E diele, 19.09.2021, 09:15 PM (GMT+1)

Kryeshkrim » Shkreli

Shkreli: Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të Natos

E premte, 27.06.2014, 07:55 PM


MBLEDHJA E MINISTRAVE TË JASHTËM TË NATOS

Nga Frank Shkreli

Ministrat e Jashtëm të  28-vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u mblodhën të ënjtën në Bruksel për të biseduar mbi mbledhjen e nivelit të lartë të Aleancës së Atlantikut që do të mbahet në shtator dhe për të biseduar mbi një numër çështjesh të tjera të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, përfshirë edhe gjëndjen në Ukrainë.    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u shpreh për median se, "Mbledhja e nivelit të lartë  të Ministrave të Jashtëm u mbajtë në një kohë kur po shtohen sfidat ndaj sigurisë përtej kufijve të Aleancës së Nato-s", dhe shtoi se "Sot, ne theksuam rëndësinë e mbrojtjes së përbashkët", duke marrë parasyshë ndryshimin e gjëndjes së sigurisë në Europë, si përfundim i agresionit rus në Ukrainë.   Udhëheqsi i NATO-s  në deklaratën e tij, mbështeti planin për paqë të propozuar nga Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, duke thënë se "Ukraina ka një strategji  të qartë për zgjidhjen e krizës", duke shtuar se "Marrëdhënjet (e Natos) me Rusinë nuk do të normalizohen për derisa Rusia nuk sillet në përputhje me obligimet e saja ndërkombëtare."   Si përfundim, në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm u shqyrtuan gjithashtu edhe marrëdhënjet e Aleancës me Rusinë.   Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry tha për gazetarët, pas takimit në Bruksel se, "Për derisa Rusia nuk angazhohet plotësisht dhe seriozisht ndaj procesit të paqës dhe stabilitetit në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të vazhdojnë të përgatiten për marrjen e masave më të forta kundër Rusisë, përfshirë sanksione të rrepta ekonomike, me shpresë se nuk do të jetë e nevojshme që ato të përdoren."   Por, u shpreh kryediplomati amerikan Kerry, "Kjo varet nga masat që do të marrë  Rusia dhe presidenti i saj, në ditët dhe javët e ardhëshme."

Takimi i Ministrave të Jashtëm të Aleancës Perëndimore në Bruksel të mërkurën ishte mbledhja e fundit para se udhëheqsit e NATO-s të mbajnë mbledhjen e tyre të nivelit të lartë në shtator, në samitin e Uellsit të Anglisë.  Gjatë takimit të mërkurën në Bruksel, Ministrat e Jashtëm të Aleancës perëndimore  ranë dakort mbi propozimet për të përpiluar një plan veprimi gatishmërie të aleancës për t'ua paraqitur udhëheqsve të lartë të NATO-s në mbledhjen e  shtatorit, me qëllim për të ndihmuar Ukrainën që ajo të jetë e aftë të mbrojë veten.  U bisedua gjithashtu se ç'duhet bërë me Afganistanin kur në atë vend do të të marrë fundi misioni luftarak në fund të këtij viti.  Në njoftimin e aleancës mbi punimet e mbledhjes, thuhet se Ministrat e Jashtëm biseduan gjithashtu edhe mbi mënyrat për të përforcuar bashkpunimin me partnerët e saj anë e mbanë botës dhe se njëkohsisht u diskutuan mënyrat për të ndihmuar partnerët, të cilët kanë nevojë për të bërë reformat e nevojshme në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Në lidhje me antarësimin e vendeve të tjera në NATO, Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen tha të mërkurën se dera mbetet e hapur për ato vende që dëshirojnë të antarësohen, duke shtuar se:  "Dua të jem i qartë: Dera e antarësimit në NATO mbetet e hapur dhe asnjë vend i tretë",  siç duket kjo një reference ndaj Rusisë,  "nuk ka veto mbi zgjërimin e aleancës NATO."   Sipas njoftimit të NATO-s për media,  Ministrat e Jashtëm të  vendeve anëtare të NATO-s shqyrtuan përparimin e bërë nga katër vende që aspirojnë antarësimin në NATO e që janë, Gjorgjia, Mali i Zi, Bosna Hercegovina dhe Maqedonia.  Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Rasmussen citohet të ketë thënë se secili vend to gjykohet për antarësim, bazuar në meritat dhe shtoi se, "Secili prej këtyre vendeve ka gjithnjë shumë për të bërë në fusha të ndryshme, por ne do tu japim mbështetjen e nevojshme për t'ua bërë të mundur antarësimin."   Specifikisht mbi aspiratën e Malit të Zi për tu bërë anëtar i NATO-s, thuhet se Aleanca do të fillojë bisedimet intensive dhe të fokusuara me Podgoricën për të vlerësuar, jo më larg se fundi i vitit 2015, nëse do të ftojë  Malin e Zi që t'i bashkohet Aleancës.   Sipas njoftimeve në media, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kundërshtojnë  ftesën për Malin e Zi, sepse sipas tyre ai vend ka gjithnjë nevojë të bëjë reforma të mëtejshme në fushën e zbatimit të ligjit, që të ndërmarrë reformat në përputhje me standardet e NATO-s në sektorin e sigurisë dhe të luftojë korrupsionin si dhe krimin e organizuar.   Ndërsa në lidhje me antarësimin e Gjorgjisë, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s tha se Aleatët ranë dakort, në parim, që gjatë javëve të ardhëshme të përgatisin një paketë të konsiderueshme propozimesh, që sipas tij ,do të bëjë të mundur dhe të  ndihmojë Gjorgjinë të jetë më afër NATO-s.   Njëkohësisht, thuhet se disa aleatë, sidomos ministrat nga vendet Baltike dhe ata  të Europës Lindore u shprehën se me këtë rast, NATO-ja duhej t'i dërgonte një mesazh të fortë Moskës duke e ftuar Gjorgjinë të bënte pjesë në programin MAP, një program ky që ofron  këshilla, ndihma dhe mbështetje për vendet që dëshirojnë antarësimin në NATO, por kjo nuk ndodhi.

Pas mbarimit të luftës së ftohtë shumë veta bënin pyetjen nëse Aleanca e NATO-s ishte gjithnjë e nevojshme.  Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, shkruante revista prestigjoze britanike, Economist marsin që kaloi, NATO-ja s’ka më nevojë të arsyetojë ekzistencën e saj.  Këtë e bëri Rusia e re revanshiste me agresionin e saj në Ukrainë, megjithëse ajo nuk përbën rrezikun që përbënte dikurë Bashkimi Sovjetik për Perëndimin, thotë revista Economist.  Por, ajo vazhdon duke thënë se sfida me të cilën përballet tani NATO-ja, është se si të mund të bindë të gjithë 28- vendet anëtare të saj mbi natyrën e rrezikut që paraqet Rusia për sigurinë në Europë dhe për të vendosur se si duhet përgjigjur ndaj këytre sfidave.   Revista thotë se Vladimir Putin është i gabuar kur mendon se NATO është një aleancë e dominuar nga Amerika, qëllimi i së cilës është    të mposhtë  Rusinë.   Në të vërtetë, thotë Economist, Aleanca NATO  është treguar shumë elastike duke lëshuar pe dhe ka provuar me seriozitetin më të madh për të bërë Rusinë ortake të Aleancës.   Revista britanike shkruante se NATO ndoshta nuk e di ende se si të përballet me kërcënimet që paraqet sot Rusia e Putinit, por thekson se NATO ka përballuar në të kaluarën sfida edhe më të mëdha.

Këtë, në të vërtetë, e tha edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në konferencën me median në Bruksel të mërkurën që kaloi kur theksoi se, “ Aleanca NATO ka vazhduar të jetë e suksesshme për më shumë se 60-vjetë të historisë së saj, për faktin se ajo ishte e vetdijshme  se kërcënimet ndajë sigurisë në të ardhmen nuk do të jenë gjithmonë si kërcënimet me të cilat përballemi sot dhe sigurisht që nuk do të jenë të ngjashme me kërcënimet me të cilat jemi përballur në të kaluarën.”   Kryediplomati amerikan u tha gazetarve se përpjekjet dhe organizatat shumë kombëshe si NATO mund të ndikojnë gjithnjë pozitivisht  në përballjen e sfidave të ndryshme. “Dhe jam i bindur”, tha ai, “Se në konferencën e ardhëshme të nivelit të lartë  të NATO-s në Uells të Anglisë shtatorin që vjen, Aleanca e Atlantikut do të demonstrojë forcën dhe guximin e përbashkët duke përballuar -- me mënyra të reja –   shumë sfida  të shekullit 21, me të cilat përballet sot bota”,  përfundoi Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në përmbyllje të takimit të Ministrave të Jashtëm të 28-vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel të mërkurën.

 

Ministrat e Jashtëm të 28-vendeve anëtare të Aleancës së NATOs në takimin e tyre të Mërkurën (Foto nga portali i Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora