E premte, 29.03.2024, 06:26 AM (GMT)

Mendime

Kim Berisha: As kënga nuk na bashkon më!

E shtune, 05.07.2014, 04:20 PM


As kënga nuk na bashkon më!

Nga Kimete Berisha

Do shqiptarë protestojnë kundër regjimit maqedono-shqiptar në Maqedoni, me flamurin kombëtar shqiptar dhe me flamuj arab;

Arabët, në anën tjetër, shqiptarët i çmistojnë të vrasin e të vriten për xhihad, por Beogradin, me paret e tyre, po e bëjnë xhenet, po e realizojnë 'xhenetin mbi ujë' midis Serbie.

'Beogradi mbi ujë' quhet dashuria më e re arabe për Serbinë, ku për ironi të shqiptarëve, firma e Emirateve të Bashkuara Arabe që do ta transformojë Beogradin në 'xhenet' quhet 'Kodra e shqiponjave'.

Në emër të shqiponjave, arabët po bëjnë investime qiellore atje, po e transformojnë aq shumë Beogradin, sa që do të kenë nevojë për ciceron për ta gjetur rrugën për në shtëpi edhe vet serbët e Beogradit.

E disa shqiptarë të papunë të Kosovës nuk mirren me ndërtimin e jetës, si sheikët arab që ia dinë lezetin jetës, dhe atë lezet e shpërndajnë me paret e tyre edhe në Beograd, por shqiptarët i kanë lëshuar do mjekrra dhe nuk u interesojnë më shqiptarët, pasaportën e Kosovës e kallin zjarr, po atyre u intereson xhihadi për atdhetë e tyre, Sirinë dhe Irakun.

Iraku zyrtar, lyp çare nga amerikanët për të shpëtuar nga ISIS, ndërsa Kryeministri turk thotë se ndihma amerikane në Irak është e panevojshme. Shqiptarët e këqyrin në sy çka po thotë Erdogani! Nuk kalon java, edhe Erdogan kërkon për vete ndihmë nga BE-ja dhe nga amerikanët në luftë kundër terrorizmit.

Në Shqipëri, si nëpër histori, kanë preokupime të tjera, dhe e koncentrojnë qeverisjen e tyre për t'u distancuar nga shqiptarët myslimanë të Kosovës, Maqedonisë dhe Preshevës. Për t'u distancuar rrastë, në ndihmë u vie Kisha Ortodokse serbe, që midis Tirane, ndër sy të Kryeministrit dhe Kryetarit më qesharak të Shqipërisë, e shpall Kosovën djep të Serbisë.

E disa shqiptarë, s'kanë as punë, as bukë, as dashni, por e kanë Sirinë për të cilën duan të vdesin.

Në anën tjetër, Shqipëria po 'bashkohet' me Serbinë, jo veç nëpërmjet Kishës Ortodokse serbe, por edhe me ndihmën e martesave shqiptaro-serbe.

Shqiptarët e Shqipërisë po e zhvillojnë turizmin erotik, ekskluzivisht me serbë, dhe kurrë nuk ndodh që serbja ta merr për burrë shqiptarin, por ndodh me shumicë që vajzat shqiptare në mënyrë të organizuar të lypin burra serbë, kryesisht katundarë, që s'i merr kush.

Kur shqiptaret bëhen nuse serbe, dashnia ua ndërron emrat, për dashni ndaj serbëve konvertohen në ortodoske dhe thonë se po kënaqen se po ngihen bukë e dashni, si gjaja e gjallë. Mjerajkat.

Tirana zyrtare e di planin e vjetër të partisë së Sheshelit, që ta shpëtoj jetën serbe, duke martuar 200 mijë katundarë serbë me varfanjake shqiptare, prandaj Tirana zyrtare e ndihmon Serbinë për ta realizuar planin e saj shpëtues.

Po, shteti shqiptar nuk mund t'u gjejë burra vajzave të varfëra shqiptare që s'i merr kush për nuse!

Se edhe djemtë shqiptarë, me shumicë, po martohen për interes material, jo shpirtëror. S'ka ma dashni, ose rrallë i lidh dashnia shqiptarët në martesë.

Shqiptarët duan bukë, jo dashni.

Dashuria është bekim i Zotit për njerëzit e jashtëzakonshëm. Është dhuratë e Zotit për njerëzit e mirë, që e dinë se shpirti vdes pa dashuri, siç vdes trupi pa bukë. E më mirë të vdesim urie, sesa ta shtyejmë jetën pa dashuri.

Askush nuk e lakmon dashurinë.

Shteti as nuk mund t'i ndalojë agjencitë erotike që mësitnojnë martesat serbo-shqiptare, vajzat shqiptare që shiten për 1 lopë, për pak pare, naj hallhalle, e cingla-mingla të tjera kineze të Serbisë.

Por, shteti shqiptar mund ta shpëtoj femrën shqiptare nga mjerimi, izolimi, jeta e humbur prapa kodrave pa lisa, ku askush nuk i 'sheh', kur rrihen, dhunohen, keqtrajtohen, e durojnë urie, pa dashni.

Pra, asnjë shqiptar sot nuk i ka problemet e njejta, dhe as armiqtë e përbashkët.

Kurrë më të ndarë shpirtërisht s'kanë qenë shqiptarët, që po duket se më nuk i bashkon as kënga.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora