E premte, 19.04.2024, 10:36 PM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: Ujë prushit se u flakë Kosova!

E enjte, 03.07.2014, 07:19 PM


O PAK UJË PRUSHIT POLITIK SE U FLAKË KOSOVA?!

NGA RAMIZ LUSHAJ

Veç kah 99.99 për qind po i rri prej disa ditësh akrepi  KQZ në Kosovë e nuk po do’ kurriherë me u ba 100 për qind. Ndërkohë pozitë e opozitë janë valavit’ ndërveti me ia ba “qindin” njani-tjetrit. Prush po ia çojnë vendit e vetit, tokës e qiellit, aqsa kryetare e KQZ, sadoqë e ka emrin valë-deti (Valdete) nuk po mu’, s’po din’ apo s’a ka don me e shujt sadopak kit’ prushnajë të sherrnajës politike.

Kryeministri i Kosovës e kryetari i LDK-së, Hashim Thaçi, po don me fitue kohë juridike tue i hup kohë politike Kosovës. Si në qershor, si në gusht, njëlloj asht, pasi pushteti politik është demokratik e atë e fiton shumica parlamentare. E, sipas gjasave, kit’ po e kryen opozita me formacion politik e qeveri në pritje. Ajzbergu pritës i Thaçit për fitesë mandati për formimin e Qeverisë në këto kushte e rrethana politike të çon asgjëkundi. Po nuk diti me u sjell opozita atëherit Kosova ka me fitue: kurrgja. Çdo fitore është si e Pirros e ne, iliro-shqiptarët, mjaft e patëm një histori të tillë në Epir pa e sjellë edhe në Dardani.

Thaçi nuk po don me thanë botnisht se qershori elektoral nuk ia ka pjek qershitë politike. Opozita po thotë se në korrik i kena “të korrat” tona: Qeverinë e Re. Pra, Qeverisjen e Vendit. Thaçi po e merr rastin pas zgjedhor sikur e hodhën me “tuç” e Opozita  ruhet se mos Thaçi iu ban “Puç”. Po ka mjaft vapë e thatësirë politike e juridike, aqsa të dyja ta çojnë prush, e dhezin vendin në flakë politike. Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka fol tue heshtë, nuk ka prit’ me fol, po pa i ardhë rradha me dhanë vendimin e saj po receton e reciton mendime, po i piklon karburant situatës prej motorrit të vet.

Në Kosovë, prej disa ditësh po duket sikur Hashim Thaçi do të rikthehet si dikur nga “Lufta” e Isa Mustafa i LDK-së nuk po del tamam nga auditoret e një “politike akademike”. Dihet se Hashimi asht ba burrë shteti po kuptohet se shteti nuk është i Hashimit. Duket sikur në kit’ betejë paszgjedhore ka vetëm dy kryeluftëtarë: Ramush Haradinaj, i propozuar për kryeministër dhe Albin Kurti i Vetëvendosjes që po merr kredite politike, po doktorron në politikë. Kurti i VV don me u kthye në Zeus e i lyp Thaçit me e këput dialogun e nisun me Serbinë e me ndërmjetësi ndërkombëtare, po “i lidhuni” jo gjithmonë bahet “Pometeu”. Kurti i VV nga ana tjetër merr hov, thua si  Rilindasit e shek. XIX apo XX, e i lyp Ramush Hajardinajt bashkimin me Shqipërinë, po ky sado që i theu më 9 prill 1999 me armë, gjak e plagë piramidat e kufinit shqiptaro-shqiptar Kosovë-Shqipëri nuk mundet me e ba bashkimin kombëtar shqiptar me i’ mandat qeverisës, se duhet me i kapërcye do gropa e do kodra jo vetëm ballkanike...Sidoqoftë këto mbeten deklarata që lypin hapa. Po janë edhe ashkla pishe me e pa rrëshinë që mund të flaken në tym e prush gjithqysh. Po një luftëtar tjetër i kyçtë është edhe Fatmir Limaj, lideri i NK, për të cilin më ka thanë një hero i gjallë i Batalionit “Atlantik” se është njeri i mirë, e si duket, edhe politikës don me i ndejt për mirë si prijtar i forcës së vet, i kohës së vet.

Ndoshta mendja mund të na shkojnë edhe diku tjetër: ka ndonjë nga ata që e shtyten në zgjedhje të parakohshme Kosovën për mos me e nxjerrë shpejt prej tyne. Dikush don me u forcue Serbia e me shkue drejt BE-së kur Kosova merret me “qeveritë” e veta. Dikush tjetër don me e lodh Kosovën, që të mos kryhet bashkimi kombëtar shqiptar, që të toleroj Kosova në dialog me Serbinë, etj. Në këto hulli e anale diplomatike  duhet ndigjue ma shumë e ma mirë Amerika, mike e madhe e shqiptareve, etj.

Kësisoj, deri edhe në tepri, e pse jo, edhe ndoiherë edhe në marri, si në Prishtinë apo kah mos në Kosovë, si dikushi apo gjithkushi, edhe pa mandat nga lartësia e partisë, edhe pa tagër prej drejtësisë, etj. i kanë ndezë “flakadanët”. Dikush kuturon se “flakadani’ e ban prijës, i jep ulëse në karrike. Dikujt “flakadani” si ban dritë as për veti jo ma tek të tjerët. Ka gurgac/je. Ka eshk/najë. Ndokush e gjuan flakadanin në drejtim të pamenduar a të paditur dhe rrezik me e kall vendin përreth veti e ndoshta deri tek të tjerët, e çojnë prush situatën. Ndoshta e ban flakë e hi një shkrepse politike. Ndoshta e qiellnon e vorrnon një frymë politike.

Tashti ka rrugë kushtetuese me afate kushtetuese. Kjo sipas Nenit 95 të Kushtetutës. E kësaj here, asnjë forcë politike apo koalicion qeverisës i mundshëm apo i pritshëm nuk mund të marrin notën 10 e, ndoshta, zgjidhjet politike mund të jenë kalueshëm, sa për një 5. Së parit, këto nota kanë me i marrë KQZ, Presidentja, Kryeministri Thaçi i mandatuar e atëherë pas “bllokazhit” politik e merr mandatin koalicioni i opozitës, përndryshe Ramush Haradinaj. Pastaj, mund të (mos)shkojnë çështja në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Po lista e notave e ka edhe numrin 4, po edhe numrin 1, që janë pa kalues, negativ. E, këtë vlerësim mbetës në provimin e verës mund ta marrin klasa politike e Kosovës, si Pozita dhe Opozita, nëse nuk i hedhin ujë prushit të tyne elektoral se me këto turre politike flakadan po flaket Kosova(!)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora