E enjte, 25.04.2024, 07:56 PM (GMT+1)

Editorial

Xhafer Berisha: Babai i heroit kombëtar Skender Çeku rrëfen për ngjarjet historike dhe masakrën e 14 Majit 1999

E merkure, 25.06.2008, 06:33 PM


Haxhi Çeku dhe Xhafer Berisha
Haxhi Çeku , kryeplaku i fshatit Qyshk në afërsi të Pejës dhe babai i heroit kombëtar Skender Çeku rrëfen për ngjarjet historike dhe masakrën e 14 Majit 1999.

Shkruan: Xhafer Berisha

Fshati Qyshk shtrihet në pjesën juglindore të qytetit piktoresk të Pejës. Qyshku, tanimë fshat, sipas gojëdhënave dikur ishte qytet, madje para Pejës, dhe quhej Seprant, rrëfen kryeplaku Haxhi Çeku. Burime të shënuara nuk ka, por disa kërkime arkeologjike lënë përshtypjen se gojëdhënat flasin qartë pasi, në ambientin ku janë vënë themelet e Fabrikës së Baterive, e cila është ndërtuar në një pjesë të fshatit Qyshk, janë gjetur gjurmë të një qytetërimi të lashtë Ilir. Mirëpo pushteti komunist serb, vazhdimisht në përpjekje për të ndryshuar identitetin dhe vlerat e trashëguara kulturore të popullit shqiptar në Kosovë, ka mbuluar dëshmitë arkeologjike që flasin për qytetërimin e vjetër në Qyshk.
Fshati Qyshk ka qenë i njohur në histori pasi aty ishte dikur selia e Principatës së Dukagjinit. Banorët e hershëm të Qyshkut ishin: Ukë Sallahu (Berisha), Smajl Haxhia dhe më vonë kishte ardhur familja Çeku nga fshati Irzniq.
Pavarësisht nga historia, Qyshku ishte i pandarë si në luftëra ashtu edhe në kremte me qytetin e Pejës. Kështu Qyshku ka përjetuar dy luftëra të mëdha sipas bashkëbiseduesit Haxhi Çeku. Qyshku ka pësuar shumë nga lufta e dytë Botërore por dëme ka pësuar shumë edhe me 14 Maj 1999.
Masakra në Qyshk me 14 maj 1999, e kryer nga paramilitarët serbë ...!
Rexhimi serb i Milosheviqit ka bërë masakrën më të tmerrshme ndaj popullatës shqiptare në fshatin Qyshk në afërsi të Pejës, rrëfen Haxhi Çeku i cili e ka përjetuar atë, madje është dëshmitar okular në qastin e ekzektimit të kushërinjëve, fqinjëve dhe bashkëfshatarëve të vet. Fshati Qyshk shtrihet në një rrafshinë jo larg nga Peja, prej nga me kënaqësi mund të soditësh Bjeshkët e Rugovës, gjegjësisht tëra Alpet Shqiptare. Në Pjesën veriore të fshatit depërtojnë dy rrugë që e lidhin me Pejën dhe me Prishtinën, magjistralja dhe Ferrovia, Pejë-Fushë-Kosovë-Prishtinë. Këto rrugë para dhe pas lufte në Kosovë kanë shërbyer për lidhje ekonomike e arsimore. Kurse gjatë luftës në ato qarkollonin njësitet dhe konvojet kriminale serbe.
Gjatë Verës së vitit 1998, në Loxhë e Raushiq, durimit e pat ardhur fundi, dhe të rinjët dolën në luftë për të mbrojtur lirinë dhe truallin e të parëve. Të rinjët e fshatit Qyshk u bashkuan për mbrojtje nën komandën e prijësit Skender Çeku. Dy beteja që u zhvilluan, forcat e UÇK-së shënuan fitore. Pushtuesi pastaj ndërmori ofansivë në të cilën në aspektin e armatimit palët ishin të pabarabarta. Serbët përdorën krahas tankeve edhe aviacionin luftarak. Kështu me 15 Gusht 1998, në fushëbetejë bie heroikisht në mbrojtje të atdheut komandanti Skender Çeku , emrin e të cilit sot me krenari e mban shkolla fillore e fshatit Qyshk.
Gjatë zhvillimit të luftimeve në Loxhë e Raushiq, Qyshku ishte bazë ku strehohej armatimi me të cilin furnizoheshin çlirimtarët. Pikërisht për arsye të pozitës strategjike dhe gjeografike, Qyshku Ishte në shënjestër vazhdimisht nga forcat serbe. Në Prill 1999 paramilitarët dhe policia serbe në fshatin Qyshk kishn bërë kontrol dhe kishin kërkuar dorëzimin e armëve, dhe kishin keqtrajtuar fshatarët. Njëkohësisht u kishin vënë zjarrin disa shtpive; të Haxhi Çekut, Qaush Lushit, Muqë Lamit e të Fazli Çekut.
Ndërkohë, me 13 Maj 1999, natën rreth orës 22, paramilitarët serbë,arrestuan në Pejë qiftin bashkëshortorë; Aziz dhe Nergjivane Sharapolli i kishin dërguar në Qyshk, dhe i ekzekutuan buzë rruge , pranë shtëpisë së IslamÇekut. Të nesërmen me 14 Maj 1999 në mëngjes në ora 7.30 minuta, forcat serbe rrethuan Qyshkun. Ishte e Premte , më 14 Maj 1999. Ajo ditë fshatarëve të Qyshkut u solli kob të madh. Forcat kriminele filluan të maltretonin dhe të ekzekutonin banorët e pafajshëm. Para fëmijve dhe familjarëve të tyre paramilitarët serbë ekzekutuan; Ibrahim Gashin, Metë Shalën dhe Rasim Ramën, në oborrin e Rasim Ramës.
Pastaj paramilitarët e tërbuar të ndarë në tri grupe hynë: Një grup në Lagjen e Çekajve, nga nxori rreth 70 anëtarë të familjes Çeku dhe qytetarë të strehuar nga vatrat e luftës. Në atë grup ishin familjarët e ; Hasan, Haxhi, Kadri, Nezir dhe Bajram Çeku si dhe familjarët e Sevdije Berishës dhe të Shaqir Ymerit nga Grabanica e Klinës, që poashtu përjetuan dramën e kobshme të asaj dite. Fillimisht u ekzekutua Kadri Çeku në oborr dhe pastaj parmilitarët i vunë zjarrin shtëpisë tij. Pastaj paramilitarët u interesuan për më të afërmit e gjeneral Agim Çekut. Babai I gjeneralit, Hasan Çeku me krenari paraqitet duke u thënë se ja ku jam unë, duke menduar se ata nuk do të hakmerreshin në qytetarët tjerë. Ashtu ai u flijua me besnikëri e burrëri.
Grupi tjetër I paramilitarëve kishte hyrë në lagjen e Mushkolajve, ku ekzekutuan kushërinjët Selim dhe Haki Gashin. Pastaj u vunë zjarrin shtëpive të Haxhi, Misin, Abdyl,e të Niman Gashit. Më pastaj tëra grupet kriminele serbe u bashkuan dhe u vërsulën në Lagjen e Hasabeqve. Aty pasi I nxorën jashtë I ndanë burrat nga fëmijët, gratë dhe të moshuarit.
Burrat i ndalën kurse grupeve tjera u patën dhënë Ultimatum të arratisen për Shqipëri, por pas arritjes në hyrje të Pejës pranë Fabrikës së Baterive, militarët serbë i kishin urdhëruar të kthehen sërish në fshat. Kur ata u kthyen, familjarët e tyre i gjetën të vrarë e të masakruar. Për tmerrin e asaj dite kanë rrëfyer edhe Hazir Berisha, Rexhë Kelmendi dhe Isa Gashi të cilën për fat kishin shpëtuar nga masakra. Atë ditë patën rënë dëshmorë 46 veta. Në Lagjen e Lushajve ishin ekzekutuar nëntë burra. Meihanes ia kishin vrarë pesë djemë: Abdullahun, Ukën, Xhaferin,Ramizin dhe Skenderin.
Hatmanes së Haxhi Vokshit ia kishin vrarë dy djemë; Osmanin dhe Sefedinin. Po ashtu Fatimes ia kishin vrarë bashkëshortin Qaushin bashk me djalë.
Patën bërë masakra edhe në lagjen e Hasabeqve! Sherife Azemit ia kishin masakruar tre djemë: Nimonin, Muharremin dhe Jasharin. Nga ajo familje kishin ekzekutuar edhe: Eminin, Ahmetin , Skenderin, Musain,Brahimin,Ibishin dhe Halil Gashin. Familja Gashi kishte edhe të strehuar tjerë që poashtu ishin masakruar: Zeqir Alija (Grabovc) Emrush Zeneli (Vranoc), pastaj Ismet Dina ,Gani Avdyli dhe Hasani (Gorazhdec) . Nga familja e Din Sahitit ishin masakruar: Ibra, Skenderi me djalin Erdoganin dhe Besimi. Po ashtu të mbijetuarit i cili i shpëtoi vdekjes, Rexhë Kelmendit ia kishin masakruar vëllanë, Demën, kurseTahir Sylës, vëllanë, Brahimin. Hanifes së Shaban Binakut ia ekzekutuan djalin Mentorin, po ashtu ishte vrarë edhe Ramë Dervishi me Xhaferin. Gjatë luftës në këte fshat forcat serbe në oborrin e shtëpisë së vet vranë edhe Avdi Berishën .
” Pas varrosjes së kufomave shkova tek familjet e të vrarëve në fshat. Ishte tmerr …! Meshkujt nuk i gjeta në shtëpitë e tyre gjeja vetëm gra dhe fëmijë dhe nënat duke dënesur për bijtë e tyre të dashur…! Përpiqesha t´i ngushlloja por si ? nuk gjeja fjalë .Te Qallapekët gjeta vetëm Tahir Sylen të cilit i shpreha ngushllime kurse në lagjen e Hasabeqve takova Vesel Bekën. Ai u gëzua kur më pa se kisha shkuar ta vizitoja . Ngushlluam njëri tjetrin… edhe unë isha i dëmtuar përveq që kisha humbur djalin, Skenderin, gati nje vit më parë mu patën vrarë; vllau dhe i biri mixhës …! ”, rrëfen me sy të përlotur dhe i mërzitur Haxhi Çeku.

Lufta e fundit e la Qyshkun pa 51 banorë të dashur, në mesin e të cilëve edhe një grua. 42 prej atyre Martirëve u ekzekutuan brenda një dite. Martirët e fshatit Qyshk sikur të gjithë Martirët e Kosoves janë të shenjtë siq janë dëshmorët siq janë të gjithë ata që derdhën qoftë edhe një pikë gjaku për lirinë e Kosovës apo që dhanë një ndihmë çfardo qoftë ajo për atdheun e tyre.

Në anën tjetër të gjithë familjarët e tyre dhe të mbijetuarit , sot janë krenarë për të rënët për lirinë e Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora