E marte, 16.04.2024, 08:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Marian: Sami Sherifi dhe shpirti shqiptar

E merkure, 25.06.2014, 06:41 PM


SAMI SHERIFI DHE SHPIRTI SHQIPTAR

Çka mund të thuash tjetër, veçse atë që e thotë vetë poeti Sami Sherifi në „Shpirtin” e tij që na e sjell përpara syve tanë si një dritë të bekuar, për ta dashur lirinë porsi jetën. Ua rekomandoj këtë libër me fshehtësitë e shpirtit të gjithë atyre që janë të interesuar të zbulojnë, jo vetëm dimensionin stelar të universit, por edhe natyrën e ekzistencës shpirtërore të shqiptarëve, një provokim poetik i dokumentuar dhe tejet i vlefshëm.

Nga Daniel Marian

Nga fjalët nuk ndahesh kurrë, madje edhe atëherë kur je i detyruar të braktisish atdheun për të siguruar ekzistencën në botë, duke e hedhur jetën tënde në humnerën më të thellë. Meqë shpirtin e merr me vete, kjo është gjëja e parë që e shpëton, pAa e lënë atë gjah për armiqtë. Kurse shpirti ka atë aureolë të fjalëve, që shpeshherë, për ata që janë kurorëzuar me fatin, depërton në dhuntinë e shenjtë të poezisë.

            Poetin shqiptar Sami Sherifi, i lindur dhe i ritur në trojet shqiptare të Maqedonisë, e kanë shpjerë rrugët e fatit në Kosovë, por atëherë kur historia ka sjellë me vete një mbulojë të papërshtashme telash me gjemba, poeti ka marrë rrugën e mërgimit. Prej këtu edhe karakteristika e mirënjohur, e pakontestueshme, që haset në poezinë e të larguarit nga atdheu. Fjala është për amprentën* e ekzilit, e dhembshme, e ftohtë, vështirë për ta kuptuar, dhe më vështirë për ta pranuar. Një amprentë që mbetet e gjallë për ta shprehur gjatë gjithë jetës.

            Të gjitha këto, përkundër dëshirave të njeriut, sidomos atëherë kur distancat mes shpirtit dhe   origjinës së tij janë më të gjata seç dukeshin në hartë, dhe vetëm përkujtimi e mban në sipërfaqe. Malli është ai që të bluan porsi një ndëshkim i rëndë dhe i padrejtë: „Sa e rëndë frymëmarrja, ëndrrat, mallëngjimi/ Sa e madhe dashuria përjetimi etja/ Për pakë ujë burimi të fshatit, mëmëdheut/ Sa i thellë shikimi në hapsirë/ Kur do të nisem për atdhe/ Do ta fsheh këtë varg në tavan/ Bashkë me vuajtjet e gjyshit babait/ Dashurinë e djepit do ta rruaj të mbështjellur me flamur/ Eh moj Nënë sa e paskemi dashur ketë tokë/ Diell, Hënë dhe nënqiell mallëngjimi ilirik” (Sa larg mëmëdheut)

            Poetrit i mjaftojnë shenjat nën yjet e përshtatshme për atë që vjen në botë, të jetë gjahu i një kohe që s’duhej të vijë. Nuk kishte asnjë motiv të jetë viktimë e kohës së shkuar, por përkundrazi e një kohe të ardhshme të shpresave. Poeti i përket shpresës, ngjyrës së mirësisë, e assesi amprentave të ligësisë. Dhe fjalët është vështirë për t’i vargëzuar në një botë të shakmisur nga spektri i pamundësisë. Është njësoj sikur të jesh i kërcënuar, i përgjuar nga grackat e një heshtjeje të llahtarshme. E panatyrshmja ta zë pritën, çast pas çasti, pasi që shekujt e kishin rënduar vargun e strukur, kur: „Na e vranë poetin/ Kitaren e kanjiushen/ e verdhë ia lënduan/ Diellit deshën t'ia vjedhin magmën/ Planetit Tokë forcën e gravitimit/ Dhe të shkatërojnë yjet nga ëndrat tona/ Por ne te gjithë u ngritëm/ Dhe u bëmë poet mërgimtarë dhe atdhetarë.” (Vargu ilegal)

            Poeti është shndërruar në një kimerë të nevojshme për rigërshetim me realitetin, gjë që faktikisht është e domosdoshme për qetësinë aq shumë të dëshiruar e të përmendur në të gjitha lutjet e botës: „Sikur rrjedha e Drinit/ Të bardhë dhe të zi/ Si Vardari drejtë ëndrrës/ Së madhe stërgjyshore/ Nga djepi dhe varri/ Të përjetuar ditë e natë. (Ëndrra). Prej këtu edhe përvjetori i ëndrrës së madhe që mbetet në planin idilik, imagjinativ, dkobiektivizuar si një përjetim ku ndjenjat redifinojnë format dhe gjendjet e mbetura jetime në djepin e memorjes: „Dielli i ndritur/ I atdheut,/ Ëndërr e madhe brezash/ Ylber i kuqëremtë pranveror/ Pas shiut/ Dhe zjarrit/ Lumenjtë u bashkuan/ Me nënqiellin ilirik/ Për mëmëdheun/ Vitet vijnë dhe shkojnë/ Bashkë me përvjetorët. (Përvjetori i ëndrrës së madhe).

            Guximi dhe këmbëngulja e poetit të mërguar që zhvillon një luftë të brendshme me vetëveten, është një bashkëpërkim e një kushtrim ndaj trishtimit për të cilin nuk ka ilaç. Këtë shqetsim ndaj një cepi të shkëputur të atdheut të tij, e vë mes kllapave përmes një çasti pasues të fatit që ndërlidhet me solemnitetin e një mbarimi të gërshetuar me fillimin: „Çamëri/ Malli im poezi dhe zjarr/ Varre të lënë në haresë/ Rrënojë mallëngjimi. / Dielli i plagosur/ Nga sot/ Dhe një mijë vjet pas/ Do të rëndojë shikimin tim/ Të nipit dhe mbesës sime... (Betimi fjala e dhënë)

            Janë të terratisura këtu çastet që tentojnë të tubohen nga të gjitha anët dëshirat për një madhështi hyjnore: „Më kujtohet miku im/ Ajo ditë mërgimi/ Kur poetin e lidhën me pranga/ Dhe me shami te zezë/ Deshën t`ia verbërojnë sytë/ Vargjet t`ia djegin/ Që kurë mos shkruaj ditarin mbi varr/ Ku padrejtësia dhembja dhe revolta/ Do të rëfehet dhe kthehet/ Kundër ligjeve të nëntokës/ Që futen shtatë pash thellë poetin/ Me pranga e nxorën para pushkës/ Dhe e dënuan me vdekje të trefishtë/ Oh mos më vritni duart lidhur dhe symbyllur/ Ma zbuloni fytyrën/ Se dua të vdes poet dhe shqiptar/ Bërtiti poeti. (E duam lirinë sa jetën)

            Çka mund të thuash tjetër, veçse atë që e thotë vetë poeti Sami Sherifi në „Shpirtin” e tij që na e sjell përpara syve tanë si një dritë të bekuar, për ta dashur lirinë porsi jetën. Ua rekomandoj këtë libër me fshehtësitë e shpirtit të gjithë atyre që janë të interesuar të zbulojnë, jo vetëm dimensionin stelar të universit, por edhe natyrën e ekzistencës shpirtërore të shqiptarëve, një provokim poetik i dokumentuar dhe tejet i vlefshëm.

_________

*Amprentë – mbresë, gjurmë, shenjë



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora