E shtune, 26.09.2020, 01:03 AM (GMT+1)

Aktualitet

Bardhyl Mahmuti: Maqedonia është burg për shqiptarët

E merkure, 09.07.2014, 06:58 PM


REAGIM

Maqedonia është shndërruar në «burg të përjetshëm» për shqiptarët!

Dënimi i gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm nga institucionet MONSTRUOZE të shtetit maqedonas mobilizoi si asnjë herë më parë hapësirën shqiptare. Në këtë kontekst vlen të përmendet se përpos medieve që dëshmuan një profesionalizëm të duhur duke u dhënë hapësirën e nevojshme, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe të atyre të partive politike mbetën të përçarë edhe në këtë situatë. Edhe më keq se kaq! Nga pozita e “partive në pozitë” u dëgjuan shpesh apelet  që “të mos rrezikohet paqja në Maqedoni”!

Që në fillim po theksoj atë që është e qartë për të gjithë politologët:  Mungesa e LUFTËS SË ARMATOSUR nuk do të thotë PAQE! Kjo sentencë e njohur është tepër domethënëse për situatën politike, ekonomike, kulturore dhe atë të sigurisë së popullit shqiptar në Maqedoni. Pushteti maqedonas nuk e ka ndërprerë asnjë herë luftën kundër popullit shqiptar!

Montimet e proceseve politike kundër shqiptarëve, të motivuara nga urrejtja etnike dhe fetare, kanë qenë dhe mbeten politikë e vazhdueshme e funksionimit të institucioneve shtetërore të Maqedonisë që nga themelimi si republikë në kuadër të Federatës jugosllave e deri në ditët e sotme.

Që nga shtatori i vitit 1944, kur u instalua diktatura komuniste në Maqedoni, e deri në ditën e sotme, korrik i vitit 2014, kur po sundon diktatura raciste, për shtatë dekada rresht, herë nën  akuzën e antikomunizmit, herë atë të komunizmit, të nacionalizmit, të separatizmit e irredentizmit, nën akuzën e fundamentalizmit dhe terrorizmit janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar qindra e mijëra shqiptarë.

Sot, «Burgut të Idrizovës» , ku mbahen të dënuarit e proceseve të montuara gjyqësore, është plot e përplot me shqiptarë.

Të burgosurit shqiptarët, në pavionet e «Burgut të Idrizovës»  rrihen, keqtrajtohen, poshtërohen, kthehen në arkivole në shtëpitë e tyre, detyrohen të bëjnë grevë urie edhe pse ndodh që drejtori, zëvendës drejtori, gardiani apo funksionarë tjerë të jenë edhe të përkatësisë shqiptare!

Jashtë «Burgut të Idrizovës»,  Maqedonia është shndërrua në «Burgun të përjetshëm » për shqiptarët!

Në Bit Pazar, në Ladorishtë, në Gostivar, në Sopot, në Vaksincë, në Brodec, në Nerez, në Shkup, në Tetovë  dhe shumë  “Pavione” të «Burgut Maqedoni», shqiptarët, autokton të këtij shteti, janë shndërruar në popullin më të diskriminuar dhe më të varfër të Evropës. Sikurse të burgosurit e Idrizovës, shqiptarët në «Burgun Maqedoni» janë të shtrënguar të jenë të uritur si ata që bëjnë greve urie! Shqiptarët në «Burgun Maqedoni» vriten, plagosen, rrihen, keqtrajtohen, poshtërohen edhe pse mund të ketë ministra e zëvendës ministra të përkatësisë shqiptare, shefa policie e policë të përkatësisë shqiptare...!

Gjërat këputen prej së holli e vetëm zullumi këputet prej trashjes!-thotë një shprehje popullore shqiptare. Zullumi ndaj shqiptarëve në «Burgun Maqedoni» është trashur për së tepërmi!

Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Maqedoni gjithmonë kanë dëshmuar gatishmërinë që të sakrifikojnë çdo gjë në interes të Shqipërisë dhe Kosovës. Tani, kjo situatë kërkon që forcat politike kombëtare të veprojnë me mençuri për të dëshmuar kapacitete të koordinimit në interes të kësaj pjese të popullit shqiptar që përjeton terrorin shtetëror!

Të gjitha institucionet me relevantë në marrëdhëniet ndërkombëtare, të interesuara për të ngadhënjyer demokracia dhe paqja edhe në këtë pjesë të Evropës, duhet të angazhohen më me ngulm në ndërprerjen e kësaj lufte të pashpallur në Maqedoni dhe në realizimin e të drejtave legjitime të popullit shqiptar!

Është momenti i fundit që t’i imponohet pushtetit racist të Shkupit ndërprerja e proceseve të montuara politike kundër shqiptarëve, lirimi i menjëhershëm i të gjithë të pafajshmëve dhe dëmshpërblimi adekuat për të gjitha vuajtjet e shkaktuara nga padrejtësitë institucionale të shtetit maqedonas. Në të kundërtën përgjegjësia është e të gjithë atyre që kanë mundësi të evitojnë tragjedi të reja në këtë pjesë të Evropës!

Bardhyl Mahmuti

(Në emër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik Shqiptar)

8 korrik 2014



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora