E shtune, 20.04.2024, 10:06 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: A kanë shqiptarët metropole kulturore?

E premte, 11.07.2014, 08:58 PM


A kanë shqiptarët metropole kulturore?

Qarqet kulturore të Tiranës sikur i mjaftojnë dhe i teprojnë vetvetes, qarqet kulturore në Prishtinë po ngulfatën nga menaxherët politikë gjysmë analfabetë, kurse Shkupi kulturorë po vdes nga shpërfillja e të dy qendrave shqiptare.

Nga Gani MEHMETAJ

Çdo shtet e çdo komb ka metropole kulturore, e cila rrezaton në tërë hapësirën kombëtare, duke e përcaktuar jo vetëm nivelin e vlerave, por njëkohësisht duke i ruajtur vlerat ekzistuese nga zhvlerësimi, banalizimi dhe provincializmi. Pa një qendër të këtillë kombit do t’i zihej fryma, do të akulturohej dhe do të asimilohej. S’ka komb e shtet pa metropole kulturore, s’ka institucion që nuk pretendon të pushtojë hapësirat të cilat i ofrohen. Por ka komb që ka me shumë se një metropole kulturore, ndërsa ato e plotësojnë njëra-tjetrën, i rivalizojnë dhe e pasurojnë.

Po shqiptarët kanë qendër kulturore? Kanë Piemont kulturor, që do të bashkonte vlerat kombëtare, traditën e përbashkët, kulturën, të kaluarën e të tashmen? Cila është qendra e fuqishme ku kultivohet letërsia, prodhohet filmi, jepen shfaqjet teatrore, kultivohet piktura, skulptura? Kjo nuk nënkupton se e terë veprimtaria kulturore e artistike do të ishte e qendërzuar, përkundrazi, filmi, shfaqjet teatrore, letërsia, piktura, skulptura, mund të prodhohen edhe në provincë, por gjithnjë duke synuar që kjo prodhimtari të kapte majat, pra të pretendonte metropolin mu si përroskat që derdhën në lumin e madh. Ndërsa pastaj sërish ky art do të shpërndahej nëpër qendra më të vogla.

Kush është i forti i kulturës ndër shqiptarë

Tirana, do të thonë shumë njerëz  ka potencial kulturore, artistik e të armatës së krijuesve, të cilët mund ta mbajnë strumbullarin e kulturës kombëtare, apo se do të ishte fanarë ndriçues për tërë shtetin dhe të gjitha territoret etnike. Dua ta besojë edhe unë një gjë të këtillë, do ta mbështesja. Por Tirana tepër rrallë e mori skeptrin e një metropole kulturore shqiptare, më shumë ia atribuan rolin prijës provincat kulturore jashtë shtetit londinez. Ndërkaq askush nuk e pengonte të bëhej metropole. Tirana kulturore e kishte hapësirën boshe, toka ishte djerr, por e frustruar nga kasta politike, me krijuesit e përhumbur e me strese që i mjaftonin vetës, asnjëherë nuk e mori skeptrin e metropolit kulturorë.

Kryeqyteti i Shqipërisë fatkeqësisht nuk arriti ta bëjë të fortin e kulturës, përjashto periudhat e caktuara, kur stimulohej nga shteti për arsye ideologjike më shumë se sa për shkaqe kulturore e kombëtare. Tirana kulturore e ajo politike jo vetëm që i mjaftojnë e i teprojnë vetës, jo vetëm që u bënë përshtypja fare pak hapësira kulturore shqiptare jashtë shtetit të tyre të vogël, por nuk i bëhej vonë as të rrezatonte deri në Korçë apo Skrapar, bie fjala. Regjisorët tiranas që marrin kopjen e filmit nën sqetull dhe i shfaqin në Prishtinë, botuesit që e mbushin minibusin me libra duke ardhur nga Tirana, nuk mjaftojnë, sepse kultura nuk është vetëm disa filma të shfaqur, as disa libra të shitura. Kultura kombëtare duhet të ketë mbështetje të fuqishme institucionale dhe duhet të ketë mendësinë e përbashkësisë, e jo mendësinë e feudeve.

Janë barikaduar artistët në provincat e tyre, janë barikaduar institucionet e kulturës në kryeqytete administrative, janë mbyllur shkrimtarët, kineastët e dramaturgët brenda mureve të kryeqytetit të tyre dhe mendojnë e punojnë provincialisht.

Tirana po shndërrohet në provincë kulturore që i mjafton vetës. Nga kompleksi i vogëlsisë në vend të mobilizoj armatën e krijuesve, apo në vend të kërkojë prurje veprash e talentesh nga provinca, i shikon më shpërfillje të pafalshme, nuk bënë ndonjë përpjekje të bëjë të fortin e artit, ndërsa hedh shikimin në provincat kulturore të Ballkanit për të cilat ka informacione të munguara, herë-herë të ekzagjeruara. Ndërkaq, metropolet botërore të kulturës, nuk u bëjnë përshtypje, ose u bëjnë përshtypje vetëm për vizita turistike.

Shteti nuk luajti kurrfarë roli në këtë fushë, sepse shteti kombëtar nuk funksionoi fare, funksionoi shteti i emergjencës dhe i krahinave politike. Shteti dha pak për kulturën, prandaj ka pak shfaqje teatrore, pak filma, ndërsa krijuesit e frustruar sikur të jetonin nga puna e tyre artistike do të merrnin shkopin e lypsarit.

Është e habitshme, por shteti komunist pati përcaktime shumë të qarta: përmes kulturës, synonte të përhapte ideologjinë e vet, brenda e jashtë shtetit. Xhironte filma ideologjik, ama xhironte deri në 14 filma artistik në vjet, tash mezi bëhet një film. Shteti demokratik s’ka përcaktime kulturore, s’ka as strategji, nuk e ka ndjenjën e përgjegjësisë, është kaotik si në kulturë ashtu edhe në politik. Skeptrin kulturor që e mbajti disa vjet Tirana, ia mori demokracia duke ia vërvitur në humnerë.

Provinca shterpe

Qendra tjetër kulturore e supozuar- Prishtina, është mbyllur në gëzhojën e vet, apo e kanë izoluar si asnjë herë më parë. Kurrë  nuk ka qenë më e vetmuar, kurrë nuk ka qenë më shterpe. Me prodhimtarinë kulturore të pakët që nuk rrezaton as deri në katundin Muçiverc jo larg Prishtinës, me mungesën e konkurrencën e të garës, ta kujton fillimin e amatorizmit kulturor të partizanëve të pasluftës së dytë botërore. Edhe ministrat e menaxheret e kulturës, diletantë e të padijshëm të atij niveli amator janë. Prishtina është kthyer prapa që s’ta kap truri. Derisa dikur kishte vlera kulturore që e plotësonte hapësirën etnike shqiptarët në ish-Jugosllavi, sepse shteti shqiptar ishte mbyllur në bunkerët ideologjik, Prishtina konkurronte me vlerat kulturore shqiptare më sllavët e jugut: Beogradin, Zagrebin, Sarajevën. Disa filma të suksesshëm shqiptar të Kosovës, një dyzinë shfaqjesh teatrore të mira, krijuan veçanësinë kombëtare që dallohej nga ajo e sllavëve. Në përpjekjen për t’u shquar jepte e merrte vlera kulturore nga këto qendra, sot nuk jep as nuk merr vlera kulturore nga askush. Madje nuk jep e nuk merr as nga Tirana. Në vend të konkurroj si dikur me metropolet e Ballkanit, ajo konkurron me katundet e qytetet e Kosovës, kryesisht në festivale amatorësh, sepse festivale të tilla mbahen në Kosovë.

Qendra tjetër kulturore Shkupi, gjithnjë është përpëlitur në mes institucioneve shtetërore të sllavëve të Maqedonisë që e ngufasin dhe shqiptarëve të Kosovës që e mbështesnin. Sot po përvijohet shpërfillja e pafalshme e kastës kulturore “kosovare”, ndaj Shkupit pos   kur duan ta zhvatin me ndonjë projekt. Ndërkaq, Tirana asnjëherë nuk bëri përpjekje ta afroj Shkupin shqiptar.  Shkupi është shkëputur jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin kulturorë nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga  bota. Thirrjet e intelektualëve e krijuesve shqiptarë nga Maqedonia janë të vazhdueshme, por askush nuk ua ve veshin.

Në vend të  violinës ta çajnë veshin tamburet orientale

Megjithëse ende na mbanë fryma e rilindësve, pra fryma e përbashkësisë kulturore e kombëtare, megjithëse ende i konsumojmë e frymëzohemi nga Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Gjergj Fishta, Martin Camaj, apo Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Azem Shkreli e shkrimtarë të tjerë të sotëm, për të cilët nuk na duhen shtysat institucional, komunikimi i dikurshëm ka rënë. Ku është arsyeja? Kasta politike që e udhëheq kulturën duan të krijojnë dy kombe, sipas këshillave ndërkombëtare? Apo duan të mbështesin “vlerat kulturore” që të rrëqethin? Ose më e keqja nuk dinë ç’duan? Por një gjë dihet:  institucionet jo vetëm që nuk e mbështesin hapësirën kulturore kombëtare, por është krijuar përshtypja që të dy shtetet e ngufasin me qëllim këtë mundësi komunikimi.

Ndërkaq, kjo mungesë e metropolit kulturor dhe pengesat politike të komunikimit kulturor në mes të “provincës” e “metropolit” sikur kanë nis ta zvetënojnë identitetin kombëtar e identitetin kulturor, prandaj shqiptarët në Tiranë, Prishtinë e Shkup sikur po vendnumërojnë. Madje, herë-herë të krijohet përshtypja sikur kanë krizë të thellë identitare. Këtë zbrazësi komunikimi artistik kanë nis ta plotësojnë nivelet primitive të orientit apo të fqinjëve agresiv me antivlera të tilla, të cilat mendonin se i kishim tejkaluar në fillim të shekullit XX.

Kriza e identitetit kombëtar jo vetëm në kulturë e ka kapluar Shqipërinë, Kosovën e territoret etnike në Maqedoni. Ndërsa fryma agresive nga lindja po e plotëson këtë krizë identiteti me “tallava” sikurse quhen riprodhimet “kulturore” për gjysmë analfabetë të periferive të qyteteve të mëdha dhe për mjedise të izoluara të rretheve.

Kur nuk dëgjohen tingujt e violinës, pianos a kitarës nga koncertet, ta çajnë timpanin e veshit “tarabukat” orientale dhe “çemanët” e evgjitëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora