Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Oralda Lahe: Intervistë me sociologen Marsida Simo

| E hene, 07.07.2014, 07:03 PM |


Divorci, fenomeni social i të gjitha kohërave

Flet sociologia Marsida Simo: Sociologët janë të prirur të studiojnë marrdhëniet e prindërit me fëmijën gjatë divorcit.

Ekskluzive nga Oralda Lahe

“Pas viteve 90-të kemi të bëjmë me një shok socio-kulturor  në shoqërinë tonë shqiptare.  Pas këtyre viteve nuk është përjetuar vetëm ndryshimi politik. Të paktën këto kanë qenë diskutimet e shumta dhe këndvështrimi fillestar për atë periudhë. Disa prej shqptarëve  preferuan që të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë, pa ditur realisht se çfarë do t’i priste. Por gjithsesi me vete donin të kishin familjen e tyre, duke mbartur vlerat kulturore dhe zakonet tradicionale. Pavarësisht se ku shkonin, sjelljes apo dëshirës shoqëria jonë e konsideron familjen të shenjtë’’.

Divorci është një nga fenomenet që i përket të gjitha shoqërive mes tyre dhe asaj shqiptare. Sociologia Marsida Simo jep analizën e saj në lidhje me divorcin. Fenomeni në fjalë i përket të gjitha shoqërive dhe aktualisht në Shqipëri kemi një rritje të shifrave. Zëri i specialistëve dhe njohësve të fushave sociale sjellin fakte dhe analiza konkrete.

Si e shihni fenomenin e divorcit ju si sociologe?

Si fillim duke e prekur nga ana juridike divorci është zgjidhja e martesës, me dëshirë për ndarje qoftë të një partneri, për arsye të cilat renditen edhe në nenin 132 në Kodin e Familjes. Ndërsa, si sociologë e shohim divorcin si një proçes që ka një kohë shtrirje më të gjatë, ku pakënaqësitë kanë një zanafillë dhe vazhdon me faza të caktuara. Zgjidhja e divorcit në vendin tonë nuk i përket vetëm partnerëve, por rrethit familjar, shoqëror, fisnor, gjë që e komplikon situatën dhe shkakton problem në formësimin e pavarësisë për secilin bashkëshort në të ardhmen. Një tjetër këndvështrim për divorcin lidhet me zhvillimin e shoqërisë dhe emancipimin e vajzave dhe grave. Roli i gruas realisht ka pësuar ndryshime kryesisht në qytete të mëdha, pikërisht aty ku divorci rritet në numër. Gruaja duke patur të ardhurat e saj, e ka mundësinë për të krijuar pavarësinë dhe ndihet e vlefshme në familje dhe shoqëri. Në rastet e mosfunksionimit të familjes ajo mund të kërkojë zgjidhjen e martesës duke rifilluar jetën e saj. Ndryshe mund të ndodhë me një grua e cila rolin e saj e konsideron vetëm brenda shtëpisë, ku përkujdesi i saj i përket burrit dhe fëmijëve. Sa mundësi mund të këtë kjo grua të mendojë për divorcin? Normalisht kushtet e saj socio-ekonomike e detyrojnë të jetojë nën presionin e dhunës apo keqtrajtimeve të burrit të saj.

Cilët janë disa nga shkaqet që çojnë drejt divorcit?

Shkaqet që parashikohen qoftë dhe me ligj janë të shumta si për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit  penal të rëndë të bashkëshortit ose çdo shkak përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose bashkëshortët. Më pas mund të përmendim shkaqe të cilat mund të jenë individuale për secilin bashkëshort. Ndryshimet kulturore, niveli ekonomik, pikëpamjet jo të njëjta janë burim konflikti. Ka raste kur vendimi për martesë është bërë në moshë të mitur ndaj dhe kjo mund të krijojë pengesë në martesë, mund të sjellë  divorc në të ardhmen.

Si shfaqet situata e divorcit pas viteve 90-të në Shqipëri?

Pas viteve 90-të kemi të bëjmë me një shok socio- kulturor  në shoqërinë tonë shqiptare. Pas këtyre viteve nuk është përjetuar vetëm ndryshimi politik. Të paktën këto kanë qenë diskutimet e shumta këndvështrimi fillestar për atë periudhë. Disa prej shqiptarëve  preferuan që të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë, pa ditur realisht se çfarë do t’i priste. Por gjithsesi me vete donin të kishin familjen e tyre, duke mbartur vlerat kulturore dhe zakonet tradicionale. Pavarësisht se ku shkonin, sjelljes apo dëshirës shoqëria jonë e konsideronte familjen të shenjtë. Për atë periudhë njihej termi celebrim i martesës, por shqiptarët martesës i jepnin vlerë momentit kur  jetonin në një shtëpi. Pas këtyre ndryshimeve, shoqëria u njoh me terma të reja siç ishte kontrata para martesore. Rëndësia e ligjit shkoi tek individi dhe liria e tij personale. Ndryshimet brenda familjes vazhduan me ritme shumë të ngadalta. Divorci ende shikohet si problem apo anë e errët.

Si shfaqet situata e divoricit para viteve 90-të?

Para viteve 90-të divorci ishte shumë i rallë dhe ndodhte më tepër për arsye partiake. Jeta familjare nuk ishtë aq private, pasi në të ndërhynte kushdo, jo vetëm pjesëtarët e tjerë të familjes dhe komuniteti. Shumica e bashkimeve të partnerëve për martesë bëhej me pëlqimin e familjarëve, ndaj e drejta personale ndërpritej që në atë moment. Çdo vajzë ishte e përgatitur për të qenë një grua e denjë për bashkëshortin e saj. Ajo dinte çdo detyrë dhe përkushtim të cilat do t’i kishte gjatë gjithë jetës. Ato kishin mësuar më së miri nga nënat e tyre se gjatë jetës bashkëshortore duhet të dinin të heshtnin, të falnin,  duronin,  pranonin vendimet, veprimet, sjelljen e burrit të tyre. Ashtu siç ndodh në familjet patriarkale liria e kufizuar e grave përkthehet me numër të ulët të divorcit.

Si shfaqen marrdhëniet prind-fëmijë në momentin e divorcit?

Sociologët janë të prirur kryesisht të studiojnë marrdhëniet e fëmijës me prindërit në momentin e divorcit. Në të vërtetë problemet shfaqen në momentin kur  fëmija është i vogël. Pas moshës 5 vjeç deri në 10 vjeç  fëmija është i prirur të bëjë shumë pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje të menduara mirë nga prindërit. Nëse ka deformime në njohuritë e tij, ai  i mbart dhe më pas. Ndarja e prindërve nuk është aspak e thjeshtë të kalohet, madje disa fëmijë nuk e kalojnë asnjëherë. Këtë problem e shfaqin tek marrëdhëniet që ata krijojnë në të ardhmen me të tjerët. Në moshën kur fëmija bëhet adoleshent ka nevojë për praninë e të dy prindërve e lidhur me problemet që ka vetë mosha.  Gjithashtu, gjej rastin të jap disa të dhëna të cilat janë bërë në lidhje me divorcin këtu në Tiranë. Një studim që është bërë me disa adoleshentë të moshës 16 dhe 18 vjeçare të cilët jetonin me një prind, të dhënat jepnin problematika të cilat lidheshin me arsimin e tyre. Rezultati tregonte se fëmijët me një prind kishin më tepër tendencë të braktisin shkollën dhe të shkonin drejt sjelljeve devijante. Disa të tjerë janë detyruar të punojnë pavarësisht moshës së tyre, gjë e cila sjell rezultate më të ulta në mësime.

Cilat janë pasoja që sjell divorci në çift?

Divorci shoqërohet me pasoja tek çifi si në rastin kur është prind apo jo. Në fakt mund të përmendet ndarja ekonomike dhe ajo e fëmijëve kur shfaqen  konflikte. Secila prej këtyre fazave shoqërohet me probleme psikologjike të cilat vazhdojnë dhe pas ndarjes. Disa prej çifteve të ndarë mund t’i përndjekë ndjenja e fajit, frikës për të ardhmen. Ndërsa për rinisjen e një martese tjetër, burrat e kanë më të lehtë se gratë të cilat fokusohen më shumë te përkujdesi i fëmijëve.