E enjte, 25.04.2024, 01:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Shtëpia e Qafajve me flamur

E enjte, 03.07.2014, 07:28 PM


SHTËPIA E QAFAJVE ME FLAMUR

“Na jemi shtëpi tash pesëqind vjet, qysh nga koha e Skanderbegut, na thoshin të parët.”

NGA NDUE DEDAJ

Shpesh në jetën e popullit has fakte që të bëjnë të mendohesh thellë, si në rastin kur një derë malësie, një shtëpi e dëgjuar, si ajo e Qafajve të Fushë-Arrësit, me origjinë prej Spaçit të Mirditës, ka patur flamurin e vet, njëlloj si dinastitë  shqiptare të mesjetës, Kastriotët e Dukagjinët, që kishin stemat, emblemat, vulat, siç besohej se kishin dhe “hyllin” e vet rojtës. Në ato mote kishte flamurin e vet dhe krahina, dhe bajraku, por dhe shtëpia e madhe, shtëpia e parë, që ishte si një shtet më vete. E vërteta është se nëse diku në zonat fushore e qytete disa vlera autentike ranë, prej furisë së pushtimeve të huaja, në male ato u ruajtën si mbijetoja, si praktika jetësore a ceremoniale, si rituale. Mundet që flamuri i Pirustëve të ketë qenë me pamjen e ndonjë përkrenareje ilire, apo emblemë bakri a bronzi. Flamuri i Principatës së Arbërit dhe ai i Dukagjinëve më vonë ishin me të njëjtën heraldikë, shqiponjën njëkrenore. Flamuri i Mirditës ishte ai kombëtar, shqiponja dykrenore, por me element shenjues diellin me rreze, aty ku më pas u vendos ylli pesëcepësh. Flamuri i Dheut (bajrakut) të Kuzhnenit përbëhej nga një dorë e bardhë e hapur në një fushë të kuqe, me një kryq të kuq në fushë të bardhë, siç e përshkruan Franc Nopça. Është e njohur se në Mirditë duvaku i nuses ishte me shqiponjë.

Aristokracia shqiptare e maleve, që kishte si tipar themelor prijen mundi të mbetej e pashprishur në thelbin e saj autokton, pa u lakuar e tjetërsuar prej kulturave të pushtimeve, me të gjitha shenjat e saj prijetare, kuvendore.

Flamuri origjinal i Qafajve: një degë lisi e blertë në një fushë të bardhë

Flamuri i Shtëpisë së Qafës ishte si ai i Mirditës përsa i përket fushës së bardhë, por mbi të ishte skalitur një degë lisi e blertë, me të vërtetë diçka origjinale, që sot do të dukej i përshtatshëm për ndonjë parti ekologjike që na mungon. Lisi ishte simbol i forcës, lartësisë, bukurisë natyrore dhe njerëzore, dega e njomë e lisit me gjeth ishte shprehje e paqes, mirëkuptimit, lejimit të tjetrit për të kaluar nëpër territorin tënd. Ai flamur vihej në ballë nga karvanet që kalonin nga Prizreni e Gjakova në Shkodër, çka do të thoshte se ishin në besën e saj dhe askush nuk mund t’i prekte nga Qafa e Malit deri në kufijtë e Qafë-Qelës matanë Pukës. E kur nuk kishin flamurin e Qafajve, mjaftonte të thyenin një degë lisi e ta vinin në qafë dhe atëherë gjithkush e dinte se ishin në besën e tyre, padyshim një nga zakonet më të fisme shqiptare. Një degë lisi që përçonte besën qafë më qafë e grykë më grykë. Ti ishe një udhëtar i largët, i panjohur, i pambrojtur, kur befas kujtoheshe se kishte një ligj të pashkruar të kësaj bote që të merrte në mbrojtje, të dilte përzot, ishte, pra, thjeshtë një degë lisi që t’i mund ta këpusje sapo të zgjasje dorën dhe atëbotë ishe i mbrojtur njëlloj si mbreti i Francës apo Anglisë që kishte gardën përreth, ani se ai që të kishte marrë në besë nuk të njihte dhe as nuk e njihje. Nëse mund të ndodhte ndonjë mrékull e ti shtegtari të vriteshe në pabesi, atëherë ti asesi nuk shkoje gjakhupët, pasi gjaku yt do të merrej nga shtëpia që kishte për flamur atë degë lisi. E kjo nuk është një legjendë, por një doke e zbatueshme. Ka ndodhur më se njëherë, që i vrari në agoninë e fundit ka shqiptuar para ndonjë bariu a shtegtari tjetër, se kam hangër në dardhat e filanit dhe kaq ishte e mjaftushme që ai të quhej “mik i premë” në bukën e tij. Nuk kishte një drejtësi më të mirë se kjo në atë kohë plot trazime sociale e ravgime morale. “Dega e lisit” vërtet u njoh si flamuri i Qafajve, por me të njëjtën simbolikë ajo është përdorur kudo në zonën e Kanunit, si shenjë mbrojtje e shtegtarit, i cili, kur kalonte pranë shtëpisë tënde, mjaft që të kishte atë “medaljon” në setër dhe ishte në besën tënde.

Shtëpitë e vjetra shqiptare kishin një status më të veçantë, si e Gjomarkut, e Kaloshit, e Gjo Lulit, e Skandës, e Qafës, e Përvizit, e Friskut, e Cerës etj., që nga koha e Motit të Madh. “Shtëpia jonë dhe shtëpia e Qarrit të Hasit ishin të njohura për bujari, me dhanë bukë për këdo. Asokohe shtroheshin 5-6 sofra në ditë për udhëtarët. Në drekë hahej buke më ç’të kishte, kurse në darkë hahej bukë me mish, për miqtë, udhëtarët e shtegtarët”, kujtojnë pasardhësit. Ky ka qenë një zakon i mrekullueshëm në malet tona, kësaj i thonë që bujaria të dilte sheshit, në udhë të madhe, çka mund të jetë unike në botë. Ishe nisur për të shkuar në punën tënde dhe ndërkohë drekën e gjeje të shtruar ku të gjente mesdita, e darkën ku të zinte nata, paçka se nuk e njihje shtëpinë ku do të veje. Ka pas disa shtëpi të tilla bukëdhanëse në udhë në Mirditë, si e Qafës në Fushë-Arrës, e Tucit në Simon etj. Po ashtu është i njohur zakoni me iu qit raki me meze krushqve në Udhë të Madhe, kur ata kalonin ndanë shtëpisë tënde, pasi mund të kishin bërë udhë të gjatë. Kjo bujari i ka pas mbajt krushqit të “pangrirë” dhe doket të pathyeshme.

Arsti në Udhën Publike që kalon nëpër Dukagjin

Këto vende të epërme në të kaluarën janë vizituar në të rrallë nga ipeshkvit e Sapës (Nënshat), apo vizitorët apostolikë të Vatikanit. Frang Bardhi, shkrimtari ynë i vyer, viziton për dy javë kishat, famullitë dhe banorët në verën e vitit të largët 1637, duke shkruar dhe raportin përkatës për Selinë e Shenjtë. Janë një tufë relacionesh të asaj kohe që falë Injac Zamputit prej gjysmë shekulli i kemi dhe në shqip. Frangu përshkruan me imtësi rrugëtimin e tij baritor: Prej Kabashit shkuem n’Arës, katund 8 mil larg nga Kabashi. Ky katundi i Arësit asht 7 shtëpish e 51 frymësh... Kishën e kanë n'emën të Shën Sebastianit dhe aty ata vorrosin të vdekunit e vet. Kjo kishë nuk ka asnjë stolisje. Nga Arësi, po atë ditë, shkuem në Berdhet, mbi 8 mil larg prej Arësit. Berdheti asht katund 19 shtëpish dhe 146 frymësh. Ka një kapelë n'emën të Shna Prendes... Asht e vendosun në Udhën Publike që kalon nëpër Dukagjin e shkon në Serbi... Gjindja e Berdhetit shpesh herë kanë ngritun krye kundra turqve dhe u kanë dalë në pritë te rruga që kalon nëpër Malzi (Shëmria e Kukësit. nd.), që asht pranë popujve të Spasit, dhe i kanë shpartalluar, u kanë marrë plaçkat, kuajt e armët dhe pastaj prap kanë bamë paqe tue u dhanë turqve një sasi haraçi. Berdhetasit janë për armë ma të zotët e të gjithë Pukës...”

Edhe pse vendi quhet Fusha e Arësit, ai është krejt me male dhe vetëm aty ku është ngritur qyteti gjendet një ultësirë me pak ara të rrafshta e pjerrina, po ku nuk të zë syri dhe aq shumë drurë arrash. Nuk mund ta ftillosh me të parën, nëse emri Arst vjen nga arrë, arë/arëz apo dhe nga ar(i), kur nëntoka e këtyre maleve është plot me madem? Iu hedhim një sy shkrimeve të vjetra dhe ja tek hasim një shënim të studiuesit Kol Luka: Në Fushë-Arrës, shkruan ai, janë toponimet: Kroni i Fushaxhive, Vija e Fushaxhive, etj., dmth të atyre që kishin zbritur poshtë në pllajë. Edhe ai nuk mund t’i shmanget Frang Bardhit, i cili banorët e Arstit i quan ar(r)ësi(n)j (Arëssini). Ka kaluar mjaft kohë derisa kanë zbritur arrësinjt e tjerë për t'u bashkuar me ato të fushës dhe për të formuar emrin e ri Fushë-Arrësi. Dy trajat arst dhe arr(ë)s nisen nga një e vetme ku trajta arst është më e vjetër. Eshtë dhe fshati tjetër Arst (Arst Miliska) në Iballe. Pra, kemi të bëjmë me një fitonim. Trajta arrësi (aressi) te Bardhi nuk na lë më asnjë dyshim.” (K. L. “Etnografia Shqiptare”, 11, T. 1981.) Thënë shkoqur, Arst vjen nga arrë (vendi i arrave, fusha e arrave).

Fushë-Arrësi kishte rëndësi strategjike, ngaqë ishte qendër urbane e baras-larguar nga Shkodra dhe Prizreni, 12 orë nga qyteti rrëzë Taraboshit e ndanë Bunës dhe 12 orë nga qyteti në krah të maleve të Sharrit. Ishte një simetri e përkryer, si në legjenda, ku karvanet e kuajve duhej të shtegtonin plot njëzet e katër orë, një ditë e një natë, për të mbërritur te qyteti tjetër. E nëse e sheh dhe nga këndej, nuk mund të mos mahnitesh sot me Rrugën e Kombit, kur nga Shkodra në Prizren shkohet në më pak se dy orë. Sa larg ka mbetur martesa baladeske 9 orë larg e Doruntinës!... Udha e njohur Shkodër-Prizren, që kalonte nëpër Gomsiqe, Pukë, Fushë-Arrëz, Qafë-Mali, Shëmri, Kukës, Morin, Prizren, me hijën e Pashtrikut, nderë mbi kreshta, ka qenë ndër më të rëndësishmet rrugë të Veriut qysh në kohët e kaluara. Ajo e ngjiste Adriatikun në Kosovë e më tej rajoneve të Ballkanit dhe i zbriste ato në det. Vetëm falë kësaj udhe mund të ndërkomunikonin Shkodra, Ulqini, Shëngjini, Lezha me qytetet e Kosovës e më gjerë. Ishte dhe në ato kushte me tiparet e një udhë kombëtare, që i rrokte trojet tona nga perëndimi në lindje, si një faktor zhvillimi, kryesisht përmes tregtisë.

Qafa e Malit është një simbol pathyeshmërie, për ndaljen e hovit të ushtrive pushtuese otomane, serbe etj., para dhe pas shpalljes së Pavarësisë (1912), duke u shndërruar në një kala natyrore, ku emri i Ndrecë Ndue Qafës është i gdhendur nëpër gurët e malit dhe pishat shekullore. Qysh në pragun e Lidhjes së Prizrenit, në raportet e konsujve Austrohungarez në Shkodër drejtuar Vjenës, shkruhej se “Qafa e Malit u zu prej 400 mirditasve”, për të ndalur urdinë e Dervish Pashës drejt Mirditës, Pukës, Lezhës etj. Spikat aty trimëria dhe prija kryengritëse e Qafajve, Currajve etj. Më vonë ajo Qafë historike u përshkua nga rruga nacionale e makinës, ku për mosbllokimin e saj nga bora, që pllakoste çdo dimër deri në tre-katër metra, mobilizohej krejt qeverian e ushtria, sepse ndërpritej furnizimi dhe qarkullimi me Kukësin, Tropojën, Hasin etj.

Qafë-Mali, kështjellë natyrore turistike, shpesh ka qenë dhe qafë e theqafjeve. Qafë me krushq të ngrirë si në Eposin e Kreshnikëve. Gjithsesi qafë me një histori të veten, si dhe Qafa e Brodolecit, Qafa e Llogarasë, Qafë Shtama, Qafë Thana etj.

Qafajt, familja më e njohur tregtare në Pukë e Mirditë, që bënte

tregti deri në Nish të Jugosllavisë

Në Mirditë e Pukë janë ushtruar zeje të ndryshme, kryesisht punimi i drurit, gurit, dheut, prodhimi i pezhgves, një tregti e vogël prodhimesh familjare, por tregtia e madhe nuk ka qenë e përhapur. Shtëpia e Qafës është ndër më të njohurat në këtë fushë, jo vetëm në këtë krahinë, por shumë më tej. Kjo është një kuotë e veçatë e saj, që meriton të njihet më thellë. Ishte një kulturë e re pune, në fillesat e marrëdhënieve kapitaliste në vend, nëse kjo nuk mund të merret për një fjalë e madhe. Tregtia me disa nga qendrat më të rëndësishme shqiptare (Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Kukës, Gjakovë, Prizren, Pejë etj.) i japin një identitet të ri kësaj shtëpie të dëgjuar, duke patur dhe përmasën humane. Ajo pati meritën se futi konceptin e tregut, shitblerjes në një territor ku ai nuk kishte ekzistuar më parë.

Zef Ndue Qafa, një nga burrat e njohur të kësaj shtëpie, tregonte deri vonë për këtë traditë tregtate të shtëpisë së tij, për tre bujtinat (hanet) mikpritëse të Qafajve. Në një fotografi të afishuar në një nga sallonet e hoteleve të pasardhësve në Fushë-Arrës, ai pozon sipas stilit të Marubëve, që duhet të jetë e bërë prej tyre në Shkodër, veshur me kostum kombëtar, ulur në karrige, me pisqollën që i duket në brez dhe dorën në pushkën mbështetur mbas murit. Është një vështrim tipik i malësorit të hershëm që thotë shumë përmes pamjes së tij krenare, me mustaqe të plota dhe kësulën karakteristike të bardhë “pipiruce” me majë të Spaçit, që Aleksandër Stipçeviqi i quante me origjinë ilire.

Është interesante të shqyrtohet marrëdhënia shpesh komplekse që kanë patur disa shtëpi të njohura me qeverisjen e lartë të vendit apo atë krahinore, përfshi dhe atë të Qafës. Edhe pse mund të mos jetë thënë ndonjëherë, konflikti ka ndodhur për shkak të një rivaliteti që shumë shtëpi në zâ kishin filluar të kishin me Kapidanin e Mirditës. Doemos ato që ishin shtëpi “shtet” dhe ia dinin vlerat dhe zotësitë vetes. “Ishim shtëpi e pasur, me burra të fortë”, shkruan Dedë Qafa në kujtimet e veta, duke nënkuptuar se si të tillë nuk mund të mos përfilleshim nga Kapidani apo Mbreti Zog, që sido që të ishte, kishin një pushtet autokratik, herë-herë duke kërkuar të vendosnin autoritet dhe aty ku nuk ishte e mundur, pasi shteti ishte në konsolidim, kurse pushteti kapidanor në rënie.

Po ashtu miqësore e të spikatura kanë qenë marrëdhëniet me njerëzit dhe familjet e besimit mysliman në zona ku besimet takoheshin, pas islamizimit të disa trevave shqiptare. Shtëpia e Qafajve kishte miqësi me shtëpinë e Bajram Agës në Kryezi. Ndrecë Ndue Qafa kishte “pirë gjakun” me Gjylen, gruan e Bajram Agës për ta mbrojur si grua e vejë, që të rriste jetimat dhe të mos i binte kush në qafë. Kjo ndodhi mbas vrasjesë së të shoqit, Bajramit, që Ndreca e kishte pasur dashamir dhe kumbar. Ky ishte një gjest i lartë fisnik dhe si i tillë u përmend në ato kohë nga njerëzit e Kryeziut, Qafë-Malit, Fushë-Arrësit etj. Bajram Aga ishte atdhetar, ashtu si dhe Mustafë Aga, shtëpi e parë në të shtatë bajrakët, me të cilën Qafajt kishim lidhje e bashkëpunim, siç e thotë dhe kënga popullore. Nuk i pengonte aspak besimi i ndryshëm që kishin mes tyre, bile i shkonin për festë njëri-tjetrit, ata vinin për Pashkë te katolikët, këta u shkonin për Bajram etj., një traditë që e gjejmë aq të spikatur veçanërisht në Lurë ku dy besimet rronin në një shtëpi.

Jehona e të parëve, prijësve të maleve

Një malësi autoktone, në Mirditë apo në Labëri, nuk mund të kuptohet pa luftërat, qendresën, trimërinë, figurat me në zë të saj, folklorin që e ka shoqëruar. Rapsodi i shquar Prendush Gega shkruante për figurat e kësaj malësie veriore, njëlloj si Fishta për krerët e Malësisë së Madhe. Në një këngë popullore të mbledhur në Lumë dhe të botuar në “Visaret e Kombit” me 1939, i bëhet jehonë veçanërisht luftëtarit mirditas Ndrecë Ndue Qafa nga Fushë-Arrësi. Malësorit gjithëhere i ka pëlqyer të krenohet me gjyshërit, madje dhe të mburret me ta, ndonjëherë dhe duke i mveshur me legjenda e gojëdhana. Ai ka dashur të vdesë me këngë, t’i këndohet kanga, ani se ndonjëherë në këngë kanë hyrë jo vetëm heronjtë por dhe cubat. Dedë Qafa ka të drejtë që kërkon në jehonën e të parëve. Por nuk ishin vetëm burrat. Ata që e njohin malësinë me themel e dinë pozitën e gruas, shpesh tepër të veçantë. Ka patur gra po aq të njohura sa burrat dhe nuk ka qenë vetëm Shotë Galica, apo Nora e Hotit. Një grua e moshuar e fisit Qafaj, Dava e Tom Prenit, çonte postën në Kosovë, një herë në muaj. Ajo i fuste zarfet në çorapet e trasha e të gjata dhe ashtu me to në “kambë” kalonte kufirin, pa u diktuar nga milicia serbe, jugosllave. Letrat ishin të atdhetarëve si Bajram Curri e të tjerë, që Dava i shpiente në Prizren, Gjakovë etj. Po të diktohej se kryente atë veprimtari patriotike Dava e Qafajve do të ndëshkohej rëndë vetë dhe familja e saj. Ishte një postë popullore, pa vula dhe pulla shteti. Për shumë vite ka funksionuar kështu posta në malet tona.

Njerëzit e dëgjuar në këto anë shkonin gojë më gojë, duke u përmendur për trimëritë e mençuritë e tyre e kjo deri në kohë të vona. Teksa je në Fushë-Arrës e Pukë dëgjon plot emra të tillë, si: Ndrecë Ndue Qafa, Bajram Aga, Myftar Mustafa, Nikollë Curri, Pashk Curri, Mark Dod Alia, Plaku i Qafës së Malit, Zenel Islami, Ali Hasan Furriku, Qamil Morina, Zef Dedë Cara, Zef Prendi, Halil Kopani, Elez Selimi, Kol Mëhilli, Arif Halili, Ndoc Ukshini, Rexhep Uka etj. Ndërkohë, pos Migjenit, shkrimtarit legjendë, kanë lanë gjurmët e tyre në kohë, por dhe kanë marrë me vete përftimin kulturor pukjan, krijues si Filip Ndocaj, Mat Doda, Ndue Shyti, Frrok Haxhia, Vito Koçi, Mariana Leka, Françesk Radi, Roland Gjoza, Prend Ukaj, Davë Gjergji, Vitore Rusha, Zojë Pali, Fran Vukaj, Gjon Curri, Sabah Sinani, Ndrecë Mustafa, Ndrekë Gjini; studiues si Jaho Brahaj, Sabrie Nushi, Xhemal Meçi, Josif Papagjoni, Mark Mesuli, Ismet Balaj, Ndue Çuni, Gjovalin Alia etj., shkrimtarët e rinj Mirela Sula, Petrit Nika, Tone Prendi, gazetari Armir Mehaj etj. Ikona televizive, Tefta Radi, në një intervistë kujton vajtjen për herë të parë në Pukë, me 1976, “një vend që më la shumë përshtypje, bukuria, natyra, ujërat e kaltër në të gjelbër, malet me pyje, një gjelbërim i paparë, por dhe një rrugë e frikshme me lartësira, me gremina.” Askujt nuk i ka shpëtuar blertësia e pazakontë natyrore e drurëve, nga e cila kishte marrë dhe guri dhe uji dhe vetë njeriu.

I arratisuri në Amerikë Pjetër Çup Qafa, i veshur si grua për t’i shpëtuar ndjekjes

“...Ne këtu në Shqipni jemi ndekur për Pjetrin këmba këmbës, për dhjetëra vite, pasi ai ishte bërë shumë i njohur jashtë si antikomunist. Nuk na linin me marrë frymë. Nuk bëhej fjalë për shkollë për ne. Pjetri në vitin 1949 veproi kështu për t’u arratisur, mori vajzën, Lizën, që ishte në shkollë dhe i thotë kryetarit të lokalitetit të Fushë-Arrësit, Ali Hasan Furrikut, se donte ta vizitonte te doktorat, se vajza ishte e sëmurë. Me atë “sebep” ka marrë gruan dhe vajzën dhe është drejtuar nga bjeshkët e Pukës, ku në Va Dardhë, kanë kaluar Drinin rreth dyzet vetë që po arratiseshin, me rrëshekë (lëkurë dhie e fryrë si komerdare), janë hedhur në Jugosllavi, ku i kanë futur në burg. Pjetri ka qendruar fillimisht në një fshat në afërsi të Gjakovës, Kosmet, Podujevë etj. Atje ka lindur Kujtimi dhe dy vëllezërit e tij, Nikolla e Simoni. Ka hyrë dhe ka dalë disa herë këtu, siç është thënë, i veshur dhe si grua, ka kaluar mes përmes Fushë-Arrësit dhe nuk është njohur(!) Pjetri erdhi nga Jugosllavia dhe mori Mark Gjok Carën, kryetarin e lokalitetit të Fushë-Arrësit, në fillim të viteve ’50, ndërkohë që mbeti këndej gruaja e këtij, pasi ishte shtatzanë dhe nuk mund të arratisej në atë gjendje. Prandaj Pjetri u detyrua të vinte sërish, pas pak kohe, tani për të marrë gruan e Markut me disa të tjerë. Natyrisht që shteti e dinte se ai do të vinte, ndaj e rrethuan me 200 forca të ndjekjes shtëpinë e Qafajve, por ai tashmë ishte tepër i stërvitur në këso punësh, që dukeshin si aventura të rrëzikshme si ato që shiheshin nëpër filma. Ia doli që ta merrte gruan e Mark Carës së bashku me dy burra të kësaj ane që do të arratiseshin dhe ata, ku të gjithë bashkë kalojnë kufirin. Pjetër Qafa ka jetuar në Detroit deri vonë, kur ka ndërruar jetë.”

Por historia e vonë ka ndryshuar krejtësisht rrjedhë. Fran Qafa është pedagog i fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Djali i tij i madh, Mikeli, studion në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA. Në vitin 2008 kishte fituar në një konkurs ndërkombëtar në Tiranë bursën për të studiuar në Mostar, në njërin nga kolegjet e Botës së Bashkuar. Shpallur në 6 nxënësit më të mirë të vendit mes 92 konkurentëve. Ishte ky një standard i ri i njerëzve të kësaj shtëpie. Tani në Amerikë ata nuk venim më si të arratisur politikë, por si njerëz të një shoqërie të lirë demokratike, që të krijon shanset më të mëdha të arsimimit.

Goditja politike ndaj Qafajve nisi me “grupin sabotator” të Sharrave

Në gjysmën e dytë të shekullit XX Fushë-Arrësi u kthye në sinonim i sharrave (përpunim-drurit) dhe minierave të bakrit, qendër e një punëtorie, që është gjallëruar dhe sot. Ky zhvillim solli një tjetër mënyrë jetese për banorët e malësive, qyteteve që u krijuan, duke u integruar në punë e profesione të ndryshme burrat e më pas dhe gratë. Miniera e Munellës, e Lakut të Roshit, e Tuçit dhe e Qafës së Barit, dy të rivëna në punë e dy që presin investitorë për t’u ripahur, janë një pasuri e njerëzve që dikur flinin mbi mademe. Por ishte dhe ana tjetër e medaljes, lufta e klasave, që kishte ngërthyer dhe këto kreshta që përjetësisht kishin qenë të lira, duke ngjitur një burg politik deri në bjeshkët e Qafës së Barit, siç i degdisnin dikur rusët disidentë në Siberi mes dimrit të pamëshirshëm të stepave. Përsekutimi komunist i Qafajve, me 10 burra të dënuar politikë, si dhe tjerë të arratisur e të përndjekur nga kjo familje, dëshmon se regjimi komunist asnjëherë nuk e uli Shpatën e Demokleut nga dora. Ata ishin Preng Pjetër Qafa, Pal Preng Qafa, Dodë Ndrec Qafa, Nikoll Ndue Qafa, Ndue Zef Qafa, Mark Preng Qafa, Viktor Ndue Qafa, Gokë Dodë Qafa, Pashk Dodë Qafa, Frrok Ndrec Qafa. Njëri nga të dhjetë, Pal Qafa, i martirizuar, tretet nën dhé diku në bjeshkët e Tërbunit, deri në agun e demokracisë. Me marrë dhjetë dekorata nga një regjim janë tepër, jo më dhjetë palë pranga të diktaturës së proletariatit mbi një derë fisnike. Goditja ndaj Qafajve kishte filluar qysh me procesin e “sabotimit në sharra” në vitin 1949 kur u arrestua një grup “armiqësor” me kryemjeshtrin Rrok Mazreku nga Shkodra, vëllai i priftit të Kryeziut, Dom Nikollë Mazreku, shkrimtar dhe studiues i mirënjohur. Ai procesi politik pati disa të pushkatuar si sabotatorë dhe agjentë të paqenë të UDB-së së Titos, si Rrok Mazreku, Sotir Rusta, Tomi Llasi dhe të dënuar me burgim politik: Zeqir Selimi e Gjok Qafa. Me atë rast kanë futur në burg dhe Ndue Zef Qafën, me akuzën se kishte dashur të hidhte në erë stabilimentin e sharrave të Fushë-Arrësit, çka nuk ishte e vërtetë. E kanë mbajtur në hetuesi 8 muaj në burgun e Shkodrës, në kushte të rënda dhe janë detyruar ta lirojnë pa gjyq për mungesë provash. Nuk ishin këta që donin të hidhnin në erë shrrat e Pukës, por regjimi që e kishte hedhur ne erë demokracinë me anë të dikaturës së proletariatit. Thirret dhe Dedë Qafa në zyrat e Sigurimit, si “spiun i amerikanëve”. Me e përmend emrin e Amerikës shkoje në burg, jo më me qenë agjent i saj. Për regjimin bolshevik armik mund të ishte si një punëtor miniere apo bari malesh, si një komunist i 41-it. Në Fushë-Arrës pati qenë i internuar dhe Fadil Paçrami, dramaturg dhe drejtues i PP-së, që kishte qenë dhe Ministër i Arsimit. Gruaja e tij, ish-drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, kishte prekur ferrin, duke fshirë rrugët e qytetit me netull. Ata të dy dhe të tjerë tani luanin mbi kurriz dramën e tyre të diktaturës së proletariatit, teksa “ideali partizan” kishte mbetur larg në siluetën e përhime të Qemal Stafës.

Qafajt mbështetës të Luftës Nacionalçlirimtare dhe strehues të kosovarëve me 1997

Në këtë areal kontradiktash shqiptare, në Fushë-Arrës e Pukë, u mbrujt Dedë Qafa, si mishërim i humanizmit, si profesionist në sektorin elektrik, më pas si misionar i demokracisë dhe i zgjedhur në forumet lokale, drejtues ndërmarrjesh në kohën e ndryshimeve, biznesmen i zoti. I dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, i nderuar dhe me “Mirënjohja” e Gjakovës etj., për trajtimin me fjetje e ushqim në hotelin e tij familjar të 700 kosovarëve gjatë genocidit serb të 1999-s. Në një fletore të thjeshtë janë shënuar emrat e qindra kosovarëve që kanë ngrënë bukën e tij ato muaj, që mbajnë mbiemrat: Gashi, Zeka, Beqiraj, Shala, Gjonaj, Vila, Mula, Syla, Babi, Kosumi, Telaku, Gjokaj, Kabashi, Ndreca, Kastrati, Sudi, Salihi, Miraka, Pepa, Kacoli, Emini etj. Shtëpia e Qafajve ishte patriote e bujare herët e vonë. I ati i Dedës, Nikollë Ndrecë Qafa, me 1944 kishte pritur Brigadën e 22 Sulmuese me ushqim e vëshëmbathje, ku ish- Komandanti i saj, Sali Verdha, do të thoshte se te Nikolla ai dhe partizanët kishin parë kulmin e patriotizmit shqiptar.

Të mbetet në mendje një shprehje krejt origjinale e Dedës, “ideali im ka qenë me shkue te origjina”, që rrok filozofinë e çdo familje shqiptare autentike, që iu devijua dhe deformua rrjedha historike nëpër travlimet politike të shekullit XX. Qafajt kishin qenë ushtrues të sipërmarrjes private dhe me këtë kishin rrojtur e ishin fuqizuar deri në mbarimet e Luftës II Botërore, për t’u rikthyer aty vetëm pas gjysmë shekulli. Dhe kur shpronësimi e shtetëzimi prekte një familje sipërmarrëse në male, mendo se ç’kishte ndodhur në këtë rrafsh me familjet e mëdha tregtare shqiptare, të Shkodrës, Elbasanit, Vlorës etj., që do të shformoheshin si pronësi, do të shuheshin si pasuri e do të tjetërsoheshin si traditë. Ndaj Dedë Qafa e sivllaznit e tij kishin vertetë një ëndërr të madhe, që me 90-n, me u kthye sërish te origjina. Me i ndigjue prapë ato kumbonët e Kalivares e Shmisë, nga vinte si jehonë shekujsh zani i të parëve.

Por kronika e shkruar e një dere historike është gjithnjë e paplotë, pasi një shtëpi e madhe ka fytyrën e një shteti në miniaturë, që i ka të gjitha nga pak apo nga shumë.

Patrioti i kohës së Luftës Nacionalçlirimtare Nikollë Qafa, “Qytetar Nderi” i Fushë-Arrësit


Patrioti i luftërave për Pavarësi Zef Ndue Qafa

Veprimtari i demokracisë Dedë Qafa, “Mjeshtër i Madh”, 2011


Ish-Komandanti i Brigadës 23 Sulmuese Sali Verdha dhe Dedë Qafa, Fushë-Arrës 2005
 
Stlizim i flamurit të vjetër (shëkulli XIX) të Shtëpisë së Qafajve, Fushë-Arrëz



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora