E premte, 29.03.2024, 07:57 AM (GMT)

Kulturë

Besim Muhadri: Kuptimësia e shprehjes poetike

E marte, 24.06.2014, 06:00 PM


KUPTIMËSIA E SHPREHJES POETIKE

 Halil Haxhosaj: Ekspozitë në stinën e re, “Jeta e Re”, Prishtinë, 2014.

Nga Besim Muhadri

Në librin “Ekspozitë në stinën e re” Haxhosaj bën një erskursion interesant dhe gjithsesi të rëndësishëm poetik, duke lëruar tema dhe motive të shumta. Libri hapet me poezinë “Në kafenenë e jetës”, përmes së cilës poeti shpalos gjendjen e tij shpirtërore në momente të caktuara të jetës. Në këtë kontekst, në tavolinën imagjinare të poetit  shfaqen veprat që frymojnë me vargje, në të cilat rënkojnë vajet e shiut, që është një sintagmë poetike titull i huazuar nga Din Mehmeti, i botuar postmortum. Vargjet e kësaj poezie, në të cilat “Qielli derdh lotë rrëke e natyra qulloset deri në palcë”, janë prolog, apo një parahyrje në pozitë e dhimbjes e të mallit të poetit Haxhosaj kushtuar mikut të tij, poetit Din Mehmeti, i shuar para katër vitesh, e të cilat prezantohen brenda ciklit poetik “Ofshamat e telefonit”. Cingërima e telefonit, e rënë një natë të vonë, që parajalmëronte vdekjen e poetit Din Mehmetit, trondit thellë shpirtin dhe qenien e poetit Haxhosaj. Ai shpërthen në vaj dhe klithmë dhimbjeje:

Vdiq poeti, vdiq

Poezitë e këtij cikli, ashtu si edhe pjesa dërrmuese e poezive të librit në tërësi janë poezi të shkruara me dozën e dëshpërimit, të dhimbjes e të tronditjes së papërshkuar nga kjo ndarje. Ato përmbajnë brenda vetes pafundësinë e errësirës metaforike të natës së kobshme, në terrin e të cilës u tret jeta e poetit të famshëm. Poezitë e Haxhosajt janë krijime që burojnë thellë nga qenia e tij e mbushur dhimbje e trishtim, por edhe dashuri e respekt për mikun poet. Të tilla janë poezitë si:  “Mall i fshehur”, “Diçka u sos”, “Sa i rëndë malli”, “Trazimi i gjumit”, “Dyvjetor amshimi”, “Dorëshkrimi” etj. Poeti Haxhosaj Din Mehmeti sikur i zgjon asociacionin e krijuesit të pavdekshëm të poezisë. Ai madje i shfaqet edhe në ëndrra, në punë, në frmyëzime e në kujtime të përditshme.

Emri yt i veshur me poetikë

Qetësinë ma sjëll në dhomë

Apo

Atje në varrezat e qytetit

Edhe qielli pikonte mall

Mbi miqësinë tonë poetike

Ndërkaq poezitë e ciklit “Buzëqeshja e lajmit”, janë krijime të shkruara kryesisht në Stamboll, gjatë kohës kur poeti ynë kishte shkuar për t’u kuruar, por edhe në kohë dhe periudha të të tjera të frymëzimeve poetike. Në shumicën e vargjeve të poezive të këtij cikli, poeti bashkëbisedon me zemrën e tij, e cila po përballej me sfidën e quajtur jetë apo mosjetë.

Zemra ime

Mos u ligështo

Vetëm krenohu

Për epitetin

Që more

Në aortën e Perandorit

Ke nënshtetësi kosove

hapu e mos u tkurr

Por nuk mungojnë as poezitë në të cilat poeti Haxhosaj shpërfaq filozofinë e tij poetike, të brumosur me metafora dhe figura të tjera stilistike, të cilat poezisë së tij i japin forcën dhe sharmin e filozofisë poetike, thellësinë dhe qëndrueshmërinë e mendimit. Haxhosaj shkruan për pavarësinë kombëtare dhe rrugëtimin deri te kjo ditë; shkruan për alfabetin shqip dhe po ashtu edhe rrugëtimin tonë deri te skalitja e këtij evenimenti dhe pasurie kulturore e kombëtare, ashtu siç shkruan edhe për ngjarje të tjera të rëndësishme të popullit tonë.

Poezitë e ciklit të tretë, “Lot e shi” janë poezi , përmes të cilave poeti  jep kontributin e tij në kujtimin dhe nderimin e figurave të shquara të historisë sonë kombëtare e të artit letrar, siç janë Skënderbeu, Zahir Pajaziti, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Tahir Desku, Teki Dervishi, Ali Podrimja, Milianov Kallupi, Vaçe Zela e deri te asambleistja gjakovare, Gjygjyzare Xheravina e cila u aksidentua fatalisht kohë më parë. Por ai shkruan edhe për kardiokirurgun turk me nam, Kayciolu, i cili e operoi poetin në vitin 2009.

Në poezitë e kësaj natyre pena e poetit ndihet mjaft e sigurtë dhe ka elementet e një poezie të realizuar me mjaft kujdes dhe përkushtim. Edhe në këto poezie, sikurse te poezitë e ciklit të parë, por edhe të cikleve në vazhdim, ka mjaft dhimbje, mjaft trishtim, por edhe përkushtim, dashuri e respekt. Ky edhe është qëllimi i poetit: që duke përkujtuar ata që nuk janë më në jetë, qoftë për shkak të moshës, apo për shkak të rrethaneve të tjera të vdekjes së tyre, apo të ikjes nga kjo botë, t’i përkujtojë dhe përjetësojë qoftë edhe me një varg apo metaforë të vetme poetike. Poezia e Halil Haxhosajt, me theks ajo e kushtimit, është një poezi që të tërheq me kërkimin ngulmues metaforik dhe me kërkesat dhe zbërthimet e tjera poetike. Mjaft interesant dhe e realizuar me shumë kujdes është edhe poezia Lutja e mësuesit, e cila na del si një lutje simbolike, por tepër e sinqertë, në një moment të caktuar emocional të një mesuesi nga Bregliqeni i Zvicrës, që kur po pinte kafe pranë varrit të Maxhar Pashës në Gjakovë njëkohësisht kredhej dhe mësonte historinë e vërtetë të Kosovës. Ardhja e tij në vendin e ngjarjes dhe ballafaqimi me një realitet krejtësisht tjetër nga ai që e kishte mësuar dhe përfytyruar, e bën që të ndërrojë mendim dhe të bindet se ky vend ishte i bekuar dhe i brumosur bukuri të virgjëra natyre. Këtë e dëshmon edhe poezia në mbyllje të saj, kur thotë:

Mësuesi nga Bregliqeni i Zvicrës i buzëqeshur

Shikoi kah qielli dhe u lut:

O Zot shikoje Kosovë

Lutja poetike e Halil Haxhosajt, e shpërfaqur qoftë edhe përmes gojës së Mësuesit nga Bregliqeni i Zvicrës, është një lutje sa e hapur, aq edhe e sinqertë, reale. Përmes këtyre vargjeve poeti sikur dëshiron që të shpërfaqë qëllimin siç është përballja e të tjerëve me realitetin konkret. Përballja e këtij mësuesi i cili kishte krejt tjetër imazh, mesazh dhe kumt i mirë për atdheun e poetit.

Përveç mallit, dhimbjes, në poezinë e Haxhosajt ka edhe jehonë kënge. Kjo ndodh në poezitë e ciklit “Jehonë kënge”. Poezia e Halil Haxhosajt, e cila herë herë tingëllon paksa si mehmetiane e paksa podrimjane, është poezi e ndjenjës dhe e mendimit të thurur me talent krijues në momente të caktuara emocionale dhe shpirtërore, por edhe fizike të autorit. Ajo na vjen në formë të dhembjes, mallit, kujtimit e përkushtimit. Poezitë e librit “Ekspozitë në stinën e re”, janë poezi të brumosura me figura të qëlluara e të zgjedhura metaforike, të cilat asaj i japin kuptimësinë dhe fuqinë e shprehjes dhe të  mendimit. Poeti Haxhosaj me këtë vëllim poetik na dëshmon se është një poet i përkushtuar që shkruan vazhdimisht dhe se poezia atij i mbeti një vokacion i përhershëm, ndonëse nuk mbetet mbrapa as në lërimin e tregimit, dramës dhe të kritikës letrare e madje, madje edhe të romanit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora