Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Melpomeni Çobani

| E hene, 20.06.2005, 07:56 PM |


Flet aktorja e njohur e humorit, Melpomeni Çobani

“Ofertat s’më kanë munguar dhe do të luaj”

Blerina Goce

Melpomeni Çobani

Eshtë 78 vjeç, por ka po atë energji si dikur. Nuk harron që përditë bashkë me kafen e mëngjesit të dalë edhe në kodrat e liqenit, si atëherë kur vraponte dhe ishte sportiste. Melpomeni Çobani, aktorja e njohur e estradës nuk ndihet e kushtëzuar nga vitet për të interpretuar ashtu si dikur në skenë apo në film.
"E kam thënë dhe më parë që unë mund të luaj dhe interpretoj deri sa të kem frymë", thotë aktorja Çobani në një intervistë për "Tirana Observer", duke shtuar se edhe ofertat për të dalë në skenë apo për të interpretuar në ndonjë pjesë humoristike nuk kanë munguar.
Me çfarë jeni marrë këto vite dhe do t'ju pëlqente të ngjiteshit përsëri në skenë?
Kur erdhi mosha e pensionit dola nga teatri dhe kam vazhduar me recitale, deri në 1996 kur kam dhënë një shfaqje me aktorët e teatrit. Po në këtë vit kam marrë pjesë edhe në një recital me TVSH-në, ku kam interpretuar përkrah Zef Dedës. Sigurisht do të më pëlqente të interpretoja përsëri, se dëshirën e kam shumë të madhe. E kam thënë dhe më parë që unë mund të luaj dhe interpretoj deri sa të kem frymë. Madje, në 70-vjetorin tim Dionis Bubani ka thënë shprehimisht në një intervistë: "Nuk vdes pa bërë një komedi me tre akte për Melpomeni Çobanin, sepse kam qejf që ajo të ketë një rol kryesor. Unë e mirëpres këtë, thjesht të bëj diçka të bukur që të mbetet edhe kujtim. Edhe Skënder Plasari ka shkruar tre pjesë në të cilat do të kem një rol edhe unë. Problemi është te financimi i këtyre pjesëve, pasi vetë ne nuk mund t'i përballojmë financiarisht.
Çfarë ju ka shtyrë t'i përkushtoheni aktrimit? Mund të na thoni diçka për fillimet tuaja?
Unë para se të futesha në art kam qenë tipografe, punoja në shtypshkronjë dhe edhe pse atje më paguanin mirë e lashë punën, e duke mos parë interesin personal të familjes sime shkova në teatër. Kam filluar në vitin 1948, në moshën 17-vjeçare. Më kujtohet që kur isha e vogël vishesha vetëm me pantallona dhe mbaja flokë fare të shkurtër e të gjithë më thoshin: O shoku, o çuno. E kam në natyrë shkathtësinë dhe çdo gjë e bëj me shpejtësi, me rrëmujllëk. Që kur isha e vogël kisha shumë humor dhe mblidheshim me shoqet, me fëmijët e tjerë dhe tregonim barsoleta. Kur shkonim në dasma shkoja e vishesha si mashkull, me kapele republike, me pardesy, vija dhe mustaqe të zeza me qymyr vetëm e vetëm për të shkaktuar ilaritet tek ata. Pastaj, kur isha në shtypshkronjë filluan të bëheshin festivale me klasën punëtore. Kështu që për herë të parë kam interpretuar në stabilimentin "Mihal Duri". Pastaj shkova në grupin e qytetit të Tiranës, ku më mori Artan Reçi, piktor në Teatrin Popullor që kishte talent për drejtimin e këtyre grupeve. Pjesa që bëmë ne u pëlqye shumë nga Teatri Popullor. Atëherë regjisor në teatër ka qenë Pandi Stillu. Ishte ai që më vonë më futi bashkë me Besim Levonjën në artin dramatik dhe në grupin e humorit të Radio Tiranës, në "Ora gazmore". Ata më morën në Teatrin Popullor për të bërë një provë para një komisioni, i cili më pëlqeu dhe më thanë se jemi dakord që të fillosh probiste aktore në Teatrin Popullor. Pastaj pas një viti u bëra aktore.
Sa i ndiqni dhe çfarë mendoni për aktorët e rinj të humorit në Shqipëri?
Unë i kam ndjekur aktorët e rinj edhe në Akademi dhe ka shumë elemente të mirë. Nuk më pëlqen që aktorët e rinj shpesh vënë në gojë fjalë nga më banalet. Humori nuk priret nga banaliteti, qoftë nga ana e jashtme, qoftë nga ana e brendshme. Teksti duhet të jetë sa më serioz, që ta sëmbosh tjetrin me sarkazëm. Ka tekste shumë të mira, që spektatorët shpërthejnë së qeshuri pa pasur asnjë banalitet brenda, madje pa folur asnjë fjalë. Pra, në artin tonë duhet pasur kujdes të hiqen këto banalitete. Humori në kohën tonë ka qenë shumë i bukur, shumë i ëmbël, shumë i natyrshëm.

PASAPORTA

Emri: Melpomeni
Mbiemri: Çobani
Ditëlindja: 6 qershor 1928
Vendlindja: Tiranë

Ka punuar fillimisht si tipografe, por më vonë i përkushtohet teatrit. Pasi përfundon shkollën dyvjeçare të artit në Teatrin Popullor i përkushtohet interpretimit skenik, fillimisht në teatrin dramatik e pastaj në komedi. Është një ndër themelueset e Teatrit të Estradës më 1952, si dhe një ndër themelueset e Teatrit të Kukullave.
Role: Ka interpretuar mbi 2500 role në teatër, estradë, por edhe në film. Ndër këto role mund të përmendim: "Kopshti i jargavanëve", "Revisori", "Halili dhe Hajria", "Rrënjët e thella", "Kolltuku magjik", "Vajza nga fshati", "Napoloni dhe Amalia", "Ngatërrestarja", roli i Hamide Hanëmit, roli i Nataljas, si dhe interpretime në filmat "Kapedani", "Estrada në fshat", "Tana", "Skënderbeu" etj. Më 1961 është dekoruar me titullin Artiste e Merituar, ndërsa në 1966 i jepet edhe titulli Artiste e Popullit. Ajo është nderuar edhe me medalje të veçanta si Urdhri "Naim Frashëri" i Klasit të Parë etj.

“Atëherë kur themeluam estradën”

Për tetë vjet aktorja Çobani qëndroi në Teatrin Popullor, ku interpretoi disa role në teatër. Por shumë shpejt iu desh të largohej nga skena e teatrit për të themeluar bashkë me disa kolegë të saj Teatrin e Estradës më 1952. "Kur më çuan në estradë unë nuk doja, nuk ishte kjo dëshira ime. Më pëlqente shumë teatri. Megjithatë e mora me kënaqësi dhe interpretova shumë bukur, publiku më pëlqeu. Atëherë njerëzit e preferonin shumë estradën", kujton Melpomeni Çobani, teksa shton se po në këtë kohë është marrë edhe me Teatrin e Kukullave. "Përveç roleve në skenë ku kam interpretuar si role që nga pleqtë 70 vjeç deri te një personazh në moshë re, më pëlqente të interpretoja edhe për brezin e vogël. Kështu me ato zërat tanë që i bënim herë si dhelpër, herë si fëmijë, herë si mace, herë si qen kemi interpretuar edhe në Teatrin e Kukullave. Kemi qenë po ne që themeluam estradën ata që ngritëm edhe Teatrin e Kukullave", përfundon aktorja 78-vjeçare.

Çobani: Komedia është më e vështirë sesa drama

Për të nuk ka rol të madh apo rol të vogël, por aktor të madh dhe aktor të vogël. "Për mua rolet kanë qenë të gjitha njësoj. Është njësoj si dora me pesë gishtat, që kur i vret të gjithë njësoj të dhembin", thotë aktorja Çobani, teksa sjell ndërmend jetën e saj në skenën e teatrit dhe të estradës. "Gjatë gjithë këtyre viteve për mua ka qenë një ngjeshje e madhe e lojës, sepse loja e aktorëve të estradës është shumë më e vështirë sesa loja e teatrit", vazhdon Çobani, duke shtuar se nëse në teatër loja për një aktor ka një fillim dhe një mbarim, në komedi të duhet të interpretosh 5-6 role në natë. "Do të bëhesh konferencier, do të kërcesh si balerin, mund të këndosh kuplete, mundesh të bësh pantonima.”