E shtune, 20.04.2024, 12:17 PM (GMT+1)

Mendime

Zyba Hysa: Në çdo sektor drejtojnë ata...

E merkure, 25.06.2014, 07:55 PM


NË ÇDO SEKTOR DREJTOJNË ATA QË ISHIN PËRMES KËTYRE QË U ERDHËN…

NGA ZYBA HYSEN HYSA

Shqiptarët, historikisht janë mësuar të kenë më shumë se një qeveri dhe për fat të keq, asnjëra për popullin. Për të mos u kthyer pas…. (zakonisht flasin shumë për të kaluarën dhe e tashmja rrjedh pa u ndjerë dhe pa lënë gjurmë zhvillimi) po i numërojmë këto që kemi sot: Qeveria Berisha e pse ilegjitime, është mbisunduese, qeveria Rama, legjitime e pafuqishme, qeveria Thaçi “legjitime” pa karton, mos përmendim dhe pashallarët e Maqedonisë dhe të Malit të zi… dhe shprehja e popullit tonë që thotë: “Kur ka nuse shumë, mbeten shtambat pa ujë.” dhe fati i shqiptarëve ka mbetur pa fat.

Kam kohë që televizionin nuk e përdor e pse e paguaj çdo muaj, (më tmerrojnë lajmet: vrasje, tritol, drogë, avion, takime ndërkombëtare, BE ) mjaftohem me lajmet përmes kufjeve nga telefoni përgjatë udhëtimit kur shkoj në punë dhe nga këto lajme, mora vesh që në “Top Story” ishte i ftuar Kryeministri legjitim i Shqipërisë, Edi Rama, ndaj, në mbrëmje, lashë punën në kompjuter dhe po e dëgjoja me vëmendje e në mend më erdhi një barsoletë, ku një grua i qahet shoqes së saj për nusen e djalit.

-           Sapo filloj e flas, - i thotë njëra tjetrës, - nusja më thotë: “Mama…. Mos ha …!”

-           Uaaa, sa pa edukatë, nusen time e kam me kulturë, se më thotë: “Mama… të lutem, mos ha…!”

Të dashur lexues, të më falni që përdora një barsoletë pak banale, por popullore, për të nxjerrë në pah filozofinë e politikës shqiptare, ku kryeministri që shkoi ishte si nusja e parë, ku sa fillonte populli të kërkojë një gjë, ua kthente troç, por edhe më keq, i vriste duke i lënë në bulevard, ndërsa ky i riu, është me kulturë, vendos para fjalën “Të lutem”, pra ky u tregon përralla, i nxjerr dhe në protesta e vetë bën sehir nga dritaret kur derdhet gjaku lumë…

Po është dhe një diçka tjetër që më tërheq vëmendjen; metodologjia e “emisarëve” të politikës që drejtojnë emisione duke bërë pyetje kaq banale e kaq bajate, si të zbërthejnë fabulën e një përralle, kështu pjesa e parë e intervistës kaloi me përrallën “Parlamenti i banditëve”, ku Sokol Balla, me një seriozitet pompoz (sikur po zbulonte ndonjë planet të ri) e pyet për rrahjet mes bandave që përbëjnë parlamentin dhe Kryeministri për ta justifikuar “kundërshtarin “ e tij, shprehet “Janë gërhimat e një llahtarie… të një grupi që ka humbur gjithçka…” Si paska humbur gjithçka, kur ende ka në dorë trafikimin e drogës, biznese marramendëse e veç kësaj, në çdo vend akoma urdhërojnë ata që ishin, përmes këtyre që u vunë. Nuk kam parë qeveri më kukull se kjo qeveri, që karrierën e saj e filloi me ekskursione qeveritare, herë në grup, e herë të shpërndarë nëpër gjithë botën për të ftuar bizneset e gjithë botës, se plasi peshku në Shqipëri dhe o burrani të vijnë e të mbledhin, se ne u ngopëm, në një kohë që biznesmenët shqiptarë emigrantë kërkojnë e protestojnë se nuk u krijohen mundësi për të financuar në Shqipëri.

Më pas u shtjelluan pyetje - përgjigje në lidhje me përrallën “Një avion misterioz” ku pyetjet ishin  si në hetuesi dhe përgjigjet si në kopsht fëmijësh, ku përmbajtja e kësaj përralle as doli e as mendohet ta nxjerrë njeri, se duhet një gjini tjetër që nuk i përket fushës së letërsisë (këtu tek ne është krijuar një lloj fushe e krijimtarisë absurde nga politika) përralla politike, që janë absurd, nuk ka mendje që t’i imagjinojë e jo më t’i shkruajë, ato u ngjajnë rrëfimeve të një të sëmuri psikik.

“Dëshmitë e paprovuara, nuk janë prova…” tha Kryeministri e në mend më vijnë videot e Ilir Metës dhe i krahasoj me pamjet e avionit, më vijnë filmimet e 21 janarit dhe akoma “nuk ka prova” te faktuara, Gërdeci që mori flakë dhe qielli e “nuk ka prova” të faktuara… Do duhet të dalin një grup shkruesish që të dinë t’i formulojnë këto lloj përrallash për një lloj specie tjetër gjallese, se mendja e njeriut nuk e përpunon dot.  Populli thotë: “Mos fol për gjurmët, kur ujku bën kërdinë…” por kemi një shpresë që Kryeministri mbase do e ketë akoma bilbilin që i frynte kur fliste dikur Saliu, që t’ia japë Saliut t’i bjerë sa herë që i duhet të thërrasë me histerizëm, se e çmendën të shkretin popull. Dhe shpresa më e madhe janë Komisionet hetimore parlamentare, se nga eksperienca e kaluar kanë bërë kërdinë, sapo ngrihen, fillojnë mediet, faceboo - kët, gazetat… aq shumë, saqë harrohet se pse u ngritën këto komisione, pra thjesht instrumente për të kaluar radhën e për të “bindur” popullin se sa e zonja është qeveria.

Vazhdoi më pas me fabulën e gurit që hidhet nga budallai në ujë e duhen shumë tjerë ta nxjerrin e për këtë i dha një zgjidhje të prerë: “Na takon t’i lëmë në fatin e tyre…”  Shumë bukur, në vend që t’i vënë para përgjegjësive, i lë në fatin e tyre mbretëror, ku vetëm froni mungon, tjerat i kanë më shumë se një mbret. Nuk kërkohet kjo, për të ecur para, por ashtu siç u prishën ndërtimet pa leje, t’u konfiskohet pasuria dhe të marrin dënimin e merituar, ndryshe ju bëni lojën me fron: “Herë unë e herë ti, të dy të jemi mbretër, herë me kurorë, herë pa kurorë, përherë me mbretëri…”

Përralla më “e bukur” ishte ajo e Bashkimit Evropian se kryeministri ynë duhet të mendohet për të shpikur diçka tjetër për të mashtruar popullin, ashtu si Enver Hoxha me kështjellën e komunizmit, që as e prekëm e as e pamë, por ama mijëra përfytyrime na “e ngopën” shpirtin me bukurinë e saj madhështore, kemi 24 vjet me kështjellën e Bashkimit Evropian e nga ajo kështjellë po dalin të frikësuar dhe ato që janë, por e pashë një fije ngazëllimi tek Kryeministri, se përdori disa herë Ballkaniadën e baba Rusisë e mëmë Serbisë, pra pak nga pak po u del frika dhe po e nxjerr fytyrën e saj të vërtetë politika jonë antishqiptare, antikombëtare, se as në kështjellën komuniste nuk mund të shkonim të copëtuar, as në BE, as në Ballkaniadë, detyra e politikës shqiptare nuk është të negociojë për BE, apo Ballkaniadë, por për të bashkuar trojet tona dhe më pas, as që është nevoja për negociata, se do jemi edhe në Ballkan, edhe në Evropë, pjesë e botës…

Më pas nuk munda ta dëgjoj më, fika televizorin dhe as nuk shkrova më, as gjumi nuk më merrte…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora