrën e Hapur drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në prag të konstituimit të Parlamentit të Kosovës, të cilën Donika Gërvalla kërkon që ta përdorë si një deus ex machina.

Që në krye, Donika Gërvalla nuk dëshironte që LDK-ja të hynte në aleancë as me AAK-në dhe as me Nismën, duke i etiketuar liderët e këtyre partive si të inkriminuar, kur ata kanë përjetuar një proces të gjatë gjyqësor që i ka nxjerrë të pafajshëm, ndërsa institucionet ndërkombëtare kanë lënë të nënkuptojnë se në pranga do të shkojnë njerëzit e afërt të Hashim Thaçit, të cilët do të emëroheshin në detyra shumë të larta shtetërore nëse AAK dhe Nisma do të pranonin ftesat e Hashim Thaçit.

Donika Gërvalla kishte pasë pasur kohë ta shkruante këtë Letër të Hapur që në vitin 2010, menjëherë pas zgjedhjes së Isa Mustafës si lider i ri i LDK-së, kur LDK-ja e la jashtë Ukë Rugovën dhe nuk pranoi që të hynte në koalicion as me AAK-në dhe as me partinë e Nexhat Dacit.

Donika Gërvalla i hyri në zemër popullit të Kosovës, së pari si e bija dhe mbesa e njërës prej Familjeve të Mëdha të Kosovës. I hyri në zemër menjëherë - për gjakun që i rrjedh ndër deje, që shihet si diçka romantike, por edhe për guximin e saj.

Isa Mustafa nga ana e tij i shtriu menjëherë dorën Donika Gërvallës, ashtu si ka vepruar edhe me Teuta Ibrahim Rugovën, me Doruntina Enver Malokun e plot fytyra të reja që kanë hyrë tashmë në parlamentin e Kosovës.

Në kushtet e zgjedhjeve të parakohëshme, koha nuk premtonte për më tepër. Isa Mustafa bëri sa mundi. E tash në fund përsëriti atë veprim si Rugova në 2005, kur e emëroi Ramush Haradinajn kryeministër të Kosovës. Të anatemosh Ramush Haradinajn, kur ai mandatin e parë si kryeministër e ka marrë nga lideri historik e LDK-së, është njëlloj sikur të njollosësh Ibrahim Rugovën, kur kemi parasysh se Haradinaj i ka kaluar vite të tëra në Hagë.

Donika Gërvalla duket se dëshiron që të shkaktojë fortunë me një Letër të Hapur, por mund të shkaktojë fortunë vetëm në gotë, sepse zgjedhjet ishin edhe test për politikanët, përfshi edhe Isa Mustafën.

Askush nuk i ka faj Donika Gërvallës kur nuk pranoi të garonte si kandidate e LDK-së për Kuvendin e Kosovës bashkë me Teutën dhe Doruntinën. Askush nuk i ka faj Donika Gërvallës që të dilte si subjekt i pavarur e të grumbullonte votat e veta e pastaj këto vota t’ia bashkangjiste LDK-së e t’i diktonte kushte.

LDK-së nuk i duheshin shumë vota në krahasim me koalicionin e Hashim Thaçit për ta tejkaluar koalicionin e PDK-së, ndërsa ajo në këto zgjedhje doli si parti e parë. Teuta Rugova hyn në Parlamentin e Kosovës e votuar nga rreth 40 mijë votues. Donika Gërvalla për aktivitetin e saj mund të kishte marrë 40 mijë e ndofta më tepër, ndofta dyfishin. Përse nuk hyri në garë. Unë iu luta personalisht. Publikisht.

Përse nuk bëri as sakrificën minimale, që të mos e shkruante këtë Letër të Hapur, e cila duket nonsense, tani kur është shpallur data e konstituimit të Kuvendi të Kosovës.

Reformimi i LDK-së vjen si rrjedhojë e përbërjes. Angela Merkel, vajza shpirtërore e Kohlit, ishte ajo që e largoi Njeriun më të rëndësishëm të Gjermanisë nga politika. Por me pjesëmarrje. Edhe këto zgjedhje larguan nga LDK-ja disa vjetërsira dhe iu dhanë grushte disa të tjerëve, ndërsa na sollën plot fytyra të reja. Dhe njëra prej tyre mund të kishte qenë Donika Gërvalla.

Ndërkohë Isa Mustafa ishte politikani i dytë më i votuar në rang Kosove. Dhe vota e Sovranit është ligj. Prandaj Letra e Hapur i ngjan një Dazibaoje.

Unë ndaj shumë mendime me Donika Gërvallën, të cilat kam prej vdekjes së Rugovës që i kam shprehur në mënyrë përvijuese. Në 2010 e deklarova Isa Mustafën renegat, sepse i dha mandatin e dytë Hashim Thaçit duke menduar se mandati i dytë i tij Kosovës nuk do t’i bënte aspak mirë.

Dhe për të njëjtën arsye mbështes LDK-AAK-Nismën, sepse nuk po lejojnë mandatin e tretë të Thaçit. Po ashtu kam gjithnjë parasysh urtësinë proverbiale të Ibrahim Rugovës, i cili kam bindjen se do të vepronte si Isa Mustafa sot, i cili hyn në parlament me një grup të mirë të rinjsh e të rejash, që mund t’ia kthejnë LDK-së kohën më të mirë të saj.