E premte, 19.04.2024, 09:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Zhan Mare në shtëpinë time?!

E marte, 01.07.2014, 06:03 PM


Zhan Mare në shtëpinë time?!!!

Polifotua me rolet e Artistit të Popullit, Albert Verria

(esse)

Nga Përparim Hysi

Titulli është pak sensacional, nga ai lloj që duhet të bërtasësh:- Ou! More ç'thotë e shkruan ky? Mos ka lajthitur në këtë pisk vape pak të parakohshme? Kushdo mund ta  lëshojë këtë britmë dhe, veçanërisht, Vasil Qezari, në arrin që ta lexojë këtë esse timen.  Vasil Qesari se ka të drejtën e tij, pak ekskluzive, se është nga fatlumët që ka folur tete a tete me artistin e madh francez Zhan Mare. Këtë parabolë e sjell enkas dhe jo pa qëllim. Para se të shpejgohem, dua të qetësoj gjithë ata që do lexojnë se unë e di mirë që  ZHan Mare ka vdekur që në vitin 1998 dhe nuk është ringjallur si  Krishti. Nga ana tjetër, nuk kam se si mohoj faktin shumë domethënës që unë artistët francezë, en bloc, i dua.

Zhan Mare e sjell si pikë referimi për ç'do shkruaj më tej. Dhe diçka si shtojcë: e kam mbresën të gjallë, sidomos, me atë "Kurrizon" e famshëm që, kur hoqi zhgunin e atij njeriu me gungë, tak dhe doli ai portreti i tij aq impozant dhe mbesje pak gojëhapur: si është e mundur që nën këtë "zhgunë" që  ta "shpallte" të ishte ai, artist i papërsëritshëm? Ndoshta këto janë superlativa të miat, por gjithmonë duhen marrë, paksa, me apriori dhe aq.

*     *    *

Nuk jam ndonjë kushedi, ta zëmë, specialist në fushën e artit e  të kinematografisë. Jam artdashës i këtyre zhanreve që na kanë dhënë e na japin një kënaqësi apo një relaksim që nuk mund ta japë ndonjë fushë tjetër. Lindur e  rritur në fshat, kontaktin e parë me kinemanë e kam patur aty nga viti 1952, kur si nxënës i klasës së pestë, ndiqja shkollën unike ( 7- vjeçare) në qytetin e Lushnjës. Në fshat kishim vetëm shkollë fillore dhe mua më kish marrë në Lushnje xhaxhai im, Avdulla Hysi, që aso kohe qe shef i seksionit të shëndetësisë së rrethit. Aty ra dhe "daci në kos". Sa pashë filmin e parë dhe, kisha lekë nuk kisha lekë, frymën tek kinemaja. Sikur të kisha patur një kamer e të filmoja veten atyre mbrëmjeve që frymën e mbaja në kinema, do të gajasesha unë, po se po, por edhe kushdo që do ta shihte atë kasetë.

E dini pse? Aq qeshë i dhënë pas filmave, sa, shpesh,  me" nxitjen" e qytetasve moshatarë me mua, unë isha nga ata që bërtisja:- Kush ka dy lekë? Pra, "lypja" për të parë e riparë filma. Të çdo lloj. Prerësi i bliletave, duke parë zellin e madh timin për  t'i parë apo për t'u nxjerë ujë të zi filmave, më "ofroi" dhe një vendpune: pastro sallën, që të futesh pa biletë. Dhe e kam pastruar që ç'ke me të. Epo qejfi ha kumbullat. Apo jo?  Një ditë, ky, portieri, duke më parë që vija nga fshati për në shtëpinë e xhaxhait në lagjen "Xhevdet Nepravishta", më ndaloi:

- E,- më tha,- do vish mbasdite ta  pastrosh sallën?   Dhe, pa më lënë që të përgjigjem, më nxiti: - Hajde është një film i bukur, në rolin kryesor është ai ... dhe tha emrin. Epo kush e kujton si emër sakt, por një gjë e mbaj mend mirë: - Është ai njëqindfytyrëshi! Domethënë, sipas asaj që mendoja unë, artisti kryesor kish lojtur 100 role. Dhe si mund ta humbja  atë rast! Sosa më shpejt "në vendin e ri të punës" se sa tek shtëpia e xhaxhait. E pashë dhe atë " njëqindfytyrëshin". Me sa më kujtohet, bëheshe fjalë për një artist sovjetik,Pavël Kondaçnikov. Kish lojtur apo nuk kish lojtur njëqind role as që  bëja llogari, por si më tha "shefi i kuadrit që më gjeti punë", ky dallohej se kurrë nuk e njihje nga roli në rol. Futet në lëkurën e tyre dhe humbet,- tha shefi. Shefit sot i thonë boss se kështu i dashka mushka drutë. Por le të vazhdojmë.

*    *   *

Kur dola mësues, pushimet e verës i bëja, pothuaj, në Tiranë. Aty kisha motrën dhe tezen. Kisha gjetur "shtëpinë e priftit" kur thonë. Nuk lija kinema e teatër pa parë. Më kujtohet se qemë, prishur pa prishur me sovjetikët, dhe në  teatër do luhej "Hamleti". Hamletin e luajtën tre artistë Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Kujtim Spahivogli. Unë aty gozhdë. Sikur të qeshë juri dhe do t'u vija notën. Dhe, pasi i pashë, votova (epo solo se nuk më mori njeri dorën?!) për Kadrinë. Atë e kam dashur dhe e dua ende. Por,  me që jemi këtu, mos largohemi: kurrë nuk harroj atë batutën që të dridhte mishtë të Naim Frashërit tek "Familja e peshakatarit". Ajo batuta që të ngre flokët gjëmb e të shkaktonte mornica:- Mua mos më duash  ... dhe atë(fjala për nënën) mund të mos e duash, por Atdhenë dhe buza që dridhej të shkatonte dridhje korenti. Artistët? Sa ndikojnë ata në jetën tonë! Sa relaks e kënaqësi morale. Dhe ja tek e humbas fillin. Si fillin e Arianës. Mandej kthiellem dhe, kur thonë në  Myzeqe, t'i vëmë kokë muhabetit. Po flisja për Zhan Marenë që futej nën lëkurën e personazhit dhe nuk njihej. Këtu është dhe madhështia. Madhështia dhe profesionalizmi. Të tillë skena shqiptare ka  shumë dhe ndihesh mirë që ka qenë kështu. Që ka qenë kështu, se, për fat të keq, në këtë tranzicion  made in maratonë, e ka marrë ferra uratën. Me që këtë esse e shkruaj për një artist që e dua, nuk do të isha i drejtë dhe i plotë, pa evokuar disa që, pasi futen nën lëkurën e rolit, tjetërsohen. Tre i përmënda më lart, por pa mendoni Reshat Arbanën në rolin e Isa Buletinit; Mirush Kabashi me Sokratin; Robert Ndrenikën në të gjithë rolet dhe, pak, pushim sa për një aperativ çlodhës.

*     *    *

I ndjeri Loro Kovaçi, Artist i Popullit, kish vajtur në Bregmat ( në fshatrat e Lezhës) dhe aq bukur kish hyrë në lëkurën e Tuç Makut,sa fitoi "urrejtjen" e fshatarëve dhe askush nuk i dha konak për darkë ( duhej ndërhyrje e fortë që mos gdhihej jashtë). Me Artistin e merituar, Nestor Pogaçe, kemi qenë muhabetçinj të mirë. "Shkrihej" në rol. Shkrihej, po e pësoi: mallakastrioti që e kish ftuar për darkë, kur pa një "gaztor" të tillë në skenë, vajti e la si hugardhi atje: se priste që miku të ishte burrë serioz!!!  Siç e shihni, u zgjata paksa. Por unë këtë "esse" modeste po e shkruaj enkas për Artistin e Popullit , Albert Verria. Ky, Alberti, është ai,Zhan Mareja në shtëpinë time. Ky është ai 124 fytyrëshi që hyn në lëkurën e rolit dhe zhbëhet. Iku siç ikën shkuma nga duarët. Nuk flas fare  me superlativa. Kam këtu përpara albumin me të gjitha rolet e tij. Unë shkruaj pak si çigun, kur them 124 fytyrësh, se, në të vërtetë, ato role mund të jenë dyfish. Merita e madhe - këtu qëndron madhështia dhe zotësia e aktorit- që "mos njihet" në rol. Të jetë ai, tjetri. Këtë Alebrt Verria e ka bërë si askush tjetër. Ka qenë gati 35 vjeç  kur ka lojtur "Kapedanin", të famshmi xha Sulo. Ky rol, sipas meje,është apogjeu i tij. I ri tringo futet nën lëkurën e një plaku konservator dhe mbetë  e tillë. Në lojë, në gjithë batutat, i papërsërtishëm. Tek shfletoj albumin me nge, zë e zbres nga  maja ngadalë- ngadalë, dhe ja tek ndeshem me fytyra e fytyra që u ka dhënë frymë nga fryma e tij.  Për disa nga këto "fytyra" nuk është i vetëmi që i ka lozur. Por investimi i tij artistik është i çuditshëm: roli ka vulën made in Albert Verria. Ky investim i bukur nuk u  arrit pa i shkuar djersët rrëke. Talenti vdes pa vullnetin. Tjetër është tek "Harpagoni" dhe tjetër tek "Tartufi". Sa shpotitës e gazmor e butofarik tek Xha Sulua , aq nursëz tek Nuro-beu tek "Koncert në vitin 1936". Sa i zgjuar tek "Ezopi" (edhe këtu është i veçantë),aq "djallëzor" e dinak tek Tartufi. Flet për Albertin dhe ja tek të fanepset kaporal Pelegrini. Më tej ja tek duket Soll  Lili. Soll Lili,emblematik: kokë e këmbë myzeqar. Kush më mirë se Berti mund ta luante? Po Hiluku tek "Detyrë e posaçme". Dhe shfletoj e shfletoj: diku "Djalli", diku "Filozofi", diku "Këpucari", diku "Historiani", diku.... Fytyra, fytyra dhe vetëm fytyra. Dhe që të gjitha këto ftytyra u lojtënë vetëm nga një fytyrë: nga ajo e Albert Verrisë. Pra, u zhbë për të krijuar secilin prej tyre dhe u ribë ashtu siç ribëhet zogu Feniks pas zjarrit.

*    *   *

Ky album që më dhuroi, Artisti i Popullit, Albert Verria më relaksoi dhe më arratisi tutje mjegullave të kohës. Ky qe si ajo leva e Arkimedit për të zhvendosur  kujtesën time drejt skenave të teatrit e të kinemasë. Unë shkrova nën mbresat që më zgjoi ky album. Dhe jam i bindur që nuk jam shpejtuar në titullin aq sensacional. Mbetet nga lexuesit që të thonë ka qenë  apo jo ZHan Mareja në shtëpinë time. Dhe më së fundi: si shkrimtar Bert Verria më ka dhuruar të tri librat e tij; si artist albumin e tij.  Kështu që duke përfunduar shkrimin tim, jo vetëm i uroj këtij artisti jetë sa më të gjatë, por dhe krijimtari të mbarë në fushën e letërsisë dhe artit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora