E marte, 23.04.2024, 05:18 PM (GMT+1)

Mendime

Xhafer Leci: Çfarë thanë Thaçi dhe Zyrapi?

E merkure, 09.07.2014, 07:33 PM


Të hulumtohen-zbardhen rrethanat e vrasjes të Gjeneralmajor Agim Qelës"!

Çfarë thanë Hashim Thaçi dhe Bislim Zyrapi për vrasjen e Agim Qelajt, çfarë donin të fshihnin ata!?

Nga Xhafer LECI

Kryeministri: "Me vjen keq por nuk mundem me ju tregue. E ju mos u mërzitni për atë punë se kujdeset Qeveria e Kosovës për Agimin", - më tha Thaçi duke ma shtrirë dorën dhe dola nga zyra.

 

Gjeneralmajor Agim Qelaj

Disa pyetje sqaruese-saktsuese me z.Emin Fazlija:

Baca Emin, kam ardhë tek Ju, për një informatë-sqarim, të pa definuar mirë në Ditarin tuaj politik, e që për opinionin mbarëshqiptar mendoj se është shumë me rëndësi!

 

Me rastin e 15 vjetorit të akademisë përkujtimore kushtuar luftëtarit të shquar Agim Qelajt, në Singen të Gjermanisë, më  6 korrik 2013

Nga e djathta: Emin Fazlija, Adem Demaçi dhe Xhafer Leci

Ne manuskriptin e “Ditarit” tuaj "Mbi aktivitetin kombëtar, politik, kulturor dhe humanitar" të Organizatës “Votra Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare", gjegjësisht të "Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare" 1952 – 2010,” gjatë leximit, mësova se ju kishit zhvilluar vet dhe kishit marrë pjesë për 6 dekada në 1422 aktivitete të ndryshme kombëtare, manifestime, demoanstarata e protesta, promovime librash...
 Po ndalem tek faqe 227, nuk e kemi të qartë takimin tuaj me Kryetarin e Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës, z. Hashim Thaçin, më 10.08.1999, në zyren e tij në Prishtinë, cili ishte qëllimi i vizitës tuaj?

Përgjigje: Unë shkova për t'u interesuar për shokun dhe mikun tim të ngushtë, ushtarakun Agim Binak Qelajn, sepse aso kohe nëpër Kosovë silleshin shumë thashetheme se Agimi, gjoja, është gjallë, se në Rahovec është plagosur rëndë, por "shokët e kanë terhjekë “ nga vija e frontit dhe e kanë vendosur në një vend të sigurtë..!  Unë po sa mbërrina në Kosovë, pas 30 viteve të mërgimit, shkova ne Rahovec dhe në disa qendra të TMK-së, duke pyetur për Agimin, por askush nuk më dha ndonjë përgjegjje në lidhje me fatin e tij. Shkova edhe ne Shtabin e TMK-ës dhe aty i pyeta Salih Veselin dhe Bislim Zyrapin. I pari me tha se “nuk di asgjë”, ndërsa Zyrapi me tha se “une vet i treti e kemi marrë Agimin tri ditë para se të sulmojë NATO, nga Prishtina dhe e kemi dorëzuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-es dhe pastaj nuk di më asgjë tjetër". U detyrova t`i drejtohem z.Thaçi,meqenëse ai ka qenë Drejtor Politik i SHP të UÇK-ës. Herën e parë nuk më pranoi, se ishte i zënë me pritjen e Administratorit Bernard Kouchner, kurse herën e dytë, më 10.08.1999, më pranoi në bisedë, duke më thënë se është tepër i zënë me punë. Unë i thash se i kam vetëm 3 pyetje të shkurta e ato janë: 

Baca Emin: "A është e vërtetë se ushtaraku Agim Binak Qelaj është plagosur rëndë në betëjen e Rahovecit ?

Kryeministri: “Po”, - është e vërtetë.

Baca Emin: "A është e vërtetë se e ka humbur vetëdijen dhe tani nuk i kujtohet as emri i tij"?

Kryeministri: “Fatkeqësisht, po"!

Baca Emin: "Ku gjindet dhe si mund unë me shokë me i ndihmuar, sepse ai është shumë i vlefshëm për Kosovë dhe unë do bëja çdo gjë për të, më para se për djalin tim të vetëm, sepse djali im nuk është i rëndësishëm aq për Kosovën sa Agimi".

Kryeministri: "Me vjen keq por nuk mundem me ju tregue. E ju mos u mërzitni për atë punë se kujdeset Qeveria e Kosovës për Agimin", - më tha Thaçi duke ma shtrirë dorën dhe dola nga zyra.

Pyetje: A ishte edhe ndonjë person tjetër prezent gjatë bisedës tuaj me Hashim Thaçin?

Përgjigje: "Jo, nuk ishte askush tjetër prezent përpos ne dyve. Nga një zyre tjetër e hapi derën dhe u lajmërue Bardhyl Mahmuti, duke e pyetur Hashimin: "Shef, a keni probleme, apo të ngucë kush"?

"Jo, krejt në rregull është", - u përgjigj H.Thaçi.

Pyetje: Çka mendoni Ju për fatin-vrasjen e Agim Qelajt?

Përgjigje: "Tani gjitha ngjarjet e zhvilluara më vonë, më bëjnë të dyshoj në sinqeritetin e kryeministrit Thaçi, sepse më vonë u vërtetua se Agimi kishte vdekë..!  Sipas një letre të hapur të OVL të UÇK-ës nga Peja, dërguar kryeministrit Thaçi, lënë me kuptuar se Agimin e paska varrosë një familje shqiptare, që nuk e ka ditë se kush është ai..! Çuditërisht, nuk jepet emri i asaj familjeje, as që është sqaruar se si u zbuluan mbetjet e trupit të tij, të cilat u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, në muajin dhjetor të vitit 2007"!

Pyetje: Bislim Zyrapi është një ushtarak karriere i ish Armatës Jugosllave. Ai ka mundësi ta këtë njohur personalisht Agimin. Si mos ta dijë ai që Agim Qelaj ishte vrarë më 19 korrik 1998, ndërsa ai ju paska thënë juve se ai me dy shokë tjerë e kanë nxjerrë nga Prishtina tri ditë para se të fillonin bombardimet e NATO-s kundër makinerisë gjakatare të Millosheviqit, më 1999?!

Përgjigje: "Po, Zyrapi e ka njohur Agimin dhe e ka ditur çfarë marrëdhënjesh të mira kam pasur unë me Agimin. Gjithë kjo të bën të dyshosh se këtu diçka nuk është në rregull. Dikush po e fshehë të vërtetën për Agimin. E kjo është e pa ndershme dhe shumë e dhimbëshme. Pra, edhe sqarimi i Bislim Zyrapit bjen në ujë"!

Pyetje: Nga kush dhe kur u shpall Agimi Gjeneralmajor?

Përgjigje: "Me rastin e rivarrimit të trupit të pa jetë të Agimit, në vitin 2007, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka shpall Agimin Gjeneralmajor".

Pyetje: Kur dhe nga kush është shpall Agimi hero i Kosovës?

Përgjigje: "Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë, më 28 nëntor 2012, nga Presidentja Atifete Jahjaga".

Pyetje: Pse nuk u shpall Gjeneralmajor Agim Qelaj menjëherë pas vrasjes së tij, por duhej pritur 8 vite derisa janë gjetur eshtrat e tij, kur dihet se Agimi ishte një oficer lufte dhe karriere, me një biografi të së kaluarës shumë të pastërt?

Përgjigje: "Ndoshta do të ishte mirë që dikush të ua bënte këtë pyetje atyre që janë kompetentë për këtë.

Edhe kjo pyetje është një dilemë që kërkon përgjigje të sinqertë"!

Pyetje: Është shumë interesante pse nuk bëhet publike emri i asaj familje, e cila e ka bërë varrimin e Agim Qelajt, më 19 korrik 1998 dhe pse është dashur të pritet 8 vite që ta lajmërojë varrimin e Agimit?

Përgjigje: "Nuk e di pse, por kam dëgjuar se ajo familje gjatë luftës ka emigruar nga Kosova në Holandë. Kaq, nuk di më shumë.

Por, unë mendoj se të gjitha këto pyetje kanë një përgjigje të përbashkët: Të hulumtohen-zbardhen rrethanat e vrasjes të Gjeneralmajor Agim Qelës"!

Pyetje: A ju kanë ftuar juve si mik i Agim Qelajt të merrni pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Agimit?

Përgjigje: "Me rastin e rivarrimi të Agimit u mbajt akademi përkujtimore në teatrin e Pejës. Organizatorët e asaj akademije nuk ma dhanë fjalën, edhepse aty kishte njerëz qe e dinin për bashkëpunimin tim me Agimin prej vitit 1995 deri me 16 maj 1998, kur ne Dyseldorf të Gjermanisë u transformua Këshilli Kombëtar i Ushtrisë të Republikës së Kosovës, pranë Qeverisë të Kosovës në egzil. Zhdukja e Agim Qelajt me bën të dyshoj,sidomos pas deklaratave të Bislim Zyrapit dhe të Hashim Thaçit, të cilat plotësisht janë kontradiktore. Por e vërteta kurdoherë do të dalë në dritë, për çka jam duke punuar me kujdes të veçantë. Bashkëpunimi im me të ndjerin Agim Binak Qelaj ka qenë i gjatë, i sinqertë dhe dobiprurës për çështjen kombëtare shqiptare. Agimi ka qenë një ushtarak i përsosur, me dituri akademike dhe i gatshëm me dhënë çdo gjë për çështjen kombëtare shqiptare, për çlirimin e Kosovës së robëruar dhe ribashkimin e saj me shtetin Amë – Shqipërinë. Ai ka qenë demokrat i vërtetë dhe nuk ka qenë i infektuar me propagandën marksiste-leniniste, por ishte i pastërt si loti në qëllimet e tij atdhetare".

 Të interesuarit mund të lexojnë edhe këtë:

 

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Arkivi i lajmeve Tetor 2006 - 2007

Linku >  http://www.veterani.net/arkivi7.html

Göppingen, më 06.07.2014



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora