E premte, 19.04.2024, 07:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Brendësia e një premiere

E hene, 07.07.2014, 07:55 PM


Teatër – Premierë

BASHKËKOHORJA NË BRENDËSINË E NJË PREMIERE

Hristo Boytchev: “Kolonel Zogu”, premierë e shfaqur nga trupa e Teatrit Profesionist të Gjakovës, në regji të Erson Zymberit, nga Gjilani.

Nga Halil Haxhosaj

Diçka si hyrje

Çështja e statusit të Teatrit Profesionist të Gjakovës ende nuk është zgjidhur, por ka mbetur pezull edhe pse ky është teatri i dytë profesionist në Kosovë pas atij të Prishtinës. Edhe këtu, sikur në të gjitha teatrot e tjera të Kosovës, ligji i aprovuar nga Ministria e kulturës ka sjellë disa ngecje, madje stagnime dhe jo produktivitet teatror, që ky teatër kishte arritur deri në një shkallë të nivelit të duhur dramatik dhe aktoresk. Por sidoqoftë, pas një kohe, gjegjësisht pas një viti, më në fund, u shfaq edhe premiera e parë e këtij sezoni nga trupa e Teatrit Profesionist të Gjakovës me komedinë e shkrimtarit bullgar Hristo Boytchev me titull “Kolonel Zogu” në regji të Erson Zymberit, regjisor nga Gjilani. Madje, në realizimin e shfaqjes janë angazhuar edhe mysafirë të tjerë si koreografëtStanislav Genadiev e Violeta Vitanova poashtu nga Bullgaria, pastaj Valmira Rrahmani kostumet, Art Islami muzika, e të tjerë. Të gjitha këta të koordinuar me konceptin regjisorial të regjisorit Erson Zymberi arritën që në natën e premierës së shfaqjes, para publikut gjakovar, që është ndër më besnikët, kishin mbushur sallën universale të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, mbase ngase ishin të etur për të parë shfaqje në dërrasat e skenës të kësaj salle të bukur e madhështore, që ndonjëherë më shumë është e dedikuar për koncerte e manifestime të tjera. Dhe, në tërësi mund të konstatohet se publiku nuk doli i zhgënjyer në këtë premierë edhe pse nuk ishte gjithçka për t’u dëshiruar.

Koncepti regjisorial

Koncepti i regjisorit Erson Zymberi e përfshiu vëmendjen e publikut posa hyri në sallë, madje pa u ulë ende në vende, sepse të gjithë aktorët ishin në skenë dhe me elemente të një loje koreografike ushtroheshin për të filluar me shfaqje, apo për të qenë sa më të përgatitur për interpretimin e roleve të caktuara nga regjisori. Kjo pjesë, sepse nuk mund të quhet skenë, e shfaqjes, mund të konsiderohet edhe prolog i dramës, pra komedisë, që më shumë është një tragjedikomedi. Por sa ishte e nevojshme dhe funksionale kjo gjë, që ishte madje edhe e gjatë, shihet gjatë shtjellimit dhe rrjedhës së ngjarjes, tashmë dramatike, dhe të konfliktit dramatik në veçanti.

Regjisori Zymberi, ngjarjen e shfaqjes e vendos në një qendër shëndetësore të shërimit të të sëmurëve psikikë me trauma që kanë mbetur nga pasoja të ndryshme të jetës së pacientëve, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Madje, regjisori këtë aspekt e shtrinë në ngjarjet e luftës, pse jo edhe të asaj të fundit të Kosovës, që ende janë barrë të pashërueshme për popullin. Dhe shtrija arrin që elementet e komedisë, nëse ka në tekstin e dramës së autorit Hristo Boytchev, të depërtojnë nëpër të gjitha hallka, qelizat, dromcat, madje edhe peizazhet dhe ndodhitë me plot trauma psikike që shndërrohen në tragjedi individuale të personazheve në veçanti, por edhe të kësaj shtrese shoqërore në tërësi. Andaj secili personazh i luajtur nga aktorët e angazhuar në këtë projekt, shfaq të gjitha anët dhe përjetimet e traumave të njerëzve që kanë pësuar në luftë, duke u shndërruar në një tog ushtarak, që kalon nëpër ngjarje dhe ndodhi të jetës së sotme bashkëkohore të politikës globale të të gjitha anëve të globit si OKB, BE, Strasburg, Bruksel, NATO e të tjera. Dhe këto personazhe marshojnë nëpër këto seli të politikës së bashkëkohësisë ballkanike, evropiane e botërore për t’i pasqyruar të gjitha ato që kishin ndodhur, që ndodhin dhe, mbase, edhe do të ndodhin. Shpëtimi i ushtarëve të këtij togu kërkohet nëpërmes letrave të dërguara prej zogut, gjegjësisht zogjve, nëpër të gjitha kancelaritë e politikës dhe vendosjes botërore. Këtij synimi ia arrin mirë regjisori me konceptin e vet, por edhe aktorët me rolet e besuara nga ai dhe të interpretuara nga ata. Kombinimi dhe shtrirja e këtij koncepti dha një rezultat të efektshëm baraspeshimi dhe funksionoi ashtu siç duhet, duke u ngritur në nivel artistik, mbase edhe të figurshëm.

Kjo qendër shëndetësore e këtyre personazheve të traumatizuar shërbehet nga kujdesi i Doktorit, i cili nuk mund të bëjë asgjë, sepse askush, madje as spitali e as institucionet e tjera nuk i vijnë në ndihmë me asgjë, madje as me ushqime, ilaçe e mjete të tjera të nevojshme. Andaj, në fund edhe ky detyrohet të inkuadrohet në eshalonin e të marrëve për të marshuar më tutje. Gjatë zhvillimit të elementeve dramatike, Doktori shpalos ngjarjet e dramës, duke portretizuar karakteristikat e secilit personazh si dhe rrjedhën e ngjarjes, apo të skenës në vazhdim. Ky element shtrihet në të gjitha pjesët e shfaqjes sa që bëhet një komentator sinjalizues i ngjarjeve që do të pasojnë. Kjo bëhet mirë artistikisht në skenë me efekte të dritave dhe funksionon si skenë e posaçme me vëmendje të përqendruar për shikuesin në sallë.

Këto dhe episodet e tjera të dramës në shfaqje, sonte, në natën e premierës, regjisori Zymberi, i zhvilloi në tri rrafshe: në paraskenë, skenë dhe prapaskenë me ndihmën e mjeteve skenike të shkallëve, shportave metalike të mëdha për shërbime të konsumatorëve të metrove, e të tjerave. Elementet skenike janë të përqendruara në mesin e saj dhe me statiken e tyre funksionalizohen sipas nevojës dhe rolit të aktorëve për t’i interpretuar personazhet e veta. Edhe pse gati të gjitha ishin në funksion të konceptit regjisorial, shportat metalike shpesh ishin jo funksionale, sepse madhësia e tyre pengonte rrjedhën e dramatikes së shfaqjes. Kjo më tepër nuk funksionoi mirë në pjesën e parë të shfaqjes, që ishte paksa e zgjatur dhe dukej e tepruar, sepse disa nga përshkrimet e rrëfimet e personazheve u përsëriten edhe më vonë kur shfaqje kishte rrjedhë të suksesshme dramatike.

Diçka e tepruar në natën e premierës së kësaj shfaqje ishin edhe skenat e shfaqura te pamjet e interpretimit të afshit erotik të shfrenuar të Dautit ndaj Pepës, që disi dukeshin të zhveshura dhe të pakoordinuara me rrjedhën e ngjarjes që zhvillohej në shfaqje. Mbase, kjo dukej paksa paradoksale edhe për publikun në sallë, sepse në mesin e tyre kishte të moshave, gjinive dhe pozitave të ndryshme.

Rolet, aktorët dhe interpretimi

Në premierën e shfaqjes “Kolonel Zogu” i interpretuan rolet e veta shtatë aktorë dhe aktore: Bujar Ahmeti- Fetishovi, Edmond Hafizademi- Doktori, Ylber Mehmeti- Haço, Myrveta Kurtishi- Kiro, Ylber Bardhi- Dauti, Valon Pallaska- Mateu dhe Altina Kusari- Pepa. Secili prej aktorëve u mundua, por edhe ia arriti që deri diku ta pasqyrojë rolin e vet dhe detyrat e ngarkuara nga regjisori Zymberi. Kësaj ata ia arritën duke u koordinuar si një ansambël i njësuar, por edhe si individualitete të veçuara. Ky element shtrihej në të gjitha poret e shfaqjes dhe dukej se dirigjohej pa pengesa edhe me lëvizjet skenike, të cilat ishin bërë në përkujdesje të koreografëve të shfaqjes. Madje kjo gjë doli suksesshëm edhe kur bëheshin lëvizje skenike në grup të aktorëve, sidomos me shportat e mëdha të metalit.

Aktori Edmond Hafizademi interpretoi rolin e Doktorit, i cili në njëfarë mënyre ishte ndër personazhet kyçe të shfaqjes. Ky personazh disi dirigjonte rrjedhën e ngjarjeve, por edhe sistemimin e tyre në konfliktin dramatik, në shtrirjen skenike dhe në strukturimin në tërësi. Dhe të gjitha këto nuanca përkonin me interpretimin e këtij aktori, që prej rolit në rol është duke shfaqur aftësitë e tij prej aktori. Andaj, mund të konstatohet se ky aktor tashmë ka fituar një përvojë skenike që gjithnjë vjen duke u perfeksionuar. Edhe diksioni, lëvizjet skenike, dialogu artistik dhe elemente të tjerë janë të koordinuara mirë në interpretimin e personazhit të Doktorit nga ky aktor.

Ndërsa roli i Kolonelit Fetishov interpretuar nga Bujar Ahmeti pati një anë tjetër të interpretimit aktoresk. Edhe ky aktor ishte në nivel të interpretimit dhe në premierën e kësaj shfaqje i shpalosi aftësitë e veta prej aktori me një perspektivë që do të jetë e suksesshme. Në nivel i kishte lëvizjet skenike, interpretimin e sidomos gjuhën skenike që dallohej te ky aktor. Prandaj, roli i Fetishovit  interpretuar prej tij ishte mirë i realizuar.

Aktorja Myrvete Kurtishi, në rolin e Kiros, edhe në premierën e kësaj shfaqje, si gjithmonë, tregoi përvojën dhe aftësitë e një aktoreje të dalluar. Madje, edhe pse më e moshuara prej të tjerëve, ajo në shumë skena dhe raste të interpretimit dukej shumë efektive, e përsosur dhe tejet dinamike. Roli i saj në një mënyrë pati një interpretim të zhdërvjelltë dhe profesional. Myrvetja, me përvojën e saj gjente momente që dalloheshin dhe zgjonin vëmendjen e shikuesit në sallë.

Roli i personazhit Haço i luajtur nga Ylber Mehmeti pati interpretim të mirë në premierën e kësaj shfaqje. Ky aktor i shpalosi nuancat e veta prej aktori dhe shfaqi aftësitë. Andaj angazhimi i tij nga regjisori Zymberi ishte i qëlluar dhe i suksesshëm. Te ky aktor dallohej gjuha skenike e interpretimit dhe elemente të tjera që pasqyronin përvojën e tij në dërrasat e kësaj skene teatrore.

Ndërkaq Ylber Brdhi sonte luajti rolin e Dautit, të një personazhi rom që disi përshtatej me disa personazhe dhe rolet të mëparshme të interpretuara prej këtij aktori. Por edhe te ky rol i kësaj shfaqje shiheshin elemente imitimi, që janë pasqyrë e interpretimeve të tij. Madje, te ky rol, aktori Ylber Bardhi, përdori gjuhë të të folmes rome, që ka karakter të interpretimit imitues e përqeshës të roleve estradeskë, sidomos të videokasetave të disa humoristëve tanë të Estradës së Kosovës.

Aktori Valon Pallaska interpretoi rolin e Mateut, të një shoferi të kamionëve të mëdhenj. Ky aktor u mundua ta pasqyrojë rolin e besuar nga regjisori aq sa pati mundësi dhe përvojë.

Ndërkaq, aktorja Altina Kusari interpretoi rolin e Pepës, të një femre paksa të shfrenuar, e cila vuante për bëmat e veta. Në epiqendrën e kësaj personazheve shfaqeshin disa dhelpëri të femrave të cilësive të tilla, që janë pasqyrim adekuat i personalitetit të tyre jetësor. Ajo, madje, për t’u pranuar në togun ushtarak merr vërtetim nga Doktori se është e shëndoshë, që është një gjendje e shpërfaqjes figurative të karakterit të personazhit të Pepës. Në këtë premierë, Altina Kusari, ia arriti deri diku të mishërohet me këtë rol, edhe pse shpesh ra në interpretimin e disa roleve të saj në emisione televizive, apo diku tjetër. Por, sidoqoftë kjo aktore ka përpara vetes një rrugë nëpër të cilën duhet të kalojë me role në skena teatrore, si në premierën “Kolonel Zogu” të regjisorit Erson Zymberi.

Në vend të epilogut

Premiera e shfaqjes “Kolonel Zogu” e autorit Hristo Boytchev, në regji të Erson Zymberit, interpretuar nga trupa e Teatrit Profesionist të Gjakovës ngjalli jetën teatrore që kishte “vdekur” për një vit të tërë. Kjo u dëshmua nga publiku që kishte mbushur përplot sallën universale të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi të Gjakovës”.

Trupa e kësaj shfaqjeje tregoi koordinim të një pune kolektive, por edhe individuale që u dëshmua me elemente të baraspeshuara. Edhe koncepti regjisorial përkoi me nivelin e interpretimit të roleve nga aktorët e angazhuar, duke u realizuara dhe koordinuar suksesshëm me koreografinë e ndërtuar nga koreografët e shfaqjes.

Skena dhe elementet skenike të realizuara nga Petrit Bakalli edhe në këtë premierë ishin të suksesshme dhe funksionale. Ky skenograf po sjell elemente bashkëkohore në skenografinë e teatrove dhe manifestimeve ku angazhohet.

Në funksion të shfaqjes ishin edhe muzika e Art Islami, kostumet e Valmira Rrahmanit e sidomos dritat dhe efekti i tyre realizuar nga Nafi Baraku.

Në vend të epilogut duhet thënë se dashtë Zoti dhe politika e kulturës së Kosovës dhe e Gjakovës që këtij teatri t’ia kthejnë reputacionin që kishte dhe që e meriton ta ketë.  Këtë e dëshmuan sonte aktorët e kësaj trupe teatrore të Gjakovës të angazhuar në këtë premierë në veçanti, por edhe publiku besnik, i etur dhe i kulturuar i Teatrit të Gjakovës në përgjithësi.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora