Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Asnje analogji me koalicionin e Dr. Rugovës

| E shtune, 12.07.2014, 08:33 PM |


ASNJË ANALOGJI ME KOALICIONIN E DR. RUGOVËS

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Të eturit për pushtet, për ta përligjur koalicionin aktual me AAK-në, gjegjësisht, Ramushin kryeministër, shëmbullojnë koalicionin e bërë nga dr. Rugova, me 2004, me AAK-në dhe Ramushin kryeministër. Këtë krahasim, disa e bëjnë nga mosdija, duke mos njohur rrethanat në të cilat u bë ai koalicion. Disa të tjerë na e kujtojnë qëllimshëm, për ta denigruar kryetarin Rugova.

E vërteta është se asnjë analogji nuk mund të bëhet për atëherë me sot. Liria e shumëpritur ishte përgjakur. Kosova ishte vënë nën terrorin e kuq. Krerët e LPK-së, krahu kundërshtar i Jusuf Gërvallës, ishte nën urdhërat e Tiranës zyrtare, social-komuniste, rrjedhimisht, të Serbisë. Me terror e vrasje të kundërshtarëve politikë, kryesisht, të LDK-së, ishte vënë në rrezik edhe Pavarësia në pritje e Kosovës. Në këto rrethana Presidenti Rugova nuk mund t`ua dorëzonte pushtetin bandave të LPK-së, tashmë, me emërtesë PDK-e.

Koalicioni ishte i pashmangshëm. Me porosi të ndërkombëtarëve, Solana zbriti në Prishtinë, për ta bindur dr. Rugovën për një koalicion të preferuar me PDK-në. Por, një - jo - e prerë, si bjeshkë, shuajti shpresat e Solanës. Çfarë dhe ke të zgjidhte për partner koalicioni dr. Rugova? Për ndryshim nga Hashimi, dr. Rugova e fliste lirshëm serbishten. Por, për aq sa e kam njohur unë Ibrahim Rugovën, si shok klase dhe rinie, kurrë nuk kishte afri dhe mirëkuptim me serbët, siç arriti të kishte Hashimi. Prandaj, koalicioni me pakicat përjashtohej, gjithësesi. Ndoshta, pengu i madh që nuk arriti ta njoh babain, të ekzekutuar nga banditët komunistë serbo-sllavë, më 1945, në shpirtin dhe mendjen e tij vendosi distancën, vijën e demarkacionit me serbët.

Në këto rrethana, duke përjashtuar PD-në dhe pakicat, nën çadrën serbe, zgjodhi të keqen më të vogël - AAK-në, që do ta quante - sakrificë -! Dhe, kur këtë e thotë dr. Rugova, gjithëçka është  shpjeguar qartë e kuptueshëm për të gjithë. Dhe, lexuar sot atë - sakrificën - e djeshme të dr. Rugovës, do të thotë: - kurrë më -! Kjo është e vërteta rreth atij koalicioni. Dhe, askujt nuk i lejohet sot të përligjë e manipulojë në emër të së djeshmes të papërsëritshme.

Është fakt se nga ai koalicion i detyruar, LDK-ja doli humbëse. Pavarësisht korrektësisë të kuadrove të pushtetarëve të LDK-së, ministrat dhr vetë kryeministrat e AAK-së ishin "beter", fatal. Abuzuan, shpërdoruan pushtetin dhe diskredituan dhe dëmtuan mjaft LDK-në. Ata shkuan aq larg, sa vetë ministrat vizitonin burgun qendror, Dubravën e Istogut dhe organizonin ikjen e kriminelëve të tyre, duke iu mundësuar për të rrëmbyer njerëz, me qëllim të vjeljes të haraçit dhe për të vrarë shqiptarët e pambrojtur dhe krejt të pafajshëm!

Kryeministri i AAK-së, në qeverinë e koalicionit, gjeneral Agim Çeku, tashmë, i legenizuar skajshëm, duke i ndërruar, pothuajse, të gjitha partitë në Kosovë, mbronte krimin e kriminelët, duke i nxitur në demonstrime, me porosi të SHIK-ut, bandat e inkriminuara të partive - banda të së majtës ekstreme, staliniste, rrjedhimisht, edhe të partisë së tij, e cila e vuri në kupolë të Qeverisë. Kryministri komunist shkoi edhe më larg. Pas çdo arrestimi nga UNMIK-u të vrasësve faktikë, e deklaronte, apriori, paraprakisht, pafajësinë e tyre, edhepse gjykata i dënonte me prova të pakontestueshme, të pakundërshtueshme. Për ta kulmuar rrugaçërinë e tij, kryeministri në fjalë, tubonte suitën e ministrave partiakë dhe shkonte për t´i pritur dhe përgëzuar, madje publikisht, kriminelët e liruar nga burgu!!!

 

Tashmë, pavarësia e Kosovës është shpallur. Kosova është shtet, edhepse i rrezbitur dhe i përdhosur nga bijtë e saj bastardë, të ideologjisë së kuqe sllaviste. Ishte një risi bashkimi i opozitës, edhepse LDK-në asgjë se bashkon me pasrtnerët aktual. Përveç se të gjithë janë mërzitur, janë lodhur dhe dërrmuar nga mega-rrenat e mashtrimet e pacipëta të Hashimit. Të gjithë i ka dëmtuar dhe poshtëruar. Për ta mbajtur pushtetin ka shitur e përshitur, vjedhur e grabitur pasurinë kombëtare të brezave të ardhshëm.

Njeriu kalon një moshë dhe sikur nuk jeton më për vete, por për fëmijtë e tij. Njeriu-prind përkujdeset për të ardhmen e siguruar të pasardhësve, të fëmijëve. Atëherë, pse janë çoroditur deri në këtë masë ata që votojnë kriminelët, të cilët po shkatërrojnë jetën e fëmijëve të Kosovës, madje  qysh në fillimin e bëlbëzimeve, në hapat e parë të jetës?! Marrëveshjet e dëmshme, kundrakombëtare të Hashim Thaçit me Serbinë, madje deri në përmasën e tradhtisë, diktuan koalicionin e opozitës, e cila doli humbëse në zgjedhjet kombëtare.

Me gjithë pozitivitetin e pjesëshëm të koalicionit, ka një hile të madhe, që e dëmton seriozisht Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mungesa e sinqeritetit të palëve në koalicion, është një e keqe e madhe, sepse nuk siguron funksionimin e këtij koalicioni. Dihet mirëfilli se LDK-ja është e dlirë dhe nuk i ka borxh askujt për asgjë. Ndërsa të gjiha palët tjera në koalicion, kush më shumë e kush më pak, janë boxhli karshi LDK-së, sepse i kanë hapur plagë e gjëmë, duke i vrarë veprimtarët dhe ushtarakët e përzgjedhur të saj, madje me listë emërore të viktimave, e zbuluar në posedim, mbajtje, të Bislim Zyrapit, anëtar i Kryesisë të AAK-së!

Krimet e bëra ndaj LDK-së, janë të mirënjohura për krerët e partive politike në koalicion. Dhe, nëse kryetari i LDK-së, pa e konsultuar asnjë forum partiak, e dhuroi postin e kryeministrit, sepse i mungon guximi për t`u përballur me disa procese të ndjeshme, të paktën, të tjerët, partnerët e koalicionit, nuk duhej ta provokonin në këtë masë anëtarësinë e LDK-së. Mos harroni se anëtarësia e Lidhjes Demokratike është gadi gjysma e popullit të Kosovës, paçka se nuk voton, sepse është e zemruar dhe irrituar në shefat e saj, të cilët e kanë injoruar pacipërisht. Partnerët në koalicion duhet ta korigjojnë fajin e madh të bërë dhe kryeministri t`i kthehet LDK-së, por jo edhe Isa Mustafës, sepse, tashmë, do të jetë po aq i papranueshëm sa edhe i nominuari fillestar.

Marrëveshja në mes palëve, gjithësesi, presupozon edhe kompromisin, sepse nuk ka marrëveshje pa kompromis. Fundja, në rastin konkret, mund të nominohet, emërohet edhe një personalitet jasht partiak, edhepse jeta e politizuar në të gjithë Shqiptarinë, vetëm tek parashkollorët mund të gjendet njeriu neutral, i paanshëm në politikë. Sidoqoftë, Kosova jonë hallemadhe dhe fort e përtokur dhe e poshtëruar nga bandat e së majtës, ka intelektualë, personalitete me dnjnitet dhe integritet, të cilët janë të përkushtuar për prosperitetin, përparimin e vendit, Kosovës.

Kosovën e ka pushtuar dallkaukllëku, hipokrizia. Analistët përmendin partinë me 9 % të votave të fituara dhe nonsensin për ta udhëhequr Qeverinë, Kosovën. Kjo kundërshti është e drejtë, sepse si të jetë i pranueshëm njeriu me 9 % të votave, konkretisht Ramushi dhe të mos jetë i pranueshëm Hashimi me 30 % të votave të fituara?!!  Por, hipokrizia, mjerimi i analistëve qendron në atë se ata e heshtin, madje qëllimshëm, se anëtarësia e LDK-së kundërshton partinë, AAK-në dhe kryetarin e saj, sepse LDK-ja është përgjakur nga bandat e kësaj partie dhe të asaj në pushtet. Pikërisht, këtu qendron provokimi i rëndë që i bëhet anëtarësisë të LDK-së në veçanti dhe popullit të Kosovës në përgjithësi.

Lidhja Demokratike e Kosovës është parti akademike, parti e vlerave. Ajo duhet të jetë guidë, udhërrëfyese për partitë e tjera. Ajo duhet t`i mësojë, emancipojë, edukojë njerëzit dhe jo t´i halitë, lazdrojë, llastojë. Kushtëzimet jashtë çdo parimi e logjike, e dëmtojnë dhe e dështojnë çfarëdo marrëveshje. Nëse ka ndodhur një lëshim i tillë njëherë, madje në rrethana krejtësisht të tjera, nuk duhet assesi të përsëritet më. Dhe, nëse Ramushit i mungon sensi i masës, pra, nuk e din kur është boll, është detyrë e të tjerëve ta frenojnë, disiplinojnë, urtojnë. Plotësimi i tekave i dëmton edhe fëmijtë.

Partnerët në koalicion dhe të tjerë jasht LDK-së, mund të thonë se anëtarësia e LDK-së po e aprovon këtë marrëveshje, kështu siç është publikuar. Sepse kryetari i LDK-së ka pohuar se "marrëveshja është mbështetur nga Kryesia e LDK-së dhe degët e saj"!? Por, ky pohim doli bllof, pasi u demantua se koalicioni dhe kushtet e tij nuk janë biseduar në asnjë forum të partisë. Dhe, kjo përbën fajësi të rëndë për komplotistët falsifikatorë e mashtrues brenda Kryesisë Qendrore.

Është hedhur idea se LDK-ja dhe AAK-ja kanë biseduar dhe projektuar një marrëveshje të një aleance të përhershme të modelit gjerman, përkatësisht, CDU dhe CSU! Dhe, vetëvetiu shtrohet pyetja e trishtme: "Sa veprimtarë dhe ushtarakë ia ka vrarë CSU e vogël, CDU të madhe?! Vërtet, kjo edhe mund të arrihej nëse ringjallën edhe fizikisht aktivistët dhe usharakët  e LDK-së, të ekzekutuar nga bandat e Dukagjinit, të Drenicës dhe të Llapit, të rrjeshtuara, të njëjtësuara dhe të bashkuara në "Shërbimin Ilegal Kriminal" (SHIK). Dhe, nëse u kërkohet ndjesë publike, për mynxyrën, vuajtjen e paskajshme, mendore e shpirtërore, që përjetuan dhe vazhdojnë ta ndjejnë shumë qindra familje të viktimave dhe mijëra të tjera, që lidhën me gjak, miqsira dhe dashamirësi me familjet e viktimave të SHIK-ut vrastar!!!

LDK-ja po tërhiqet zvarrë për 8 (tetë) vjet radhazi. Ka ardhur koha të ngrihet në këmbë. Kuadrot dhe elektorati rugovian duhet ta thyejnë heshtjen e gjatë, përgjumjen e thellë, poshtërimin e madh. Ata duhet ta marrin në dorë fatin e LDK-së, lëvizjes masive, partisë krenare e gjithëherë fitimtare të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës. Përndryshe, e mori lumi LDK--në dhe Kosovën!