Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Identiteti europian - identiteti autentik

| E merkure, 09.07.2014, 06:59 PM |


Identiteti europian: identiteti autentik dhe origjinar i shqiptarëve

Nga Ndue Ukaj

Pikërisht në kohën kur Europa përjetonte zhvillim të hovshëm, në shkencë, kulturë, art e letërsi dhe kur idetë iluministe ishin ngjizur në kontinentin e kulturës, sidomos në Italinë fqinje, mbi shqiptarët ra errësira e pushtimit osman, që ja preu rriten dhe zhvillimin normal.

Me vdekjen heroit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, tokat arbërore u rrokullisëm në mjerim, nën thundrën e pushtetit të Sulltanit (një pushtet që s’ishte civil, por religjioz). Ky pushtim i gjatë, pengoi çdo zhvillim të mundshëm kulturor, arsimor, shkencor dhe i la plagë të rënda në identitetin kombëtar. Ndonëse të shtypur, pa shkolla, pa institucione kulturore, me represion dhe me pengesa, vrasje e shkatërrime, shqiptarët e devotshëm, s’i shuan asnjëherë shpresat për dalje nga robëria dhe rikthim kah perëndimi, prej së cilit u ndanë me dhunë. Kjo ndarje e dhunshme dhe robëria e gjatë, nuk arriti t’i shkëputë shqiptarët nga përkatësia perëndimore dhe identiteti europian; në kulturë e politik. Pikërisht për këtë arsye është pohuar vazhdimisht, se, në formimin e identitetit kulturor dhe politik të shqiptarëve, rolin parësor luajtën letërsia, e cila, u zhvillua brenda shtratit të ideve europiane, pastaj figura e heroit kombëtar, Skënderbeut; gjuha indoevropiane, si dhe historia e përbashkët para osmane. Këto elemente u bën ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve. Në betejën e ndërgjegjësimit për këtë përkatësi, fillimisht u mobilizuan klerikë të shumtë, që përhapën fjalën shqipe, në shek. XVI-XVII (Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani e Jul Variboba, etj.), ndërkaq në dekadat e para  të shek XIX, te arbëreshët e Italisë, u shfaqën shkëndijat e një lëvizje, e cila, do të ndriçonte me vonë botën shqiptare me atdhedashuri. Kandili i parë i kësaj shkëndije që ndriçoi krejt botën shqiptare, ishte apostulli  i shqiptarisë dhe kulturës shqiptare, Jeronim de Rada. Veprën e tij domethënëse, do të bëhet pikë referimi për lëvizjen e madhe kulturore e politike, të njohur si Rilindje Kombëtare, me shumë pishtarë, si Vëllezërit Frashëri, Pashko Vasan, Andon Zako Çajupin, Aleks Stavre Drenova-Asdrenin, Thimi Mitkon, Ndre Mjedën e shumë të tjerë. Kjo lëvizje, në thelbin e saj, me programin dhe idetë liridashëse, me pishtarët e shumtë, që vepronin kudo nëpër botë, zgjoi ndjenjat e përkatësisë perëndimore të shqiptarëve dhe ritheksoi domosdonë çlirimit dhe kthimit në familjen perëndimore, nëpërmjet një procesi të thellë të ndërgjegjësimit dhe identifikimit të plotë me kulturën perëndimore. Frytet e kësaj lëvizje, ishin lira dhe çlirimi nga pushtimi i gjatë osman, me 1912, ndërkaq impakti i fuqishëm kulturor ishte konsistent edhe në periudhën e pas pavarësisë, me shkrimtarët eruditë, si Faik Konicën, Gjergj Fishtën, Fan Nolin, etj.

Ndonëse në shekullin XX, shqiptarët fituan lirinë fizike, përçapjet kah liria e njëmend dhe ecja me dinjitet krahas popujve të përparuar europian, ka çaluar dhe pengesat më nuk ishin diku jashtë trojeve shqiptare, por brenda. Ky fakt bëri që korifeu i mendimit Faik Konica, të pohonte afërsisht para një shekulli se armiku më i  madh i shqiptarëve, është vetvetja. E në fakt, gjatë këtij shekulli, armiku kryesor i shqiptarëve mbeti vetja e tyre, ndonëse nuk duhet mohuar faktin se shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, patën për disa dekada edhe një armik tjetër, Serbinë.

Është fundi i shekullit XX, kur shqiptarët fituan lirinë në plotëni dhe pritjet për sendërtimin e aspiratave për liri dhe integrim në familjen perëndimore, përsëri pësuan një tronditje.  Brendapërbrenda u ndezën me tërë forcën tërbuese, idetë e vjetra, për identitet gjysmak të shqiptarëve.  U rikthye po ajo dilema dhe pyetja e makthshme: kush janë shqiptarët? Janë europian të sërës së lart apo një komb me identitet hibrid?

Çdo analizë racionale, që bazohet te faktet dhe argumentet shkencore, kur merr në shqyrtim historinë e formimit të kombit shqiptar, s’ka sesi të mos pohon me zë të lartë, se, shenjat e tij identifikuese, heronjtë, gjuha dhe kultura e këtij kombi janë perëndimore. Kjo ka bërë, që shumë studiues të huaj dhe shqiptarë, të pohojnë se ky popull ka identitet kulturor dhe politik europian. Po ashtu, ky fakt,  nga etërit e kombit shqiptar, të kalitur në atdhedashuri, asnjëherë s’u vu në dilemë, por u lartësua.  Për më tepër, në planin kulturor, në gjuhë, letërsi, politik, identiteti europian i shqiptarëve, është identiteti autentik dhe origjinar, i cili, s’mund të gjej asnjë pandehmë tjetër antagoniste, pavarësisht asaj se aty këtu gjenden harbutë që përpiqen për “hesape” të simpative të ndryshme, ta konvertojnë këtë identitet në një tjetër apo edhe më  e keqja, ta fragmentarizojnë atë.

Në perspektivën e zhvillimeve të reja, kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe kur Kosova po ndjek të njëjtën rrugë, ky identitet, është faktor stabilizues dhe një përparësi për kombin tonë përballë sfidave të reja që janë hapur për shqiptarët, pas sendërtimit të aspiratave parësore që kishim, për të jetuar të lirë e të pavarur.

Ndonëse rrënjët tona kulturore në zanafillë shfaqen europiane dhe kultura shqiptare për shekuj të tërë u zhvillua brenda kësaj përkatësie, ky fakt, s’i ka shuar ambiciet e haxhiqamilëve modern, që të bëjnë yrysh pas një perandorie që s’është më dhe nën thundrën e së cilës ishim për shekuj të tërë-kohë kjo kur përjetuam akulturim e prapambeturi- me çka pajtohen e intelektualë, patriotë e shkrimtarë, që nga ata rilindësit e mëdhenj, deri te shkrimtarët e sërës së lart, si Ismail Kadaresë apo ideologu i Kosovës Europiane, Ibrahim Rugova, e deri te shqiptari i ditur i Maqedonisë, Arbën Xhaferi. Këta bashkëkohës, si shqiptarë të iluminuarë, në vazhdën e ideologëve të rilindjes, kanë ndezur dhe kanë ngrit lart kandilin e identitetit tonë europian, duke mos reshtur se theksuari përparësitë tona nga ky përcaktim dhe natyrshmërinë ekzistenciale të lidhjes me këtë qytetërim, e duke pohuar gjithashtu fatalitetin nga ndonjë devijim i mundshëm. Në anën tjetër, në tregun e gërmadhave publicistike, gjinden aty këtu zëra që shqiptarëve s’reshtin se ju është ofruari një teori tjetër, për identitete gjysmakë apo për identitete të shumëfishta. Në këtë holli, debati ende vazhdon dhe atë me intensitet të njëjtë. Dhe pyetja e dilema e makthshme, kush janë shqiptarët, bëhet gjithnjë më sfiduese, më kërkuese?

Protagonist i idesë, se, përkundër plasaritjeve që mund të ketë përjetuar identiteti ynë përgjatë shekujve, ai është në thelbin e vetë europian, është shkrimtari i përmasave botërore, Ismail Kadare. Në dy librat e tij të rëndësishëm, e që janë përcjell me shumë debate “Identiteti Europian i Shqiptarëve” dhe “Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ai  me elokuencë, bën një shëtitje dantekeske në historinë shqiptare, duke tipoligjizuar dhe kategorizuar vlerat tona europiane, përballë mohuesve, që sajojnë teori në favor të një identiteti tjetër, por pa  fakte shkencore e kulturor.

Në këtë holli të debatit që s’pushon, shqiptarët  duhet të ndjehen krenar me identitetin e tyre europian, sepse ky identitet është i natyrshëm dhe përparësi për të ardhmen. Ndërkaq, këshillat e marra, për identitete gjysmake, duhet shpërfillë. sepse identiteti ynë kulturor s’mund të ndërrohet sa herë ndërrojnë stinët.

Si asnjë komb i kontinentit të vjetër, e veçmas i gadishullit problematik, shqiptarët vazhdojnë mundimshëm e me sfida të brendshme përçapjen drejt rikthimit në familjen europiane. Si komb i lodhur, nga sfilitjet e shumta dhe barra e rëndë historike, me kujtesë të trazuar, sa herë mbërrin të caku, në qiellin e tij shfaqen mjegulla jo pak serioze, që përpiqen t’ia errësojnë shikimin. E megjithatë, s’ka pasur fuqi që ta pengonte përpjekjen e tij për të  ecur kah Europa, edhe kur ishte i dërmuar. E gjithë kjo i ngjan një lloj dashurie poetike, të fuqishme, të pashuar. Sa më të forta që shfaqen pengesat, aq më zhuritëse e kërkuese janë ambiciet e tij për t’u rikthyer aty ku e ka vendin. Në këtë mënyrë, ai demonstron se vetëm aty prehet i qetë. E në fakt, sa herë që duket se avitemi dhe i shohim të hapura portat e mëdha, që na ngjajnë me pallatet fantastike mbretërore, na shfaqen diga në horizont dhe na humbet orientimin, drejtpeshimin. Të çorientuar, por asnjëherë të sprapsur, rruga jonë ende vazhdon. Në gjithë këtë rrëmujë, është opinioni publik ai që s’pranë së pyeturi, pse vazhdojmë të mbesim jashtë Europës? Për ma tepër, ku është kuptimësia e gjithë kësaj dëshirë dhe kërkese? Jemi larguar apo na larguan nga kontinenti ynë?

Tash, meqë jemi në shekullin e proceseve, siç do të thoshte Milan Kundera, për shqiptarët proceset janë të hapura dhe është hera e parë pas disa shekujve, kur shqiptarët kanë fatin e tyre në duart e tyre. Andaj ata s’duhet të bien preh e askujt e më së paku të mohuesve.

Europa, si koncept kulturor, është i vetmi kontinent që ka një përmbajtje dhe një kohezion, për dallim nga kontinentet tjera. Shumë të ditur mendojnë që ky kohezion e kjo përmbajtje, ndërlidhet pikërisht me identitetin kulturor të këtij kontinenti. Është thënë se në historinë e mendimit europian,  karakteristikë kryesore është ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit e përsosmërisë. Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së cilës ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja. Edhe ne të hapemi ndaj këtyre vlerave, që kështu të zhvillojmë ndjenjën e kritikës dhe të ecim me arsye kah caku ynë natyral: Brukseli.  E për këtë arsye, kemi nevojë të hapemi ndaj traditës dhe vlerave, pa të cilat humanizmi ynë rrezikon të bëhet çnjerëzor dhe e ardhmja jonë të errësohet sërish. Duke mohuar identitetin tonë europian, mohojmë vetveten.

Kombi shqiptar, s’ka asnjë arsye të ngatërrohet me dilemat identitare, ato që i ka zgjedh kaherë Rilindja Kombëtare. Ne jemi pjesë e Europës dhe Europa është atdheu i vlerave tona të përbashkëta, sepse në këtë qytetërim ne kemi “hisen” tone.