Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Shëtitje ''patriotike'' rrugëve të Shkupit

| E shtune, 12.07.2014, 08:36 PM |


SHËTITJE “PATRIOTIKE” RRUGËVE TË SHKUPIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti e di, falë Rilindasëve shqiptar se, kush janë halldupët në Ditën e sotshme të Motit Madh. Punë tjetër është ajo se, gjoja “nuk i di” Shteti maqedonas i “përbashkët”. Edhe, kënaqen nëpër “fitore” sesi, i dalin zot “Vatanit”, turren me të katra pas pushtetit. Gurë e dru duke hedhur mbi njëri - tjetrin vetëm për një karrige lideri argati. Karrierë të sëmurë politike. Përfitimeve materiale e politike: personale, familjare, klanore e grupore. Aspak, nuk jam nervoz  me “vëllezërit” e Njerkës, po inati më vjen me dudumët e Shkupit historik. Krijesa të Zotit dhe Natyrës me kokat garroçe nën sjetulla, këmbët në krah, duart në xhepa dhe palarenë e kungullit Stambollit karshi Diellit me rreze. Pusia e fundit pas ferre, siç duket kishte qenë qëllimi, “atentat” zgjidhjes së Çështjes shqiptare në Ballkan, sipas këtij soji krijese të Natyrës e Zotit. Vetëm, çuditem me veprimet e tyre pa kokë, pse nuk dalin haptas në fushën e mejdanit me emër e mbiemër si organizatorë të protestave “paqësore” qytetare?! Edhe, t’i shohi populli shqiptar “burrat” e mejdanit me emër e mbiemër, gjithë bagazhin e tyre “patriotik” në shpinë, kush janë në ballë të luftës, cili u shkon përmbrapa me kokën e Shejtanit në thesin e kanapit arnë përmbi arnë.

Shembull konkret Kumanova: Protestat  e fundit i merr nën sjetulla “Rinia shqiptare” e Kumanovës. Duartrokitje. Përsëri, pa organizator të protestave qytetare. Pyetja lind, cila rini shqiptare kokë me vete delë sot në rrugë: ajo shkollore, universitare, apo e partive politike?! Edhe pse, duhet thënë haptas: nuk ishte e gjithë rinia kumanovare shqiptare në rrugë. Dalldisjet si gjithëmonë pas euforisë, individëve ose grupacioneve politike e fetare dhe flamujve gjigant kuqezi mbi kokat e protestuesve, kësaj radhe ishin vetëm maskime të rrejshme për ta fshehur veten organizatorët e qorrsokakut para syve të shqiptarëve dhe botës përparimtare. Kohë, kur duhet më tepër punë nëpër shkolla, Universitete dhe institucione, e më pak fjalë, lutje në xhami e dalldisje “patriotike kuqezi” plot eufori në rrugë si kope e deleve  pas kripës pa bari te Përroni i Thanës.

Përçudi, kësaj radhe më në fund, ujku e ndërroi qimen për veprime tinzare antishqiptare, por jo edhe hujin e vjetër nëpër shekuj. Ardhja e çunave kuqezi të Prishtinës dhe Tiranës në ndihmë, na e përkujton kohën e Zogut kur mbëlidhte vullnetarë shqiptar nëpër  Jugosllavi për ta rrëzuar Qeverinë e parë demokratike në Ballkan të Fan Nolit, në Shqipëri. Sytë, edhe  në Ditën e sotshme na e shohin Don Kishotin Shqiptar me Sanço Pançon mbi gomar sesi, të gjitha betejat e “përgjakshme” i bënë për Dylqinenë e Tobozës. Bagazhin e tyre “patriotik” mbi samarë, lehtë ua lexojmë në sy, para fushëbetejave të “zjarrta” “patriotike”. Parashikimet e tyre për Ditën e Nesërme Shqiptare. Punë tjetër, është ajo se, ato protesta qytetare pa organizator i njollosi edhe kësaj radhe kalorësi i arratisur me shokët dudumë, partizan partiak i harxhuar si argat politik (“miku” i Abazit malit dhe armiku i Ali Ahmetit të fushës), që nuk la institucion shtetëror, parti politike maqedonase e shqiptare pa e futur kokën me gjithë palare në grazhdin e Njerkës. Pak nevojë dhe bagazh patriotik ka ai mbi samarë t’u drejtohet si “patriot kuqezi” me megafon protestave qytetare shqiptare, që e kanë nisur marshin ditëve të premte dhe pikërisht pas faljes “Xhumasë” nga oborri i xhamisë me flamuj shtetëror të Arabisë Saudite, flamuj të zinj me shpatën e Aliut të Xhihadit islamik, me flamuj të Turqisë, me brohoritje “Allahu Akber” e me pankarta dhe parulla në duar fundamentaliste  rrugëve të Shkupit, që të përfundojnë me shpalosjen e një flamuri gjigant kombëtar kuqezi në Kumanovën heroike.

Ditën e Premtes Madhe, vazhdojnë protestën, pas faljes së “Xhumasë” nga oborri i xhamisë Jahja Pasha. Oborri i vetëm, që u ka mbetur shqiptarëve të “organizohen” për “Shqipëri Etnike”, sipas publicistit dhe analistit teknefes (K. M.), ngase: sheshet dhe institucionet ua kanë uzurpuar maqedonasit dhe BDI, partia në pushtet me PDSH – në, “opozitë”?! Provokime tinzare antishqiptare me të cilat e nxjerrin rininë shqiptare në rrugë mes rrezikut si kope pa bari. Populli thotë: Kopenë e malluar shullanit dhe lëndinave pa bari, e hanë ujku. Provokim i ulët për qëllime politike, i cili do ta nxjerrë në Facebook si kundërpërgjigje edhe palën shoveniste maqedonase dhe japi hapësirë për veprime dhe dënime shoveniste me parullat e njohura antishqiptare: “vdekje shqiptarëve”, “shqiptarët e mallkuar”, “dhoma gazi për shqiptarët”… Hendeqe vëllavrasëse të hapi mes partive politike shqipatre, që populli shqiptar edhe në kohën e Turqisë i ka pasur prijësit e vet në ballë, nuk janë fshehur në dimi të grave, po u kanë pri kryengritjeve shqiptare dhe kanë dalur në ballë të luftës.

E, “Mic Sokolat” e sotshëm, që e kanë rrokur Çështjen shqiptare për fyti, fshihen nëpër çajtore të Shkupit dhe bëjnë politikë “madhore” duke e nxjerrë rininë shqiptare në rrugë, në vend të institucioneve të Shtetit “përbashkët”. Përgjaken me policinë maqedonase, në vend të rroken fytas me librin,  vendet e punës nëpër institucione shtetërore, fitojnë dënime me burg të përjetshëm, në Idrizovë. Ferexhe maskimi e kanë proçesin gjyqësor “Monstra”, dënimin e të rinjve me burg të përjetshën, e në anën tjetër i  hapin rrugë themelimit të një partie politike myslimane edhe në Shkup. Mendja duke i rrejtur se, në fund të verës do ta korrin grurin që e kanë mbjellë të tjerët fushën pjellore shqiptare: me drapërin nën ferexhe, në “Pranverën arabe”. Haramët e Baba Dovletit, që nuk e kanë lëruar arën me kohë, ende pa lindur Dielli, në përfundim të Pranverës shqiptare, mbjellin me farë, vadisin me ujë e as i kanë bërë roje nga sorrat e zeza. Drapërin, sot e rrokin për ta korrur fushën shqiptare pa pikë djerse, rrëzë Kalasë Dardane.

Jo, o dudumë shqiptarë! Gruri nuk korret para kohe pa derdhur djersë dhe mund në arë me hebet në krah. Djersët të ju shkojnë rrëke në fund të këmbëve. Ujë, mos ketë kush të ju japë me shtambë nën hijen e Rrapit. Tekefundit, gratë azgane me tepsi në kokë e vorbat e qumështit në dorë t’ua sjellin drekën. Porosia histotike: Përveshni mëngët e këmishve, edhe të pantollonave deri në gjunj, dhe hyni me shatin krahut mes arave. Toka do punë, hapur ugare, farë dhe ujë të maleve. Frymën ia jep Natyra. Sipas dudumëve, edhe Zoti. Dihet, me vete merrni edhe të gjitha mjetet bujqësore që i posedon bujku: pllug, qerre, kosë, shat, kizë e drapër.

Vjeshta me brymë, është ajo stina që e mbledh bereqtin për Dimër. Ftoni mes kopshtit mbi bunar është zverdhur me degët përtokë. Vaj halli për ju si “patriotë kuqezi”, që e keni pritur Dimrin me çaj rusi nëpër çajtore. Kalorës të arratisur, trima pas lufte që kërkoni këshilla organizative, kur sot zjarr na digjet mbi krye si popull shqiptar?! Kërkesa politike, kokë më vete pa harmonizimin e pikave, në çdo qytet shqiptar nga një kërkesë më vete sipas “organizatorëve”. Hoxha tjetër i arratisur, as në xhami e as në rrugë me kokën te partitë politike shqiptare e palarenë te ajo Neokomuniste, turret me të katra me deklaratën e publikuar në mjetet e informacionit, se: “Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë problem me maqedonasit, por me Shtetin”. Deklaratë teknefese, që nuk përputhet fare me realitetin politik. Ende, nuk e di halldupi se, kush udhëheq me këtë shtet dhe i kujt është momentalisht Shteti?! Kutadi unë, ndoshta i shkreti mendon se, Gruevski dhe Jankullovska nuk janë maqedonas, po shqiptar?! Dudumi “shqiptar”, për të arritur kulminacionin “profetik” ngutet dhe delkaron haptas në Shtetin e “përbashkët” demokratik: Ashtu pamë se komuna Çair u mbrojt denjësisht nga policia që nuk qe rasti me Komunën Qendër kur u demolua vitin e kaluar nga protestues kishtarë pro qeveritarë”, thekson për Lajm “analisti” me këmbët dhe trutë në legen. Thirrje publike bën që turma t’u sulet atyre institucioneve të pakta shqiptare në Shkup: Komunës së Çairit dhe selisë së BDI –së. Xhamat e të cilave në protetat e kaluara i bënë copë - copë, por nuk arritën dot të hudhin asnjë gur në xhamat e Gjyqit se, kërsiti dajaku. Mos e dhëntë Zoti, ndonjë gurë të hudhin në partinë opozitare shqiptare PDSH. Parti politke shqiptare e cila në këto protesta qytetare është dashur të jetë në ballë të ngjarjeve politike. Pavetëdije, Dudumi heq ferexhenë e zezë dhe e zbulon veten njësoj si Don Kishoti i tij shqiptar se, këmbekokë është në shërbim të Partisë Neokomuniste. O Imzot, përshesh i mendimeve dhe veprimeve në sofër! Lugë e as pirunë, nuk ka nxjerrë nga luganiku. Vaj Vatani e mjerë mileti, po të ishte gjallë Noli i Madh do ta ngriste edhe sot zërin nga Amerika. Jo, me ato vargjet e tij antologjik: hidhni, hidhni tok dollarë, të mos mbeteni të sharë! Por, me tjerë vargje: hidhni, hidhni tok tru, se na mbytën dru!

Shqipëria Etnike, sot për sot ka mbetur në duart e hoxhallarëve të rrejshëm të Bit - Pazarit?! Dexhallët me trumbeta që kanë dalë nëpër Bit – Pazar, krah për krahu heqin valle me muzika, mashtrojnë kalimtarët e rastit t’ua vënë nga një vulë në ballë. Edhe, atyre të Tiranës e Prishtinës. Njëzet vjet me radhë, kush u  ka penguar këtyre “shehitëve” të Allahut për këto thirrje “patriotike” historike “shqiptare”?! Rehabilitojnë dudumët, “njerëz të sotshëm me tru të moçëm” (F. P.), që me shekuj i ngatërrohen nëpër këmbë popullit shqiptar. Argatë të lindur brez pas brezi, denbaden pas dere në këtë nënqiell shqiptar. Bërllok halldupësh, që populli shqiptar moti e ka  hudhur nga pragu i Shtëpisë nëpër kontejnerë të hedhurinave, në Bit Pazar. E, “komandantët” pas lufte pa ushtarë dhe të dështuar me tespihe “kuqezi” me “bardaket” e çajit rusit në dorë nëpër Çarshi, gjoja se i ndjek ligji i Shtetit nëpër male, përpiqen me pak shpirt të ngriten nga varri, përsëri t’i kthehen jetës politike shqiptare si dudumë të arratisur në gjirin e Partisë Neokomuniste. Gabim i madh historik, moti kanë vdekur këto kalorës të arratisur. Publikisht nëpër varre, një gur ua kemi vënë te koka e një te këmbët me atë thënjen antologjike: ju jeni mirë atje, ne jemi këtu. Ju rrini atje, se jeni mirë, ne do të rrimë këtu se, edhe ne jemi mirë! Varret e këtyre “shehitëve” në historinë shqiptare nuk kanë as “nam”, e as “nishan”.

Dhe, lufta për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan, nuk është e vështirë me Gruevskin e as me Cërvenkovskin, përmëtepër edhe me serbët që sëpatën e kanë varë në krahët e këtij soji të arratisur argati në Shtëpinë e Zotit. Frutin e papjekur, ende përpiqen me dhunë ta këpusin nga dega majë peme pa pikë djerse me argatë “shqiptar”, sipas Esad Mekulit: O, vëlla me sharrë në krah! Dudumë, që gjithë jetën i  janë ngatërruar dhe vazhdojnë t’i ngatërrohen nëpër këmbë edhe sot e kësaj dite popullit shiptar.

Aspak, nuk është shpresëdhënese deklarata e patriotit të vonuar përmes Facebook se, tashti edhe ai do t’iu bashkangjitet protestave “revolucionare” të nisura nga oborri i Xhamisë: Jahja Pasha. Pamarrë parasysh se, kush qëndron pas tyre si organizator. Qesharake, pas gjithë kësaj kohe. Trusakatit, që për protesta demokratike i është ngushtuar hapsira shqiptare, i ka mbetur vetëm oborri i xhamisë (Jahja Pasha), në Shkup?! Deklaratë teknefese, të cilën shqiptarët do ta hudhin që të nesërmen me fakte në kokërr të shpinës me protestat paqësore në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Kumanovë, Prishtinë, Tiranë e nëpër botë. Protesta paqësore, që nuk do të nisen nga oborri i xhamive, po nga sheshi “Iliria”, “Skënderbeu” , “Nënë Tereza” e gjimnazi “Sami Frashëri”.

Heroike, do të ishte ky patriot i vonauar të dalë në ballë të protestave qytetare si orgranizator me shokë. Pse jo, edhe t’u pri në ballë protestave “paqësore” si Mic Sokoli, rroki topin, kësaj radhe jo turk, por atë maqedonas për fyti?! Rininë shqiptare, mos të lë në mes të rrugës në mëshirën e dajakut, mes organizatorëve bashibozukë të dyshimtë, që e fusin rininë shqiptare në zjarr, e veten e mbajnë larg flakës, nëpër çajtore. Edhe doli një ditë, nuk e zgjodhi Tanushën, po qytetin e Kumanovës.

Unë, them: Edhe gomari me dy veshët kryengritës përpjetë mes livadheve, pakënaqësinë e tij e shpreh në rrugë me të katër këmbët në batak. Zërin e ngre për të drejta qytetare. Arsye e plotë, shkaku se: partitë politike nuk e fusin me gjithë samarë nëpër instirucione të Shtetit “përbashkët”.  Vetëm se, jo edhe Patrioti vonuar me shokë e shoqe, që deri dje dilte në krah të Partisë Neokomuniste në foltoren e improvizuar, përpara Qeverisë në mes të Dimrit për “ndryshime” politike. Lotët i shkonin rrëke për Nënën Parti, (aty ku e ka edhe sot zemrën) në opozitë me vite. Fotografoheshte nateditë qafë për qafe me “vëllezërit” para kamerave televizive përpara Qeverisë në mes të dimrit me gjithë një aktiviste partiake të Nënë Parti në pushtet. Përçudi, sot vetëm i përkrah  me megafon këto protesta “demokratike”. Mendja e rren se, kësaj radhe Nënën Parti Neokomuniste me dhunë nga rruga, jashtë institucioneve të Shtetit me ndihmën e këtyre pykave “shqiptare” do të kthejë përsëri në pushtet. Përmendoren e Alaksandrit të Madh ta heqin nga Sheshi i Shkupit e në vend të tij ta vëdosin përmendoren e Shokut Tito. Mirë do të ishte ky dudum shqiptar, nesër ta veshi petkun e tij  partiak, ferexhenë e zezë krahëve dhe të dali haptas si partizan me yll të kuq në ballë në skenën politike, mos e mashtrojë më dhe manipulojë rininë shqiptare për interesa të sëmura personale të “liderit” politik shqiptar nën sjetullat e Partisë Neokomuniste.

Shqiptarët me këto “revolucionarë” të dështuar që në lindje me firmë Dexhalli, edhe gjatë kohë do ta presin te pragu i derës Lirinë. Ndryshimet politike në shoqëri, Shtetin e “pëbashkët” nën këtë nënqiell. Zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan. Shkaku se, ende i shkojnë përmbrapa (ose ai vetë u vardiset) dhe e dalldisin gomarin e Haxhi Rrencit si politikan të livadheve. Kafsha e zbutur shtëpiake, që u pri në ballë shqiptarëve për “Liri”, përveç samarit arnë përmbi arnë, torbës me taxhi përqafe dhe dajakut të pronarit, asgjë nuk ka më të mençur në shpinë si bagazh lufte, veç garroçes kokëboshe me dy veshët përpjetë dhe katër këmbëve të rrasura deri në bark mes batakut. E ka nemur, siç duket Baba Dovleti: Dimrin e Madh ta presë me çaj rusi nëpër Bit – Pazar. Kurrë, të mos ngrejë krye si “lider” i kopeve të deleve, por gjithëmonë të jetë në rolin e argatit. Shërbetor besnik i sunduesve shekullor. Kukull, që armiku historik sipas nevojës ia tërheq penjët: kokën, dorën, këmbën. Edhe bythën, para kamerave televizive për dalldisjen e shqiptarëve në shëtitje “patriotike” rrugëve të Shkupit.

Grep, të cilit shqiptarët, më nuk i sulen vetëm për një krimb, Pykë Shelgu…