E marte, 23.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Mendime

Dibran Demaku: Realja dhe loja

E premte, 27.06.2014, 07:27 PM


REALJA DHE LOJA

Nga Dibran Demaku

Ndjenja e bajraktarit, e të parit,tek shqiptarët është e theksuar më shumë se tek kombet e tjerë.Kjo mbase edhe për shkak të së kaluarës së tyre historike, e përcjellur me trauma nga më të ndryshmet.Njëra nga traumat shumëshekullore për shqiptarët si komb ishte edhe robëria.Shqiptarët si komb i vogël, shumë shekuj të jetës së tij i kaloi nën robëri të regjimeve të huaja.Dhe ato, regjimet e huaja gjatë shekujve u kujdesën që shqiptarët, në mos të zhdukeshin fare si komb, atëherë së paku të holloheshin dhe të mbeteshin pak në numër.Duke mbetur pak në numër, ata, shqiptarët nuk do të bënin rrezik për pushtuesit! Kështu së paku rezononin pushtuesit e shumtë.Në anën tjetër shqiptarët,për të mbijetuar si komb,ndërtuan kode dhe zakone të tyre si mur ndaj zakoneve dhe kodeve që sillnin pushtuesit.Ata, shqiptarët u barikaduan brenda lagjeve, brenda katundeve, brenda fisit.Të barikaduar brenda lagjeve, brenda katundeve, brenda fisit ata do të vazhdonin jetën e tyre të pavarur nga ligjet dhe zakonet e pushtuesëve.Por, edhe brenda lagjes, brenda katundit e brenda fisit dikush duhej të ishte i parë.Dëshira për të qenë bajraktar, apo i parë në lagje, në katund,apo në fis, tek shqiptarët shfaqet që në lindje. Nëna e re sapo të ketë lindur, këngën e parë që do të këndojë për fëmijën në djep do të jetë:“Nina-nëna në djep të drunit, ti m`u bëfsha plak i katundit!“, apo „Nina-nëna shtat prej lisit, ti m`u bëfsh i pari i fisit!“.

Më vonë, kur shqiptarët do të liroheshin nga pushtuesit dhe do ta ndërtonin jetën e lirë dhe të pavarur në teritorin e tyre shtetëror, nënat do të këndonin këngë të tjera për fëmijët e tyre në djep, si:“Nina- nëna në djep prej arit, ti m`i ngjafsh kryetarit!“,apo „Nina- nëna me shtatin misër, ti m`u bëfsh kryministër!“.Mbase së shpejti do të lindin edhe këngë të reja në stilin si:“Nina-nëna shpirti jem, ti m`u bëfsh biznismen!“ apo „Nina-nëna o luan, ti m`u bëfsh politikan!“…

Sot, dhe këtu, në Kosovën tonë të vogël,por edhe gjithandej trojeve etnike shqiptare,profesioni më i lakmuar është ai i biznesmenit dhe i politikanit.Sot dhe këtu, në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare,nëse je biznismen dhe politikan i ke të gjitha të mirat dhe privilegjet në shoqëri.Sot e këtu, në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare nëse je biznismen mund të bëhesh edhe politikan dhe e kundërta.Sot e këtu në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare nëse je biznismen apo politikan mund të sillesh si të duash; mund të vjedhësh gjithandej dhe nuk përgjigjesh para ligjit,; mund të rrahësh kë të dush dhe nuk ke frikë se të pret burgu, mund të shëtisësh nëpër botë sa ta dojë kokrra e qejfit, etj, etj deri në infinit.

Mbase privilegjet e fituara nga këto dy profesione kanë ndikuar sot që në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare të kemi numër kaq të madh të biznismenëve që bëhen politikanë dhe politikanë që bëhen biznismenë! Sot dhe këtu në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare këto dy kategori,apo këto dy profesione e ndihmojnë njëra tjetrën në mënyrë të ligjëshme e në mënyrë të paligjëshme!Dhe falë kësaj sot e këtu në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare flitet se krimi i organizuar politik dhe ekonomik e ka kapur shtetin!Flitet, flitet e flitet,por, nuk veprohet nga ata që do të duhej të veprohej në mënyrë që krimi ekonomik dhe politik të dënohej dhe shteti të lirohej!...

U besua dhe u shpresua se pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë do të  ndryshonte diçka për të mirë dhe se Kosova dhe populli i saj do të liroheshin nga biznismenët dhe politikanët e korruptuar dhe të pasuruar tej mase.U besua ashtu në mënyrë krej naive se do të ndodhte ndonjë mrekulli, edhepse të gjithë e dinin se mrekullia nuk do të vinte sepse nuk kishte si të vinte!Mrekullia nuk kishte si të vinte,pasi që në zgjedhje si kandidatë për deputetë ishin po ata biznismenë dhe po ata politikanë që kishin qenë deri më tash në pushtet?!Qofshin ata të pozitës apo ata të opozitës!Njëri nga të intervistuarit që e kishte kuptuar me kohë se me të propozuarit për këto zgjedhje nuk do të vinte ndryshimi aq i dëshiruar, gjatë fushatës elektorale do të thoshte:“E mira e së mirës do të ishte që ky vend dhe ky popull t`i largonte nga pushteti që të gjithë këta dhe në vend të tyre të vinin të tjerë!“Por meqë dëshira e tij nuk kishte se si të realizohej e kemi situatën kështu si e kemi!

Pas zgjedhjeve po ndodhin situata dhe gjëra sa paradoksale aq edhe tragji-komike! Partitë politike qofshin ato fituese të zgjedhjeve,apo ato humbëse si dhe anëtarët dhe simpatizantët e tyre kanë zënë e festojnë gjithandej Kosovës!  Tash realja dhe loja kanë zënë të shfaqen me tërë brutalitetin e tyre! Pala fituese e zgjedhjeve thotë se do të udhëheq me shtetin sepse asaj i takon udhëheqja e shtetit sipas nenit apo paragrafit kaq e kaq të Kushtetutës, ndërkaq pala humbëse tash e bashkuar thotë se asaj i takon udhëheqja e shteti sepse i ka numrat e nevojshëm sipas nenit apo  paragrafit kaq e kaq të Kushtetutës?!Kjo domosdo që ta përkujton atë këngën popullore:“Po përzihet Prizreni, na u kanë kap zotnitë ndër veti!“, e që në gjuhën e sotme do të mund të përkthehej:“Po përzihet Prizreni, na u kanë kap Udhëheqësit e shtetit ndër veti?!“.Dhe ata zihen ndër veti,jo për Kosovën dhe popullin e saj, siç proklamojnë, por për veten e tyre!Ata të dy palët e kanë të qartë se pushteti u sjellë privilegje e begati,andaj duke u kapur fort për to, janë në gjendje që të bëjnë gjithçka për ta fituar atë pushtet!

Pushtetarët e sotëm në Kosovën tonë të vogël dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare,sot më tepër se kurrë më parë, për ta fituar atë pushtet,janë në gjendje që të sakrifikojnë çdo kod e zakon kombëtar si dhe çdo kod e ligj shtetëror?! Babëzia e tyre për pushtet po shndërrohet në një sëmundje të pashërueshme, sëmundje kjo (që nëse nuk shërohet me kohë)  mund sjell  pasoja afatgjata për shqiptarët dhe trojet e tyre etnike!



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora